top of page

Emi Krosi: Me poezinë e Thomaida Tanuçit



Metafora, si një vokacion shpirtëror, në poezinë e Thomaida Tanuçit


Shumë kush prej nesh që lexojmë, ose kemi lexuar poezi, kuptojmë një qasje që çon poezinë drejt rritjes dhe transformimit për nga stili dhe teknika autoriale. Kjo lidhet dhe me persoanlitein dhe jetën e autorit/res, përtej përpjekjeve dhe përvojave të tij/saj personale, në raport me shkrimin apo dhe me lexuesin në bashkohësi. E tashmja e poezisë, po decentralizon dhe marrëdhëniet mes letërsisë provinciale dhe asaj metropolitane (urbane), që shumë herë ka një moskuptim të madh. Evolucioni i poezisë, sidoms asaj femërore e ka “zgjidhur” atë ngërç, pasi shumë autorë provincialë kanë tejkaluar jo vetëm provincën por dhe vetë metropolin, duke demetropolitizuar artin dhe letërsinë sidomos. Shumë elemente brenda poezisë, nuk theksojnë vetëm imagjinatën, sepse idetë, modernizmi dhe lirizmi, nuk provohen nga eksperimentimet me veten dhe emocionet (Best & Kellner: 1997: 186), përfshirë dhe poezinë femërore. Lexuesit, tashmë është njohur dhe me një botë të veçantë, disi mistike, ku ndjenjat janë një botë sa delikate por dhe një shpirt poetik i butë, një stil poetiko-estetik, krejt të pangjashëm, me një vibratë mes imagjitatives dhe lirikës si ndiesi, në librin poetik “Ëmbëlsisht bosh” (Tanuçi: 2023), një libër që përmes “komunikimit indirekt", zbërthen një vokacion shpirtëror, ekzistencial dhe thellësisht lirik femëror.


Autoria librin e saj e ka ndërtuar në tri pjesë:


PJESA I: (kupa e hidhur) janë kryesisht poezi ku poetja kërkon vetëveten përmes një dinamike mes identitetit, unitetit dhe transcendentit. Prandaj mbartja e vetëvetes dhe integrimit, si “perceptim i unitetit” mes tokës dhe qiellit, qëndron në themel të dukshmërisë dhe sendërtimit të botës materiale dhe botë fenomenale, përmes vargjeve: o orë të lakmura të pritje mëkatare,/ me gjuhë përdëllyese ju flas,/ koha qeshet ngadalë nëpër ikje, / unë hesht dhe në heshtje këlthas./ Sa eshtra më krisen dhe dhembja,/ si shiu që ra, pikoj, /u kris gjithë trupi sa shpirti,/ si lot i një reje rënkoj, nga poezia “Pritje mëkatare”, ku vetë, pritja jo ajo dashurore, por ajo pritja e klithmës së padrejtësisë socio-shoqërore ndaj femrave, poetja, e tëhuason përmes tropit metaforik: si lot i një reje rënkoj, rreket të modelojë ndjesinë e saj lirike, me qasjen si kontradiktë me botën, me vetë konceptin e feminizmit (Woods: 1999: 260), jo si koncept filozofik, por si model të shkrimit poetik. Rivajëzimi i një lidhje tokë/qiell, janë ngjizje poetike të poetes, (jashtë konceptit fetar apo filozofik të besimit), sepse dinamika e mendimit lëviz dhe si ndriçim i shpirti me një të vërtetë përherë në lëvizje të pa ndaluar (Martiko: 2024). Risjellja e dritëhijeve shpirtërore, shkon përtej dinamikës së lirikës, jo thjesht si një përshkrim , por as si një mistikë e thellë shpirtërore.


PJESA II: (dritëhijet) një cikël prej dhjetë poezish. Vetë emërtimi dritëhije, lidh konceptin poetiko-lirik të autores, përmes vargjeve: edhe pa qenë natë./I pulit shpesh qepallat,/ sikur mbyll sytë e tu /që më zbulojnë lëkurën e hollë/ përme së cilës duket fshehtësia e ëndërrës/që nuk kam mundur ta shoh, nga poezia “Pema e tejdukshme”, ku herë -herë thellësia e shpirtit dhe imazhi i natyrës e bën më të prekshme dhe më të ndjeshme lirikën e saj. Poetja, nuk përdor konotacione dhe aludime për të dhënë vetëm fjalë, përtej ndërtimit fizik të “përvojës vizionare” të shkruarit si konotacione lirike shpirtërore gjuhësore (Roberts: 2001: 416), por ajo me përvojat e saj mbështjell botën e jashtme, si një motiv i kuptimësi së përditësisë së jetës, se ekzistenca njerëzore nuk lëviz në absurdin e lirikës, por e vitalizon atë ndonjëherë, kur qeniet njerëzore ndihen të humbura, jo si pafuqi e gruas/grave/femrave, si të “pikëlluara” por si mundësi të përçmimit të dritës shpirtërore dhe vetëbesimi përtej feminilitetit (Flax: 1990: 162). Vargjet: “udhëtoj me varkën prej druri / që ndërtova vetë; / jam bija jashtëmartesore e lumit / që më mban fshehur prej detit / të mos më rrëmbejë”, tregon se poezia është lëvizja e ujit, se jeta është si uji dhe uji është shenjë e purifikimit të shpirtit. Uji një ndër tre elementet kryesore të natyrës, sipas Talesit të Miletit, luan rol të pazëvendësueshëm. Konceptet poetike të Thoamidës, janë çaste, janë detaje, janë prekje, janë frymë, janë ëndërra, janë përshkrime, janë abstragime, janë përjetime, janë mendime dhe filozofi, janë lëvizje, janë yjësi, janë dritësi, janë përrokje filozofiko-lirike, nëpërmjet një subjektivitetit poetik dhe autoritetit lirik (Altieri: 1984), që zëzon dhe krahëron edemën e lirizmit autentik, horizontal dhe vertikal.

