top of page

ETNOMIMI ARBËRESH – SHQIPTAR...

Updated: Feb 25




Shkruan: Begzad Baliu


Hyrje

E përditshmja e Prishtinës, “Bujku-Rilindja”, prej datës 15 janar – 3 shkurt 1996, botoi fejtonin e Engjëll Sedajt “Etnonimi arbëresh - shqiptar”. I shkruar nga njëri prej njohësve më të mirë të perëndimit, – nën prizmin e të cilit pretendohet të shihen etnonimet arbëreshe-shqiptare, – dhe duke qenë njëri prej problemeve më të rëndësishme me të cilin janë marrë për një kohë të gjatë historianët, gjuhëtarët dhe kulturologët shqiptarë, ky fejton zgjoi interesim të dukshëm në rrethin e gjerë të lexuesve, ndonëse nuk mungonin as vërejtjet.

I nxitur nga vlerësimet e përgjithshme, Engjëll Sedaj , duke e plotësuar veç të tjerave edhe me një hyrje dhe përmbledhje në gjuhën angleze, këtë fejton e botoi si vëllim më vete në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Konteksti i studimit historik të etnonimit arbër

Libri hapet me një fragment të recensentit të parë, studiuesit Rexhep Ismajli, i cili i njofton lexuesit se fjala është për një vepër që “merret me një çështje të vështirë dhe të ndërliqshme filologjike (më pak) dhe historiko-kulturore (në thelb)” (f. 4) dhe me një parathënie shpjeguese mbi idenë që e shtyu autorin për të përgatitur një sintezë shkencore për etnonizimin arbëresh-shqiptar, pas gjithë atyre studimeve të bëra deri më tani nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Siç mund të shihet, shkak i parë ishte mendimi i historianes serbe Fanulla Papazogllu se, krahasimi i arbërve me albanët (ilirët) “mbështetet në ngjashmërinë e rastësishme të emrave” (f. 5). Më poshtë autori sjell edhe mendimin e një studiueseje greke, Eras Vranusit, të thënë më 1970, se “shprehja e Ana Komnenes to ex Arbanon hormomeno Komiskorti (“ia ka lënë Komiskorit të arbërve”), nuk jep kuptim etnik (të shqiptarëve), por jep kuptim administrativ të Arbanonit” (f. 5). Këtu do shënuar ndërkaq se ata që kanë përcjellë rrjedhat shkencore, kanë mundur të vërejnë se interesimi i autorit të këtij libri për problemin e etnonimit arbëresh-shqiptar është i hershëm dhe se pjesë nga vëzhgimet e tij të lidhura ngushtë me çështjen e arbrit i ka diskutuar edhe në disa tubime shkencore në Tiranë, Shkup, Ulqin, Prishtinë e gjetkë, e gjithashtu pjesë të saj i ka botuar në disa revista e studime të veçanta. Sikurse shkruan edhe vetë autori në përmbajtjen e shkurtër, në këtë libër “duke u mbështetur në literaturën shkencore për emrat e popullit shqiptar si dhe në burimet historiografike, autori ndjek vazhdimin e etnonimit arbëresh prej kohës antike, deri më sot […], sipas një metodologjie historiko - gjuhësore krahasimtare” (f. .



Prof Dr Engjëll Sedaj (1943-2006)

Pas parathënies, çështja e etnonimit arbër trajtohet në Hyrje duke filluar me interesimet e J. Tunmanit (1746-1778) e deri në ditët tona. Këtu shoshiten kryesisht çështje historike, arkeolo¬gjike, gjuhësore e kulturore, me të cilat autorë të ndryshëm janë përpjekur të përca¬ktojnë vendndodhjen e kryeqytetit të albanëve antikë, duke filluar me hartën e Ptolemeut, pastaj me hulumtimet e V. Toma¬shekut, të J. F. Falmajerit, Ksylanderit, Dozonit etj.

