Tema: Përthyerja e kohës artistike përmes tropeve metaforiko-eksistencialiste, në poezinë e Ilirian Zhupës.
Poezia është e pakohë. Nuk ka kohë, sepse ajo është Universale. Tradita poetiko-letrare e trashëguar -nga poezia e re e viteve ‘70-të e shek XX, solli në skenën e poezisë shqipe të viteve ‘ 80-të, një lidhje dhe marrëdhënie të re, ku “lulëzuan” disa rryma si ekszistencializmi /impresionizmi, duke shpaluar një risi përtej kohës, jo vetëm mes autorit dhe shkrimit por edhe një marrëdhënie të re, mes autorit/kohës së receptimit, si përcakteca mes veprës letrare dhe distancës kohore. Distanca kohore, si marrëdhënie e domosdoshme me të vërtetën, në kuptimin e të kaluarës (së poetit), është veprim i subjektivitetit të personit, por dhe vendosja e personit brenda procesit të traditës, në të cilën e shkuara dhe e tashmja shkrihen vazhdimisht bashkë (Gadamer: 1965). Ndërkëmbimi i brezave të lexuesve, ku nocioni i horizontit të shkuarës dhe të ardhmes, ndjek dhe aspektin historik, një vijimësi kohore, pa tejkaluar “hapsirat boshe”, të lëna nga lexuesi i djeshëm dhe të plotësuara nga ai i sotëm, nëpërmjet horizontit të pritjes (Jauss: 1982), për një lexim ndryshe të poezisë së Ilirian Zhupës. Interpretimi i letërsisë nëpërmjet simboleve apo gjuhës simbolike, përmes konteksteve sociale dhe kulturore, sidomos në poezi, kur ajo ka fuqinë dhe aftësinë për të marrë momente nga koha jonë, por poezia si nocion letrar, të kuptimëson jetën, si një qëndrim reflektimi ndaj saj, për përmasën dhe kuptimin filozofik të jetës (Gendlin: 1996: 53). Por, poezia nuk mund të kuptohet pa lexuesin e saj, sidomos kur lexuesit ka tejkaluar kohën, pra nuk është në bashkohësi. Poezia e vazhdimësisë sidomos ajo e quajtur si brezi i viteve ’80-të (Bejleri: 2017: 6), që i shpëtoj sociorealizmit, është dhe poezia e Ilirian Zhupës. Lidhjet e poezisë, përmes detajeve që ndërfuten si nocione abstrakte, fuqizuar me elemente ekszistencialiste, përtej korrelacionit të kërkimit të “njeriut të ri”, që nuk i rrinte dhe aq mirë, kur vetëdija krijuese kishte një karakter të fortë, duke tejkaluar kohën përtej “vitrinave” të monizmit, deri tek rivajëzimet e pas ’90-ës, në vëllimi “Të gjallë dhe të vdekur” (Zhupa: 2015), një libër ku dallohet për strukturimin e poezive të para ’90-ës dhe në fillimvitet e demokracisë por dhe më pas.
Libri është ndarë në:
PJESA I: (Nën lëkurë...),që hapet me poezinë “Kombi im”, me vargjet: kombi im,/Të kam komb në fyt,/As të vjell dot,/As të gëlltit, si një himn i munguar, por dhe si dhembje poetike për fatit e bashkëatdhetarëve si “komb” dhe homonimi i fjalës “komb” diçka që të lidhet në fyt dhe të mbyt. Por fillimisht të zbërthejmë titullin “Të gjallë dhe të vdekur” , duke formuar antonimin e fjalëve por dhe “kronikën” e vdekjes dhe jetës. Të mësuar të jetojmë përmes kontrastit; të gjallë e të vdekur (Rustemi: 2023: 8), poeti as anatemon vdekjen as nuk “përbuz” jetën. Jeta e tij, ka qenë e shtrirë në pothuajse gjysëm shekulli, e veshur me petkun e poezisë. Është një poezi që të “ngjit”, që mbetet dhe sërish mundohesh të përfytyrosh njeriun/poet apo poetin /njeri, në të tërë vijimësinë e tij, saora jeta ngrihet përtej dritës, përtej horizonteve, përtej kohës, përtej përkohësisë ku shpeshherë takohen të gjallët dhe të vdekurit. A takohen vallë? Por, shpirtrat tanë të gjallë, mund të takohen me fantazmat e shpirtrave tanë të vdekur (Yzeiri: 2016). Poezia që hap pjesën e parë, “nën lëkurë”me vargjet: zotat u ngjitën në qiell dhe s’dinë më të zbresin,/Kanë