Elbasan
Nga Fatmir Terziu
Që ta kuptosh pse mardanozi rritet shtatë herë n’senet
duhet të depërtosh në zemër të kësaj Toke
për të shtrydhur dhuratën e saj që herët,
duart Hyjnore ia dhuruan prore.
Duhet pasur kujdes se mos zgjosh shënjuesit,
pa dashur të biesh në ndonjë damlla qore
të mbetur në grykën e pushtuesit.
Kujdes! Mos gërmo në këtë Tokë rëndë,
mëso prej dhimbjes pse duhet një stil i veçantë,
duhet ti këndosh edhe disa këngë…
…duhet ti mbjellësh trëndafilë me ngadalë,
por, ama, lehtë që të mos i dhëmb…
…nime, përkëdhele dashurisht me pak fjalë.
Kështu në këtë tokë që quhet Elbasan,
gjithkush që e prek, qoftë vetëm me sy,
kupton se ndjen një madhështi të paparë
që rritet dhe jeton brenda vetes si një ulli.
Bashkë me këtë ulli ndjehesh tjetër lloj,
ndaj kujdes se mos i thyhet ndonjë degë,
se po ndodhi kjo dikush do të lotoj,
vetë ai lot të bën për një lekë…
…pas kësaj vetëm Shkumbini të bën derman,
duke të mbajtur këmbët thellë në ujë,
kur gota e rakisë të zbras një domixhan,
dertin Krasta t'a përcjell pastaj pa bujë.
E kështu kur dalin damarët që humbasin
në pëllëmbë të Kurorës së Gjelbër,
kumuritë mbi Kala zënë e vikasin
karakaftet vishen me kadife të vjetër.
Nime a je me të vërtetë përsëri kurioz,
pse thuhet „mardanozi rritet shtatë herë n'senet në Elbasan“?
Mik i nderuar s'është thjesht për ndonjë mardanoz,
por për dashurinë që ka kjo Tokë brenda saj.
Ismet Luane Pellumbi
Vargje te thurura aq bukur sa Elbasanit dhe popullit Elbasanas ju takon .
Entela Seiti Kita
Vargje të bukura me detajet më të zgjedhura të Elbasanit!
Tatjana Misiri Mani
Aaaa sa bukur, e do robi içik dialekt. Yll
Irma Isaj
E ke qa Fatmir ! Nje poezi e mrekullueshme per Elbasanin tone .Me fat qe kam lind ne kete vend te bekuar .
Gezime Turku Selko
Oh sa e bukur! Ndjesi fantastike