Autori bën mirë që, krahas emërtimit të shqiptarëve me emra të ndryshëm nga të huajt gjatë historisë dhe sot, sjell edhe një pasqyrë të emërtimit të popujve edhe më të mëdhenj se shqiptarët, për të dëshmuar se fjala është për një dukuri të natyrshme historike, që ka lindur si rezultati i fqinjësisë së popujve, luftëtarëve, pushtimeve të ndërsje¬lla, ndikimeve kulturore, përkimeve gjuhësore, madje jo vetëm në Gadishullin Ballkanik, por edhe në Evropën Perëndimore e Qendrore. Për sa u përket shqipta¬rëve, autori sjell edhe emërtimet e brendshme, sepse, sipas autorit: “ndër shqiptarët, përveç emërtimeve arbënesh dhe shqiptar, ekzistojnë emërtime të tjera sipas shtrirjes krahinore - rajonale më të gjera dhe më të ngushta, siç janë: gegë (Gegëri), toskë (Toskëri, Toskëni), çamë (Çamëri), pastaj: matijan, pultjan, llapjan, drenicas etj., kurse popujt e tjerë na quajnë: albanian, albansis, albanese, albaner, albanci, arnaut, arvanit, raban etj” (f. 12).

Nuk më duket se qëndron këmbëngulja e përsëritur e autorit që kalimi nga ilirët te shqiptarët të shikohet vetëm përmes etnonimit arbër. Siç dihet, shqiptarët kanë përdorur edhe emrat “sporadikë”, - siç i quan Sedaj, - epirotas, makedon etj., të cilët nuk duhen përjashtuar nga ky proces. Të pranosh vetëm emrin arbër, si përcaktues të etnonisë së sotme shqiptare, do të thotë të rrudhësh shumë hapësirën gjeografike të trojeve shqiptare ndërmjet trojeve të djeshme etnike dhe të sotme shqiptare, d.m.th. të rrudhësh shumë shtrirjen territoriale shqiptare dhe të zvogëlosh disa herë numrin e “shqiptarëve” të sotëm, gjatë antikës dhe mesjetës.

Pikëpamjet e studiuesve shqiptarë dhe të huaj




Studiuesi Engjëll Sedaj, duke iu qasur etnonimit arbër, mbështetet edhe në lëndën etnografike e të folklorit, por veçanërisht te rezultatet gjuhësore të Çabejit, pa anashkaluar këtu vërejtjet dhe mendimet e historianëve, si: Aleks Buda, Kristo Frashëri, Fanulla Papazogllu etj., pastaj gjuhëtarët Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Dhimitër S. Shuteriqi etj.

Në një artikull të veçantë, me mbështetje të mirë historike, historiografike e arkeologjike, autori trajton shtrirjen dhe vendin e formimit të albanëve antikë dhe të Albanopolit të tyre. Në mbështetje të njohurive të sotme të historisë dhe sidomos arkeologjisë, autori e gjen këtë vend midis Matit e Shkumbinit, duke pranuar mendimin e Selim Islamit për Zgërdheshin si qendra më e madhe arkeologjike e njohur në atë zonë. Po këtu, autori trajton edhe marrë¬dhë¬niet historike ndërmjet krahinave dhe qyteteve shqiptare gjatë antikitetit e mesjetës në shumë aspekte, duke vënë në përdorim edhe disa çështje të ndikimeve gjuhësore ndërmjet greqishtes e shqipes, të cilat shpjegojnë shumë çështje historike, edhe për faktin se shqipes i mungojnë dokumente të shkruara gjatë antikitetit dhe mesjetës në krahasim me greqishten.

“Shikuar sub specie mundi, – shkruan autori – etnonimi alban, në këtë shkallë të vetëdijes së zhvilluar, dëshmohet në rrjedhat e fuqisë titanike traditore, që gjatë shekujve ishte më e fuqishme se raca, religjioni dhe ekonomia” (f. 37). Le të shihet këtu edhe përkufizimi i përafërt i studiuesit Zef Skiroi i Ri (Giuseppe Schiro Jr.), të cilin studiuesi Sedaj nuk e ka konsultuar, sepse, po ta konsultonte, jo vetëm do të kishte plotësuar rezultatet e tij, por do të përfitonte edhe zgjidhje të reja: “Duke krahasuar me kujdes shprehjet arbëreshe ndër shkrimet greke – të pabotuara, por që gjenden në shtyp – më ra në sy se në fjalën Arbër përmblidhen vlera kuptimore që kapërcejnë shënimin e thjeshtë si emër i një populli e se ky emër reflekton më tepër botën etnike të fisit (“kuptimi historik i Arbërit e përgjigjja e tij në vetëdijen e popullit arbëror” ). Këta ishin njerëz që jetonin në kultin atavik të lirisë së individit dhe të njëjtës strukturë familjare: më pëlqen të kujtoj se historianët bizantinë i quajnë arbëreshët njerëz pa udhëheqës, pa kryetarë. Ishin njerëz që u lëshojin grave, të rinjve dhe të vjetrave kujdesin e shtëpisë dhe të arave dhe vinin si ideal të jetës trimërinë dhe respektin absolut të fjalës së dhënë, të besës” .

