Emine S. HOTI: Papa Françeskun e nderoi e gjithë bota
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 10 hours ago
- 4 min read

Ne shqiptarët kemi qenë gjithmonë pranë Vatikanit dhe papëve të tij të nderuar, jo thjeshtë se jemi gjeografikisht shumë afër, por sepse lidhja me Vatikanin dhe me papët katolikë ka qenë e ngushtë që në lashtësinë tonë ilire, ku disa nga papët kanë qenë ilirë e shqiptarë. Këto lidhje u forcuan edhe më shumë në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Ishte atëherë, Papa Kalisti III, i cili pati marrëdhënie të ngushta me heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Papa dhe Skënderbeu donin të organizonin një Kryqëzatë kundër Perandorisë Osmane (1455-1458). Ishte koha kur rreziku osman kërcënonte jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë Evropën. Por për shkak të ndarjeve politike Kryqëzata nuk u realizua.
Ne kujtojmë Papa Klementin XI Albani (1469-1721), papa i 243 i kishës katolike, i cili udhëhoqi Selinë e Shenjtë për 21 vjet resht, që nga zgjedhja e tij, më 23 nëntor 1700 deri më 19 mars 1721. Ai e kishte prejardhjen nga Laçi i Kurbinit, nga ku rrodhën edhe kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti. Gjatë gjithë jetës së tij, por veçanërisht me zgjedhjen Papë, ai u interesua shumë për atdheun dhe mbajti me krenari mbiemrin Albani.
Janë disa papë, që kanë ardhur në Shqipëri dhe e kanë nderuar dhe respektuar popullin shqiptar. Madje, më 17 janar 1968, Papa Pali VI, me rastin e 500 -Vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, tha: "Ndër ata, që hipën mbi katedrën e Shën Pjetrit, me kënaqësi po e kujtojmë paraardhësin tonë Klementin XI-Albani, i cili mburrej për rrjedhën e tij të moçme shqiptare." Kurse Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës që bëri në Shkodër, më 25 Prill 1993, si dhe në intervistat e tij e ka përmendur disa herë emrin e Papa Klementit XI, Albani, duke theksuar lidhjet e ngushta dhe të mira që kishte në kohën e tij Vatikani me Shqipërinë e asaj kohe.
Na e shton krenarinë edhe fakti se Papa Klementi XI, Albani konsiderohet Papë "i Madh", që ka lënë gjurmë të thella në Kishën Katolike dhe në jetën politike evropiane. Prandaj dhe portretet dhe bustet e tij janë të shumta, në Romë, në Urbino dhe në vende të tjera.
Marrëdhëniet e shqiptarëve me Vatikanin u gjallëruan edhe më shumë kur në Shqipëri erdhi demokracia, ku Vatikani mbështeti fort Shqipërinë demokratike, mbështeti me përkushtim të plotë popullin heroik të Kosovës (Dardanisë) dhe tregoi me vepra një miqësi të madhe e të rrallë.
Më 25 prill të viti 1993, në Shqipëri erdhi Papa Gjon Pali II, i cili pasi përshëndeti të pranishmit me dorë, u ul në gjunjë dhe puthi tokën shqiptare. Në Shkodër ai shuguroi katër ipeshkvë të rinj shqiptarë. E para që u kungua nga Papa Gjon Pali II, nën tingujt e muzikës kishtare, ishte humanistja shqiptare Nënë Tereza. Në mitingun madhështor të organizuar në Tiranë, Papa Gjon Pali II iu drejtua popullit shqiptar me fjalët: “Vëllezër dhe motra shqiptarë dhe fort të dashur! Zoti e ruajtë atdheun tuaj. Zoti e mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën. Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj!”
21 vjet pas vizitës së Papa Gjon Pali II, vendi ynë u vizitua nga Papa Françesku, më 21 shtator të vitit 2014, vizitë kjo e cila ishte e para e Tij në një vend evropian. Ai zgjodhi për vizitë Shqipërinë, sepse siç u shpreh ai "është ndër më të vuajturat e edhe ndër më të mbruajturat me gjak martirësh, që dhanë jetën për fe, për liri, për demokraci, për bashkëjetesë shembullore paqësore..."
Ngjarjet dhe lidhjet e ngushta të Vatikanit me shqiptarët do të vazhdonin me shenjtërimin e Nënë Terezës, nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së saj. Nga Nënë Tereza ajo u shndërrua në Shën Tereza. Shenjtërimi u bë nga Papa Françesku në Vatikan, ku në atë ceremoni merrnin pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Gjatë historisë së marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Vatikanit, ka pasur shumë vizita delegacionesh, ka pasur shumë takime të shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës, të trojeve shqiptare, si dhe të mërgatës shqiptare në botë. Marrëdhënie të tilla të ngushta ka pasur edhe mes shqiptarëve dhe Papa Franceskut, i cili gjithnjë e ka pasur në vëmendje dhe e ka bekuar popullin tonë si rrallë kush. Madhështinë e Papa Françeskut e tregoi edhe funerali i Tij, ku morën pjesë mbi 400 mijë njerëz, të cilëve iu bashkuan udhëheqës botërorë dhe anëtarë të familjeve mbretërore. Në funeral morën pjesë 160 delegacione që përfaqësonin shtete, familje mbretërore dhe organizata ndërkombëtare.
Shqipëria dhe Kosova e ndiejnë shumë ndarjen nga jeta të Papa Franceskut. Të gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në trojet shqiptare dhe në mërgatë u dëshpëruan së tepërmi, teksa emrin dhe veprën e tij do ta ruajmë në zemra gjithnjë të shenjtë.
Në ditën e funeralit të Papa Franceskut, shqiptarët të bashkuar, Shqipëri e Kosovë dhe të gjitha fetë shqiptare në harmoni dhe në dashuri mes tyre nderuan bashkërisht mikun e shquar, Papën e Madh, Françeskun, njeriun e dashur dhe të mrekullueshëm, njeriun e paqes dhe të begatisë, njeriun e thjeshtë, i cili ka qenë kurdoherë mbështetje për paqen dhe harmoninë e dashurinë mes të gjithë popujve të botës, ai ishte Njeriu i Madh, i cili e vuri jetën e tij në shërbim të dashurisë për njeriun dhe të vlerave humane kudo në botë.
I paharruar qoftë emri dhe vepra madhështore e Papa Françeskut!
Comments