Emocione
Fatmir Terziu
Ju doni më shumë emocione. Ndoshta jam tronditur të shkund ngadalë tërësinë e tyre. Deri në pikën që thjesht kaloj lëvizjet e duarve të pkëtajnë memorjet, duke u lutur atje në thellësi të kujtesës, gjej një ilaç për të më lënë të qetësohem. Ndoshta ndaloj të çarat e kohërave dhe zbres në brendësi të padukshme që të grumbulloj të mbeturat. Fakti që kur hapa kotësinë time, thjesht shoh mes gjërave gri, mënjanoj vetëm të çarat, dhe ritregoj sikur lëkura ime e tendosur të jetë e një statuje prej guri që fillon të shkërmoqet nën peshën e rrëfenjës për veten.
Fakti i thellë në vetvete qëmton në rrugëtim, më tepër të jem një person akoma më i mirë, më shqetëson se nuk mund të përballoj arsyet pse më munguan në një kohë veshjet e bukura, madje edhe pse në shoqërinë që jetova nuk e pranonim dot lirinë dhe idenë e lirisë, atëherë emocionalja vjen për të luajtur dhe askush nuk duket se qëndron si ajo që na ndodhi duke mbajtur gjallë vetveten, duke thënë më të mirën vetëm për të përmirësuar krenarinë e tyre dhe ndoshta për t'i bërë përshtypje një nuseje të ardhshme që duhej të ishte sipas udhëzimeve të kohës.
Atëherë me sy ziliqarë ndaj atyre që grumbullonin pasuri sysh, me një ndjesi komplekse për jetën e lirë. Emocion!? Emocione për rregullimin e tyre të radhës. Koha e fshirë në memorje emocionohet në vetveten e errët, duke u shtirur se nuk ekzistoja atëherë, por ekzistoj vetëm tani. Sidoqoftë ky është kaq emocion i mjaftueshëm për ty, në fund të fundit atëherë, kur nisa të emocionohem isha ende vetëm një fëmijë.
Art me syrin e vajzave për djemtë
E gjitha lëvizte. Dridhej. Në hapësirën që kishte mbetur shkundej një telajo. Mbi të bëhej vetëm art. Art që shkruhej nga e majta, e djathta, nga poshtë, nga lart. Art! Ishin mbledhur lulet dhe fluturat dhe ishin bërë vajza. Të gjitha ishin mbledhur për t'i vizatuar djemtë. U projektonin sytë. U skiconin vetullat. U bënin muskuj sipas modeleve të mendjes. U hapnin gjokset. U trashnin këmbët. U zbardhnin dhëmbët. E mbi të gjitha shkonin të depërtonin deri në imtësi në trupin e tyre mashkullor.
Por përpara se të kthehej në art, ky projekt miratohej nga lart. E për këtë disa djem praktikonin në dhomat e tyre. Ata mblidheshin duke lakuar linjat e tyre. I përshkruanin për të bërë art. Arti fiksohej duke përzier mbetjet e plumbit të lapsit të mbetur në faqe për të krijuar thellësi të proporcionit të pafund në mendjen e vajzave.
Më pas erdhën ngjyrat. Ngjyrat ishin qasje më vete. Thuajse, mjaft e guximshme dhe e ndritshme. Ndonjëherë ngjyrat ishin aq ndryshe, sa krijonin situata buzëqeshjesh. Pastaj ndodhte të kapej dhunuesi i ngjyrave. Më tej ai që e pa foton për herë të parë. Dhe ai ndodhte të tallej për këtë. Në fakt thellë brenda vetes ishte xheloz.
Më pas vinte ora reale e artit. Në orën e artit ishte një kërkesë tjetër. Atyre, pra luleve dhe fluturave iu kërkua më në fund të vizatojnë. Dhe ja, më në fund kishte ardhur koha. Ata përzien edhe një herë ngjyrat dhe plumbin e lapsit për të formuar modelet memorizuesf. Në të njëjtën kohë krahët e fluturave midis luleve të verdha u bënë më të ndezura. Për këtë moment duhej Pikaso dhe Votiçeli, sigurisht që nuk mund të vinin njëherësh.
Për këtë ndodhi pushimi. Pushuan momentin dhe e pretenduan si të vetin. I vunë të tjerët në habi. E gjitha ndodhte atje. Ndodhte në një natë me sy të lodhur e të pamundshëm të kthehen në dritë. Ndodhte nga errësira. Ndodhta nga ajo dritë në mes të errësirës. Koha kur kishin mbaruar u zbulua. Por atë moment ata ishin në mes të artistëve. Penelat e tyre vetëm konkuronin e konkuronin. Nuk kishte më ndalesë…, nuk mund të shkëputej ky projekt, që solli nga sytë e vajzave, djemtë në jetë.