Struktura gjuhësore e etnonimit arbër

Në kapituj të veçantë, trajtohet historiku dhe trajtat e përdorimit të etnonimit arbër në gjuhën romane, - me theks të veçantë në variacionin r/i dhe rotacizmin n/r, si edhe në gjuhët sllave e në turqisht. Qëllimin që i ka vënë vetes, autori e ka shpjeguar dhe zgjidhur brenda kapitujve “Etimologjia e fjalës arbër” dhe “Trajta më e re e etnonimit «shqiptar»”. Duke filluar me Gustav Majerin, autori i kthehet edhe një herë rrënjës së etnonimit arbër: nga baza indoevropiane “albn në lidhje me lat. Albus” (f. 81), për të konsultuar më tej edhe Petar Skokun (alb-, arb-), i cili e nxjerr këtë rrënjë si paraindoevropiane; si dhe Vinçeno Dorsen, M. Pavlloviqin, i cili, bazën e arb-, e konsideron me bazë ilire; studiuesin Idriz Ajeti, i cili, duke sjellë mendimin e Holger Pedersenit, shpreh mendimin se “trajta alb- është sekondare, e dalë nga baza arb” (f. 84). Në këtë aspekt, ai rimerr edhe disa çështje të prapashtesës – esh dhe të “betacizmit rv : rb” (f. 86). Autori, për arsye të ndryshme gjuhësore, por edhe historike, konsulton edhe shumë studiues shqiptarë ose të huaj, por mbështetje kryesore gjen te studiuesi E. Çabej, që për më shumë se dyzet vjet, e ka trajtuar etimologjinë e etimonit arbër në disa artikuj. Në këtë aspekt, mendoj se më e rëndësishme se çështja e betacizmit, këtu është çështja e variacionit l : r. Studiuesi shqiptar Petro Zheji shkruan se “Arbania (Arbëria) dhe Albania janë e njëjta gjë”, “meqenëse ar dhe al janë semantikisht identike” . Në anën tjetër, Leonard Blumfildi ka konstatuar se “gjuhët indoevropiane tregojnë po ashtu edhe një mosdallim të vjetër të /l/-së dhe të /r/-së, që është shpjeguar si shkak i substratit që kishte vetë njërin ose asnjërin nga këta tinguj” . Zgjidhja e këtij problemi në gjuhësinë shqiptare besoj se këtu do të jepte përgjigje edhe në disa çështje të rëndësishme të fjalorit etimologjik. Ne po e shtojmë këtu edhe një mendim të Zef Skiroi i Ri (Giuseppe Schiro Jr.), që e ndihmon çështjen tonë jo vetëm në aspektin gjuhësor: “Nuk duhet të jesh glotolog për të zbuluar që albanoV e arbër janë fjalë të një rrënje se arbër – gegërisht arben – është rezultat i një evolucioni fonetik gjatë shekujsh në gojën toske. Nëse ne marrim në shqyrtim zhvillimet semantike të albanoV, nga popullsia greke e Epirit që jetonte bashkë me arbëreshët dhe rrjedhimisht nga kronisti i Tokajve, – i cili ishte një grek fanatik nga Janina, – ne mund të depërtojmë në vlerat semantike të fjalës “arbër, vlera semantike e të cilit na reflektohet nga gjuha greke dhe motike, që nuk ishte e panjohur nga të parët tanë” .

“Fjala albanhtiV përkthen termin arbëresh dhe shënon arbëreshin në individualitetin e tij: albanhtai ose albanhteV janë shumë arbëreshë [...]. Kjo është forma që i qëndroi kohës: e vetmja sot në përdorim në greqishten dhe motike” .