 

PJESA III:  (kohë për tu çmendur), një cikël me [22 (njëzet e dy) poezi]. Është një poezi me lëndë filozofike, që kalon nga ekzistencializmi tek absurdi dhe anasjelltas. Poetja, ka një përthyerje ndërtimi stilistiko-poetik. Herë me vargim klasik që rimon, herë me vargim të lirë. Ajo përdor metaforën si figura dominuese stilistikore, por dhe krahasimin, simbolin, përsëritjen, anaforën etj. Domini i metaforës dhe metonimisë, tregon dhe pasurinë stilistike të poezisë. Gjuha është e moderuar artistikisht. Poezia “Ëmbëlsisht bosh”, vargjet: “në zhvishemi/ bëjmë dashuri,/si hije./Kam gjysmë shekulli/që jetoj/ ëmbëlsisht/ bosh;/ me ca rrugica,/nëpër sy,/ ca mure guri/ të fshehura/ në lëndina/dhe ca takime/ të papritura” është poezia që ia ka dhënë titullin këtij vëllimi poetik. Qendërsia e formës poetike, ku “lirizimi” i poezisë moderniste, zbulon një kufi vendimtar për metodat e leximit të poezive moderniste (Scholes :2001: 35), e lë autoren të pranojë dhe mosbraktisë, çdo imtë emocional dhe “femëror” të poetikës së saj, që “çliron” larushi modelesh metaforiale përmes “një përplasjeje komplekse”, ndërmjet dimensionit subjektiv dhe objektiv të poezisë, ku përroket emocioni dhe forma, sentimentaliteti dhe modernizmi. Përmbajtje jashtëgjuhësore e shprehur brenda dhe përmes poezisë; si ndjenjat, tekstet, imazhet, ritmet dhe energjitë, njihen përmes metodave gjuhësore ose “intelektuale” (Scholes: 2006: 88), mbi/për dashurinë nga këndvështrimi i një gruaje moderne, si shqetësim poetik brenda atij kanunor “femëror”. Lidhjet e pashpjegueshme në dukje me subjektin emocional është një grishje për leximin e një poezie, që lirizmi vesh çdo fjalë, fjali të kësaj poezie.

Sëfundmi: poetja Thomaida Tanuçi, ka një stil të saj ku ngjizet drita dhe qielli, uji dhe toka, jeta dhe dashuria, mendimi dhe filozofia, jeta dhe dashuria. Shpërfaqja e të bukurës së shpirtit të çlirët njerëzor dhe femëror, përtej universit të një poezie tërësisht lirike të tipit Safo, e fton lexuesin në një tjetër dimension liriko-poetik, të poezisë moderne femërore shqipe.

 

 

BIBLIOGRAFIA:

 

Altieri, Charles. (1984). Self and Sensibility in Contemporary American Poetry. Cambridge: Cambridge University Press.

Best, Steven, and Kellner, Douglas. (1997). The Postmodern Turn. New York: The Guilford Press.

Flax, Jane. (1990). Thinking Fragments: Psychoanalysis, Feminism, & Postmodernism in the Contemporary West. University of California Press.

Martiko, Robert. (2024): Libri poetik “Ëmbëlsisht bosh”, i poetes Thomaidha Tanuçi, “shqip.com”: https://shqip.com/vleresim-per-librin-me-poezi-embelsisht-bosh-te-poetes-thomaidha-tanuci/

Roberts, Neill. (2001):  A Companion to Twentieth-Century Poetry, Blackwell Publishing. 

Scholes, Robert.  (2001): The Crafty Reader. New Haven: Yale University Press.

Scholes, Robert.  (2006): The Paradoxy of Modernism. New Haven: Yale University Press.

Tanuçi, Thomaida. (2023): Ëmbëlsisht bosh, “Klubi i Poezisë ”, Tiranë.

Woods, Tim. (1999). Beginning Postmodernism. Manchester University Press.


18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page