top of page

ERA NUK I RRËZON MALET


Timo Mërkuri

ERA NUK I RRËZON MALET

Pjesa e Parë

VOAL më 9 maj 2023 publikoi shkrimin: “Dije apo Alogjizma pa Dije që e prejardhin Polifoninë tonë Popullore nga Sirenat dhe Muzika byzantine” të Prof. Aleksandër Peçi, një shkrim i gjatë me pretendime studimore shteruese në temën në fjalë. Sigurisht që e lexova me vëmëndje, madje e rilexova edhe pak i hutuar pasi jo vetëm që qëndronin shumë larg nga njeri tjetri pretendimi si studim me realizimin e një niveli minor, por qëndronte shumë larg emri dhe titujt e profesorit me analizën dhe argumentat e paraqitura, se për zgjidhje të problemit as që bëhet fjalë. Një shtjellë mosdijesh, moskuptimesh dhe keqpërkthimesh vërtiteshin si një shtjellë ajri me pretendimin për tu shndruar në një tornado, që do e rrafshonte kudo iso-polifoninë me furinë e saj duke e detyruar të “kthehej në labëri” si një grua e ndarë nga buri dhe e braktisur nga fëmijët që “kthehet në derëbabe” për të kaluar ditët e fundit të saj.

I-Qysh në krye duhet të themi se iso-polifonia nuk është një grua e braktisur nga buri dhe fëmijët, por është një mbretëreshë hijerëndë me kurorën e artë mbi krye, ndriçimi i së cilës i bën të pulitin sytë gjithë pretedentet e saj, kudo në botë. Ajo qëndron e rrethuar me bijtë e bijat e saj, variante të shumta të këngës kudo në trevat që flitet shqip, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar, madje mund të themi se të “ndriçuar” prej bijve emigrantë edhe popujt e tjerë janë dritësuar prej saj. Ajo nuk e ka babanë apo nënën në labëri, por varianti lab është një nga bijtë e saj të shumtë.

Përsa i përket “tornados” së pretenduar, nuk habitem pse vendi ynë gjithmon “belanë” e ka gjetur nga ca shqiptarë, të cilët ndaj atdhetarëve që kanë arritur suksese, nisin e këndojnë një këngë të tipit të meskinëve, kur (sipas Kadaresë) i “këndonin” Majakovskit: “Ti ishe i madh por ne ta hëngrëm kokën”. Gjëja që dinë të bëjnë më mirë ca shqiptarë është të synojnë të hanë koka shqiptarësh, nga ato që ndrijnë për atdhe.

Mirëpo të shkruarit e një artikulli nga një mbajtës i titullit “professor” ka disa detyrime, ku kushti i parë që duhet të plotesojë shkrimi ose artikulli ëshë zbatimi i parimeve të etikës në kërkimin shkencor, ose ato që quhen “parimet themelore të integritetit të kërkimit”. Këto parime i orientojnë kërkuesit në punën dhe në angazhimin e tyre me sfidat praktike, etike dhe intelektuale që janë në thelb të kërkimit. Për ju lexues: ndër këto parime do të përmendja: “garancia për cilësinë e kërkimit, pasqyruar në konceptin, metodologjinë, analizën dhe përdorimin e burimeve”, “ndershmëria në zhvillimin, ndërmarrjen, shqyrtimin dhe komunikimin e kërkimit në një mënyrë transparente, të drejtë, të plotë dhe të paanshme”, “respekti për kolegët, pjesëmarrësit në kërkim, shoqërinë, ekosistemet, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin”, “përgjegjshmëria për kërkimin që nga ideja deri në botim, për menaxhimin dhe organizimin e tij, mbikëqyrjen e udhëheqjen, dhe për impakte më të gjera”, që mund të sjellë punimi në fjalë. (Shih “Kodi Europian i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor”)

Nisur nga sa me siper, sa nga keto kritere plotëson shkrimi i profesorit në fjalë? Le te shohim hap pas hapi.

Qysh në krye artikulli nis me një mungesë respekti për kolegun Tole kur shprehet:” Tole… është me dije të dyshimta mediokre dhe me alogjizma pa fund” për të vazhduar e përfunduar me të njëjtin stil: “Kjo është alogjizmë në librin e Toles kur i etiketon Sirenat greke dhe iso – polifonia nis nga ato”, “Se shtati. Po ndjek budallallëkun në arsyetim te Tole”,” është shndruar në një diversion”, “..vuan nga një sëmundje e rezikëshme që quhet “manipulomania”,” Kësaj i thonë ta Ç’Arberrizosh që në rënjë, polifoninë” etj.

Referuar Kodit në fjalë, i shohim si të papranueshme këto shprehje dhe disa të tjera që përkufizohen si: “fabrikim”, “falsifikim” etj. “Fabrikimi” është sajimi i rezultateve dhe regjistrimi i tyre sikur të ishin të vërteta” kurse “Falsifikimi është manipulimi i materialeve të kërkimit, pajisjeve apo proceseve ose ndryshimi, heqja apo shmangia e të dhënave apo rezultateve pa justifikim”. Këto forma shkeljesh konsiderohen në mënyrë të veçantë serioze përderisa ato prishin të dhënat e kërkimit.