“To albanon është një fjalë netre [asnjanëse], me kuptim kolektiv e mund nënkuptoi genoV =fis.”

“Të gjithë popujt e tjerë, duke u marrë në entitetin global të tyre, shënohen zakonisht me emrin mashkullor, njëjës apo shumës, por jo me trajtën neutër” .

“Lirisht dhe haptas të shkoj për mes të krahinave arbëreshe. Është e qartë se këtu për metonimi ta Albana shënon jo aq arbëreshët, sa krahinat e banuara nga Arbëreshët. Nga këtu del se çdo krahinë e banuar është në vetvete albanhon” .

Ashtu siç u tha për greqishten, ku shënohen dy grupe kuptimesh albanone albana me vlerë të njëjtë, dhe arbanhtiV. Keta (Chetta) duke iu përshtatur të folmes së kohës, përdor dy forma: një arbër dhe tjetra është “arbëreshë” dhe, ashtu si në greqishte, forma e parë shënon “arbëreshin” ose shqiptarin si përfaqësues i fisit, ndërsa arbëreshë-arbëreshi shënon individin arbëresh në vetvete. Ndryshimi sot, duke dalë jashtë përdorimit fjala arbër, duket i stërholluar, por është lehtë për t’u kuptuar nga ai që njeh kuptimin e ri e të vjetër të fjalës arbëresh” .

“Pra kuptimi arbër është arbëresh ose shqiptar duke theksuar sidomos “fisin” si dhe dheun ku jetojnë Arbreshët e Shqiptarët. Pra, ku arbreshi vë vatrën e tij aty është “Arbër”: do me thënë “Shqipëri” [theksojmë se Chetta nuk përdor formën Arbëri]. Rrjedhimisht Arbria nuk gjendet vetëm brenda kufirit politik të Shqipërisë së sotme, por në çdo pjesë të dheut ka dhizet flaka e një vatre shqiptare: në Greqi, në Ungari, në Rumani, Jugosllavi, Turqi, Itali dhe Amerikë. Vlerë mistike e fjalës: aty ku shqiptari vë gurin e vatrës së tij, ajo shtëpi bëhet Arbër. […] Është Shqipëri mistike, një Shqipëri spirituale me plotësimin e të gjitha vlerave morale që çdo shqiptar trashëgon nga autoriteti atëror dhe ja u pason pasardhësve me besnikëri” .

Konteksti kulturologjik

Duke mos i vënë vetes si detyrim mbrojtjen e një teze të tillë, jo për të polemizuar, por për të njohur lexuesit me një koncept gjuhësor-historik, gjuhësor e posaçërisht kulturor shqiptar, po sjell këtu një tipologji të emërtimit të shqiptarëve nëpër shekuj:

I. Aspekti historik:

 Ilir

 Epirotas

 Maqedon

II. Aspekti etno-historik:

 Arban (Alban)

 Epirotas

 Maqedon

 Shqiptar

III. Aspekti fetar:

 Mysliman

 Katolik

 Ortodoks

IV. Aspekti kulturor:

 Osmanli (turk)

 Latin

 Arum

V. Aspekti krahinor

 Geg

 Tosk

 Kosovar

 Mirditor

 Matjan

 Drenicas

 Lab

 Llapjan

VI. Aspekti përkeqësues

 Arbër

 Malok

 Katundar

VII. Aspekti metaforik

 Arbëror

 Shqiptar

 Malësor

Rrjedhimisht, etnonimi arbër del më shumë si një metaforë që në kontekstin e plotë etnik, por që ka mbështetje historike, gjuhësore, kulturore, fetare etj., në gjithë truallin e shqipes apo në tërësinë e tij. Etnonimi arbër edhe më tutje do shqyrtuar në aspektin historik, etnografik, gjuhësor, kulturor etj. Vetëm duke pasur dallimet dhe përbashkësitë e tyre, ne mund t’ia bëjmë vendin dhe t’ia gjejmë peshën etnonimit në fjalë.

