top of page

Elitat intelektuale të fshatit Sasaj



Elitat intelektuale të fshatit Sasaj të Bregdetit të Poshtëm të rrethit të Sarandës.

Nga Mentor & Ideal Serjani

Dikush, një person jo shumë i rëndesishëm, nga një fshat afër fshatit ton Sasaj, u shpreh diku

se ky fshat është fshati më i vogël në Shqipëri. Vërtet fshati ynë është i vogël, rreth gjashtëdhjetë

shtëpi, por po aq janë edhe në mbarë qytetet e Shqipërisë, dhe pas vitit 1990, edhe

në mbarë Botën. Por populli ynë thotë se nga ferra e vogël, del lepuri i madh. Vërtet fshati

ynë është i vogël, por personi në fjalë e tha me një fare nënvleftësimi. Por fshati ynë, ka më

shumë vlera disa herë më të mëdha se fshati i tij që është «i madh». Por cilat janë elitat intelektuale të fshatit tonë? .Le të bëjmë fillimisht një parahyrje.Në këtë shkrim nuk kemi përshkruar, vetëm ata intelektual sipas kuptimit të saj në Fjalorin Gjuhës Shqipe,por edhe ata që e kanë marrë profesionin gjatë jetës,pa pasur arsimin përkatës, por që kanë kontribute të vlefshme për vendin dhe shoqërinë, që kanë kryer detyra të rëndësishme administrative,profesionale e politiko -shoqërore dhe janë vlerësuar nga institucionet e kohës,si ato në rrafshin akademik ashtu edhe në atë politik,me tituj,grada,medalje dhe dekorata të ndryshme. Për shembull:normalistët ishin me arsim të mesëm,por kjo shkollë është një Universitet i mirëfilltë për kohën,pasi zhduku injorancën dhe analfabetizmin në Shqipëri duke përgatitur mësonjes,si dhe profesorët dhe akademikët e së nesërmes.


Është pionieria e arsimit në Shqipëri,e cila pas çlirimit mori emrin e drejtorit të parë të saj Luigj Gurakuqi ;- agjentët janë njerzit me inteligjencën më të lartë, pasi duhet të marrin vendime të zgjuara, në kohë të shkurtër dhe situata tepër të komplikuara ;- shoferët që dilnin dikur jashtë para vitit 1990-të me skodat Albania,kishin pothuajse një status diplomatik,jo të gjithë mund të plotësonin kushtet si ato profesionale dhe ato politike,apo ata që kishin fill pas çlirimit patentën e naftës dhe punuan në institucione të rendësishme etj,etj…

Së pari katër vëllezër Basharaj:

- 1. DJELT’ E BASHARE: - Ruhi Bashari,U lind në 14 maj1928 mbaroi gjimnazin «Asim Zeneli» të Gjirokastrës, në vitet e para, pas Çlirimit, si dhe studimet e larta për histori- gjeografi. Prej vitit 1951-1974 punoi në Ministrinë e Arsimit, si sekretar i përgjithshëm, si shef kabineti i Ministrit dhe si inspektor personal i tij. Mban titullin «Mësues i Merituar».

- Esat Bashari –U lind në 23 mars 1932 Mbaroi Teknikumin Financiar të Tiranës me MEDALJE ARI, e më pas për Ekonomi, Plan, Financë, arsimin e lartë. Prej vitit 1956-1968, punoi si gazetar pranë gazetës «Zëri i Popullit», për problemet ekonomike, pastaj në Bankën e Shtetit, si Zv:drejtor; Pranë Haki Toskës e Besnik Bekteshit. Më pas si ekonomist e Kryeredaktor i gazetës lokale '’Ushtima e Maleve’’, organi këtij rrethi (Dibrës). Së fundi, si Zv.drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve. Kudo u shqua për devotshmëri e kompetencë profesionale.

- Kujtim Bashari:U lind më 11 janar 1930 Mbaroi gjimnazin e Gjirokastrës ‘’Asim Zeneli’’, nga mesi i viteve '50, të shekullit të kaluar (XX). Mbaroi studimet e larta për Kimi Industriale (inxhinier kimist) në Çekosllovaki. Pas prishjes me sovjetikët, u angazhua në prodhimin e baterive të nëndetëseve. Punoi edhe si pedagog në Teknikumin ekonomik të Tiranës. Është dekoruar me urdhëra e medalje.

- Islam Bashari:U lind më 10 korrik 1934 - Mbaroi gjimnazin '’Asim Zeneli’’ në Gjirokastër dhe studimet e larta për gjuhën angleze dhe më pas u specializua në Kinë, po për këtë gjuhë. Punoi pak kohë si mësues në Lushnjë pastaj në Drejtorinë e Jashtme të Radio-Tiranës e së fundi në Sektorin e Jashtëm të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë.

- Surja Bashari: - U lind në fshatin Sasaj me 7 shtator 1929 , të Bregdetit të Poshtëm të rrethit të Sarandës. Ishte i biri i Istrefit dhe Adilesë, të vetmit burrë e grua, muhipë në sektin bektashian dhe Adileja e vetmja grua muhipe, në Teqenë e Zallit, në Lazarat, Gjirokastër. Djalë i vetëm, pati një bashkëshorte tepër dinjitoze, që e përballoi me durim e ndershmëri, sëmundjen e bashkëshortit, për një kohë dhjetëvjeçare. Surjai, mbaroi në vitin 1961, të ashtuquajturin gjimnaz 1- vjeçar të punëtorëve dhe fshatarëve, për nevoja emergjente të arsimit, në Tiranë. Më pas, me dhënien e disa

- provimeve, mbaroi shkollën e mesme pedagogjike. Është një nga katër mësuesit e parë te fshatit tonë, Sasaj, që kontribuan , aq shumë në shkollimin e brezit të ri të fshatit dhe krahinës. Do të kujtohet si njeri shumë i mirë dhe shakaxhi i kripur!