frikë mos dheu nga lindën, është dheu ku duhet/të vdesin, nga poezia: “Zotat u ngjitën në qiell”, së Zotat e monizmit ishin “arratisur”, në një botë pa dashuri, pa besin, pa mall, pa përfaqime. Në pikëtakimin e fateve të njerëzve të vdekur me të gjallët nëpërmjet vargjeve: … dhe qenia ime as loz, as çmendet…/Kanë ikur shpirtrat,/Kanë ngelur sendet…nga poezia: “Fate të trishtë” bota e sendeve nuk ka dashuri, as jetë, por është bota e absurdit që na rrethon, që na shërben si përkujtesë e marrinës tonë njerëzore, si Qenie Sipëriore, ku gjallojnë elemente si:
a) simbioza e mendimit filozofiko- poetik,
b) përballja e Qenies shpirtërore dhe Qenies sendore vdekatare,
c) domethënia dhe shenjat e ekzistencializmit të shpirtit,
d) raportet mes dashurisë/ njeriut/ vetes/ shoqërisë dhe besimit,
e) revolta dhe dëshpërimi, nëpërmjet tharmit të “mëkatit” dhe “shpirtit”.
Dinamikat e të madhërishmes dhe të bukurës në poezi përmes jetë/vdekjes, që eksploron humbëtirat dhe të pathënat e shpirtit dhe të trurit njerëzor (Murati: 2015), që poeti sendërton.
- Qenien e shpirtit, (sigurisht, pjesa e prekur e vetëvetes në shekullin e tetëmbëdhjetë është
shpirti, jo hapësira e mishëruar e trupit të ndjerë. Koncepti i rëndësishëm estetik në përputhje me thelbin e “shprehjes”, që vjen si nocion “ i brendshëm” dhe jo me atë të tejkalimi të dualizmit kartezian të trupit dhe mendjes, që shndërrohet në një botë drite e hije dhe errësire më të thellë (Onions: 1966: 348), nga përvoja misterioze e mendjes dhe shpirtit.
- Qenien e sendeve, (koncepti i gjendjeve të sendeve në vetëvete) është ambiguiditeti
ndërmjetësues mes cilësisë sensuale të materieve të caktuara, midis shprehjes së sendeve dhe gjendjes së tyre, përmes nocionit të një hapësire të brendshme (Böhme 2014: 36), ku qenësia e sendeve bën ndryshimin mes gjallesave dhe vdekatarëve.
PJESA II: (Mbi lëkurë) ndarja poetike që lidh edemën e njeriut, apo organi më i gjatë në trupin e njeriut, që është lëkura, tashmë është ekspozuar ndaj dritës, ndaj prekjes, ndaj zjarrit, ndaj ndjesive, pasi nën/lëkura është qenia e trupit dhe shpirtit , me deje, inde, gjak e kocka përmes vargjeve: andej nga vjen drita, mbyllet në guaskë errësira, tashmë kontrasti dritë/errësirë, kalon caqet e një kumti poetik, nga nën/lëkura ishte errësira, nga mbi/lëkura kalon drita, ku pitakohet Universi, Drita, Gjithësia, mespërmes Krijimit/Zanafillës (Bibla: 2002). Koha poetike nuk tjetërsohet, por dëshmon një atmosferë krejt tejtër, përmes vëzhgimeve dhe impresioneve vetiake të botës, duke sjellë një kohë tjetër, një kohë dashurie për vdekatarët, ku dallojmë dy sentenca:
a) sentenca e substancës së jetës, që plazmohet përmes dashurisë, jo asaj të një gruaje , por
të dashurisë për jetën, se dashuria është drita prijatare në terrin e jetës (Velaj: 2022 : 83), përmes vargjeve: ullinjtë e shpërndarë nëpër tokë janë sytë e tu/që më ndjekin mua/Ngado që të shkoj..., poezia: “Dashuri e hershme”, se dashuria është syri që mban gjallë jetën. E gjithë vepra është një koncentrat metaforash, që vetëm një lexues specifik mund të receptojë fuqinë ndërtuese të shpirtit, përtejvdekjes dhe përtej(j)etës. Poeti lidh të gjallët me të vdekurit dhe anasjelltas:
b) sentenca e ekzistencës së vdekjes, [fjala: vdekja/ i vdekur/të vdekur, del 49
