top of page

Emi Krosi:  Tharmi i gegnishtes, si element liriko- metaforik, në lirikat e Asja Mulgeci-t



 

Poezia është ngacmim. Ngasje! Njohje dhe ri/njohje. Ngadhnjim. Poezia, është imazh dhe shenjim i shpirtit rebel, por dhe një gjurmin i elementeve socio-poetike, në kërkim gjithherë të vetvetes. Në pejzazhin e kohës letrare shqiptare, ka një hapsirë mjaft të madhe dhe shkrimi gegërisht. Tashmë më shumë se një dekadë poetësh të rinj por dhe vjetër, që shkruajnë gegërisht, duke e pasuruar atë jo vetëm me prurje të trevave ku flitet ajo, por dhe me fjalë të ruajtura nga  e folura e atyre trevave. Ardhja e dy librave të Asja Mulgecit : “N’gat teje dhe “Gravurë n’lkurë”, tregon vokacioni e saj poetiko-lirik, sidomos ndaj poezisë dhe lirikës dashurore, ku dashuria është metafora e qenësisë dominuese femërore. Përtej testamentit të feminizmit, përmes hetimeve të tyre të thella, të imta, të vogla, ku shikimi i jetës përmes një gjinie të caktuar të cilat trajtojnë temat e dashurisë, të dëshirave, të lakmive të femrave, si dhe pikëllimet, vuajtjet dhe zhgënjimet e tyre, nuk është më natyra femërore “terra incognita” (tokë e panjohur) e femrës, por gruaja po merret gjithnjë më shumë me shkrime (Woolf: 1925). Gjithnjë e më shumë poezia, letërsia dhe arti në Shqipëri po femërizohet, pasi mentaliteti akoma patriarkal e ka asgjësuar lirshmërinë, çiltërsinë, mendimin, shkrimin poetiko-letrar femëror në Shqipëri. Por arti i shkrimit s’ka gjini. Shkrimi është universal. Duke iu referuar, Harold Bloom-it, se nuk ka ndonjë mënyrë si të lexojmë, por që ka shumë arsye se pse duhet të lexojmë, nuk duhet të themi, “si të lexojmë” dhe “çfarë të lexojmë”, apo ku “duhet të fillojmë”, nuk mund të varet plotësisht nga autori, por nga lexuesi, që duhet të dijë çfarë të lexojë (Bloom: 2000: 21). Muzat e vërteta nëpërmjet rikrijimit dhe në kulmin e kënaqësisë, mund ta bëjnë dallimin mbi konceptin e një  “poezie natyrore ", që nuk është asgjë tjetër, përveçse, vetë natyra. Bota e poezisë, është po aq e pakufishme dhe e pashtershme, aqsa edhe pasuria e gjallërimit të natyrës. Të shkruarit buron nga zemra. Të shkruarit është ngjallmimi i njeriut


1.     Libri poetik “N’gat teje”(Mulgeci: 2024), është himn për dashurinë ndaj një burri.

Lartimi i imazhit të mashkullit, si burrë, bashkëshort, mik dhe i dashur, sendërtohet shkallshmërisht në formë imazhi lirik, por dhe si një gjetje filozofike, për të mbushur zbratësinë e “shpitrave të harruar” nga dashuria. Zakonisht femrat si “joshëse” të meshkujve, e “masakrojnë” figurën e tij, falë dhe burracakërisë së tyre, kur pashmangshmërisht u ikin problemeve dhe familjes, në çaste kritike. A është idealizim mashkullor ky? Jo! Vetëm një plotmëri ndjenjash bashkëshortore, që përplotësojnë njëri-tjetrin. Vargjet: shikimet m’janë shterrë, hijes tande tue ngá.../.../ e druej prej mallit krejt je hutue,/ as qiell, as hanë s’je tue pa as mue/ngat teje jam, si mishi për thue/shpirt e zemër dashurue!, nga poezia: “A don me dijtë!”, poetja ndjen, kërkon, krahëron, përqafon, shijon, ngafllon, prej dashurisë së mashkullit që dshuron. Asja, e larton figurën e burrit, nuk e nëpërkëmb atë. Rrallë ka ndodhur në poezinë shqipe lartimi dhe përkushtimi me kaq dashuri poetik ndaj një mashkulli, kur shumë poete/shkrimtare botërore e simbolizojnë mashkullin, me tradhëtinë, pabesinë, dhunën, gënjeshtrën, xhelozinë, urrejtjen etj. Libri sendërtohet, përmes dy elemente kyçe lidhëse:  