- Ilir Bashari:-U lind në Tiranë me 06/04/1977,u diplomuanë Universitetin Shtetëror të Tiranës për gjuhë angleze dhe Gjermane në vitin 2000, nga 2002 deri 2009 përkthyes dhe gazetar në Agjensinë Telegrafike Shqiptare, 2009 deri 2011 ne Usaid , 2012 deri 2013 përkthyes zyrtar në Ministrine e Drejtësisë,2013-2018 përkthyes i pavarur, 2019 e këtej përkthyes në Fondin Besa. Ka përkthyer libra nga letërsia botërore



- DJELT’ E AHMATE:-Hasan Ahmati (Dauti) – Përdorte edhe mbiemrat Hilmi dhe Sasaj. I vetmi fshatar që vuri si mbiemër, emrin e fshatit, për ta bërë atë të njohur, nëpërmjet veprimtarisë së tij. U lind më 1886 në Sasaj. I ati i tij, në atë kohë, Dauti qe nëpunës dogane në Mitilinë (në ishullin Lezvos) të Greqisë, ku e mori të birin dhe i dha shkollë. Kështu, aty mbaroi gjimnazin turko…grek dy gjuhësh. Me shpalljen e Pavarësisë, më 1912, erdhi pranë qeverisë së Ismail Qemalit, si drejtor i doganave në Ministrinë e Financave të asaj kohe. Pas shpalljes së Pavarësisë mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, më 1916, organizuar nga Aqif Pashë Elbasani (Biçaku). Punoi si krahinar në Mesaplik, Bubullimë (Fier), pak kohë si nënprefekt i Lushnjës. Por veprimtarinë më te efektshme e pati si krahinar në Libofshë, duke qënë anëtar aktiv i shoqërisë '’Bashkimi’’ te Avni Rustemit dhe një nga përkrahësit e politikës fanoliste të 1924. Mori pjesë aktive në Kongresin e Lushnjës (1920), perkrah Sulejman Delvinës. Përkrahu Luftën Nacionalçlirimtar,u zgjodh kryetar i parë i këshillit NA-Çl të fshatit Sasaj. U nda nga jeta më 1964, në fshatin e lindjes, pa iu vlërësuar meritat.

- Muharrem Ahmati: -U lind më 1907 I pari Normalist i Normales së Elbasanit dhe mbarë krahinës, në vitet ’30 të shekullit të kaluar (XX). Shok dhe mik i ngushtë i shkrimtarit të madh Bregdetas dhe gjithë Shqipërisë, Petro Marko, me të cilin shërbeu si mësues në fshatrat e Gjirokastrës. Mori pjesë në dialogun midis krerëve të Ballit Kombëtar dhe të Luftës Nacionalçlirimtare, në Vaun e Dafinës (Rrëzomë), në vitin 1943. Pas Çlirimit shërbeu si mësues në fshatrat e Delvinës dhe të Sarandës, si dhe në seksionin e arsimit të këtij rrethi. Transferohet në Tiranë aty nga viti 1955, si pedagog në Shkollën e Bashkuar (Ushtarake) dhe më pas në shkolla të tjera të kryeqytetit. Gjithmonë i dashur, i nderuar e i respektuar dhe i vlëresuar me urdhëra e medalje, për punën dhe kontributin në arsimin shqiptar.

- Muzafer Ahmati:U lind me7 dhjetor 1932 - Një nga diplomatët më të shquar të Shtetit Shqiptar dhe intelektuali më me pozitë të lartë politike dhe diplomatike të shtetit shqiptar në vitet ’70-të e ’80-të, të shekullit të kaluar, (XX). Është krenari dhe dashuri e pakufishme e fshatit të tij të lindjes, Sasaj dhe e shokëve, miqve dhe diplomatëvë shqiptarë të asaj kohe. Muzaferi, fillimisht, mbaroi gjimnazin '’Asim Zeneli’’ të Gjirokastrës dhe më pas Teknikumin Financiar të Tiranës dhe studimet e larta për Ekonomi-Plan-Financë. Shërbeu, prej vitit 1955-1979, në Komitetin Qëndror te PPSH, si këshilltar pranë Numrit dy të Partisë dhe Shtetit, Hysni Kapo. Pas kësaj emërohet Zv.drejtor i Shkollës së Lartë të Partisë, më tej Zv.minister i Tregtisë së Jashtme e më në fund, ambasador në Mbretërinë e Suedisë. Këtu për disa allishverishe që bëheshin në ambasadë, nga Yzedin Hajdini me shokë, denoncoi korrupsionin (atëherë socializmi nuk e pranonte dhe motivonte këtë koncept) dhe shkeljet e orientimeve të Partisë dhe Shtetit të asaj kohe, propozoi masa, këto masa nuk u zbatuan nga Ramiz Alia dhe, duke mos u pajtuar me to, dha dorëheqjen e guximshme (sepse sipas parimeve të asaj kohe, dorëheqja quhej dobësi…) dhe u kthye në Tiranë nga Stokholmi, duke mos pranuar asnjë detyrë Partie dhe Shteti dhe përfundoi pedagog i Ekonomisë Politike në ILSHB Kamëz deri sa doli në pension, duke qëndruar shumë korrekt, i ndershëm dhe tepër i prerë në vendimet e tij të drejta, në mbrojtje të moralit dhe të dinjitetit si kuadër i lartë dhe i kauzës së shtetit të asaj kohe. U vlerësua nga Shteti dhe Partia e kohës, kurse fshati ynë, Sasaj, familja dhe të afërmit, do të krenohet për jetë të jetëve për burrërinë, konvergjencën, inteligjencën dhe karakterin e tij konseguent. Muzaferi, biri dhe vëllai ynë, do të mbeten në jetë të jetëve, një shëmbëll i një origjine intelektuale dhe kombëtare tepër të përkushtuar. U prehsh në paqe, vëlla!