herë/shpirti/19 herë] është një metaforë që kapërcen vdekjen, ajo tejkalon kohën dhe hapsirën (Steiner: 2001: 59), përmes epifanisë, kapërcen kohën, frikën, terrin, vetminë dhe kërkon jetën dhe dashurinë. Vargjet: përtej jetës është vdekja: Po ç’është përtej vdekjes?/Përtej dashurisë është urrejtja: Po ç’është përtej urrejtjes?, a nuk është vetëdija njerëzore për të panjohurën? Vdekja në veprat letrare, përmes imagjinares, lidhet me marrëdhënien e njeriut me vdekjen/ pasvdekjen, ndërthurur me sarkazmën si shenjuese e jetës së përtejme. Përthyerja e dy botëve, realja dhe imagjinarja, realja dhe magjikja, jeta dhe vdekja, në diakroni dhe sinkroni, na dikton shenjat e realizmit magjik në letërsi. Shenjëzimi i vdekjes, ka dhe elemente të magjikes, një intimitet mes vdekjes së pamundur si “vdekja poetike”, për të gjetur atë që quhet e pandërprera dhe e pafundmja (Blanchot: 1982). Vdekja, si (pa)mundësi dhe koncept letrar i metamorfozës, jo si proces biologjik jetësor, autorët formojnë një lloj “estetizmit të vdekjes”, si metaforë letrare, në formën e groteskut të njëmendësisë së jetës reale shqiptare. Dekodimi i vdekjes përmes shenjëzimit:
- shenjëzimi i vdekjes si kohë letrare/kohë universale,
- shenjëzimi i vdekjes si pasojë e frikës/ankthit/delirit,
- shenjëzimi i vdekjes si meditim i fuqishëm për jetën/ përjetësinë,
- shenjëzimi i vdekjes si formë e kujtesës personale/kolektive,
- shenjëzimi i vdekjes si proces mes simbolit vs trashendencës,
- shenjëzimi i vdekjes si metaforë mes erosit/seksit/vdekjes. Vargjet: vdekje të mëdha,
vdekje të vogla,/vdekje të vdekura, vdekje të gjalla, nga poezia: “Apel për të gjallët”, e zhbën vdekjen në kontekstin poetiko-letrar duke sendërtuar dhe qëndresën autoriale përballë heshtjes, sepse njerëzit që heshtin nga frika janë “vdekje të gjalla”.
PJESA III: (Ura, 1975 - 1990), ura që lidh nën/lëkurën që mbron organizmin e brendshëm të “sëmurë” nga heshtja me mbi/lëkurën, është një element i panjohur i poezisë së gjermëtashme shqipe, si lidhja organike e trupit me shpirtin, përmes elmenteve fiziologjiko-anatomike të trupit njerëzor. Kemi tre lidhje:
Në këtë nënpjesë janë poezi të shkruara për gati çerekshekulli. Sipas teorisë fenomenologjike, Gadamer e sheh interpretimin e një vepre të së shkuarës, si një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes. Miti i historisë, është një mundësi e ndriçimit të sotmes mes së djeshmes (Lotman: 1976: 262 ) duke krijuar një vazhdimësi aktive. Në mjaft poezi të kohës, e kaluara nuk është një realitet i përsosur, por një realitet qëndrese;
- përmes mitit të vendlindjes , që thyhet në formën e mallit për vendlindjen, përmes
toposeve të dashura, siç [është ulliri, një figurë simbolike e qenësisë dhe ekzistencës njerëzore (ulliri druri i jetëgjatësisë)], si lidhje arketipale, me jetën/tokën/vendlindjen: nga një postë e fshehtë e vendlindjes,/I kam lexuar dhe ua njoh fjalët/Që rrinë brenda tyre, /Më kanë thirrur muaDhe e kanë ruajtur një gjeth të njomë/Të fishkëllejë këngën./Kur jam vonuar,/Kanë zgjatur rrënjët nëntokë/Për të më ndjekur/Që të mos u humb, nga poezia: “Ullinjtë e vendlindjes”;
- përmes mitit të tokës dhe të natyrës, duke zbuluar unin lirik, futet ciklika e miteve të
natyrës të Northrop Fray (Fray: 1990), që lidhet me kultin e natyrës dhe drunizmit: plepi fillikat, si shtegtari që humbi udhën./Mbrëmje e bukur/ vjeshtë me fruta dhe erë/ Plepi shtron gjethet si të dojë të flerë, nga poezia: “Vjeshtës kur fushës rri një plep”, sendërton natyrën me mitin e tokës dhë të drurëve (i njohur në mitologjinë greke si Perëndia e natyrës Pani apo perëndia Vidas nga mitologjia shqiptare, mbrojtësi i pyjeve/natyrës/burimeve etj.) Poezia e I. Zhupës zbulon praninë e mitit të pyllit, detaj i cili rimerret, si imazh i shpirtëzuar. Shpirti i pyllit është menduar se ekzistonte në pyje të ndryshme në të gjithë botën, por poeti jep detaje të pyllit të zhveshur, kur gjethet kanë rënë : mbetur prej degëve-krahë të nderë,/Gjethet si pupla nëpër erë;