Në orën e Hartimit të Xhuljeta Stringës
Është një vajzë që ulet pas në një bangë. Ne jemi të gjithë në sytë e saj. Ajo nuk e di se u duhet të gjithë atyre syve që e ndjekin. Është model në një kornizë. Nga ne kërkohet të zhvillojmë talentin tonë të të shkruarit. Në fakt të mëshuarit e stirolapsave në një arsye të prodhimit të tregimeve dhe përrallave, por në mendjen time ende mbizotëron poezia.
Ajo vajzë ka flokë të gjata, kafe të çelur, që rrjedhin si mëndafsh në fytyrën e saj të butë të stolisur prej duarve të saj. Ka sy të mëdhenj të shndritshëm kafe, që më tërheqin. Ajo flet nga zemra dhe mund të magjeps çdo lexues dhe i jep mundësinë e lavdishme të shohë veprën e saj.
Fjalët e saj mund të lëvizin malet me peshën e së vërtetës që ajo përdor. Prapëseprapë ajo nuk e sheh atë të vërtetë.
Fatkeqësisht nuk flet. Mjerisht ajo nuk e sheh arin në shpirtin e saj. Engjëlli nuk mund të ishte ndryshe nga përsosmëritë e saj. Përsosmëri, që përbëjnë bukurinë e fytyrës së saj. Dhe ndërsa mediton, thua me vete, nuk ia vlen thelbi i asaj që je vërtet, sepse ti i bën yjet ziliqarë me mënyrën se si shkëlqen. Sytë e tu janë kaq të mahnitshëm. Të dy sa janë, ngjajnë si një ylber që një fëmijë sheh në reflektimin e zjartë të qiellit.
Kjo sa për t'i kujtuar çdo njeriu, që thellë brenda tij, është një djalë, që mediton për një vajzë, që ende mendon se bota është plot me habi. Kjo ishte grishja që askush nuk e mendoi të ishte e mundur.
Ishte pjesa më e mahnitshme që më bëri të dashurohem me ty. Ti më tregove se mund ta dua veten edhe me kohën e një përqasjeje të tillë medituese, ndërsa më bëre të kujdesesha për fatin tim.
Atëherë po, tani me ty nuk jam më një ëndërrimtar. Atëherë ti fleje në sofrabezin e piktorit. Ishe thjesht një modele që mësuesja e Letërsisë, Xhuljeta Stringa, të kishte sjellë për ne, për frymëzimin tonë, në atë bangë të fundit, ndërsa sot kam një arsye për të fjetur, duke shpresuar se mund të të shoh edhe një sekondë më gjatë në kokën time, ndërsa historitë luajnë si ekranet e projektorit duke menduar për magjinë që do të më bënte të ndihesha nëse do të mundja vetëm të shoh, e më së shumti vetëm të të puth.
Buzët e tua butësisht mbetën brenda meje. E ti ishte ideja e një Hartimi. Me atë Hartim solla projektin e jetës në sytë e mi. E solla sepse e dija se ideja sjell fishekzjarre në imazhet e mia mendore.
Trupi im zgjohet plot energji. Ashtu si qielli që dikur ishte i errët dhe agu është përsëri i freskët, marr frymë thellë duke thithur ajrin e pastër që pastron shpirtin tim. E shtrij dorën mbi gjoks duke kuptuar zemrën që vodhe. Tashmë zemra ime është një kafshë e egër dhe është gabim ta mbaj të mbyllur pas kafazit të kockave duke qenë brinjët e mia një hapësirë e rikrijimit prej teje.
Kujtime dhe zënka gudulisëse, të lakuara nga filozofia, ndërsa ti qesh aq sa të gjithë të shikojnë, por vetëm mua më intereson. Ja çfarë është shkolla me frymëzimet e saj. Më intereson aq shumë ajo orë mësimi, ai Hartim, sa nuk do ta lë që ta harroj.
Derisa jeta të largohet nga trupi dhe të marr frymën e fundit ti tashmë je realja që më frymëzoi Hartimi. Je e fortë, je e zgjuar, je e bukur, je jeta ime. Faleminderit ora ime e dashur e Hartimit, që e bëre këtë burrë inatçi të buzëqeshë me frymëzimin e tij, me atë që ka në krah e në sy të tij..., më shumë se tridhjetë vite me Ty.
Rrallë na ndodhë të lexojmë të tilla krijime si "Emocione". Vetëm ca imazhe gjithë
lirizëm e dritë muzikore, ca shenja e fjalë plot magji e mister për të projektuar e ndërtuar
dashurinë. Surprizues fundi i tregimit dhe fotografia që e bën edhe më tepër mahnitës.
Me konsideratë të lartë, K.Gjergji.