Viron Kona
Etyde
Gri
Njerëzia largohen nga qyteti i shkatërruar ku t`mundin,
“Bukuroshja e Durrësit”i sheh me dëshpërim dhe habi,
Në një mal rënojash valvitet një flamur n`gjysmë shtize,
Një endacak ushqen një tufë pëllumbash me duart e tij.
Sprovë
Kohë provimi për njeriun janë këto ditë,
Për shpirtin,zemrën dhe karakterin e tij,
Disa zgjatin krahët, ndihmojnë fatkeqët,
Të tjerë u kthejnë shpinën, “c`est la vie!”
Fëmijët
Fëmijët e vegjël s`dinë, s`kuptojnë,
Se ç`po ndodh sot te ne në Shqipëri,
Na shohin me sy pyetës e t`habitur:
Pse i shtrëngojmë aq fortë në gji!?
Pasiguri
Përpiqemi të fshehim gjendjen e panikut,
Toka jonë e dashur ka filluar të kolovitet,
Sytë dhe rrahjet e zemrave na tradhtojnë,
Dit` të trishta,drithëruese,pasiguria rritet.
Propoganda bën çmos të na jap pak forcë,
Të na shtojë guximin,besimin, optimizmin,
Fjalët tingëllojnë si t`daulles që është bosh,
Si zjarr i shuar tërësisht në palcë të dimrit.
Miza mburravece
Kalorësi fshikullon dendur dhe ajri përreth dridhet,
Kali nxjerrë shkumë,karroca me shpejtësi fluturon,
“Ehe, jam unë, që po e tërheq kaq shpejt karrocën!”
Mburret një mizë kali, që në kokën e tij po qëndron!
Comments