top of page

Emi Krosi:  Qielldrita, si vertikale e ekzistensës së shpirtit në modernitet, në poezinë e Alisa Velaj-t



 

Poezia sot, ndonjëherë duket pothuajse tërësisht personale dhe private.  Herë -herë me pak funksione apo ndonjëherë dhe më shumë. Poezia, është art elitare. Por vetë poezia, përgjatë shekullit të njëzetë, ka regjistruar një marrëdhënie gjithnjë e më të vështirë me lexuesin e saj. Kjo është pjesërisht, për shkak të një angazhimi të shekullit të njëzetë ndaj eksperimentit formal, i cili minon njohjen me format e mëparshme të letërsisë, por sidomos poezisë, që mund të ndihmojë, për vendosjen e saj më afër lexuesit. Por edhe lexuesit ndryshojnë në kohë. Grupet e njerëzve që mund të lexojnë poezi në periudha të caktuara, kanë ndryshuar dhe në mënyrë të pavetëdijshme kur lexojnë (Seldon:1989:  50). Kjo është pjesërisht dhe për shkak të teknologjisë. Teknologjia virtuale dhe digjitalizimi, e kanë spostuar mesazhin parak të poezisë: atë të leximi dhe trasmentimit gojë më gojë. Vërtetë leximi është proces vetjak, por prishja e parametrave të leximit në kohë sidomos e poezisë, sjell dhe ul nivelin e shkrimi të saj (aq të populluar në gjithë globin), sidomos në Shqipëri, ku poezia përtej surragacisë së saj, është shumë herë dhe nën “presionin politik”. Por, poezia e mirë e gjen vetë lexuesin. Ajo i qëdron kohës. Ajo i qëndron krizave. Ajo i qëndron “presionit” të zhbërjes. I tillë është dhe libri me poezi “Njeriu i diellit” (Velaj: 2024). Një poezi plot dritë, shpresë dhe sidomos me kumte dashurie nga vendlindja.

Libri është ndarë në dy pjesë:

1.     Pjesa e parë: “Kënga e mohit” është një poemë, ku autorja është e drejtpërdrejtë, kundër

mohimit të njeriut dhe dashurisë njerëzore, vlerave dhe tokës së tij, vendlindjes, kundër kodeve të zakonve, moralit etj.;  mohi është statujë në tokën e Agapes,/kokën poshtë nga toka ia flladitin erërat, erërat me klithma shpirti të ngujuar./Mohi sheh njeriun si tretet në mjegull/dhe thotë: “Kurrë njeri nuk kam parë”./Mjegulla ha njerëz dhe i lind befas nga e para, ku folja: [mohim/mohit/mo/mos] ështje folje mohore, por në aspektin estetiko-letrar duke e “natyralizuar” tekstin, rivendosim letërsinë në funksionin e saj komunikues “brenda një rendi diskursiv” të lidhur me imazhin. Imazhi është njësia poetike bazë, më specifike për poezinë  dhe më emocionuese, si karakteristikë përcaktuese e poezisë, imazhi është njësi themelore e kompozimit poetik dhe si shëmbëllyes me metaforën (Wolosky:2001:29), e mohimit të kohës ku jetojmë.

Trajtat e mohit/mohimit në poezi, vijnë dhe në formën e “ngërçit gjuhësor” (në realitet të një njeriu/shoqërie që belbëzon), ku gjuha e tij lidhet me realitetin apo dhe imazhin. Arti na lëviz duke u bërë thirrje trupave tanë fizikë. Arti i poezisë tërheq trupin tonë më drejtëpërdrejt, kur përdor imazhe, për të na bërë të shohim, prekim, shijojmë, dëgjojmë dhe “nuhasim” botën me të të cilën autorja e poemës do na vinte në kontakt, përmes gjuhës abstrakte, si p.sh: “dashuria”, “paqja”, “dëshpërimi” etj., se poezia fillon me trupin, me shqisat që prodhojnë dhe imazhe, përmes vargjeve: mohi thotë se ka një këngë dhe i këndohet./Po në vend të fjalëve nxjerr rrokje,Dash-uri-uri-uri, dash-dash…/Ai belbëzon derisa vjen mëngjesi. Tropet retorike që përfshijnë imazhet, krahasimet dhe metaforat, janë figura, që përcakton brendia e gjuhës së tekstit. Struktura që i referohen dhe (a)simboleve, megjithëse ato implikojnë dhe alegorinë, forma vargjesh me zëra dhe marrëdhënie të tjera kontekstuale dhe ndërtekstuale (d.m.th., ndërletrare dhe ndërgjuhësore) që operon në mënyrë eksplicite brenda tekstit (Ricks:1995: 189), duke e qartësuar akoma më shumë mohin si “personazh poetik”, në fomën e një romani vargor, si rrëfyes i gjithëdishëm, na qartëson dhe idenë e strofimit të poemës, ku mungesa e dashurisë njerëzore dhe mohimi i vetë qenies tonë, është sa absurde aq dhe post/moderniste. 

