top of page

Emra “modernë” te shqiptarët sot


Begzad Baliu

VEPËR E NJË PËRVOJE TË MADHE KËRKIMORE

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, Emra “modernë” te shqiptarët sot, Era, Prishtinë, 2023, f. 301.

I diplomuar, i magjistruar dhe i doktoruar në fushë të onomastikës, Profesor Bahtijar Kryeziu, del para lexuesve edhe me një vepër të kësaj natyre. Megjithëse ka botuar rreth 30 vepra në fushë të mësimdhënies së gjuhës, leksikografisë, kulturës së gjuhës dhe përgjithësisht albanologjisë, botimet e tij në fushë të onomastikës sikur rishfaqin zejen e tij, personalitetin e tij shkencor dhe mangësitë e tyre në jetën tonë kombëtare.

Vepra e tij më e re Emra “modernë” te shqiptarët sot, na e tërheq vërejtjen për një gjendje të pazakonshme në jetën e një populli historik e me trashëgimi të gjatë shekullore, i cili në tri dekadat e demokracisë në Shqipëri dhe dy dekadat e lirisë së Kosovës, po përballet me një situatë të padenjë në jetën familjare, shoqërore dhe kombëtare përgjithësisht, me emërtimin e pasardhësve të tij.

Megjithëse një popull i vogël dhe një traditë të madhe, megjithëse me një pasuri të jashtëzakonshme onomastike (toponimike e antroponimike), megjithëse me një fjalor të pasur e të mjaftueshëm leksikor, megjithëse me një gjuhë që jep mundësi fjalëformimi e krijimi të fjalëve dhe të emrave, ne vazhdojmë t’i emërtojmë fëmijët sa me emra artistësh të telenovelave latino-amerikane (një kohë) dhe turke (në kohën tonë), me emra sportistësh europianë, amerikanë e aziatikë, me emra grupe besimtarësh e këngëtarësh, sikur të mos ishim një popull sedentar e me traditë në formësimin e identitetit tonë, po një popull endacakësh.


Në këtë vepër Profesori ynë sjell një pasuri të madhe të kërkimit të tij në inventarin e emrave të fëmijëve të Kosovës së dekadës së fundit dhe një tipologji të këtyre emrave, duke parë kështu një konglomerat emrash të paqëndrueshëm në kontekstin gramatikor të gjuhës shqipe, në kontekstin kulturor të mesazheve që sjellin ata dhe në perspektivën historike të trashëgimisë sonë edhe ashtu shumë herë të diskutueshme.

Vepra më e re e Profesor Bahtijar Kryeziut, Emra “modernë” te shqiptarët sot, është jo vetëm një kontribut i rëndësishëm për kohën tonë po edhe një thirrje urgjente për të krijuar Korpusin e emrave nacionalë të shqiptarëve, brenda amzës së të cilit, apo brenda parimeve gjuhësore, semantike dhe etimologjike të të cilit do të duhej të emërtoheshin pasardhësit tanë, ashtu sikur veprohet edhe tek popujt e mëdhenj historik të Europës.

(Fragment nga një vlerësim gjatë)

24 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page