Arbër dhe “shqiptarë

Çështja e parë që të bie në sy në kapitullin “Trajta më e re e etnonimit «Shqiptar»”, është vënia në thonjëza e etnonimit shqiptar. Pasi gjen mbështetje te studiuesi Çabeji dhe te disa studiues të tjerë, se “emri shqiptar, Shqipëri, duket të jetë imponuar në kohë të re” , autori bën çmos për të përforcuar “dëshmitë e tij” për antitrupin aziatik shqiptar, që iu ngjit etnonimit arbëresh, duke zbutur edhe mendimin e Rexhep Ismajlit, për mendimin tim nga më të qëndrue¬shmit, se ndërrimi i etnonimit u imponua “natyrshëm në kohën e krijimit të kombit”..., që natyrisht erdhi si rezultat i “ndryshimeve më të thella sociale, politike e konfesionale” .

Për studiuesin Sedaj, etnonimi arbëresh është përcaktues i ndërgjegjes kombëtare, evropiane etj., kurse “ideologjia islame” (autori emërton katolicizmin “fe”, ndërsa islamizmin “ideologji”, sikur të fliste për një fe dhe një ideologji), ishte “shkombëtarizim i popullit, e që shënon një shkallë të caktuar humbjen e ndërgjegjes kombëtare”. Një mendim i tillë kujtoj se është krejtësisht subshkencor dhe i ndërtuar mbi motive jashtëfetare, që nuk do të duhej t’i arsyetonte e aq më tepër t’i thoshte një studiues i përmasave të E. Sedajt. Përveç kësaj, autori, shprehjen “e imponuar” të studiuesit Çabeji, e shpjegon si “e dhunuar, përdhunuar” etj., për të bërë më pas krahasime ndërmjet trajtave arbëresh: shqiptar dhe shqiptar: shqiptari. Krahas përpjekjes për të kurorëzuar mendimin e tij, autori sjell edhe mendimin e Çabejit për përdorimin e stërkequr të etnonimit arbër, që unë këtu po e sjell më të plotë nga një botim më i hershëm: “një stërkeqje analoge [me malësorët e Veriut të Shqipërisë, - B. B.] ka pësuar në Vlorë fjala arbëresh: arbëror, siç dihet, quhen banorët e Arbrit, pra, të një pjese të Labërisë e të rretheve të Vlorës […], qytetari i Vlorës, (arbëreshit, bariut të vrazhdë dhe shumë herë të ndyrë të maleve që zbret në qytet, i dha një kuptim pezhorativ si “njeri i ndyrë, i pagdhendur”, tamam siç ndodhi me malokun në Veri” . Në këtë rrugë mbase duhen parë edhe shprehjet e mëvonshme: shqiptar e katundar (Gjakovë), qytetar e katundar-malok etj., të cilat s’ka dyshim se dolën si rezultat i ndryshimeve social – ekonomike e kulturore e jo krejtësisht fetare, siç këmbëngul autori.

Dhe i bindur se ia ka arritur qëllimit, studiuesi Sedaj, del me propozimin që tani e tutje, etnonimi arbër dhe toponimi Arbëri të përdoret në vend të etnonimin shqiptar dhe toponimit Shqipëri” (f. 122). Kuptohet, për lexuesit e informuar, as kjo nuk është e re. Propozimi i këtij studiuesi, sado i arsyetuar dhe i metafori¬zuar qoftë, është në të vërtetë i njohur që nga fundi i shekullit të kaluar, kur, sipas mendimit të disa intelektualëve shqiptarë, kufijtë e shtetit të ardhshëm autonom duhej të kufizoheshin vetëm brenda popullsisë shqiptare të besimit katolik. Fjala është për një ndërmarrje shkencore me shumë interes, për kurorëzimin e së cilës, kushti i parë është të liruarit nga kompleksi i fajësisë kolektive ose të fajësuarit krahinor, fetar, kulturor, gjuhësor etj.

Siç duket, prej periudhës së Rilindjes e këndej, në mos edhe më herët e deri më sot, nuk jemi çliruar nga kompleksi i prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe. Në qoftë se vendi i prejardhjes së popullit shqiptar – për çka angazhohet edhe studiuesi Sedaj në nëntitullin “Kontribut për autoktoninë e shqiptarëve” – ka qenë përcaktues historik dhe politik për krijimin e shtetit shqiptar dhe vendin e gjuhës shqipe në trungun e gjuhëve indoevropiane, atëherë përse ndryshimet e brendshme, që erdhën si rezultat i forcave të jashtme, duheshin parë si shenjë e fatkeqësisë që vjen nga historia dhe kjo reflektohet aq fuqishëm në të ardhmen?