 

Pjesa e dytë: “tokë me fara luledielli” tashmë poezia kalon në një tjetër hulli. Ka më shumë dritë, ajër, lule, det dhe qiell.  Vargu i saj duket se kërcen vals me ndjesitë, me ngjyrat, me zogjtë, me harabelat, me barin dhe lulet e egra (Zalta: 2025), duke na sugjeruar një mjedis/ambjent sa më natyral të shpërfaqjes poetike. Poezia është ndërtuar:

a)    mbi surplusin e eksiztencës së shpirtit: [ fjala shpirt/i del 24 herë], në vargjet: pashë një

shpirt tek zbriste prej natës,/posa perëndimi u përgjum mbi det./Shpirt i padukshëm si ajria,/me fërfëllima flatrash mbi ujë,/me zë fëmije përplasjes së dallgëve, nga poezia “Pashë një shpirt është  vertikaliteti i dritës  shpirtërore (jo Hyjnore), që ka një përshkallëzim zbritës përtej Qiellit, Tokës dhe ujit, diçkaje mes trashendencës shpirtërore, mes rrafshit moral dhe filozofik, ashtu si edhe “diskursi personal”, që përngjasmon me poezinë e Arapit, përtej  një trishtimi dhe ankthi ekzistencialist. Por shpirti, varion nga hapsira e dritës se (është dritë), duke ndërmjetësuar mes trupit fizik dhe Zotit, saora ka kapërcyer kohën dhe hapësirën (Stenier: 2011: 32). Shenjimi pëmes vertikalitetin të shpirtit në linjën horizontale, që vjen përmes vargut: shpirt i padukshëm si ajria, është një rilindje, se rebelimi dhe e pavetëdijshmja bashkë me Unin Poetik, janë thagma e trajektores së poetes, është projektimi i njeriut modern, që kërkon dritën shpirtërore të mbijetesës, si koncept i pafundëm i katarsisit poetik.

 

b)    Metaforën e dritës/ detit; [në teks fjala dritë del 10 herë/fjala det/i 6 herë], metafora e

detit, nuk ka sesi mos të mungojë për Alisën. Në poezinë “Me shpirtin e detit” është çelësi i brendisës së jetës dhe domethënies së ekzistences dhe mbijeteses së poete, si dhe njësia e të gjithë poetëve të bregut, të frymëzuar nga deti, përmes vargjeve: të tëra i rrëkëlleva./Furtuna fashitet, më tha shpirti i detit./Ujërat qetohen e bëhen vaj./Po këto pyje me kaq të fshehta, shpirt?/Njeriu përtërihet mes zbulesash, bijë./Strehoji në zemër dhe aty mbaji!, autorja ka ndërthurur trininë e fshehtë Biblike (jashtë besimit) mes Shpirtit + Njeriut + Detit. Në Poetikën strukturaliste, (Jonathan Culler), argumenton se për të studiuar mënyrat letrare të të shkruarit,  autori/ja duhet të përqendrohet në “kordinatat” që drejtojnë procesin e ndërtimit të kuptimit (Culler: 1975:133) të tekstit. Poetja e rritur pranë detit, ku drita pasqyron përthyerjet dhe përrok  (tej)detet dhe kaltërsinë e tyre, ashtu siç dhe poeti (Fatos Arapi), pasi aty ndihet e lirë. Deti nuk është vetëm metaforë, por është një element natyror -ujor, ku vertikaliteti i dritës dhe  horizontaliteti i detit shkallshmërisht pikëtakohen, mbi të gjitha simbolikat e potëve, që janë rritur pranë detit dhe të ndikura nga madhështia e tij. Pothuaje, ciklika e poezive për/mbi detin është dimensioni i pafundësisë (Velaj : 2022:66), që nga fëminia deri më sot. Ajo tashmë e universalizon imazhin e detit dhe me nostalgjinë e largësisë në emigracion, ku kaltërsia, drita, vala, zogjtë e detit, nuk mund t’i shmangë, se janë imazhe të (pas)prehjes shpirtërore, ku qetohet në Vlorë, në detin e saj të fëminisë, apo kur zhytet në kaltësinë e valëve të Jonit.

