top of page

Engjëlli im



Fragment nga novela «Vëllai» Vitin e tretë të vendosjes në shtëpinë e re, më thirrën për kryerjen e detyrimit ushtarak. Ushtria është një numër i madh njerëzish që në momente tronditëse mbart mbi supe peshën e fjalëve armë, sulm, luftë, gjakderdhje. Në ushtri, fjala e parë ka lidhje me mbrojtjen e atdheut, e dyta urrejtjen ndaj armikut, përplasja me armikun, dhe e katërta, armiku të ketë sa më shumë të vrarë. Që ditën që do të vishja uniformën e ushtarit, do isha i detyruar të tregohesha i bindur ndaj të gjithë eprorëve. I futur në uniformën e bollshme, do të isha i detyruar të modifikoj kuptimin e mendimit të lirë familjar, me atë të familjes më të madhe, por të censuruar. Do të isha një ushtar i disiplinuar dhe i vlefshëm për atdheun. Lash të pastër krevatin ku flija; i përqafova të gjithë me radhë dhe për t i dhënë humor atij çasti të prekshëm, përshëndeta nipin si Shvejku para zbatimit të një urdhri. Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm në karrocerinë e Zilit ushtarak, mbrëmja më gjeti të shtrirë në katin e sipërm të një krevati të hekurt. Fjala udhëtim ka shumë nënkuptime, shpesh dhe keqkuptime. Mund të marrësh një udhëtim shëtitës, të mbushësh zemrën, të mos mendosh të përditshmen, të përqendrohesh në një peizazh, një udhëtim aventuresk ku mund të gdhendësh imazhin në shpirtin tënd; ky, s’ ishte si udhëtimet e sipërpërmendura. Gjatë natës, ushtarët e vjetër, kishin rrëmbyer dy batanijet, jastëkun dhe çarçafin e sipërm. Edhe pse ishte fillim dimri dhe temperatura kishte rënë nga + 10 gradë celsius, trupi im i shëndetshëm nuk lejoi ftohjen e organeve të brendshme; ndihmuan dhe fletët e gazetës lokale që unë i kisha sjellë rreth trupit. Nuk e di pse, por zura veten të përlotur. Para se të merrja atë udhëtim të ftohët e të largët, nuk e kisha kaluar kurrë qafën midis maleve që ndante qytetin tim me të pa njohurën; që nga dita që mësova se bota nuk mbaronte atje ku më shikonte syri, vura vetën më një anë dhe në anën tjetër të panjohurën. Doja të dilja nga ajo gjendje dhe solla ndërmend vëllain e mesëm. Po ta kisha pranë, ai nuk do t’ i lejonte ushtarët e vjetër të më vidhnin dy batanijet dhe jastëkun. Si trupmadh dhe i frikshëm, do t’ ua rrëmbente nga duart ushqimet që më kishin përgatitur nëna dhe nusja. Tanimë, mungesës së pranisë së tij, do t’ i shtoheshin dhe dy vite të tjerë. E kuptova që e lëshova veten dhe nuk më shkonte, por në ato çaste e kisha të nevojshme të ndjeja në supin tim shtrëngimin e një dore burri dhe ajo, duhej të ishte vetëm dora e vëllait. Befas në fjetore u dëgjua një zë frikshëm dhe i ashpër: «Çohu!» Kërceva instinktivisht dhe si u përplasa në këmbët e krevatit në krah, pash një ushtar të vjetër; i shkurtër, i shëndosh dhe në moshë më i madh se ne të tjerët. Fytyra e tij e rrumbullakët, hunda gjithashtu e rrumbullakët sipër buzëve të holla, mirësia që tregoi ndaj çjerrjeve të nëntogerit, bën që të harroja për një çast vjedhjen e batanijeve dhe të jastëkut. Edhe kur nëntogeri i tërhoqi batanijet, ai nuk lëvizi nga krevati. Me plastikën e fytyrës, i la të nënkuptonte se do të çohej vetëm kur ta lejonin mundësitë e tij fizike. Pikërisht ky ushtar që unë në heshtje e pagëzova Zhvejk, si u largua nëntogeri, më këshilloi me zë të ulët: «Mos u anko te askush për batanijet dhe jastëkun që të vodhën!» Pas gjysmë ore, na rreshtuan në sheshin e qendrës së trajtimit; si morëm ushqimin e mëngjesit, na dhanë veshjen uniformë të ushtarit. Unë në jetën civile karakterizohesha nga polikromia. Isha në kontrast me të tjerët; akoma dhe me njerëzit e shtëpisë. Tjetër ngjyrë këmisha, tjetër pantallonat, ngjyrë tjetër këpucët. Nuk mund ta kuptoja veten njëngjyrësh. E kisha të vështirë, sidomos tani që do të merrja ngjyrën jeshile të një zvarraniku. Te banjat na priste një berber i pa fjalë, por shumë i shpejt në përdorimin e makinës qethëse. Si mbaroi punë, na numëroi një nga një si delet dhe iku. Pastaj ne u lamë, veshëm uniformën dhe krejt pa pritur ( sikur të kishim hyrë në një ëndërr) u ndodhëm në një botë tjetër. Askush prej nesh nuk njihte njëri-tjetrin. Kërkoja fytyrat e njohura nga qyteti im; i thërrisja në emra dhe askush s’ më përgjigjej. Ndoshta dhe unë, u flisja jo me zërin tim. Vetëm kur nëntogeri bëri apelin dhe u dha mbiemrave kuptimin ushtarak, dëgjova zërat e njohur e të venitur. Të mos më shihte njeri të përlotur, fsheha fytyrën brenda kapotës së gjatë dhe ktheva paksa kapelën, ylli të mos ndriçonte fytyrën time të dëshpëruar. Atë ditë, na lanë të lirë, të njiheshim me ambientin. Nga një e çarë e ledhit që rrethonte brigadën, pash të hyjë një mushkë dhe fill pas sajë, Zhvejkun që sillte në ajër kulprën. Kur më pa, futi dorën në thes, këputi një copë buke dhe ma hodhi. «Kije për më vonë!» më tha «dhe mos mendo për ushqimet e shijshme që të vodhën!» Në mbrëmje, pak para se të hynim në fjetore, iu ankova për këpucët që më shtrëngonin këmbët. «Shumë e lehtë; është gjë që zgjidhet!» ma ktheu sikur t’ i drejtohej një ushtari të vjetër dhe me një veprim të përzemërt hoqi në çast këpucët e veta dhe kërkoi nga unë t’ i jepja të miat. Po ta kisha njohur në kushte të tjera këtë njeri që kish konsoliduar në vështrimin e tij të gjitha ndjenjat e dashurisë, sigurisht do ta kisha zili për gjendjen e tij shpirtërore aq të lumtur. Ndërkaq u dëgjua zëri i çjerrë i nëntogerit dhe të gjithë ushtarët u futëm në rresht. Hymë njëri pas tjetrit në fjetore dhe kur u vendosëm para krevateve, pash krevatin tim të rregulluar; dy batanije përqafonin dyshekun ndërsa në krye, aty ku mbulonin përgjysmë jastëkun, i mbështillte një rrip çarçafi i bardhë. Engjëlli im, përsëri mu gjend pranë. Këtë njeri mendova, sigurisht e ka dërguar Zoti për mua. «Tani fli» më këshilloi engjëlli im «dhe mos harro se vetëm gjumi, shkurton kohën e ushtrisë.» Të nesërmen, si një ditë më parë, u dëgjua përsëri urdhri i prerë dhe të gjithë u vendosën para krevateve. Pas një interviste të shkurtër me komandantin e togës, ( se nëntogeri mungonte) ju drejtova Zhvejkut për ndryshimin cilësor midis dy ushtarakëve.