- përmes mitit të fëmijërisë, vjen nga vargjet: fëmijëria ime,/Sy i hapur që më ndjek nga
prapa,/Në asfaltet e gjera dhe në shtigjet e largëta;
- përmes mitit të së bukurës, është një nocion poetik, që simbolikat dhe metaforat, autori
nuk e “pohon” dhe nuk e “mohon” bukurinë, jo më si një koncept filozofik, por si koncept i mbi/bukurisë së jetës, përmes vargjeve: “përse më zbulohesh tani të t’i shoh bukuritë”[...] Më jepni një pushkë, bukurinë ta vras!, nga poezia “Bukuria”., një shenjim, që lidh botën e brendshme dhe momentin subjektiv, të dashurisë, gruas (e dashura) dhe bukuria nëpërmjet prirjeve filozofike, që brendësojnë bukurinë e botës, paraqiten si formë e ekzistimit të gjërave dhe të dukurive konkrete, që lidhen me shpirtin njerëzor, me simbolikën e ekzistencës, vdekjes dhe përjetësisë (Todorov: 1982: 223), është dhe pjesë e kundrimit të unit liriko-individualist ndaj botës.
PJESA IV: (Qielli im), si kry/metaforë del [qielli/qiejtë 24 herë], është një poemë që në vetëvete ndahet në:
- pjesa e parë; (Ati), që lidhet me Trininë e Shenjtë. ATI + BIRI + SHPIRTI = QIELLIN
/KRIJUESI /ZOTI, autori ka rrokur gjithë hapsirën TOKË/QIELL horizontalisht dhe vertikalisht. Mes tokës dhe qiellit, janë njerëzit /botërat/ historitë /luftrat/ paqet /dhembjet /humbjet /gëzimet /vdekjet /stinët /kohët/ hapsirat /thellësitë /zbrazstësitë /planetet /gjallesat /sendet /ujërat /zjarret /Hëna /Dielli/ zemrat /shpirtrat /tingujt /ngjyrat /fryma /dritat /shirat /mjegullat/ të fshehtat/ të vdekurit/ të gjallët/ bimët/ kafshët/ lëndët/ honet/ anijet/ pasionet/ epshet/ ëndërrat/ ardhjet/ ikjet/ zhurmat/ çelësat/ dyert/ kalatë/ shtëpitë /fëmijët/ gratë/ prindërit/ fshatrat/ qytetet/ shtetet/ kontinentete /vendlindjet/ ullinjtë/ hardhitë/ detet/ misteret/ triumfet/ dështimet/ shpendët/ fjalët/ erërat/ imazhet/ orët/ avionët/ lakmitë/ mëritë/ mrekullitë/ mëkatet/besimet/ faljet/ fajet/ lutjet/ pemët/ frutat/ bërthamat/ mishrat/ zemrat/ prekjet/ dherat/ rrugët/ gjallesat etj. Vargjet: qielli im,/Mos je vallë cipa e vezës brenda së cilës gjallon jeta ime,/lëvozhga që sigurisht do e thyej/Kur të vendos të dal hapësirave?, nga poezia; “Ati”. Nga këndvështrimi i mitologjive fetare, të organizuara në mënyrë kanonike, imazhet simbolike poetike, ngjasojnë me realitetin e përditësisë njerëzore, ku ndërthuret njeriu dhe besimit, njeriu dhe Zoti, si shtresëzim nëpër mendimet hyjnore (Szondi: 1968: 68);
- pjesa e dytë; (Biri) që lidhet më Krishtin. Kodet biblike, janë elemente me statusin e
doktrinave shpirtërore; a) të gjendjeve njerëzore, b)të historive e të kuptuarit të jetës tonë, c) plotmëria e “botës së njeriut". Sipas studiuesit George Stenier, misteret sakramentale të krishtërimit (Steiner: 1997) rrëfejnë Krishtin dhe jetën e tij, janë mesazhet e Ringjalljes, që besohen nga miliarda njerëz në botë;
- pjesa e tretë; (Shpirti). [fjala: shpirti (forca metafizike), thelbi jotrupor i
gjallesave Shpirt (faktor i mbinatyrshëm), qenie jotrupore ose jomateriale; ana jomateriale e pavdekshme e me burim hyjnor, që i jep jetë njeriut dhe e lidh atë me Zotin] (en. wikipedia.org), në vargjet: në emër të Shpirtit,/Që është ajër i lehtë, dritë dhe frymë,/I zbritur në mënyrë të mistertë/Te trupi dhe gjaku ynë (Zhupa: Iden: 165).