Si qëndron artikulli në fjalë në raport me sa me sipër?

Akuzohet akademiku se ka propoganduar zbulimin sipas së cilës: “Kënga iso-polifonike e ka origjinën nga kënga e sirenave apo nga kënga bizantine” apo “Terma diversioniste qe e prejadhin Polifonine Arberore nga Sirenat dhe muzika byzantine” pa paraqitur asnjë provë të dokumentuar, akuzohet se :” manipulon hartat”, se: ”ka future në kurth UNESCO”, ka : “ndëruar atësinë e këngës sonë polifonike” “Pra Tole thote qe iso – polifonia nis me Sirenat”etj.

Të shkruash një artikull –studim me shkelje të tilla etike, zhvlerëson gjithë shkrimin dhe bëhesh i pabesueshëm për lexuesit intelektualë.

II-Gjithmon kam qënë i mendimit se kjo shtjellë ka qënë një moskuptim, mosdije dhe keqpërkthim dhe nqse lexuesi do më falë përsëritjen, po i trajtoj shkurtimisht edhe këtu, për të kuptuar vijueshmërinë e mëtejëshme.

Së pari u sulmua termi “iso-polifoni” si një term që e ndante popullin tonë nga “tufae popujve polifonikë (F. Çuashi. “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”) pse nuk u kuptua drejt termi i përdorur në çertifikimin e bërë nga UNESCO të këngës polifonike me iso si kryevepër shpirtërore e njerëzimit ku teksti ishte: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”. U keq interpretua në përkthim shprehja “Albanian folk iso-poliphony” që është thjershtë shqiptimi anglisht i shprehjes shqipe “Polifoni popullore shqiptare me iso” pse në anglisht mbiemri qëndron para emrit.

Më pas u paraqit fotografimi i një faqe sejti të UNESCO ku shkruhej tekstualisht: “The term iso is related to the ison of Byzantine church music and refers to the drone accompanying polyphonic singing”, e cila përkthehet: “Termi iso ka lidhje me ison-n e muzikës kishtare bizantine dhe i referohet një tingulli të mbajtur që shoqëron këndimin polifonik”, pra këtu nuk bëhet fjalë për origjinën e këngës por për shpjegimin e “termit” iso si “term”, si fjalë.

Sigurisht që ky moskuptim apo keqpërkthim u shoqërua në bashkëkohësi edhe me “zbulimin” se akademiku paska shkruar që: kënga jonë iso-polifonike e ka prejardhjen nga kënga e sirenave, por mqse do ti kthehem pak më von kësaj teze, më lejoni të vijoj shtjellimin e “zbulesës” së “biznatin isosit” siç e quajti artikull shkruesi në një simpozium.

Është e rëndësishme të theksojmë se artikull shkruesi nuk ka paraqitur asnjë provë dokumentare për akuzat që ai bën, ndonëse serioziteti i titujve që mban i kërkon së pari “provën” e gabimit (apo fajësisë) të palës tjetër dhe zbërthimin e elementëve të fajit. Mqse artikullshkruesi nuk paraqiti prova dhe dëshmi dokumentare të fajit apo gabimit, atëherë në kemi menduar të paraqesim çfarë thotë realisht akademiku që kritikohet dhe akuzohet.

III-Akademiku Vaso Tole te libri i tij studimor “Polifonia shqiptare” SHBLU Tiranë 1999 f.51 shkruan:”ajo çka do të thonim e përmbledhur me pak fjalë synin mbështetjen e origjinës iliro-epirote (shqiptaro jugore), një riklasifikim të shtrirjes së polifonisë sonë popullore në një rafsh kombëtar si dhe një ritheksim të origjinalitetit dhe vlefshmërisë të fenomenit “polifoni popullore”aty ku ajo bindshëm gjindet dhe jo vetëm aty ku ne mendojmë se ajo interpretohet si e tillë”. Pra në kundërshtim me sa përflitet akademiku mbron, thekson dhe argumenton “origjinës iliro-epirote (shqiptaro jugore) të këngës sonë iso-polifonike (polifonike me iso). Mos vallë nuk janë dakort me këtë origjinë debatuesit?