- Fatos Ahmati:U lind më 20 janar 1960 - Një nga djemtë më të shkolluar dhe më të sinqertë të fshatit Sasaj, të Bregdetit të Poshtëm, të rrethit të Sarandës. I biri i një nga dishepujve diplomatikë të fshatit dhe të Shtetit Shqiptar, Muzafer Idriz Ahmatit. Mbaroi studimet e larta për ekonomi. Për dhjetë vjet rresht, punoi si korrespondent i BBS-së së Londrës, për Tiranën dhe gjithë Shqiperinë. Me kronikat dhe lajmet e tij, pasqyroi në dinamikë, në volum, dhe në cilësi, problemet politike, shoqërore dhe ekonomike, të atyre viteve në Shqipëri. Një gazetar, korrekt, tepër i kualifikuar dhe realist, në problemet e ditës dhe te perspektivës.

- Petrit Ahmati:U lind më 27 korrik 1934 - Një nga kuadrot më të devotshëm të Veterinarisë Shqiptare. Pas përvojës së gjatë në terren, iu përkushtua edhe procesit arsimor didaktik, duke qënë edhe Zv.dekan i fakultetit të Veterinarisë, në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë në Kamëz . Para se të fillonte punën si pedagog punoi në Ministrinë e Kontrollit dhe NB Thumanë. Ishte pjesëtar i delegacionit me specialistë të bujqësisë, në Hollandë, kur u morën lopët e rracës '’Laramane’’, ose të quajtura Hollandeze. Është autor i tekstit '’Farmakologjia veterinare’’ sëbashku me Nexhmedin Dumanin. Mban titullin Profesor.

- Kastriot Ahmati:U lind më 15 mars 1953 - Mbaroi studimet e larta për regjizurë, pranë Akademisë së Arteve (ish-Instituti i Lartë i Arteve). Punoi disa vjet si redaktor i gazetës '’Sportit Popullor’’. U dënua nga regjimi, për reportazhin '’Bedenat e papushtueshme të folklorit shqiptar’’. E çuditshme se ku e kishte fyer regjimin ky djalosh në ketë shkrim shumë elegant!!! Në kohën e demokracisë, punoi si diplomat pranë ambasadës shqiptare në Athinë. Ka botuar mjaft libra dhe artikuj, sidomos për sportin shqiptar. Ka korespondencë me miq e gazetarë në disa vënde të Europës.

- Valter Ahmati:U lind më 2 mars 1938 - Mbaroi studimet e larta për inxhinieri aviacioni në Bashkimin Sovjetik. Punoi me devotshmëri deri në fund në Regjimentin e Aviacionit në Rinas.

- Donika Ahmati: U lind në Maj të vitit 1935 - Mësuesja më e hershme e fshatit tonë, Sasaj. Punoi për rreth njëzet vjet në fshatin e saj të lindjes dhe, pas martesës, edhe në qytetin e Durrësit. Mban titullin '’Mësuese e Merituar’’. Kontributi i saj është i paçmuar.

- Faik Ahmati:U lind më 5 janar 1933 - Shofer i fillimit të viteve ’50-të të shekullit të kaluar. Ka qënë pajisur me patentën e naftës të asaj kohe, ndër të parët shoferë në Shqipëri. Ka qënë shofer pranë një gjenerali sovjetik (keshilltar në Ushtrinë Popullore Shqiptare. Pastaj punoi si shofer me sekretarin e parë të Sarandës, të asaj kohe, Mustafa Pajenga, anëtar i KQ Partisë. Ka punuar si shofer në PAM Sarandë dhe Krujë. Kohët e fundit si shofer në NB Lukovë.

- 3. DJELT' E KALLULLE: - Ismail Kallulli: U lind më 12 gusht 1907 - Kreu një shkollë tregtare në Egjipt (Misir) dhe pastaj, më 1938, kreu studimet e larta për Ekonomi-Plan-Financë në Universietin e Barit, në Itali. Punoi në Bankën Kombëtare dhe pas Çlirimit në Ministrinë e Financave deri sa doli në pension. Është ati i Prof.Dr. Adriatik Kallullit. Njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja.