a)    Eptimi i elementeve lidhëse mashkull/femër (përmes një marrëdhënieje sa të çlirët, ku

ngasja e poetes ndaj meshkujve/djemve, si një lojcake ledhatare që pret dashurisë) përmes vargjeve: edhe n’se lindin njizet diej/me ndriçue errsinën e natës teme/dita s’vjen kurrësesi, po s’erdhe ti i dashtun/ zemër m’i dhanë ksaj zemre?, në poezinë “Pa titull”

b)     Eptimi i elementeve burrë/grua, (duke ngrirur kultin e dashurisë për një burrë në

nivelin e dashurisë së Epërme Sublime = dashurinë Hyjnore) për bashkëshortin, është kulti i një burri që ajo e adhuron dhe e dashuron atë, përmes vargjeve: në kjofsh krijesë prej dielli/ u përcllofsha rrezesh tua,/çajre mos gjetsha/e në rigofsh si si prilli/ mbifsha shtratit t’jetës/zemër e sy për ty/me kët shpirt t’mbushun dashnie,/tandi me shërue…/…/Eh, lumi ti për vedi mor djalë,/kështu ka me t’gjetë/ n’u dashurofsh në mue!, nga poezia: “Kshtu ka me t’gjet n’u dashurofsh n’mue”.

c)     Eptimi i elementeve të metaforës së shpirtit/dashurisë, [ku fjala: shpirt, del: 191

(njëqidenëntëdhjetëenjë herë)], përmes çerdheve të fjalës [shpirt]: shpirt /shpirtit /shpirtnash /shpirtnisht/shpirtshëm, dhe [fjala: dashuri, del: 245 (dyqindedyzetepesë herë)], duke formuar çerdhje e fjalëve: due/të due/dasht/m’dashtë/dashnia/dashurueme/t’dashnuem/dashunisht, në gegërisht si një pasuri e madhe jo vetëm gjuhësore, por dhe shpirtërore. Dekodimi i shpirtit në poezinë e Mulgecit, nuk lidhet me një shpirtëzim apo një marrëdhënie ikadeshente me shpirtit/njeriut në formë transhedence, për të mbërritur te forma jonë ekzistenciale nga Dekarti tek Niçe, si thelbi i filozofisë së Qenies, por me vetë shpirtin e një femre, me shpirtit fizik që dhemb, vuan, dashuron, përjeton gëzime dhe zhgënjime. Sipas Platonit, dashuria fizike dhe shpirtërore varen nga njëra-tjetra, se dashuria është nga shpirti dhe trupi dhe veprimet e shpirtit varen nga trupi (Smith: 1985: 14), se shpirti i pastër poetiko-dashuror, është pasqyruar në tofjalëshat: [dashunisht të dashuruem/m’dashtë dashunisht/shpirtnash t’dashunuem], apo dhe në tofjalëshat si: [shpirtprarueme/ shpirtengjëll/ shpirtzhuritun/ shpirtbardhë/ shpritvramë/ pragshpirtit/ shpirtdlirë/ fundshpirti/ shpirtzinj/ përshpirtshëm/ shpirtcunguem]. Gjatë gjithë librit, gjurmët e një dashurie të pastër, për një burrë/mashkull, përmes dashurisë dhe kujdesit femëror, sjell një përmbysje, të realitetit “vrastar” shqiptar, ku meshkujt vrasin femrat thjesht për kapriço apo dhe duke menduar, se ato janë “ prona” e tyre, pra e mashkullit. Në këtë vëllim, dy shpirtrat që “ndërjetojnë”, do të thotë se lëvizin së bashku horizontalisht kryesisht, si rezultat,  se dashuria seksuale trupore, bëhet mënyra për të prekur shpirtin në “ecstasy” (Guibory: 2006 :35).  Lënda dhe materia, trupi dhe shpirti, dashuria dhe ndjenja. Ndarja midis trupit dhe shpirti, përqaset si lëndë (jetiko-natyrale, përpos ajo letrare), kërkon një trup për shprehjen e tij: “natyralja e përsosur” gjendja e shpirtit të bashkohet me trupin, dhe kur shpirti është i papërsosur, sipas neoplatonistëve, që besonin se dashuria përfshinte shkëmbimin e zemrave ose shpirtrave (Targoff: 2008 :61) në poezi, nuk ka lidhje me atë lloj transhendence, na rrëfen se ritmi i ciklikës trup-shpirt lidh fizikisht dashurinë e njeriut mashkull /femër, burrë/grua. Vetë rrugëtimin gjenerativ i fjalëve sema, të nxjerrë  nga tema, si konfiguracion diskursiv, emërtohen si figura - sema në rrugëtime figurative (Courtes: 1979), bazuar vetëm në një fjalë të vetme, që është fjala më përmbajtësore në krejt këtë vepër.