«Mos u mërzit kur ndonjë ditë të dëgjosh mallkimet e nëntogerit!» më këshilloi personazhi i Jerosllav Hashekut. «Mua më ka dërguar mallkimin: të pafsha me kapelën ushtarake në kokë gjithë jetën!»

Ditën e fundit të shërbimit ushtarak, Zhvejku, festoi hyrjen e një faze të re në jetë; do të jetonte të përditshmen e tij, siç donte. Gjithë qejf, më kujtoi ditën kur më vodhën rripin dhe kapelën: «Dole në sheshin e qendrës së trajtimit pa kapele, pa rripin; koka jote e qethur dhe e vogël sa një rrepë, kapota e bollshme dhe e gjatë gjer te syri i këmbës, këpucët e shumë përdorura që të dhashë, nga pluhuri kishin ndërruar ngjyrë; të gjithë të shikonin sikur vije nga koteci i pulave!» Miku im nuk do të ndryshonte asnjë kod në jetën e përditshme. Edhe pse humori i tij ishte pro- logjik, në fjalët nuk mungonte asgjë nga të qenit njeri i mendshëm. ***

Tanimë ushtar i vitit të dytë, në saj të aftësive dhe simpatisë që kish krijuar komandanti i togës, më la detyrë mbarëvajtjen e stërvitjes dhe harmonizimin e ushtarëve të rinj me ushtarët e vjetër; për këtë të fundit, i premtova vetes se do të isha i pamëshirshëm kundër polarizimit. Të gjitha kishin një zgjidhje, vetëm për zgjimin e mëngjesit e kisha të vështirë. Zëri im duhej të dëgjohej gjer në dhomën e oficerit të rojës; fonemat duhej t’ i jepnin zërit kuptimin ushtarak; rrokjet gjithashtu; pra zëri im, duhej karakterizohej nga lartësia, ngjyra dhe energjia. Hodha një sy brenda qenies sime; zgjodha për njësi matëse vendosmërinë dhe pasi mbështolla mirë me batanijet njërin prej ushtarëve të rinj që kish temperaturë, mora drejtqëndrim dhe thërrita: «Çohu!» Në atë çast, ndjeva të më nxehej trupi; në shprehjen e fytyrës rezultuan lëvizje jo të zakonshme; në sytë, u kryqëzuan vijëzime që më dhanë shkëndija; frymëmarrja, dy pllakat e gjoksit mi la në pikën sipërore; nuk e di si, por më lindi dëshira për të vepruar. Nxora ushtarët ashtu siç ishin me rrobat e fjetjes dhe i vënë në krye të togës, dhashë komandën