PJESA V: Tropet dhe pasuria leksikore: Poezia e I. Zhup-ës, është një poezi me një leksik të pasur gjuhësor. Që nga përsëritja, epiteti, krahasimi, metafora, metonimia, epifora, anafora, enumeracioni, asidenti, polisidenti, aliteracioni, kosonancat, asonancat, me rima të brendshme dhe përsëritje të bashkëtingëlloreve dhe zanoreve. Ai dallohet dhe për mënyrat e shkrimit të strofave mund të jenë: dyvargësh (distik), trevargësh (tercet), katërvargësh (katren) etj.
1. Fjalëformimi:buzëqeshje/përgjakin/përqafohemi/përzënë/përqark/shumëkënd/hijedrita/fu
ndvjeshtë/përzënë/mesditë/përditë/plangprishësit/armëpushimet/buzëqeshje/nënqesh/ngadaltë/mosrrahje/bishtdredhur/këmbëhapur/përpjekja/ndërpritet/vendlindjes/nëntokë/përgjakur/frymëmarrja/përmbys/shpërndarë/paskëtaj/pabesitë/përkohësinë/përqetha/përtypim/vetveten/përballë/psragjykime/mbijetojë/luledielli/dorëshkrimet/kreshëkëputur/dritëhije/kryejashtë/asgjëkundi/përbrenda/parrokshme/tejqyrë/farëhedhësi/gjithçka/tejdukshëm/gjithfarë/përtejmë/ujëmbajtës/parafine/ bashkëudhëtare.
2. Fjalët çelësa: vdekur /gjallë /dritë /errësirë /dritë /terr /flijim /natë /dashuri /dëshirë
/gjendje/zjarr/frymë/puthja/sërish/njerëzit/Zoti etj.
3. Trope metaforike: pylli i shpirtit tim u mbulua në flakë,/shkëmbi i trupit tim u hodh në
erë/ andej nga vjen drita/mbyllet në guaskë errësira/ në pelena dashurish/ horizontet u drodhën nga ca fëshfërima ecjesh/ më thërret një pemë!/ në vdeksha, qefin të kem qiellin/ shpërgënj të kem avujt e frymëve/ me një lëvozhgë të mbetur hëne/ qielli është lëkura e dheut etj.
4. Gjethet u zverdhën sërish, ujërat u thinjën sërish;lulet u çelën sërish, frutat u lidhën sërish; epifora Shirat u derdhën sërish, ëndrrat u trembën sërish;
5. Ti je e bukur, e pastër, e kthjellët
unë, deti, shpendët, kafshët, bari dhe pylli, enumeracione
moshën e ngjyrës, të bardhës, të zezës, të blertës, të kaltrës
të verdhët, të zinjtë, të kuqtë, të bardhët
6. KËNGA E DURIMITjam si një pemë e mbirë në zgëq,jam si një shenjë e dhënë në xëc,jam si një dritë ndezur në shpellë,jam si një shpend me krahë të prerë.jam si një gur në majë të thiktë,jam si një trumzë me shije të piktë, krahasimi/përsëritja/anaforajam si një mjegull që nis bëhet vesë,jam si një farë që mbin pastaj vdes.
jam si një dre, jam si një ujk,jam si një kalë që s’ka kush ta zbutë,jam si një zjarr që ngroh e s’ndrin më,jam si një prush, me hirin mbi të.