Tingullimi gegnisht, i jep një tjetër kumtim kësaj poezie që sendërton:

-       imazhe e një dashurie të pastër femërore,

-       lartimi i imazhit të një mashkulli “perfekt” që pret dhe kujdeset vetëm për dashurinë e tij

të vetme,

-       përqëndrin maksimal i dëshirave femërore të përmbysura deri në tejgopje,

-        dominimi i elementeve sentimentale dhe erotike, që horizontalisht eptohen

përmes titujve: “Mos, pash mue!”, “Kshtu ka me t’gjetë n’u dashurofsh n’mue”, “ E vetmja dhomëz kur jena bashkë”, “Dashni”, “Pa ty”, “Ta shof shpirtin”,  “Hija jote”, “Me ty isha dhe pse mungova” etj. Por, ka dhe poezi, ku jeta është pjesë bashkëudhëtare dhe pjesë e njëra -tjetrës, duke mbushur zbrastësitë tona, por herë si teprica dhe herë si mungesa, janë barazpesha të qenësisë poetike njerëzore, përmes unit individualist, që jetësohet në poezi, ku gjallmojnë dhe elemente të vargut popullor të krahinës së malsisë së Gjakovës, që e kanë pasuruar këto lirika erotike.  

 

2.     Libri tjetër: “Gravurë n’lkurë”, (Mulgeci: 2024), përmes vargjeve: muzg

marramendës ishte/ylberë m’gdhendeshin ftyrës/pafalshëm puthëm shikimet retinës/oh, sa ëmbët m’pe…/prej njasaj mbramje, ankorue meje je/je diell i plotë, i pa re/ dritë more han’s verdhoshe, stolisë për ngè, nga poezia: “Gravurë n’lkurë”, nga ka marrë dhe titullin libri, ka tematika të ndryshme:

a)     malli për vendlindjen, përmes poezive; “Ngarkuar mall, njaty kthehem”, “Faltroj

mallshëm bjeshkve t’mia”, “Vend ma i bukri Tropoja jeme”, “Oh, m’ther n’shpirt kjo arrati” , “Pragut t’harruem” etj.,

b)    mungesa e babait dhe malli i nënës, përmes poezive: “O nanë”, “Nanës për ditlindje”,

“Nanë e bij”, por mungesa e të atit përmes thirrorit: [O, ati jem,/…./o Ati im!], me poezitë: “Kurrë s’u msova me mungesën tande”, “S’e msova kurrë, si kqyr baba bijën e vet”, ku vargjet: s’e di  pse, kurrë s’u msova/me mungesën tande, o ati im/mbeta mallesh kacavjerrë/tue lyp andrrash si e mjerë, poezia “Kurrë s’u msova me mungesën tande” , ka një tronditje të thellë si vajzë e rritur me mugesën e figurës atërore,

c)     bukuria e fshatit dhe bjeshkëve, përmes vargjeve: bjeshkë krenare, bjeshkët’ e mija/ me