- Adriatik Kallulli: Lindi në Bari të Italisë më 28 gusht 1938. Arsimin e mesëm dhe të larte i kreu në Tiranë, për gjuhë dhe letërsi shqipe. Dha mësim në Shkollën e Lartë të Bashkuar, por sidomos, për një kohë të gjatë në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve). Qysh në vitet '60, të shekullit të kaluar, spikati talenti i tij në fushën e kritikës letrare e artistike të autorëve tanë dhe të huaj. Ka mjaft studime, analiza, rreth autorëve të Rilindjes, autorëve arbëreshë dhe atyre të realizmit socialist. Mban gradën Doktor i Shkencave dhe titullin Profesor. Zotëron disa gjuhë të huaja.

- Murat Kallulli: - U lind në Sasaj më 1910. Në vitet '30 të shekullit të kaluar, mbaroi Liceun Frencez të Korçës dhe më pas studjoi për mjekësi në Francë. U specializua për kirurgji dhe sëmundje veneriane. Pati një klinikë në Francë, një në Kanada dhe një në Argjentinë. Ndihmoi shqiptarët e Francës dhe pati marrëdhënie të mira me ambasadën shqiptare atje. Kaq dihet për të.

- Divit Kallulli: - U lind në Sasaj në 18 prill 1886 . Në fillimet e shekullit të XX-të e më vonë, kreu Medresenë e Filatit. Punoi si mësues në disa fshatra të Çamërisë. Më 1939-1940 e shohim mësues në Konispol, së bashku me Lame Xhamën nga Fterra. Pas Çlirimit nuk e ushtroi detyrën e mësuesit dhe për disa ngjarje politike, u tërhoq në vendlindje, gjer në fund të jetës. Gjatë regjimit të Zogut, emigroi në Argjentinë si emigrant ekonomik, bëri pjesë në shoqërinë '’Skënderbeu’’ si një nga veprimtarët më me autoritet të saj.

- Qemal Kallulli:U lind më 1912 Shoferi i parë i Sasajit, qysh në kohë të Zogut. Në vitet '30- të të shekullit të kaluar, që i pari shofer që vajti me maqinë në fshatin Fterrë, kur u hap xhadeja nga Borshi. Punoi në PAM Tiranë, deri sa doli në pension.

Nadon Kallulli :- u lind në Tiranë më 23 maj 1972 u diplomua në Akademinë e Arteve si regjizor ka marrë pjesë si asistentë regjizor në filmin« La America» me një nga regjizorët më të njohur të kohës (viti 1994)Giani Amelio. Për shkak të kushteve ekonomiko-politike jo të favorshme emigroi në Zvicër, kreu shkollën e gastronomisë dhe punon si Administrator në një restorant.

Dalina Kallulli : U lind në Tiranë më 1969. Është vajza e Prof.Dr.Adriatik Kallullit.Mbaroi për gjuhë angleze dhe gjermane në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Jep Gjuhësi të Krahasuar në Universitetin e Vjenës. Mban titullin profesore e asociuar. Ka dhënë leksione në shumë universitete, në vende të ndryshme të botës. Eshte anëtare e disa akademive dhe Universiteteve si, Bruksel, Vjene, Mynih, Berlin etj. Ka botuar libra, artikuj studimor shkencorë, në fushat e mëposhtëme ;Teoria e gramatikës, Sintaksa krahasuese dhe tipologjia sintaksore, Ndërfaqia sintaks – semantikë e gjuhës natyrore, gjuha dhe njohja. Ka marre pjesë dhe ka referuar në simpoziume, tubime e konferenca shkencore ndërkombëtare


:-DJELT’ E DUKE :Sinan Duka:Lindi më 1878 kreu arsimin fillor në Konispol dhe më

pas Mendresenë e Janinës. U emërua mësues i gjuhës turke në Kalasë të Delvinës, fshehurazi u mësonte edhe gjuhën shqipe fshatarëve. Mori pjesë në kursin gjashtë mujor për mësues, hapur ne atë kohë nga qeveria e Vlorës. Njihej personalisht me Ismail Qemalin. Ishte mësuesi i parë i gjuhës shqipe në këtë fshat e më vonë edhe i italishtes, në Trevëllazër të Vlorës,ku kreu detyrën e mësuesit, tregtarit dhe hoxhës, frymëzues dhe aktvist i luftës së Vlorës, ndihmoi luftën Nacional – çlirimtare.Mbas çlirimit u kthye në vendlindje. Është i vetmi klerik i fshatit

Bardhyl Duka:U lind më 5 korrik 1939 -Mbas përfundimit të arsimit tetëvjeçar shkoi në politeknikumin«7Nëntori»në Tiranë, pastaj në institutin një vjeçar që u hap në Berat (për nevojat e ngutshme për arsimtar) në degën gjuhë letërsi, plotësoi studimet më vonë. Ishte lexues i rregullt dhe i vëmëndshëm i letërsisë, sidomos të kapaciteteve të letërsisë botërore, si :Dikens, Balzak, Tolstoj etj. Punoi gjithë jetën në rrethin e Beratit

Vojsava Duka :- U lind në Tiranë më 19 shkurt 1955 mbaroi teknikumin financiar në Tiranë dhe me vonë Universitetin për ekonomi – financë, për rezultate të larta, u emërua drejtperdrejt ne Komitetin Ekzekutiv të rrethit Sarandë, në seksionin e financës dhe të kontrollit deri ne vitin 1981. Nëpunëse e Bankës së Shtetit Vlorë 1981-1988, si përgjegjëse e qarkullimit monetar . Punoi si nëpunëse në bankën e shtetit Sarandë me detyrë përgjegjëse e sektorit të kreditit dhe më vonë e thesarit,prej 1988-ës deri më 2015-ën ku del ne pension