«Me hap rreshtor, para marsh!» Duke përqendruar vështrimin në majën e malit të Kërthizës, thirra përsëri me sa kisha në kokë: «Me vrap, marsh!» I ngjitesha malit me maninë e helenëve të mitologjisë tek ndiqnin ulërimat e ujqërve; atje në atë majë, me trimat që më vinin pas, mund të ndërtoja Likurësin e dëshirave të mia. Pikërisht në ato çaste, dëshirat sikur mi përpiu lubia. Në ngjitje e sipër mbi gurët e mprehtë, mes ferrave e gjembave, u dëgjuan pasthirrmat e dhimbjes: Njëri prej ushtarëve të rinj nisi të qaj; disa prej ushtarëve të vjetër ngadalësuan hapin, ndërsa më i guximshmi ma përplasi fytyrës: «Ti je me këpucë, ndërsa ne jemi të zbathur!» «Ndal!» bërtita sa kisha në kokë dhe pas asaj fjale njërrokëshe të mbyllur, rruzulli sikur pushoi rrotullimin. Dhe ishte çasti që sa ndjeva veten të burrëruar, pikërisht pak para se ushtari i guximshëm të më vinte në dukje zhgënjimin, këtë shpërthim zemërimi që në kompleks, s’ është gjë tjetër veçse një gabim njerëzor. Duke u zbritur këmbëve të malit, vura re se nuk isha burrëruar, por në fizikun tim kish ndodhur metabolizmi dhe për tu dhënë ushtarëve të kuptonin se me urdhrin e fundit iu drejtova vetes, u përula dhe mora në shpinë ushtarin që s’ mund të ecte. Në orën dhjetë të paradites do të trokisja në zyrën e komandantit për t’ i dhënë dorëheqjen. Trishtimi më kish goditur në gjëndrat tiroide të cilat më sollën ngjirje zëri dhe vështirësi në gëlltitjen e pështymës. Edhe pse brenda vetes kam një fshehtësi deti, në ato çaste më mungonte jodi. Ku të gjeja një tabletë jodi? Një veprim i mirë, qetëson dhe vet natyrën mendova dhe te pusi i brigadës mbusha kovën me ujë të ftohët. Nuk e di sa ujë piva; di vetëm se pas atij veprimi, nisi të më këndellej shpirti; fitova trajtën e një njeriu të sapo-qetësuar; ndërkaq, postieri më solli ilaçin; letër nga Shvejku. Në dy faqet e para më pyeste për shëndetin tim dhe të familjes; në se nipi kish filluar të fliste dhe në veçanti, për mbarëvajtjen e vëllait të mesëm në volejboll. Më pyeste gjithashtu për marrëdhëniet e mia me komandantin dhe më udhëzonte, se si duhej të sillesha me ushtarët e rinj. Nga faqja e tretë e tutje, interesohej për mushkën; trajtimin e saj nga ushtari që angazhuan ata të komandës dhe, nëse ai, ushtronte dhunë mbi të gjorën hibride. Sqaronte: «Vërtetë mushka ka këmbët, trupin dhe lëkurën e gomarit po qafën dhe kokën e ka të kalit, ndaj duhet respektuar dhe trajtuar si kafshë fisnike.» Dhe në vazhdim: «Sikur natyra t’i kishte dhënë më shumë kromozome, ndoshta dhe ajo e gjora do të kishte fatin të bëhej nënë si të gjitha pelat.» Më poshtë, nënvizonte përsiatjen: «Ajo vërtetë është e duruar, po kur mërzitet godet me shkelma, ndaj ashtu si oficerit që nuk duhet t’ i dalësh përpara, ashtu edhe mushkës kur ka humbur durimin, nuk duhet t’ i sillesh nga mbrapa.» Në fund, Shvejku e mbyllte letrën me këto fjalë: «Një mushkë e mirë-përdorur është e bindur, e durueshme, e qetë, e gjallë dhe tolerante por, gjithashtu dhe krenare; xheloze dhe intime!» Engjëlli im, sikur të njihte gjendjen time shpirtërore edhe në ato çaste më dërgoi letrën e tij fjalë-kuruese. Ndjeva lotët të më njomin mollëzat ndërsa në të turbullt, pash dhe dëgjova komandantin e togës të më thotë: «Ushtar, kini nevojë të qetësoheni. Duhet të shkoni disa ditë te të afërmit tuaj!» Vasil Klironomi

22 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page