top of page

Eh, sa u dashka të mësosh, eh …


Eh, sa u dashka të mësosh, eh …

Nga Fatmir Terziu

 

Nuk u besoj veshëve! E ulur në momentin e drekës, e rregullt me uniformën e saj të pastër të ngrënies, Elize e imët duket si një statujë viktoriane prej porcelani. Fytyra delikate dhe me bardhësi, e zbukuruar nga flokët kaçurela, me onde - bjonde mjaltë, kullon një qetësi hyjnore, të pacenuar. Sapo kaloj pranë saj dhe Isadorës, në një nga ato pushimet e rralla të drekës kur dielli hedh flori të zbehtë nëntë karatësh në gjelbërimin e mbuluar me qilim të oborrit të shtëpisë. Rreth e rrotull, në një mjedis bukolik, zogjtë grishin me përulësi ushqimet e tyre vegjetariane natyrore, të ulur mbi filizët e vegjël të pemëve, që janë mbjellë vite më parë krejt në traditën e natyrshme të Anglisë së vjetër.

Dhe mundohem të përqëndrohem tek të rejat që ka mësuar Elize, fjalët e reja, shpjegimet e reja për kontinetet në globin e vogël dhuratë, librat që i ka pamasë, dhe në lodrat ku më tregon ngjyrat dhe kafshët, që në të shumtën e rasteve dhe unë vetë i ngatërroj. Hapi që duhet të bëj për të kaluar bisedën e dëgjuar mund të më shpëtojë. Nga fakti i së vërtetës. Nga mirësia dhe simpatia. Dhe nga natyra ime e paepur tipike e gjyshit shqiptar që arnon dhe ledhaton plagët shpirtërore pa u kërkuar ndihmë. Si në lëvizje të ngadaltë, përpiqem t'i nxjerr fjalët nga prapambetja shpellore e mendësisë sime patriarkale. Sepse unë jam i kashtisur midis modës së vjetër dhe asaj bashkëkohores, me të cilën tashmë si gjysh në të gjashtëdhjetat mundohem të gëlltis njohuritë e mbesës sime të vogël, vajzës së parë të djalit tim të parë, Andit dhe Emirjonës, Princeshës Elize. Dhe unë me këtë realitet besoj vetëm në dashuri. Dhe fjalorët e rrinj që më mëson mbesa ime Elize, më rezultojnë të jenë një konkurs i ri pedagogjik, dhe po aq filozofik, i padyshimtë që ndihem i pafuqishëm ta luftoj. Eh, sa u dashka të mësosh në jetë! Eh!



- Duhet të kujdesem për ndonjë gabim në të shprehur - më ndërpret ime shoqe, Luçiana, e cila ka një përvojë më të madhe se unë, se rriti binjakë, por dhe ngaqë ende është në një mjedis të tillë, ku ata që i mëson përditë nga e hëna në të premte, edhe pse janë madhorë, nuk i dinë ato fjalë që i di Elize. O Zot sa me fat që jam të më bëj kursin e pabërë ndonjëherë Princesha Elize, që ende është një fëmijë e vogël, e vogël, e vogël sa një gogël.

- Vazhdoj të shijoj pafund fjalët e reja, të bukurat fjalë të Princeshës Elize? – Isadora është ende në muajin e dytë të saj dhe kënaqem kur vetëm buzët e saj i lëviz. Ajo është një Perëndeshë e paparë më vete. O Zot, faleminderit! Them dhe përhumbet më tutje. Eh, duhet të mësoj, të mësoj e të mësoj, madje me yrysh, edhe tani që jam gjysh.

Si trungjet që rrethojnë shtëpinë, ashtu dhe gjethet që tunden nga era mbeten në sytë e mi dhe më duket se më picëllojnë sinjale të tjera. Natyra i lëviz gjërat, i lëviz vetë koha – them me vete. 

Është e njohur për mua kjo lëvizje.

Fytyra prej porcelani e mbesës sime Elize më vështron me një buzëqeshje të papritur dhe unë afrohem më shumë tek ajo. Ajo më afron faqet dhe më pëshpërit ngadalë me një shkëlqim të bardhë fildishi në majuckën e parme të gojëëmbëlt, kur befas më shpërthen fjalët më së miri, dhe më thotë me të lehtë Gjyshi, Gjysh… Fatmiri!

Nuk mund të struk asgjë, as dhe lotët e mia prej gëzimit. Dhe e struk thellë në zemër atë që sapo kam dëgjuar. Gjithçka këtu dhe përtej këtij fakti është si një ëmbëlsirë e pashijuar ndonjëherë. Tashmë e kuptoj lëvizjen që më qëndron në sy. Elize herë më sfidon, e herë më ysht me atë që më ofron xixëllueshëm Isadora. Dhe them erdhi koha, koha që parapërgatit për hir të së vërtetës, që në djep zonja të reja të pavarura të afta për të përballuar sfidat e jetës. A po i citoj saktë rregullat e jetës? Epo, ne po gëzohemi ndryshe tani e tutje dhe madje ia dalim mes lotëve të gëzimit, që ndonjëherë është e vështirë ti strukim. Disi. Gjeta në mjedisn e saj të lodrave të shumta të shtëpisë, vizatimet, zhgarravitjet, artin e duarve të vogla të Elize, dhe kudo me një gjuhë tjetër më thotë, ë ta dini, ju dua, ju dashuroj, mirë se vini. E sytë më mbushen sërrish me lotë. E këtu ndryshoj paksa nga realiteti, mendoj se Paragrafi për dhuratën e Zotit është pak i paplotë. Nuk mund të mendoja pothuajse asgjë për të. Jam i sigurt se do të më ofroni një zgjidhje në rishikimin tuaj.

A e dini se si është të kesh acid sulfurik që depërton në shpirtin tënd të pavdekshëm? Papeshë, i bërë pupël, i shoqëruar nga dashuria e paprovuar. Dhe diku në një libër të vogël, të ilustruar lexoj në anglisht atë që është shkruar dhe që ndodhet fare pranë: askush nuk është si fëmijët tanë. Lindur në një botë të tillë të lirë e të gatshme për të ndryshuar. Rritur në dashurinë e dashurive të Njeriut. Ju jeni e ardhmja jonë e çelur në inkubatorin e bukurisë.

Sot Elize më flet për kontinentet. Filloj dëgjimin e ri, i goditur nga një ngërç zgjimi, dhe shkoj larg në vite e vite më parë, kur nisa të edukoj në shkollë nxënës të klasës së tetë e që nuk i dinin kontinetet, dhe ashtu i përhumbur mendoj se dua tu them atyre nxënësve që janë bërë prindër që secili prej jush, sipas rendit alfabetik, të dalë përpara klasës dhe me vetëm një fjalë të shkruajë atë që ju vërtet doni që të falim. Në fushat e bardha të tabelës janë renditur kolona të rregullta me shkrime të ndryshme - mami, babi, mami dhe babi, mami, mami, mami...

Dhe një herë na mësuan se duhet t'u kërkojmë falje prindërve tanë, që u detyruan ti …. Ishte shumë kohë më parë. Para korrupsionit të botës. Duke bërtitur nga Parajsa ku ende dëgjoheshin zërat tanë të pafajshëm, të ndrydhur nga forca e fajit të fitoreve të panumërta në letër. E kështu Princesha Elize më afrohet, më shkund dhe më tregon se sapo ka përfunduar një vepër. Vepër! Kubat e vegjël me ngjyra i ka ngritur në lartësi. Lartësi…që më mbetet një diell në sy!

36 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page