Pra, pse kalimi nga etnonimi arbër në etnonimin shqiptar ishte një fatkeqësi historike? Për arsye se, sipas autorit, shqiptarët që kaluan në besimin islam, pranuan edhe veshjen islame edhe jetën islame, prandaj përballë Evropës, shqiptarët u kthyen me fytyrë nga Lindja (siç!).

Ka shumë arsye që e kundërshtojnë këtë mendim: historike, etnike, gjuhësore, kulturore, fetare etj., prej të cilave po i japim vetëm disa:

- së pari, tashmë të gjithë studiuesit kanë pranuar tezën se shqipja i takon grupit satem, domethënë lindor, të gjuhëve indoevropiane, ndërsa ilirishtja i takonte grupit centum;

-së dyti, shqiptarët janë kthyer me fytyrë nga Lindja para se të pranonin islamizmin, pra, atëherë kur kisha e krishtere u nda në katolike dhe ortodokse;

-së treti, shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk kanë ndonjë lidhje familjare me ndonjë nga popujt ose grupet e popujve të Evropës Perëndimore, përveç besimit katolik që mban një pjesë e popullatës dhe shkrimit (latin), të përgjithësuar vetëm në shekullin XX, sado që dëshmitë historike, si ajo e Brokardit, japin të dhëna për përdorimin e shkrimit latin së paku që nga fillimi i shekullit XIV, prandaj, mbase nuk është e rastit që gjuha shqipe dhe kultura e saj në katedrat e institucioneve shkencore të Evropës, mësohet në katedrat e gjuhëve të Lindjes e, madje, edhe të gjuhëve sllave;

-së katërti, siç e provojnë shumë dokumente, shqiptarët nuk arritën të kalojnë jo vetëm në besimin katolik si shumicë, por as në krishterimin në tërësi;

-së pesti, por jo së fundi, shqiptarët asnjëherë nuk kanë mbajtur ndonjë qëndrim të veçantë për kalimin e organizuar në besimin islam.

Përkundrazi, kanë qenë rrethanat historike ato që, në mënyrë afatgjatë, i kanë kushtëzuar këto ndryshime, qoftë edhe në mënyrë të pjesshme. Vitet e fundit, këto rrethana i ka përcaktuar mjaft mirë historiani Kasem Biçoku: “Gjatë shekujve të Mesjetës, pas organizimit të kishave sllave e greke me prirje të theksuara asimilimi ndaj shqiptarëve, krahas antroponi¬misë me formë të dalluar kombëtare, në trevat shqiptare dhe sidomos në zonat periferike, ku ushtruan veprimtarinë e tyre klerikët sllavë e grekë, u përhap gjerësisht te shqiptarët edhe antroponimia sllave e greke. Në këtë drejtim ka ndikuar shumë zhvillimi i liturgjisë në gjuhën greke e në atë sllave, gjë që ka ndihmuar në asimilimin e një pjese të shqiptarëve prej fqinjëve [...]. Përbërja shqiptare e klerit katolik dhe shkollimi paraprak i tij në Shqipëri i dhanë besimit katolik tiparet e një feje kombëtare që ndikoi shumë në rritjen e vetëdijes kombëtare të shqi-ptarëve. Katolicizmi u bë një barrierë e fuqishme kundër asimilimit sllav, po ashtu, siç do të bëhej më pas islamizmi. Në kushtet e ndarjes së shqiptarëve në dy rite kristiane, në katolikë e ortodoksë, dhe të mungesës së një kishe kombëtare të organizuar, përhapja e islamizmit shfaqej edhe si një proces i ruajtjes së individualitetit kombëtar përballë veprimta¬risë asimi¬luese të kishave greke e sllave” . Natyrisht, nuk është fjala këtu për zgjidhjen e problemit, por për sintezën më të mirë rreth së cilës sillet pjesa më e madhe e studiuesve që merren me këtë problem.

Dilemat dhe kundërthëniet?