rudina shtrue n’lulnaja,/lisa të g’jatë  bredha e pisha,/ a thue qëndisë i ka perendia/…/ m’u duk vedi si Borbardhë/shtojzovalle,/çikë malsore!, nga poezia: “Faltroj mallshëm bjeshkve t’mia”,

d)    braktisja e fshatit dhe zbazja, poezitë : “Pragut t’harruem”, “Deri n’krisje t’ashtit” etj.,

e)     marrëdhënia mes unit dhe egos femërore, përmes poezive: “Jam e zonja e vedit s’jam

imitim”, “Shkëlqimit të dielltë” etj.,

f)     marrëdhënia mes diskursit poetik të fëmijërisë/modernitetit dhe post/modernitetit  me

poezitë: “Ç’modrenizim i sikletosun”, “Vijnë e ikin si bijt t’askujt”, “Mbledh copa jete lanë n’harresë” etj. Jo vetëm shoqëria ndikon mbi shkrimtarin, por edhe vetë ai, (pra shkrimtari/ja) ndikon mbi shoqërinë, duke pasyruar dhe formësuar artin e tij, përmes gjuhës poetike. Përmes “tropeve”, figurat “konkrete -emocionale”, forcojnë perecptimin ndijor përmes lidhjes së botës së brendshme të njeriut, si shqetësim poetiko-metaforial (Wellek & Waren: 2007:205), duke iu kundërvënë realitetit, na kthen atë në shprehje të subjektivitetit  individual, pa nënvlerësuar autorësinë  dhe elementet e të vërtetës dhe realitetit që dallohen:

- nga funksioni i komunikimit në modernitet,

-  nga  funksioni i përshkrimit poetiko- post/modernist,

- nga funksioni i dëshmimit të lidhjes mes vetes dhe lexuesit,

- nga  funksioni i bashkëpunimit autor-tekst dhe anasjelltas, përmes konceptit  dhe

analogjisë  për të identifikuar postmodernizmin si “fizionomi” vetëdyshuese në letërsi (Calinescu: 1987:63), duke përballur të vërtetën universale poetike dhe të vërtetën  individuale njerëzore. 

 

3.     Marrëdhënia e lirikës mes gegërishtes moderne/klasike:

 

Është në vazhdimin e shkrimit të një gegnishteje që të amlon shpirtin dhe tingëllimi i poezisë ka tjetër shije. Përvoja shkrimore e Asjas, në “gjuhën e nënës” në gegërisht, në këtë kapitull ka një qasje tjetër: dominimin e temave socio-shoqërore, familjare, ku merr zë, nëna, babai, motra, djali, vëllai, malli për vendlindjen etj. Poezia na fton:

- të provojmë emocione të reja të panjohura,

- të soditim nëpër alpe, rudina, male e bjeshkë,

- të përrokim jetën dhe përditësinë tonë si mesazh gjithëuniversal dashuror për njeriun,

- të sendërtojë mallin dhe mungesën e familjes, 

- të sjell emocione nga vendlindja, duke ruajtur elementet zakonore dhe traditat e

 poetes. Përmes vargjeve: sa herë andrrat m’trandin gjumin/e si zog qiesh nisen fluturim/njaty rrazë shpatit e gjej vedin/njaty copëza shpirtit i kam lanë,/n’ çdo skutë e ç’do brinjzë, nga poezia: “Ngarkuar mall, njaty kthehem”.  Por veshja metaforike dashurore, është citoplazma që vesh bërthamën e shkrimtarisë së saj femrore prej kaq vitesh, përmes mishërimit të elementeve të mallit, mungesës, vendlindjes, harresës, ikjeardhjeve, dëshirave etj. Ajo nuk harron vetëveten, ku femrorja gjithmonë “ngulmon” në përsosmërinë e qenies përmes poezisë.

