top of page

Emrat që mbanin gjallë traditën elbasanase ...


Emrat që mbanin gjallë traditën elbasanase të bollokumes


Fatmir Terziu


Disa emra dhe emërtime lagjesh në Elbasan janë ngjizur dhe trashëguar memorjeve më së shumti nga emrat e mjeshtërive që ndodhnin dhe zhvilloheshin në gjeografinë e tyre. Kështu përshembull lagjet e vjetra të qytetit, Karavelije, Dylgjerhysen, Xhamiqebire, Spajkore, Qevanbeje, Namazgja, Belerbej, Gjjurma e Mushkës, Fusha e Loparit, Tre Urat, Shënkoll, Sulejmania, Azinhajdare (Alejdine), Pusi që lahet vetë, Gurabardhi, Haxhias e të tjera shquheshin nga emrat e grave mjeshtre, që kishin trashëguar nga brezat e mëprashëm gatimin dhe përgatitjen e veçantë e të mrekullueshme të bollokumeve. Themi kështu se këto gra të spikatura e të dalluara për bollokumet, që punoheshin sipas një formule të veçantë, i jepnin zë dhe emër lagjes, i jepnin jetë dhe shpirt arsyeve që më të rrinjtë të mbanin gjatë në memorje emrat e lagjeve që në vite u rikonsideruan dhe u riemëruan. Dhe pse ndodhi kështu këto lagje u mbajtën mend për fatin e mirë të duarshkathtave gra të Elbasanit që transmetuan mrekullisht bollokumen e vërtetë në familjet elbasanase.


Një nga këto gra në morinë e disa emrave të tjerë që mbahen mend është dhe e paharruara Makbule Furxhiu Palloshi e njohur shkurt si Bule Palloshi, të cilën pata nderin ta takojë në vitet e fundit të jetës së saj në shtëpinë e berberit të dëgjuar elbasanas, Ali Palloshi, me djalin e të cilit, Artin jemi baxhanakë prej disa vitesh. Ajo ishte në mes më të dëgjuarave dhe të përmendurave në këtë trashëgimi të bukur e të vlefshme, sikurse ishin Emine Biza, Fatushe Osmani, Qamile Dinçi, Zenepe Bylyku, Hamide Arapi, Banu Leka, Hamide Shyti, Beje Bumçi, Zaje Shehu (Tabaku), Fadile Ullorja e shumë të tjera. Por, në Elbasan, sikurse thuhej në çdo rrugicë a rrugë do t'i gjeje emrat e grave që kishin trashëguar dhe mbanin në memorje këtë arsye të ndjshme në formulën tipike të bollokumeve.

Mom Buli Palloshi vinte nga lagjja Sulejmania në lagjen Spajkore në një derë të fisme dhe kështu shtëpija duhej të mbahej mbushur plot e përplot, që sikurse thuhej atëkohë, të mos kishte ku të hidhje kokrrën e mollës. Ajo kishte trashëguar nga gjyshja e saj dhe po aq edhe nga nëna traditën e bukur të pasurimit të shtëpisë dhe të përgatitjes së bollokumeve në mënyrë mjeshtërore. Ajo siguronte me kohë „zahiretë“ kryesore si: vezë e tëlynë fshati, majanë e miellit të misrit për bollokumet, miell gruri për revaninën, sodë e finj, e të tjera.


Ndërkohë që kishte vendosur në duart e pjesëtarëve të shtëpisë veroren dy-tri ngjyrëshe, ajo gjithnjë mbante „pranverë“ në sytë e familjes. Këtë e kishte natyrisht një traditë të hershme të trashëguar nga duart dhe mendja e nënës së saj, ashtu sikurse ndodhte dhe nga disa gra të tjera, nëna dhe bashkëshorte të nderuara elbasanase, si Rabie Tare, që shquhej dhe ajo për bollokumet e Elbasanit.

Sot emrat që mbanin gjallë traditën elbasanase të bollokumes kanë mbetur diku në albume fotografish, kaseta dasmash dhe memorje familjarësh, ndërsa tradita është transmetuar dhe këputur diku mes tradicionales dhe modernes, gjë që kërkon një zgjim, kërkon një vëmendje më të madhe dhe pse jo edhe institucionale. Kombet e tjera dihet se shpenzojnë mjaft për të mbajtur gjallë tradita të hershme, për arsye që tashmë dihen. Këtë duhet ta bëjë dhe Elbasani!

660 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page