Ata që ngulin këmbë për katolicizmin kombëtar si kusht të parafytyrimit të shqiptarit euro - perëndimor, harrojnë trashëgi¬mi¬në kulturore ilire, bashkëjetesën e gjatë me kulturën greke dhe rrezatimin e saj kulturor ndër ilirët e të ilirëve ndër ta, më shumë sesa kultura perëndimore, si dhe katolicizimin vetëm të pjesshëm të shqiptarëve.

Përkrahësit e përparësisë së ortodoksisë harrojnë se, edhe pas ndarjes së Kishës Lindore, ndikimi gjuhësor e fetar i Romës ishte edhe për më se dy shekuj i qëndrue¬shëm, ndërsa shqiptarët ishin dobësuar shumë gjatë rrënime-ve që sollën fiset vandale – nuk u është bërë e mundur të kalojnë në ortodoksizëm. Aq më tepër kur pushtuesi që mbretëronte (romak, grek ose sllav), përcaktonte edhe organizimin fetar, gjuhësor (administrativ) e kulturor në atë pjesë të trojeve shqiptare. Këta vërtet do të kishin shumë të drejtë nëse shqiptarët do të kishin mundësi për t’u integruar brenda territoreve etnike, duke u çliruar nga prirjet çintegruese që u kishin imponuar pushtuesit romakë, grekë e sllavë, dhe nëse, pas ardhjes së sllavëve e më pastaj edhe pas pushtimit prej Perandorisë Osmane, prirjet çintegruese kulturore, sociale dhe gjuhësore brenda trojeve etnike shqiptare nuk do të ishin aq të theksuara.

Nuk më duket i drejtë as konstatimi i disa studiuesve se, pas pranimit me dhunë të ortodoksisë (sllave), shqiptarët kaluan në besimin islam dhe shpëtuan nga sllavizmi.

Së pari, te shqiptarët, kalimi në besimin ortodoks i kishës sllave ende nuk ishte ngulitur si kulturë shpirtërore dhe, së dyti, shqiptarët më parë se sa të përqafonin besimin ortodoks (sllav) me të cilin do të fitonin lirinë shpirtërore, pranuan islamin dhe përfituan jo vetëm lirinë shpirtërore, por edhe privilegjet shtetërore, ekonomike e social - kulturore. Pra, kjo ishte çështje e raportit të forcave, me ç’rast shqiptarët, pa kishë autoqefale të organizuar dhe me thyerje të fuqishme (të shkaktuara nga pushtimi i vendit të tyre prej tri fuqive të kohës), e që çonin nga rrjedhat centrifugale të pjesëve të saj politike, kulturore, gjuhësore etj., mund të bashkoheshin vetëm andej nga ishte më i fuqishëm gravitacioni shtetëror-admini¬strativ. Sot, ndërkaq, gabimin më të madh e bëjnë ata që, në vend që të gjykojnë historinë, duan ta përmirësojnë atë brenda natës. Cinizëm i llojit të vet është edhe deklarata e politikanëve dhe shkencëtarëve, kur njëzëshëm thonë se tri (katër) fetë janë pasuri shpirtërore e madje kulturore e shqiptarëve.

Feja, cilado qoftë ajo, vërtet është pasuri shpirtërore, por deklarata për pasurinë e shqiptarëve, sepse u takojnë tri besimeve, është demagogji politike e politikanëve, tragjedi historike e shqiptarëve dhe mjerim shkencor i shkencëtarëve.

Secili pushtues imponon kulturën, gjuhën dhe fenë e tij dhe kjo s’ka pse të ekzagjerohet as mohohet a madje as popullarizohet, as në rastin tonë.

Në këtë libër, studiuesi Engjëll Sedaj përpiqet së tepërmi që të gjejë dallimet ndërshqiptare të besimeve të ndryshme dhe përparësitë e fesë katolike përballë islamizmit, të para këto nga këndi i historisë, gjuhës dhe traditës, si shkaktare të fatkeqësisë së sotme të shqiptarëve. Sado që këmbënguljet e autorit pretendojnë të jenë historike-gjuhësore, dhe madje kulturore - historike, në të vërtetë, në të dy rastet pretendo¬jnë majën etnoshpirtërore të popullit shqiptar dhe pamjen historike të tij.

Prishtinë, maj 1996

(Janë mënjanuar 17 referenca)

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page