Luan Duka :U lind në tetor 1948 – Mbaroi studimet e larta në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Punoi disa kohë si inxhinier ndërtimi në rrethet e veriut më pas në qytetin e lindjes në Vlorë. Me fillimin e proceseve demokratike punoi në detyra me përgjegjësi në seksionin e kadastrës dhe këshillin e qarkut të Vlorës


- DJELT’ E ÇELE: - Xhevahir Çeli: U lind në Sasaj 18 gusht 1931 . Studimet e larta i kreu në RIGA të Letonisë, në Akademinë Ushtarake të atjeshme, për ARTILERI BREGDETARE. Akademinë e mbaroi shkëlqyeshëm dhe me t’u kthyer në Atdhe, emërohet komandant i baterisë 100m/m, më e mira deri në atë kohë, më 1959-të. Punoi në regjimentin bregdetar të Semanit (FIER), si dhe në Sektorin Shkencor të Korpusit të FIERIT, ku përktheu nga rusishtja Rregulloren e Telemetrit, që kish mbetur pa u përkthyer, që nga arrestimi i Beqir Ballukut. U përjashtua nga PPSH, për disa probleme familjare, por u ripranua, falë aftesive të tij individuale në specialitetin ushtarak. Mban titullin kandidat i shkencave ushtarake (sot Doktor i Shkencave )

- Tomorr Çeli: U lind më 15 gusht 1942 - Në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, mbaroi fakultetin histori-filologji (dega: gjuhë-ruse) në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Fillimisht shërbeu në Konispol dhe në Borsh, pastaj në Qytetin Stalin (Kuçovë), si drejtor shkolle, dhe në Piqeras . Është i pari mësues, në krahinën e Bregdetit të Poshtëm që ka mbaruar për gjuhë ruse, ose për gjuhën e Leninit, siç i thoshnin rusishtes në ato kohëra.

- Fatmir Çeli: - . Fatmir Çeli u lind në Sasaj më 14/01/1957 kreu arsimin fillor në vendlindje, arsimin tetëvjeçar në Piqeras më 1972, shkollën Skënderbej në vitin 1976 .Në vitin 1979 përfundon me rezultate të larta Shkollën e Lartë të Aviacionit.po në këtë vit emërohet në regjimentin e Kuçovës.Në vitin 1980 Titullohet Pilot Gjuajtës Bombardues,komandant i katërshes dhe instruktor në këtë regjiment.Më 1986-'88 ka kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm.Ka fluturuar me avionë Mig -17 dhe Mig-19 supersonik.Në vitin 1989 e gjejmë instruktor fluturimi në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, dhe në 1996 Zv/komandant i saj ,komandant i bazës ajrore të Kuçovës 2002-2005, dhe 2005-2008 emërohet Drejtor për arsimin në Akademinë e Aviacionit me urdhër të Ministrit. Ka kryer kurse dhe specializime të ndryshme në kuadër të programeve të NATOS dhe OSBE -së .Ka kryer shumë fluturime,stërvitje taktiko -fluturuese,qitje luftarake në poligone malore dhe fushore.E mbylli karrierën me gradën Kolonel në Rezervë . Është dekoruar me medalje të ndryshme shërbimi dhe karriere.Pilot me aftësi të mëdha fizike, teorike dhe praktike, i cili deri ditën e pensionimit shërbeu në këtë profesion sa të vështirë aq edhe të lavdishëm.

- .DJELT' E MEME: - Rakip Memi: U lind më 5 gusht 1935 - Mësuesi i parë Normalist i Elbasanit, rreth vitit 1955. Megjithëse nuk i vazhdoi studimet e larta, iu përkushtua totalisht arsimit, duke kontribuar në vëndlindjen e tij, në Sasaj dhe në Borsh e për një kohë të gjatë në Livadhja të Sarandës. Kontribuoi maksimalisht në shkollimin e bashkëfshatarëve të tij, si dhe në traditat etnografike e folklorike të fshatit, duke ndihmuar edhe në një ekspeditë etnografike, kulturore, të kryer nga Instituti i Folklorit në atë kohë, e kryesuar nga Prof. Ramazan Bogdani, për inçizimin e valles: « Kalander, o lum’ o lumë, dhe të valles lapçe të burrave: -Bir, o bir, Shahin Delvina». Është i pari Normalist i Elbasanit, pas Çlirimit, pas Muharrem Ahmatit, në kohën e Zogut, e më tej në kohën e socializmit. U nda nga jeta me nderime të mëdha, në fshatin e tij të lindjes, në Sasaj.

- Zija (Zjan) Memi: U lind në Sasaj me 7 janar 1941 . Mbaroi studimet e pjesshme në Bashkimin Sovjetik, në një prej Akademive të Aviacionit, për dy vjet dhe vitet e tjera i kreu në R.P.Kinë, për shkak të prishjes së marrdhënieve shqiptaro- sovjetike. Shërbeu në regjimentin e Rinasit, si pilot i klasit të parë, më pas instruktor i fluturimit dhe pedagog në Akademinë e Aviacionit deri sa doli në pension. Kolegët e tij kanë vënë në dukje, dashurinë e tij të madhe '’për ajrin’’ dhe atësitë e tij të larta profesionale. Zjani ynë ishte një njeri i thjeshtë e shumë i dashur me shokët, vartësit dhe eprorët.