Në f.51 akademiku shkruan: “..gjatë praktikimit të liturgjive muzikore biznatine, në vende të veçanta të Shqipërisë jugore ka patur interpretime origjinale të saj, këto të ndikuara kryesisht prej kulturës së fortë polifonike vendase…Kjo do të thotë që nuk ka patur kohë ndikimi i kësaj kulture (byzantine. Shën im. T.M.) te dëgjuesit, ndërkohë që janë vënë re ndikime nga krahu tjetër (polifonia mbi muzikën kishtare. Shën.im. T.M.)”, pra ai thekson që jo vetëm që muzika byzantine nuk ka ndikuar te muzika jonë polifonike me iso, por përkundrazi, është kjo që ka ndikuar te muzika byzantine. Kaq shqip sa është shprehur autori nuk ka si thuhet ndryshe, por pyetja është se; çka këtu për tu kundërshtuar, “ku ka këtu tjetërsim atiësie”. Në f. 53 pamundësinë e ndikimit të muzikës bizantine te kënga jonë polifonike e shpjegon: " polifonia jonë është polifoni e ndërtuar mbi ison dhe në këtë kontekst, kurrësesi nuk mund të jetë huazuar guri i themelit, formula e ekzistencës së polifonisë sonë, pasi ajo nuk huazohet por rrjedh prej vetvetes", a e kuptoni këtë, iso është guri i themelit i këngës sonë polifonike me iso sepse :”iso në këngën bizantine nuk është organike”. Më poshtë autori shkruan :” Është më se normale që në kuadrin e lashtësisë së polifonisë të shikohet edhe marrje dhëniet e saj me kulturat e ndryshme muzikore në të cilat kultura muzikore polifonike ka rrezatuar”. Nqse duhet të sqarojmë artikullshkruesin se ç’nënkuptohet me termin “epirot” unë do ti thoshja se nënkuptohen ilirët që banonin në territorin nga Ambrakia gjer në Fier (Epiri i vjetër) dhe më pas gjer në Durrës (Epiri i ri). Ku është antishqiptarizmi i autorit te rreshtat e mësipërm, veçse në qoftë se kundërshtuesit nuk e kanë lexuar librin e tij dhe shkojnë pas berihajt “ujku ndër (dhën) këngë” të një çaushi të vogël, që u zileps nga arritja e akademikut dhe u hidhëruar që nuk ishte pjesë e stafit.

Vlen të ritheksoj se “polifonia jonë me iso është ndërtuar mbi bazën e iso-s”, iso është guri i themelit, ai gur pellazgjik që nuk e lëvizin vendit as tërmetet. Muret mund të çahen, të plasariten, të rrëzohen aty këtu e të rindërtohen përsëri, por themelet mbetën aty pa lëvizur shekuj e epoka më pas duke përcjellur këngën nëpër breza. Nuk maten dot me iso-n ca vogëlushë që e qëllojnë me llastiçka zogjsh.

Është interesante se te libri i tij “Pse qajnë kuajt e Akilit” Mediaprint 2011, f.159 Tole shkruante:” Duke ju rikthyer edhe një herë rëndësisë së ritualit vajtimor në krijimin e traditës muzikore shumëzërrëshe iso-polifonike në Shqipërinë e Jugut, dëshirojmë të kujtojmë se polemikat në lidhje me gjoja prejardhjen e vajkëndimit muzikor popullor shumëzërrësh, pra të iso-polifonisë, prej muzikës byzantine (kjo për shkak të huazimit në praktikën popullore të fjalës “iso”, për të përshkruar rolin e zërit të fundit në këtë mënyrë këndimi) janë të pa baza. E kundërta mund të ngjasë, dhe kjo është tashmë e provuar, pra që muzika byzantine si një dukuri muzikore e mëvonëshme, është ushqyer dhe formuar si kulturë muzikore shumë e vyer, prej kulturave tradicionale të popujve që praktikonin fenë e krishterë..”, ndërsa në f. 160 vijon shpjegimin: “Një ndër arsyet lidhet me faktin se kultura iso-polifonike buron dhe është ndërtuar organikisht mbi konceptin e iso-s shumëvalëshe, me një fjalë nuk bën dot pa të, ndërsa isoja byzantine, sipas studiuesve është provuar se është strukturalisht e ndashme nga zërat e tjerë të muzikës biznatine”.

Në f. 164 shpjegon më tejë: “…kultura muzikore iso-polifonike është një kulturë e patemperuar, pra ndërtohen mbi zëra muzikorë të cilët funksionet e tyre nuk i kanë të lidhur me kontekstin e ritit fetar, por me ciklin e hershëm parafetar të jetës dhe të vdekjes”.

Sa më sipër janë disa citate të shkëputura prej meje nga librat e akademikut Tole dhe që shprehin qartë pozicionimin e tij atdhetar dhe shkëncor në lidhje me hamendësimet se gjoja kënga iso-polifonike ka (ose është shkruar se ka) origjinë nga kënga kishtare byzantine dhe se kjo tezë është e gabuar shkencërisht dhe e pa mbështetur në dokumenta dhe praktikë muzikore.

Natyrshëm që jo vetëm unë, por edhe çdo lexues do pyesë: ku e ka burimin ky lumë “llumi” që hidhet mbi punën dhe veprën e tij? Çfarë prove, çfarë dëshmie, çfarë dokumenti ka artikullshkruesi dhe ata që qëndrojnë rreth apo pranë tij që të vërtetojnë akuzat ose së paku t’i mbrojnë ato që të mos quhen shpifje. Shpifjet mund të bëhen shtjella ajri por nuk shndrohen dot në tornado, por dhe në u shndrofshin në të tilla nuk i shembin dot mallet dhe kështjellat.

…vijon…

Sarandë, më 14 maj 2023




42 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page