Kjo poezi të kurthëron, që në mijëra mënyra ta lexosh. Imazhet dhe simbolet, mbështesin edhe subjektivizmat e spekulimet, edhe përmes një koncepti inovativ, kur poezia krijon një rezistencë brenda eksistencës (Culler: 2007).  Duke patur një qasje ndryshe, në poezinë më poshtë, është gjuha që trasmenton ajo. Një gjuhë, që sot po receptohet çdo ditë e më shumë, gegrishtja dialektore, sepse gegrishtia letrare nuk mund të quhet gjuhë shkrimore. Gjuha është produkt shoqëror dhe sistemi semiotik i saj, përdoret si mjet themelor i komunikimit në shoqërinë njerëzore. Gjuha trasmenton mjë mesazh përmes funksionit të sa poetik, se gjuha ka karakter krijues. Por, shkrimi i poetes në gegërisht (ka shumë poete femra që shkruajnë në gegërisht dhe janë njohur para lexuesit po në atë normë gjuhësore), por diskutimi është: a duhet të shkruhet gegnishtja në poezi  (ndeshet shpesh si fenomen në rrjetet sociale), si njësi më vete gjuhësor, apo duhet të kthehet në një normë shkrimore, kur kemi tashmë stadardin por edhe disa variante territoriale të gjuhës (Memushaj: 2004). Diskutime të shumta pro dhe kundra, nga shumë gjuhëtarë dhe studiues të gjuhës dhe letërsisë, për shkrimin e dialekteve të kthyer në “normë” në shumë botime poetiko-letrare. Por individualiteti që paraqet: eleganca âsht njai hir njajo, qi drejton shkrimtari t’i zgjedhë mendimet e ftyrat, si edhe fjalët e frazet ku jânë mâ të lartat (Rrota: 1934), një konstatim që At. Justin Rrota e ka dhënë që në vitet ’30-të, por pas vendosje së standardit në 1962, me dhunë nga regjimi, u kanalizua shkrimi në “shtratin e standardit”, me brinjët totalisht të thyera të gegërishtes letrare. Një trajtesë e tillë është shumë delikate, sepse debatet për të patur një model të panjohur dhe të mirëpranuar si dëshirë e çdo poeti pa rregulla të qarta, vijon si dëshirë shpirtërore në gjuhën e nënës (pra në dialekt), duke përmbysur rregullat e drejtshkrimit të standardit se: un jam i primë mos i besue atyne që me fjalë e mbrojnë gegnishten por shkruejnë në nji standard me dopiopet të mbërthyem deri në fyt (Ndreca: 2012).

Vendosja e formave poetike gjuhësore popullore në sferën më të lartë të stileve dhe tematikave, nuk është një imponim i sintaksës dhe ligjërimit poetik në gegërisht, por është delikatesa e mjeteve artistike dhe aftësia për të moduluar ligjërimin poetik të cilat japin mundësinë për tu vënë në praktikë përmes distilimit tekstual (Pinsky: 1976). Shkrimi i gegërishtes, sipas rregullave të folmes dialektore, nuk është risi po as edhe e gabuar. Emetimi i gegërishtes në poezi, përdoret edhe nga vargjeshkrues të dialekteve të tjera, që herë-herë “struken” nën tingëllimin e ëmbëlsisë së gegërishtes duke u arratisur nga standardi. Ky kumbin apo “kërcitje” dhe ajo amëlsi që e karakterizon, na detyron që t’i (ri)shohim rregullat e drejtshkrimit, dhe po ashtu rishikimi i standardit ku gegërishtja të jetë jo “vetëm thërrime”, por një pjesë e madhe e bukës së gjuhës tonë shqipe moderne.

 

4.     Pasuria gjuhësore leksikore/dialektore, jo vetëm përmes trajtave të harruara të

gegërishtes si togu zanor [ue]të gegërishtes, por dhe trajta e përemrit pronor gegërisht: [tem/tand = im/yti]. Poezia ka vargje [aa/bb], por dhe vargim [ab/ab]. Herë-herë ka ndërkëmbim vargjesh, siç ka dhe trevragorë/katrena, por mbisundon vargimi i lirë. Dominimi i një fjalori të pasur sidomos fjalëformime jo vetëm klasike, por kryesisht me prurje nga pasuria e gegërishtes së krahinës së Malsisë së Gjakovës, e bën akoma më të magjishëm gegërishten e asaj treve, por duke ruajtur dhe konservuar gjuhën, për pasardhësit, nga mosharresa dhe zhbërja e braktisjes së zonës prej tre dekadash.