- Artan Memi:U lind më 25 janar 1963 - Mbaroi Akademinë e Flotës Luftarake Detare në Vlorë. Punoi si Zëv./ kapiten i anijes «Haxhi Shehu». Me ardhjen e demokracisë emigroi në Itali, ku humbi jetën aksidentalisht. Akademinë e mbaroi shkëlqyeshëm.

- DJELT' E REZVANE: Besnik Rezvani: U lind më 23 gusht 1937 Pas mbarimit të shkollës së mesme, iu dha e drejta e studimit për në Akademinë Ushtarako Detare në Sebastopol – Odesa, për nëndetëse, në ish-Bashkimin Sovjetik. Pas mbarimit të studimeve atje, me rezultate të larta, erdhi dhe u emërua komandant i nëndetëses, në Pashaliman, të Vlorës. Punoi me pasion dhe përkushtim, krahas kuadrove të vyera të forcave detare të Pashalimanit, si një bazë ushtarake, jo vetëm shqiptare, por edhe e Traktatit të Varshavës, për atë kohë. Përballoi, me një vullnet të hekurt, restriksionet politike, ideologjike dhe ushtarake të kohës. Qëndroi i tillë, në detyrë, deri në çastet e fundit të jetës.

- Vladimir Rezvani: U lind më 14 korrik 1960 - Mësimet e para i mori në vëndlindje dhe në Piqeras. Studimet e mesme i kreu pranë shkollës së mesme ekonomike në Sarandë. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake, në sektorin e prapavijës,si dhe fakultetin ekonomok në U.SH të Tiranës. Me mbarimin e studimeve të larta, u emërua shef i financës në Divizionin e Përmetit, i cili në kohën e monizmit (pra në ato kohëra), mbulonte edhe rrethin e Skraparit. Me ndryshimet demokratike, që ndodhën në vend, pas viteve ’90-të, të shekullit të kaluar, u atashua pranë institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ndodhet edhe sot. Është një kuadër dhe bir i devotshëm, për dashurinë ndaj vëndlindjes.

- Emin Rezvani: U lind më 3 shkurt 1929 - Shoferi i parë i fshatit dhe i mbarë krahinës së Bregdetit të Poshtëm, që doli për herë të parë, nga Parku i Eksportit, në Shkozet të Durrësit, me emrin e lavdishëm '’ALBANIA’’. Emini, ishte pjesëmarrës në LANÇ, anëtar i PPSH, oficer sigurimi, por fatkeqësisht, nuk i eci jeta familjare. U pushua nga puna, u arrestua, u burgos, u internua në Dajt dhe më pas u arratis jashtë shtetit.

- DJELT’ E HUSE: Enver Husi: - U lind në Sasaj më 28 tetor 1926 . Që në moshë të re doli partizan në radhët e Brigadës së XIIS të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Luftoi deri në çlirimin e plotë të vendit. Pas Çlirimit punoi si instruktor në Komitetin e Partisë të Tiranës. Më 1954-55, si sekretar i parë i Komitetit të Rinisë të Sarandës. Më pas, deri në vitin 1967, punoi si farmacist në qytetin e Kavajës. Më 1968, vjen shef i seksionit të shëndetësisë në Kom.Ekz. Sarandë, pastaj si kryetar i këshillit të qytetit ,e së fundi si shef i kuadrit në ndërmarrjen e grumbullimit në Sarandë.

- Agron Husi:U lind më 3 shtator 1950 - Në vitet '70 të shekullit të kaluar mbaroi studimet e larta ushtarake për artileri të motorizuar (tanke). Arriti deri komandant i një brigade tankesh në Tiranë. Me ardhjen e demokracisë dhe ndryshimet e sistemit, emigroi në SHBA.

- Arjan Husi: U lind më 28 tetor 1952 - në Kavajë, jeton në Sarandë. Mbaroi studimet e larta për edukim fizik ushtarak. Punoi disa vjet në Kukës-Peshkopi. Vitet e fundit të sistemit socialist e gjetën komandant brigade gjitharmëshe në Ballsh. Është kuadri me moshë të re, por me përgjegjësi të lartë, për kohën që u emërua.

- Asqeri Husi: U lind me 28 prill 1931 - I dyti shofer i Parkut të Shkozetit të Durresit, që doli jashtë shtetit me automjetin '’Skoda- Albania’’, në disa qytete dhe kryeqytete të Evropës. Deri në fund të viteve '50 të shekullit të kaluar jetoi e punoi në fshat, pastaj u shpërngul në Durrës.

DJELT' e HAXHIJE :

Vullnet Haxhi:-U lind në Sasaj më 27 shtator 1954,mbaroi studimin e detyrueshëm dhe atë bazë me rezultate të shkëlqyera.Kreu arsimin e lart, në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë me rezultate të larta. U diplomua në degën Agronomi në 1979. Punoi si agronom në Kooperativën e Tipit të Lart Finiq, në N. B. Lukovë, Vurg dhe Stjar deri në vitin 1990.Pas vitit 1990 edhe si farmacist Bujqësor(fitosanitar) dhe vitet e fundit në policinë private deri sa doli në pension më 2019.