c)     Të simbolit të hijes/lules: [fjala hije del 7 herë dhe fjala lule del 24 herë ].

Përdorimi i simboleve, për të ndërtuar përvojën tonë në një poezi përmes imazheve të marra, nga  përditësia jonë, na ndihmojnë për të ndërtuar përvojën, identitetin dhe kulturën tonë. Simbolika e e luleve është përmbysëse. Ato nuk i përkasin botës florale, por janë disa Defne të metamorforizuara: gjithandej kufoma lulesh të rrëzuara./Lule të kuqe, lule të vrara,/lule që s’janë më lule. Simbolika e përdhosjes së natyrës e drejton atë drejt ambjentalizmit, se natyra po vritet, shkatërrohet nga ndërtimet pa kriter, po “varrosin” dhe lulet. Vargu pyetës: kush u vra sonte? Cila hije?A vriten hijet. Hija është jetike për vetë mbijetesën tonë; është instinkti që fillon kur psikika jonë e ndërgjegjshme ka hequr dorë nga dëshpërimi. Hija mbetet një arketip në psikikën njerëzore (Jakobi: 1991:43). Vargjet: mohi nuk ka më ftohtë./I veshur me heshtje zambaku, krejt pa kuptuar,/ka mërguar prej heshtjes së një luleje/ dhe është bërë hije, hije aq e pashme!, e zbulon hijen. Se hija është pjesa më e fshehur dhe e ndrydhur e vetes, që ne zgjedhim ta injorojmë shpesh, sepse bie ndesh me vlerat tona personale. Mund të krahasohet  me Idin frojdian, pasi ai përfaqëson nevojat e njeriut dhe dëshirat më të errëta të tij. Megjithatë, ndërsa ne vazhdimisht e pranojmë dhe luftojmë me Idi-n dhe Superegon tonë, ne shpesh nuk jemi as të vetëdijshëm për ekzistencën e Hijes. Jung besonte, se ne duhet të përballemi me hijet tona si pjesë e një procesi të quajtur individualizëm, do të na ndihmojë të arrijmë të përballemi me personin tonë brenda nesh (Jung: 1981: 18). Aftësia e transfigurimit të errësirës në dritë, dhe anasjalltas, mundëon zbulimin e anës së mrekullueshme të reales, se përjetim individual, për njohjen e njerzores si shumë të rëndësishme (Hume: 1888), process përmes të cilës, njeriu i shtyn limitet e tij njohëse, mëpërtej vetes dhe botës. Abstraktja dhe konkretja, irealja dhe realja, imazhi dhe simboli, nuk janë gjetje të kulluara; as arbitrare, as rastësore, por të kushtëzuara nga rrethanat:

-       prej përftimit të imazheve surrealiste

-       me ndërfutjen e imazhet reale,

-       njohja e unit individualisto-poetik, 

-       copëzimi i informacioneve poetiko-letrare, që arrihet duke folur për tekstin në “një

mënyrë ligjërimi”, që nxjerr në pah unitetin organik të tekstit dhe kontributin e pjesëve në lidhje në tërësinë e kuptimit të tij (Hawkes:1977), ku teksti është stukturuar në formën e shenjuesit të gjuhës post/moderniste.

