Elita!? Elita, që mungon duhet të rishfaqet si Drita
Fatmir Terziu
Koha duket luan ping-pong me Historinë. Sidomos me historinë e shqiptarëve. Le ta quajmë rastësi, apo thjesht një histeri me harresën në shkrimin e drejtë të fjalës shumëkuptimëshe në këtë rast: Histori?! Dihet se Histeria është emocion, ose eksitim i ekzagjeruar ose i pakontrollueshëm. Por dihet dhe se Historia është një term ombrellë, që lidhet me ngjarjet e kaluara si dhe kujtesën, zbulimin, mbledhjen, organizimin, prezantimin dhe interpretimin e informacionit në lidhje me këto ngjarje. Dhe në këtë mes është Koha. Koha në tërësinë e kësaj qasjeje është progresi i vazhdueshëm i pacaktuar i ekzistencës dhe ngjarjeve në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen të konsideruara si një e tërë. Po ping-pongu ku konsiston? E dimë që është një lojë me një top të vogël. E dimë që ne na e sollën kinezët. E dimë që u dashuruam jo pak herë me të dhe me të krijuam dialogun absurdist.
Ky i fundit na ndihmon mjaft mirë në këtë lloj të ri Ping Pongu me Historinë. Me këtë kuptojmë qartë dhe saktë, diçka që i ngjan një loje pingpongu veçanërisht, një seri shkëmbimesh zakonisht verbale midis dy palëve, një ping-pong dialogu absurdist. A nuk e kemi ndjerë këtë ditët e fundit? A nuk e pamë në gojën e deputetëve socialistë T. Balla dhe E. Spiropali, menjëherë pas shpalljes Non-Grada nga DASH të ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Prof Dr Sali Berisha dhe familjes së tij? Pse jemi destinuar të bëjmë gjithnjë lojëra të tilla? Kush na ushqen për këtë ping-pong me Historinë?! Apo thjesht jemi destinuar të qafojmë vetëm Histerinë?!
Le të shkojmë diku në një pikë tjetër të Historisë sonë. Kryeminstri shqiptar i kohës tranzitore të fundluftës së Dytë Botërore, Ibrahim Pashë Biçakçiu, ndonëse në një moment shumë të vështirë politik të brendshëm ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, kur Gjermania po tërhiqej, më 1944 ai merr nën drejtim edhe dy ministri, përkatësisht Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Në atë kohë sikurse dihet drejtonte një kabinet praktikisht të paqenë në një Shqipëri, të dalë nga kontrolli, e të rënë në duart e komunistëve në pjesën më të madhe. Nuk pranoi të largohej jashtë atdheut dhe kështu pasi Gjermania largohet plotësisht nga Shqipëria, pushtetin ia dorëzoi forcave të LANÇ-it pa bërë rezistencë. Ai u arrestua nga forcat komuniste më 6 dhjetor 1944 në Shkodër.
Dhë më pas 18 vjet burgim, punonjës rroje varrezash, dhe poshtërrimi deri në personel i larrjes së banjove të qytetit, e bënë atë të ndjehej sërrish jo të përkulur e të dorëzuar, por Njeriun me vlera, intelektualin e shkolluar, dijetarin, pronarin, njohësin e shumë gjuhëve të huaja, dashamirin e qytetarëve dhe qytetit, Njeriun e pastër dhe me kravatë. Ai mbeti i tillë edhe në gojën e kundërshtarëve, sikurse deklaronte edhe figura e luftës Myslym Peza: „Kur ishte kryeministër i ka sjellë babës në Pezë dy kamionë me armë“.
Edhe pasi dha verdiktin Gjyqi Special i zhvilluar në ish-kinema „Kosova“, i drejtuar nga Koçi Xoxe dhe Bedri Spahiu, ishte mirësia e tij dhe sjellja intelektuale dhe njerëzore ndaj popullit dhe elitave të kohës, ajo që e shpëtoi nga plumbat e skuadrave të komunistëve. Ai shpëtoi nga dënimi kapital me vdekje, nga një peticion i nënshkruar nga elita e kohës në Elbasan, në të cilën shpreheshin se ai ridhte nga një familje patriotike dhe bamirëse, dhe se nuk ka pasur kurrë qëllim të vepronte kundër popullit të tij. Dhe vërtet ai ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjës, një nga themeluesit e shtetit shqiptar.
Por ndërsa atë e shpëtuan nga vdekja, ndërsa ai u „poshtërrua“ në forma të tjera, Ibrahim Pashë Biçakçiu, kurë nuk u ndëshkua aq poshtërsisht nga histeria e kundërshtarëve, madje thuhej nën zë disa e kishin ndihmuar edhe ekonomikisht familjen e tij në ditë të vështira. Biçakçiu e bënte punën e tij me krenari. E donte popullin e vet. E donte qytetin. Lexonte librat e mbetur pa djegur. Dhe gjithnjë jetoi… larg ping-pongut me Historinë, larg Histerisë së kundërshtarëve që e dënuan. Por, gjithnjë kishte dhe vazhdonte të ishte një Elitë Qytetare e asaj kohe. Ajo ishte vërtet Elita …, ajo që mungon tashmë pas gjithë këtyre kohërave, ajo që duhet të rishfaqet si Drita, nëse nuk duhet të shkojmë më në Histeri të tjera. Jashtë histerisë dhe ping pongut të Historisë dhe historive, natyrisht është dhe duhet të jetë Ligji, Shteti, Drejtësia, Aleati, Miqësia… e mbi të gjitha Shqipëria. Ndaj duhet të rishfaqet vetë Elita, sikurse Drita.
Comments