DJELT' E XhAFERE (Boce) Arif Xhaferi (Boci) lindi më 7 nëntor 1928 në Sasaj familja e tij merrej me blegtori dhe prodhimin e vajit të ullirit , para çlirimit punoi në qytetin e Durrësit dhe Tiranës si çirak, u angazhua me rininë e Ballit Kombëtar, largohet nga shqipëria në drejtim të SHBA-ve, falë aftësive dhe zotësisë së tija bëhet një nga agjentët më në zë të CIA-s,ka marrë pjesë në disa misione sekrete në Shqipëri, libi dhe Kore. Është stërvitur në Maltë nga Kim Philbi (Harold Adrian Russell) njeriu më i rëndësishëm në historinë e spiunazhit botëror. Arifi ka zbarkuar tri herë në Shqipëri nga ajri deti dhe toka. Pas lirimit nga shërbimi inteligjent punoi për 15 vite në restorantin e tij privat, më vonë e gjejmë edhe si rreshter policie për shume vite në shtetin e Illinois. Djali i tij Drini Xhaferi në 1992 punoi në Tiranë per gjashtë muaj në Ministrinë e Mbrojtjes i dërguar nga qeveria amerikane

Zuber Xhaferi :-(Boci) lindi në Sasaj më 7 maj 1923 U lidh me luftën duke u inkuadruar në Brigatën e VI-të sulmuese, u plagos tri herë, shërbeu në ushtrinë shqiptare me gradën Kapiten. Në vitin 1958 arratiset në SHBA për pakënaqesi ndaj sistemit, mosvlerësim të meritava, por edhe për shkak të një hasmërie gjatë luftës Është njeriu më jetë gjate i fshatit ende jeton, duke i kaluar kështu të njëqindat Është një nga kërcimtarët më të mirë të valles së vjetër të fshatit,asaj të burrave, shtatlart dhe i pamshëm

- DJELT' E QEJVANE:- Hasan Qejvani: U lind në Sasaj në fillim vitet’20-të shekullit të kaluar. - Shoferi i dytë, i dalë në kohën e Zogut dhe të Italisë. U vu në shërbim të luftës, me një '’Shevrolet’’ italian. Shofer shumë guximtar. U vra nga aviacioni italian gjatë Luftës, më 1943, tek po transportonte materiale ushtarake, në rrugën automobilistike të asaj kohe, Tiranë – Durrës. Është dëshmor i LANÇ.

- Kahreman Qejvani:U lind me 11 dhjetor 1929 - Që në vitet e para pas Çlirimit u shqua si aktivist politik e shoqëror. Deri në vitin 1950, ishte K/sekretar i Këshillit të Ministrave. Më 1950 e në vazhdim, kaloi oficer në Ushtrinë Popullore, në sektorin e Marinës Luftarake detare, si shef i financës së BUD-it në Pashaliman të Vlorës e më pas me të njëjtën detyrë në Korpusin e Shkodrës. Kreu detyra të ndryshme në ushtri.

- Visarion Qejvani:U lind më 1 qershor 1948 - Kreu studimet e larta pranë Akademisë Ushtarake të forcave detare në Vlorë. Punoi si oficer marine, arriti deri komandand i BUD-it në Sarandë. Është karakterizuar nga një disiplinë dhe korrektësi në kryerjen e detyrave ushtarake.

- Maksi Qejvani:U lind më 18 shkurt 1953 - Mbaroi studimet e larta në fakultetin ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, për ekonomi- plan- financë. Ka punuar kryesisht në ndërmarrjet tregtare të kohës si dhe në degën e kontroll- revizionit. Është karakterizuar nga përgjegjësia dhe ndjenja e lartë e detyrës.

- Sezair Qejvani:U lind më 10 shkurt 1933 - Njëri prej normalistëve të parë të pasçlirimit. Punoi si mësues në Borsh, Tatzat, Kalasë, Piqeras, Lukovë e së fundi edhe në fshatin e tij të lindjes.Mësues shumë i mirë. Përveç punës si mësues, ishte edhe një organizator i shfaqjeve artistike. Humbi jetën aksidentalisht në një stërvitje ushtarake në kohën e monizmit. Është i dekoruar nga Kuvendi Popullor.

Selfo Qejvani :-u lind më 6 janar 1958,mbaroi shkollën e lart dhe u titullua oficer në vitin 1983.Nga 1983 deri 1996 shërbeu në Ministrinë e Mbrojtjes me detyrë komandant kompanie. Nga 1999-2007 në Ministrinë e Rendit Publik me detyrë Shef Personeli në Komisariatin e Elbasanit ; në agjensinë e sigurimeve shoqërore dhe Shef policie në Peqin nga 2008 deri 2023. I mbijetoi goditjes së ortekut në Malin e Fekenit në vitin 1981 së bashku edhe me Vladimir Rezvanin

- DJELT' E SERJANE: - Jaho Sadiku (SERJANI): - U lind në Sasaj, rreth vitit 1840. Ishte i biri i Sadik(Spiros) Gjinit, nga ku buron edhe origjina e fisit ton. Mbaroi studimet e larta ushtarake në Turqi dhe arriti gradën ushtarake '’Yzbash’’ (kapiten). Shërbeu në zyrën e rekrutimit në Janinë. Lëvizte me ordinancë, me një kalë të bardhë të stolisur më së miri, ishte trim dhe kapriçioz. Vdiq para kohe nga një infarkt i miokardit. Ka ndimuar fshatarët e tij dhe krahinën e miqtë, kudo që i kish, për të mos i thirrur djemtë e tyre ushtarë, në shërbim të Perandorisë Turke, duke i justifikuar me arsye të ndryshme të besueshme. Mbronte dhe ndihmonte përhapësit e gjuhës shqipe.

