top of page

Enkomiastike



(Platoni rivendosi historinë enkomiastike athinase në shërbim të një ideali të ri të ndryshëm nga athinasit)

Prof Dr Fatmir Terziu

… enkomastike, do të thotë plot lavdërime. Rrënja greke është “encomium”, që do të thotë një lloj i veçantë i rrëfimit, ose i të folurit që mbledh lavdërime për një person ose diçka tjetër... Pra një arsye më shumë që na shpie tek shkrimi i sotëm, shkrimi i “tejpopulluar” ku “encomium” duket jashtë freskisë së tij reale, jashtë vesës mëngjezore të duhur e të domosdoshme për gjallërinë dhe freskinë e fjalës, shkrimit dhe kuptimit…

Sakaq, shkrimi i “tej-populluar” (sidomos nga interesat e kohërave) na rrëfen “këmbëkryq” se forma e artit të praktikuar në mënyrë universale, bën që diktuesi i parë të harrohet. Të mësuarit dikur i popullarizuar nuk është më i mësuar. Ai ka pamjen e diçkaje, që ia kemi anatemuar vetvetes, pasi “vesa” mëngjesore e shkrimit duket sikur ngrihet nga fusha që freskon vetëm mendjet e deleguesve të shkrimit dhe nuk shkon më tutje drejt normatives së leximit. E kështu … vesa që shkelet me këmbë, vesa që shkruhet me këmbë, vesa që mbetet nën këmbë ka arsyet e veta enkomiastike. Vesa e shkrimit, në fushën e madhe të shikimit mes shkrimit natyrshëm është më shumë se kaq!

Pra për të vënë këmbët në këtë fushë, për të ecur mbi këtë vesë, ose më saktë për të gjykuar me të drejtë për një autor, duhet të transportojmë veten në kohën e tij, të shqyrtojmë se cilat ishin dëshirat e bashkëkohësve të tij dhe cilat ishin mjetet e tij për t’i furnizuar ato. Ndryshe një shkrimtar që merr shkrimin dhe shkeljen me këmbë në këtë vesë si qëllimin e tij të plotë humbet veten në “famën” e tij. Këtu e ka bazën burimi. Dhe burimi i një shkrimi që nuk intereson më, prova ndaj tij nuk pushon së ekzaminuari. A nuk duhet të ndodhë kështu me kohën kur shkrimi shkruhej dhe shkruhet me “këmbë” (kupto: jo me mendim të lirë)? A nuk duhet të shihet se ajo që ishte e lehtë në një kohë është e vështirë në një kohë tjetër?

Këtu lind dhe shuhet, deformohet dhe tretet brenda vetë shkrimit forma e tij dramatike. Dramatikja në art. Dramatikja në tërësi. Dramatikja në poezi! Më saktë ajo që quhet poezi dramatike. Poezia dramatike që përdor diskursin e personazheve të përfshirë për të treguar një histori ose për të përshkruar një situatë. Poezitë dramatike që tashmë janë përfjetur në zverdhësinë e tyre, që mund të gjenden në shfaqjet e shkruara për teatër dhe librete të ndryshme e që mbetën aty ku pluhurosen vetë direktivat.

Në kohërat e komanduara nga shkeljet e këmbëve mbi turmat forma dramatike e humb rolin e saj. Ajo kthehet nga një sttrukturë e deleguar në një strukturë të derivuar dramatike, e denjë vetëm për të ndëshkuar. Rrëfimi i shumë shkrimeve në regjimet totalitare mund të qëndrojë si një model i vazhdueshëm i kritikës së bindur, “i saktë”, kur mbetet në përkujdesje dhe i lartë kur shtrihet në ekzagjerim.

Ky lloj shkrimi quhet “encomiastic” (enkomiastik). Ta saktësojmë. Nëse do të ishit gati të delegoni një fjalim dhe personi (grupi) që ua kërkon atë, ju afron një hyrje të lirë në atë grup, apo atë shoqëri, ndoshta do t’ju bëjë të skuqeni, meqë mjetet e serviruara mes fjalës së shkruar nga pena juaj, jo nga zemra dhe mendja juaj, do të ndjehen se janë të mbushura me lavdërime. Dhe ju keni fituar “lirinë” e lirë të jeni në atë grup? Dhe ju e keni tashmë lirinë e shkrimit? Kjo formë e tillë e kërkuar nga liderët e turmave quhet enkomastike. Rrënja e saj greke është “encomium”, dhe ajo do të thotë “një lloj i veçantë i tregimit apo të folurit publik, që grumbullon lavdërime mbi një person apo një gjë shtirëse, që i determinohet vetëm atij personi”.

Koha me të cilin shkrimi duket se ka fituar një liri, por ka humbur dhjetëra të tjera (të udhëhequra nga rregulla, ligje, tradita, shkolla etj.), ngjashëm sjell në skenë diskursin e personazheve të përfshirë jo më për të treguar, por për të harruar e zbutur memorjet, për të rilavdëruar atë që të paktën është harruar për t’u kritikuar mes vetë lavdërimit. Në paraqitjen e historisë së Atlantidës si historia e qytetarëve idealë të Sokratit, Platoni rivendos historinë enkomiastike athinase në shërbim të një ideali të ri të ndryshëm nga athinasit. Të arrinte në këtë përfundim Platoni trajtoi zhanrin “enkomiast” në tri dialogje të ndara: Lysis, Menexenus dhe Simpoziumi. Për këtë arsye “efekti” i nxjerrë nga kënga e fragmentuar e Protagorës së Platonit, lindi diskutimin e çështjeve morale të shkrimit. Mes kësaj u pa qartë, se mes të shkruarit me këmbë, ajo që kishte qenë, synohet të ngelet në togfjalëshin “është e panjohur”, dhe ajo çfarë është, duket vetëm se shfaqet … “lirisht” për t’u kamufluar. Për t’u ushtruar nga ajo që u shkrua, shkruhet dhe është duke u shkruar me këmbë!

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page