Fjalëformimi:mendjetrazuem/përjavshëm/përngjet/helmamblin/gjakngrimë/përsjellëm/pazashëmkrahyjesh/aromirat/syqorrues/gjithkush/njatij/gjithnji/njatherë/funditës/fundgushës/bardhezi/majegishtash/bojgjak/njatyne/përvlak/frymzanë/kryebore/ujvarash/trupngjalë/përdredhë/paana/ ecejaket/përdore/pafund/posadalun/mollëkuqet/frymëmarrjet/përbijnë/kryebotës/kadalë/krahëkputun/aromëluleje/symbyllun/përngjajnë/zemërtoke/përmallshëm/përzanë/hijerandë/kryeulë/përnjan/frymëjetë/krahengjejsh/kryenaltë/jetëgjatë/rrezeartë/krijesmirës/përhumb/përfjakje/ksombramje/përkund/zemërplasun/ndërvete/ditënetve/buzëqeshjet/shkumbardhë/ujvarë/aromëmirët/symbyllë/fundshpirti/ditmirë/krahëkputun/gjethevyshkun/ndërvedi/përkëdhel/krahëshkrueme/buzagazit/krybotës/rebardhë/rrugëjetët/marramendëse/zemërdashurue/fundkupës/pamëkat/aromëmirë/krahdiejsh/përnatë/gjakprishtë/përflakta/vetngushllim/përfolin/kryenaltë/fundmaji/përtejbote/paguximi/kapërthurun/pajet/përvajshëm/lulëkuqet/pragpritjesh/kupsqiellës/prangndrrime/nënkrejsës/frymarrje/krahapë/fundvarg/vendtakim/sydielltë/frymëjetë/përngut/syulun/mollkuqet/vetdijen/rebardhë/shpirtdlirë/ujvrë/vashëbukura/lulemaji/jetëgjatë/faralulesh/lulebore/bimzbukurat/krijesmira/zaamblin/përbrenda/mendjeturbulluemt/bregdeti/padashtas/përkarshi/gojëligve/njasaj/krahflutrave/fatbardhë/përqafjesh/natëmadhen/ndenjëhyjnie/esencjeta/nurjete/askend/hirëplote/orëvrame/stinënxehta/gojësheqere/pragshpirtit/cepbuzës/spërdridhet/pëshprit/shpritvramë/shtatselvi/shpirtbardhë/syulli/flokëboret/majekodre/lkurëbardhat/dallgëtërbuemja/aromëjete/symjegulluemit/sykaltër/sypatrembur/krahëkëputun/jetëvrame/zemërgurtë/paragjuma/krahëngjejsh/plotfuqishmi/shpirtzhuritun/dorëpërdore/amanetqar/bijëmira/vllamiri/shpirtengjëll/dritëhyjni/bestytni/nanloken/njëmijë/fundbotës/buzkuqi/vetnëpërkamun/mirësjelljen/lkurëzverdhun/erëmali/lulebukurat/fustanbukurin/borëbardhë/shtojzovalle/zemërmira/shpirtprarueme/jetëdhanëse/gjiartë/duerbosh/shpirtzinj/ksobote/trupzvarrë/hirëplotë/hallemadhe/ballënalt/përskuqet/stërnipa/mesnatës/krahshkrueme/kamzbathë/barkuntë/mallngarkue/aromëtoke/rrokaamël/përshpirtshëm/fundrrugs/ përqafje /urëlidhëse/ nënkambsës /fatdreqi /truppërkulum /mendjeprishtë /trupcungueme /trupzhgalitun/ kryenaltë/vetgjyqsisë/bimëznjomat/nanëlokes/vendlindja/pagdhendun/aromëmirë/zemërnane/ petalebukurat/kaladredhin/dorëpërdore/ndërvedi/mesgushti/krijesbukurën/dritëbekuemja/jepasrejta/halleplot/rrezedielli/ditëjete/shpirtcunguem/krahëqafë/jetëshkretë/pemëdegsh/humbunrruge/pragderës/krijesmira/ndërdyshë/shpirtdlirë/trupcunguem/mendjepluhnosunit/mendjeçartunit/truthamë/katërstinshe/krahvarë/shpresvrame/krahthatë/fikundrite/përbirue/buzmbramjes/hapekrahe/lkurbardha/syzeza/leshverdhe/breglum/majëkodre/ndërvedi/plotfuqishmit/ditëvonë/gjakprishtë/përbuzje/mbijetesë/paemën/mbaskrahsh/frymzanë/ftyrëbukura/barkshkyem/kësobote/dritëverdhën/fijeartë/përçudnojnë/truthamë/pazemër/çehrevramë/dritëfikë/kurrinjiherë/majëkrahi/përflaktë/trupsfilitun/fikunshprese/majëmalesh/hanësplotë/keyemalesh/pesëmbdhjetë/kamkryq/duerthatë/ftyrzbehtë/majëthyem/sypërlotun/llavëjeta/përfolë/kreulë/shtojzovalle/majekodre/lkurënxime/përbijnë/pikëlvese/lulebukur/dritëmohuese/luleblini/vajeshpirti/zaviolinë/kryebotës/naltmadhni/aromjete/aromëftue/kapërthurë/fustanbardhë/pendzezat/hijerandë/barkuntë/rebardhë/rrugëjete/ftyrëzbehtë/symbërdhè/përgjysë/hapshpejtë/pulbardhë/tjerkush/gojfile/mendjehupun/frymzanë/fundgushtit/shpresëndeztë/hijerandë/pendzezat/fustanbardhë/buzmbramjes/natëbekuemes/njimijë/njimijenji/kapërthurë/gjakngrime/keqndërtue/belhollës/ pragpritjesh /stinëbukurës /rrezeartat /stërgjatën/ shpresëndeztë.

