top of page

ENDEM RRUGËVE TË ATHINËS


DY POEZI NGA MYSLIM MASKA

ENDEM RRUGËVE TË ATHINËS

Endem rrugëve të Athinës

Si fantazmë, hije varri,

Herë si engjëll kryengritës,

Herë me pamje prej të marri.

Herë i fyer, i poshtëruar,

Me një det të ngrirë në shpirt,

Herë demon i zëmëruar,

Që trokas te Perënditë.

Eci dhe nuk di ku shkel,

Mbi gjiriz, mbi baltovinë,

Mbi prush yjesh nëpër qiell,

Mbi re sterrë si suferinë.

Si bushtra me klyshë në gojë,

Shtrëngoj shpirtin tim ndër dhëmbë

Them ta flak e të shpëtoj:

Më mirë lule, bar e shkëmb.

Shenim: kjo poezi ështe botuar ne vitin 2000 ne Gazeta e Athines dhe ne gazeta Drita, me nje koment shume vleresues ne gazeten SHEKULLI, nga prof. dr. NASHO JORGAQI.

PERLAT S’I SHEH ÇDO NJERI!

Një vello bardhoshe hodhi molla

Me tjetër ngjyrë, si rozë qershia veshi

Dridhen si pëllëmbka petalevoglat,

I drithërohen bukurisë së qiellit.

Ndërsa manushaqja si gjeni i heshtur,

Larg reklamash. Brilante, poshtë gjëmbaçit:

E brishtë, e dlirë, e virgjër, e paprekur,

Me cërkla qielli spërkat fijet e barit.

S’ndihet, hesht në madhështinë e saj,

Tek zhvesh nepërka rrobat e sheh me zili.

Në heshtje kështu të mëdhenjtë poetë qajnë.

Manushaqet, perlat s’i sheh çdo njeri…

102 views3 comments

3 Comments


mich.maska
May 29, 2021

Shume te nderuar miq dhe koleg! Falnderimet e mia te thella per komentet tuaja teper vleresuese per poezine: "ENDEM RRUGEVE TE ATHINES". Faleminderit z. Athanasiu, Faleminderit miku im i rinise, Komi! Suksese ne krijimtarine tuaj cilesore, dinjitoze.

Me shume respekt, Myslim Maska.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
May 28, 2021

Në pejsazhin magjepsës të krijimtarisë poetike myslimiane, krijime të tilla si " Endem rrugëve të Athinës" përbëjnë ndër majat më të larta, të denja dhe për në antologji europiane.

Kjo poezi të gozhdon me sinqeritetin prekës, të vërtetën tronditëse, emocionin përpirës. Është aty drama e secilit nga ne dhe e mijëra e mijëra të tjerve që janë endur e enden, si në kohërat biblike, qyteteve e kryeqyteteve në kërkim të "tokës së premtuar". Ja, për këto të duket se këtë poezi e ka shkruar vetë dhimbja, mundimi, brenga dhe shpresa e gjithë mërgimtarëve.

Të uroj për të tjera arritje të tilla i dashur mik! Përqafime, Kozmai.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
May 28, 2021

S.Athanasi:

Lexoj duke m'u dridhur zëri poezinë aq brilante Endem rrugëve të Athinës dhe përlotem se e ndjej sikur miku im M.Maska, e ka shkruar për mua atë poezi. Se nuk mund të jetë ndryshe. Dhe e bind vetëveten me kujtimin:

ku isha unë në vitet dymijë?

Mos ndofta duke mbëledhur patate me bahkëshorten? Dhe kujtohem, për mua kjo ka ndodhur në fillesat e viteve nëntëdhjetë. Eh, mor Myslym! Pse na i hap plagët me këto rikthime? Dhe sërisht përgjigjem vetë. Janë detyrat e artit në fiksimin e atyre gjëndjeve tona kur Endeshim rrugëve të Athinës. Të lumtë Myslim!

S.Athanasi!


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page