- Ideal Serjani:U lind më 4 korrik 1948 - Mbaroi studimet e larta në fakultetin Histori- Filologji të Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër (Filiali Gjirokastër, dega Gjuhë- Letërsi shqipe). Punoi si mësues në shkollat fillore, 8 e 9 vjeçare dhe të mesme të rrethit të Sarandës e Delvinës. Është marrë që herët me publicistikë dhe krijimtari letrare- artistike në shtypin lokal dhe atë qëndror . Është i pari poet lirik i fshatit. Ka botuar dy libra: «Në kataraktet e turbullta të tranzicionit» (publicistikë) dhe « Vij nga brigjet e dafinës» (lirika). Ka në proces edhe katër vëllime me vjersha, tregime, skica, romane, kujtime, etj. Është i dekoruar nga Kuvendi Popullor.

- Mentor Serjani: - U lind në Sasaj me 12 maj 1965 . Mbaroi studimet e larta ushtarake për artileri tokësore me rezultate të larta. U titullua oficer me urdher te Ministrit te Mbrojtjes , ne fund te viteve ’80-të, të shekullit të kaluar nuk e ushtroi profesionin për arsye burokratike dhe kufizimeve të sistemit,pasi duhesh të ishe i organizuar në radhët e PPSh-së,punoi në stacionin kerkimor -shkencor Ulli Agrume pranë Ndërmarrjes Bujqësore të Lukovës ,si punëtor e më pas po në këtë ndërmarrje si drejtues prodhimi në sektorin Piqeras-Sasaj,ka kryer detyrën e kryetarit të fshatit 1994-1996 si dhe detyra të tjera shoqërore,administrative

Me ndërrimin e sistemit emigroi në Greqi. Ka botuar dy vëllime me vjersha : «Në rrjedhën e lirikave të jetës» dhe «Erërat e ngrohta të dashurisë». Ka në proces, vjersha, tregime, skica, portrete, poema.Ka bashkëpunuar me gazetën «Internet Himara», ndërsa tani në gazeten «Fjala e lire» të Prof. Dr. Fatmir Terziut Është i dyti poet i fshatit. Është anëtar i unionit të gazetarëve shqiptar dega Sarandë.

Afrone Serjani : U lind më 6 korrik 1954Mbaroi studimet e larta në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësise, në degën zootekni. Punoi ne N. B. Lukovë dhe Koop. Bujq. të Këlcyrës. Punoi gjithashtu në administratën shtetërore si përgjegjëse e zyrës së gjëndjes civile në Këlcyrë të Përmetit dhe Vorë të Tiranës deri sa doli në pension.

Ajet Serjani:-U lind në Sasaj më 19/03/1952,pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje dhe asaj tetëvjeçare në Piqeras ,ju dha burs për në shkollën mjeksore në Vlorë, në përfundim të saj me vendim të Komisionit Shtetëror të Kualifikimit datë 29/06/1972 i jepet titulli Ndihmës/Mjek Është nderuar nga stafi pedagogjik i shkollës për rezultate të larta në mësime dhe sjellje shëmbullore.Punoi në Kalasë të Rrëzomës,pas përfundimit të shkollës,duke ngritur në nivel të lart higjienën sanitare dhe institucionin e Konsultores së Nënës dhe Fëmijës.Më vonë kalon në repartin ushtarak të Vrizit në Palavli(Divizioni Ushtarak i Delvinës).Në vitin 1983 e gjejmë në Spitalin Ushtarak Sarandë si Ndihmës Mjek pranë reparteve të gatshme me vartësi direkte nga Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes.Ne vitin 1990 sherbeu në Degën e Punëve të Brendshme në Sarandë.Në vitin 1997 emigroi në Greqi.Është nderuar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me medaljen «Per shërbim të mirë ».Ka punuar në mënyrë të palodhur në zbatimin e rregullave higjieno-sanitare,ka përcaktuar saktë diagnoza të ndryshme,pa mjetet e nevojshme, por në mënyrë praktiko -empirike,me një intuit të veçantë personale, një humanist i pashoq .


Mentor & Ideal Serjani, Sarandë Gusht 2023.


332 views2 comments

2 Comments


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Aug 13, 2023

Të dashur Ideal dhe Mentor,

Eseja Juaj, me titull “Elitat intelektuale të fshatit Sasaj”, në këndvështrimin tim, është një dokument me vlera të jashtëzakonshme njohëse. Në të njëjtën kohë, ajo shërben si një leksion i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët me edukatë gjysmake në formimin e tyre, si puna e atij lumëmadhit nga fshati fqinj me fshatin tuaj. Dhe shqiptarë të kallëpit të tillë nuk janë të paktë. Ata, në jetën e tyre, e kanë në majë të gjuhës shprehjen përbuzëse “U bë dhe ky!”, të cilën e përdorin për shkak të smirës së tmerrshme që ushqejnë ndaj një njeriu të talentuar. Për fatkeqësinë tonë të rëndë kombëtare, smira e shqiptarit të paaftë ndaj shqiptarit të talentuar, gjatë shekujve, k…

Like

Bardhyl Maliqi
Bardhyl Maliqi
Aug 13, 2023

Ju përgëzoj sinqerisht dhe publikisht për këtë shkrim me vlera hulumtuese, historike dhe arsimore!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page