Vargje me ngarkesë metaforike: membranën e gërvisht qiejve/nektarin e shpirtit/pse ngjyrat e dashnisë/shkundin pjalmin e mbledhun nën gushë/mpshtjellë teje si kulpnajë/si currila akulli n’mur/si krehesh gishtash t’dielltë/si shiu n’xhepa reshë rrin palue/mbifsha shtrati t’jetës/avujsh njomë buzët/zhubrosur is gjethe vejshte n’trotuar/mjaltë shpirti/ngjzra honesh/hojzash t’rupit/si qerpik palue n’sy/si lastarë mbshtjellë bekimesh t’arta/si gjeth i artë vjeshte t’bie supit tand/palcën e shpirtit/embrion djesh të shpërthejë dashunia/ngjyrë ari i shtrojnë qylymat/kthinash t'shpirtit si hajmali/ç’më ngriu loti në faqe/n’krah ere m’i solli lotët/loti shtrydh bebzash/m’u ciflosën pritjet/njatu ku dhe zotat kangtojnë zanin/lodhshëm hap qerpikët koha/riga shiu ngjyrë ar/muzg marramendës/pafajshëm puthëm shikimet retinës/mjaltë hojzave të shpirtit/ mbeta mallesh kacavjerrë/n’sy më zdrit bash si hyjni/ngarkuem valixhesh shpirtin e vramë/shtllunga reshë lotojnë ftohtë/palcën ma ngrin/mallin e praruem ma pikturuen njelmtë ndër sy.

Fjalë vendore/ krahinorizma: fërkemave /ngërçosë /hurpet /coha /torovitet /pehamash /tinza/ t’jeremisem/zharakamë/hurp/piskamë/rreknehem/rrmisht/bzà/duhams/palue/n’culahaj/nahije/çaraveshun/dromcë/segtisë/zharakame/ /zhgalite /pehamash /zhagas /zhagitshin /kanagjeçi/ shkamit/shklana/kjava/dikah/zahaqit/mshehun/sekë lldinë/plafit/çiknisë/n’kamish/mshehet.

