Emine S. HOTI: Margarita XHEPA, perla e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 23 hours ago
- 3 min read

Një lajm që na hidhëroi dhe na dëshpëroi shumë. Margarita Xhepa u nda nga jeta sapo festoi 91 - vjetorin e lindjes. Na hidhëroi të gjithëve, të madh e të vogël, në Shqipëri, në Kosovë, në të gjithë trojet shqiptare, por edhe në shtete të tjerë. E kush nuk e njihte Margaritën! E kemi parë në dhjetëra role në teatër dhe në filma, e kemi dëgjuar në qindra recitime të poetëve shqiptarë dhe botërorë, e kemi parë në role dramaturgjike të kryeveprave shqiptare dhe botërore, i kemi dëgjuar zërin në radio dhe në televizion. Fjalët më të ndjera mund të shprehim për këtë princeshë të artit skenik dhe kinematografisë, këtë grua zonjë, të bukur dhe me klas, me zë tingëllues, që na tërhiqte dhe na bënte menjëherë për vete.
Margarita Xhepa
Margarita Xhepa lindi në 2 prill 1932 dhe u nda nga jeta më 3 prill 2025. Të gjitha rolet e saj ishin brilante se ajo ishte një aktore brilante. Edhe në moshën 90-vjeçare ajo luajti në skenën e teatrit shqiptar në dramën "Streha e të harruarve". Margarita ka shkëlqyer në mbi 150 role në teatër. Mbeten në kujtesën e thellë të publikut shqiptar rolet e saj: Dafina te ”Lumi i vdekur”, Filja te ”Cuca e Maleve”, Zonja Mëmë te ”Kush e solli Doruntinën”, Nëna te ”Përball vetes”, por dhe te kryeveprat botërore të Shekspirit: Ofelia te ”Hamleti”, vajza e dytë te ”Mbreti Lir”, dadoja te ”Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret, te ”Rikardi III”. Por dhe në role të kryeveprave të Çehovit, Shilerit, Pristilit, Millerit, Gogolit, De Vegas, Sofokliut...Margarita realizoi 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Nuk harrohen rolet e saj në filmat ”Vitet e para”, ”Gjurmët”, ”Dimri i fundit”, ”Tokë e përgjakur”, ”Një djalë dhe një vajzë”, ”Apasionata”, ”Gjeneral Gramafoni”, ”Rrethi i kujtesës”, ”Vitet e pritjes”, ”Dora e ngrohtë”, ”Gurët e shtëpisë sime”, ”Pranvera s`erdhi vetëm”, ”Koncert në vitin 1936”, ”E diela e fundit”, ”I dashur armik”....
Sa shumë vepra! Por, ka edhe të tjera. Veprat dramaturgjike dhe personazhet e filmave s`do të harrohen, do të mbahen mend gjatë nga artdashësit dhe publiku i gjerë. Me ato role dhe vepra do të mbahet mend edhe artistja e madhe, Margarita, që u dha roleve dhe personazheve artistikë frymë dhe shpirt, u dha art dhe bukuri, u dha hijeshi dhe, mbi të gjitha u dha madhështi.
Të gjithë e deshëm Margaritën, e respektuam shumë dhe pa fund, sepse ajo iu përkushtua gjatë gjithë jetës teatrit dhe kinematografisë. Teatri dhe kinematografia shqiptare do ta mbajë atë si një perlë. Margarita Xhepa ishte një perlë, e tillë do të kujtohet, një perlë e bukur shqiptare.
Sa shumë mesazhe ngushëllimi për Margaritën! Sa shumë fjalë dhe opinione vlerësuese, nga mijëra njerëz të thjeshtë, nga mijëra artdashës, nga mijëra kolegë të saj brenda dhe jashtë vendit, nga qindra aktorë, dramaturgë, skenaristë, shkrimtarë, poetë, rapsodë, piktorë, këngëtarë, kompozitorë..., mesazhe nga dhjetëra autoritete partiake e shtetërore, nga udhëheqës shtetesh...
Edhe unë, një grua shqiptare nga Drenica, me banim në Norvegji duke shprehur dhimbjen time të madhe për ndarjen nga jeta të Margaritës, i shpreh ngushëllimet e mia familjes së saj, kolegëve dhe miqve, të gjithë shqiptarëve.
Qofsh e paharruar Margaritë!
Me nderim dhe respekt të thellë,

Emine S. Hoti
Stiliste, shkrimtare, poete,
Norvegji.
Comments