 

-        Ndërtimi gjuhësor dhe stilistiko-poetik:

 

-       fjalëforimet: përflak /përndezur /erëmirat /pashpirt /pafund/ ngado /panjohur /asnjëri/

buqëqesh/parrënjë/gjithandej/patreguar/ngadaltë/lulnaja/marrafrymjes/pulëbardhës/vajzukja/ luledielli/fërfëllima /përplasjes /anembanë /papërlyerj /arkitraut /tejshpon /shumëvjeçarë/ falënderojnë/asnjëri/rilindur/përtërihet/nanurisi/përgjakur/zanafillë/kuqërremtë/ kaherë/ përfalën t’ungjatëjeta /menjëherdhëm /lulekaktusi /tjetërsojta /tejendanë /askurrë/ përbetuari /tejngopjes parrëfyer /paprekur /ikanak /përgjuar /nëntoka /hijerënda/paepur/përhumburish/askurrë/përfalju/ tejpërtej/nënujor.

-       Fjalët çelësa: qielli/përflak/ lule/dritë/diell/mjegullull/Mohi/agape/terr/shpirt/ hije/

/pulëbardhë/plisat/perëndimet/luledielli/natë/det/ujë/dallgë/peshkatar/bukë/pulëbardh/vjehstë/grua/shkretëtirë/shi/qiparisa/flamingot.

-       Vargje me ngarkesë metaforike: gjithandej kufoma lulesh të rrëzuara./ i ngrirë para

dritës/ pashë një shpirt tek zbriste prej natës/ bukë dielli në varkën e peshkatarit/ mbase je psherëtimë e ujërave nën mjegull/ me shpirtin e detit në kraharor/ trishtimi s’ka flatra/ e humbën krejt kujtesën për qiell e dritë/ nga klithma e mjellmës së epshit/ mbolle heshtjen në tokën e re/ tri brinjë të dritës/ as në stinën kur mjegullat hijerënda/ me shijen e gjysmës më të plotë.



 

sëfundmi: për të ktptuar përmasën e poezisë së A. Velajt, një poete e re por dhe studiuese e kritike letare, duhet lexuar në shumë rrafshe, si horizontalisht dhe vertikalisht. Ajo shkruan dhe i përket rrymës së post/modernitetit. Por, poezia nuk mund të mbërrijë tek perfeksioni. Ajo bëhet e tillë, duke u receptuar nga lexuesit dhe nga kritika, që vetë poetja të refektojë për kumte të tjetërllojta të poezisë së saj të detit dhe dritës.

Mjaftojnë vetëm këto vargje;

“Mbase je psherëtimë e ujërave nën mjegull,/rrënjë e bekuar fshehur thellë në det./Shfaqesh i plotë kur tisi i bardhë,/mbështjell tokën e dashurisë,/e vjen e ikën, e vjen e mjegullohesh”, nga kryepoezia: “Bukë dielli”.

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

 

1.     Cullere, Jonathan. (1975). Structuralist Poetics: Structuralism, Linguistics and the Study of Literature. Ithaco: Cornell University Press.

2.     Hawkes, Terence. (1977). Structuralism and Semiotics. California: University California Press.

3.     Hume, David. (1888):  A Treatise of Human Nature. Oxford: Clarendon Press.

4.     Jacoby, Mario. (1991): Individualiteti dhe Narcizmi. Psychology Press.

5.     Jung, Carl.  (1981): The Archetypes and the Collective Unconscious, Volume 9.

Ed. R. Hull. Princeton University Press.

6.     Ricks, Christopher. (1995): The Force of Poetry. New York: Oxford University Press.

7.     Seldon, Raman. (1989). Practising Theory and Reading Literature: An Introduction. New

York: Harvester Wheat sheaf.

8.     Steiner, George. (2011): The Poetry of Thought, From Hellenism to Celan. USA: A New Directions Book

9.     Velaj, Alisa. (2022): Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten, “Onufri”, Tiranë.

10.   Velaj, Alisa. (2024): Njeriu i diellit, “Ҫiraku”, Tiranë

11.   Wolosky, Shira. (2001): The Art of Poetry. Oxford University Press.

12.   Zalta, Diamanta. (2025): Gjuhë e re poetike, “ExLibris”, Tiranë: https://exlibris.al/diamanta-zalta-gjuhe-e-re-poetike/ në: Disa shënime për librin me poezi “Njeriu i diellit” të Alisa Velajt, “Observerkult”: https://observerkult.com/disa-shenime-per-librin-me-poezi-njeriu-i-diellit-te-alisa-velajt/


 
 
 

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page