Fjalë me vizë në mes: bojë-gjak/pikë-pikë/aromë-lule/fije-fije/gaz-e-vaj/za -amël/fund-gushës/ngjyra-ngjyra/çerdhe-artë/vaj-burri/petale-petale/ç’fat-jete/ambrell-errët/lule-akull/tam-tamet/njena-tjetrës/butë-butë/kohë-kolerë/lloj-lloj/kama-kams/djalë-bukur/ngjyra-ngjyra/dham-helmatisun/dritë-hyjnie/fund-pusit/vajë-shpirtit/folezë-forte/çoban-bukuri/kohë-qorrueme/fije-jetët/ftyrë-verdhë/dit-netve/sy-mbërdhe/datë-lindje/zemër-ngrimë/ditë-vonë/sy-errun/kohë-qorruem/dita-ditës/shpirt-mjerë/randesë-koti/tik-takesh/vet-kompozue/pika-pika/lule-bukra/vlla-motër/ngjyra-ngjyra/ndjenjë-dlirë/besa-besë/tufa-tufa/nuse-bukur/djalë-bukur/shteg-zemre/frymë-jete/sy-ulli/farë-lulesh/zemër-hapur/kunorë-verdhë/flokë-borë/pendë-bukurat.

Paskajore: lulofsha/mbifsha/ përcllofsha/ kjofsh/dashurofsh etj.

Pjesëza [ç’] = ç’jetëvrame/ç’padrejtësi etj.

Enumeracione: dranofila, zambakë e tulipanë/ dallgë, shpirti, stuhi, tërmete…/shi, akull. stuhi/erë, shi, tufan.

Shprehje frazeologjike: çajre mos gjetsha/inatin e ke ma t’madh se vedin/edhe moti ma m’e çartë motin/ bash si lulja mbi gurë/pa ujë në sy/ditën për diell t’vret/zemrës tue vú gur etj.

Thirrori: Oh, si t’grryem zgurit brè..!

Mallkim: Zi e ma zi hjekshin…!

 

 

 

 

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

 

 

1.      Át. Rrota, Justin O.F. M. (1934): Letratyra shqipe, “Shtypshkronja françeskane”, Shkodër.

2.      Bloom, Harold. (2000): How to read and why?. New York, London, Toronto, Sydney, Singapore.

3.      Calinescu, Matei. (1987): Five Faces Of Modrenity. Duke University Press Durham.

4.      Courtes, Joseph. (1979): Introduzion á l’analyse narraive et discursive, PUF, Paris.,

5.      Culler, Jonathan. 1997. Literary Theory: A Very Short Introduction . United Kingdom: Oxford University Press

6.      Guibbory, Achsah. (2006): “Erotic Poetry”, in Achsah, Guibbory, The Cambridge Companion to John Donne, Cambridge University Press.

7.      Memushaj, Rami. (2004): Hyrje në gjuhësi, “Dituria”, Tiranë.

8.      Mulgeci, Asja. (2014): Ngat teje, “Jozef”, Durrës.

9.      Mulgeci, Asja. (2024): Gravurë n’lkurë, “Jozef”, Durrës.

10.    Ndreca, Ardian. (2012): Rreziku i instrumentalizimit të gegnishtes, “MAPO”, Tiranë.

11.    Pinsky, Robert. (1976): The Situation of Poetry:  Contemporary Poetry and its Traditions. Princeton: Princeton UP.

12.    Smith, Albert - James.  (1985): The Metaphysics of Love. Studies in Renaissance love poetry from Dante to Milton. Cambridge University Press.

13.    Targoff, Ramie. (2008):  John Donne, Body and Soul. The University of Chicago Press. Chicago and London.

14.    Wellek. R & Waren. A. (2007): Teoria e letërsisë, përkth: Abdyrrahim Myftiu, “Onufri”, Tiranë

15.    Woolf, Virginia; (1925), "George Eliot", The Common Reader, New York: Harcourt, Brace, and World.

 
 
 

1 Comment


Guest
a day ago

Emi Krosi e ke analizuar me shpirt e profesionalizem. Tasme gegerishtja eshte sfida jote.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page