7. Polisidenti: (prania e lidhëzës [e]): jam pemë e kaftë, e alltë, e gjelbër.
8. Trokasin, më vrasin; kumbojnë, më zbojnë;Hepohen – trishtohem, largohen – shurdhohem; asidentiThërresin, më vdesin; harbojnë, më farojnë;Pengohen – rrënohem, rrëzohen – verbohem
9. Njëvargori: unë jam molla që kafshoi ime më dhe im atë...
10. Metaforë emërore/foljore: flokë si mjegulla/ pasqyrë e ngrirë/ lëvozhgë e flakur/ pikoj me diellin etj.
11. Metaforë mbiemër: botë të qelqtë/ ajrin e njelmët,
12. Metaforë folje: jeta më ndukte/ zjarrin që zgjohet etj.
13. Antonime: Të gjallë dhe të vdekur
14. Bekimet: Bekuar dita e vdekjes!
15. Mallkimet: Mallkuar dita që linda!
kosonanaca
aliteracione
16. Sikur mos të isha helmuar nga premtimet kallpe që dhanë asonanca
17.Oksimoroni: Midis lëndës së gjallë dhe gjendjes/ si midis jetës dhe vdekjes etj
Sëfundmi: poezia e I. Zhupës, gjallmon nga figurshmëria letrare, përmes një gjuhë të shkruar bukur, po ashtu e stukturuar përmes përsëritjeve dhe oskomoronëve, një figurë që përdoret, përmes kundërshtive të fjalës apo të fjalisë. Një poezi, që ka brenda melodi në të gjitha nivelet shtresore leksiko-stilistikore. Një përdorim i gjerë shqisash dhe sendesh, por dhe të mendimit filozofik, diksionin, ekspresivitetin, në mënyrë të përkorë. Një poezi që jeton. Një poezi që gjallon. Një poezi, si manual i pastër gjuhësor i shpreshmërisë së shkruar shqip, kur sot gjuha është shndërruar, nga fantazmat e shkrimit kibernetik.
BIBLIOGRAFIA:
1. Bejleri, B. Luljeta. (2017): Poezia shqipe e viteve ’80 ,mes traditës dhe risisë, (për mbrojten e gradës “Doktor i shkencave” në Studimet Letare), Tiranë.
2. Bibla. (2002): Zanafilla 1-3. Dhjata e Re dhe Dhjata e Vjetër. Shqoqërua Biblike Shqiptare SHBSH, Tiranë.
3. Blanchot, Maurice. (1982): The Space of Literature, University of Nebraska Press Lincoln, London.
4. Böhme, Gernot. (2014): Atmosphäre: Essays zur neuen Ästhetik. Frankfurt am Main: Suhrkamp.
5. Fraj, Northrop. (1990): Anatomia e kritikës, përkth: Anvi Spahiu, “Rilindja”, Prishtinë.
6. Gadamer, G. Hans. (1965): Truth and Method, London.
7. Gendlin, E. (1996): Focusing-oriented psychotherapy. New York: Guilford.
9. Jauss, H. Robert. (1982): Toward an Aesthetic of Reception, Brighton
10. Lotman, M. Jurij. (1976): La struttura del testo poetico. Mursia, Milano.
11. Murati, Shabani. (2015): Estetika e poezisë befasuese të Ilirian Zhupës, “Ballkanweb”, Tiranë: https://www.balkanweb.com/estetika-e-poezise-befasuese-te-ilirian-zhupes/#gsc.tab=0
12. Onions, C. T, ed. (1966): The Oxford Dictionary of English Etymology. Oxford: Oxford University Press.
13. Steiner, George. (1997): Nostalgia for the absolute, Canada: House of Anansi Press.
14. Steiner, George. (2001): The poetry of Thought, From Hellenism to Celan. A New Directions Book, USA.
15. Szondi, Peter. (1986): On Textual Understanding and Other Essays. Trans. Harvey Mendelsohn. Minneapolis:
University of Minnesota Press.
16. Todorov, Tzvetan. (1982): Theories of the Symbol, London.
17. Velaj, Alisa. (2022): Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten, “Toena”, Tiranë.
18. Yzeiri, Ilir. (2016): Ilirian Zhupa- Poeti ose fantazmat e shpirtit tonë të vdekur, “Driatre.net”, Tiranë: https://dritare.net/ilirian-zhupa-poeti-ose-fantazmat-e-shpirtit-tone-te-vdekur
19. Zhupa, Ilirian. (2015): Të gjallë dhe të vdekur, “Toena”, Tiranë.
Comments