top of page

Eh, “Floku i Behijes”, eh…


Eh, “Floku i Behijes”, eh…


Prof. Dr. Fatmir Terziu


Ndjenja e bukurisë së vajzës, (bukuria femërore) ka qenë një mantel tipik artistik i “veshjes” së këngës shqiptare. Ajo është një ndjenjë e “së bukurës” së hollë, që në jo pak raste është e tejdukshme, transparente, e tejqasshme, dhe hyn edhe aty ku syri i njeriut e bën jashtë të gjitha mundësive. Kjo tregon se syri i atij që e meton, e transmeton dhe e bën arsye të logjikës dhe filozofisë së njeriut është artist i madh, ku në jo pak raste edhe bukuritë e natyrës sonë shqiptare atij i kanë lënë mbresa, aq të thella, sa ato i ka skalitur në vargje e krahasime të mahnitshme. Disa prej këtyre këngëve kanë mbetur tablo të një arti të lartë e të padiskutueshëm. Këto tablo janë aq të gjalla, sa që forca emocionale e tyre është e paarritshme. Në këngën “Floku i Behijes” (varianti origjinal dhe i plotë i saj) bukuria është një shprehje organike, qytetare e forcave morale dhe bukurive fizike. Me mbrothësinë e saj shpreh lirinë e shprehjes së dalë lirshëm nga shpirti i dashuruar pas së bukurës, pasqyron forcën që pikëtakohet në formën më të lartë diskursive të bukurisë, ku dashuria është një kërkesë e përbrendshme, që kërkon të falet, që kërkon udhën e gjatë të kësaj kërkese, të asaj që shkon përtej arsyes së kohës, largësisë, përtej distancës nga syri që e sheh dhe e fsheh përtej mureve, është ajo që rrëfehet e e kërkohet qashtër: “As s’ma fal ti vash dashuninë/prej së vogli të kam dashtë/sa m’qënke rrit sa m’qënke tretun/me kto dy sy o moj kur të pashë.”

Kjo këngë është një arsye e pastër që rrëfen se dashuria nuk mund të mbyllet, dashuria nuk mund të shkoj brenda mureve, edhe pse depërton brenda tyre pos syve, ajo është një shkëndijë që nis e çimentohet në sy, dhe drita e syrit e mban atë me vete, në dhimbje e derte. Ajo është ilaçi që shërron. Ajo është e domosdoshmja ku figurat poetike janë jashtëzakonisht të pasura, gjë që tregon larminë e madhe të shijeve, por edhe të arsyeve që sjellin në vëmendje dashurinë mes bukurisë, edhe kur syri që e ndjek dhe e sheh është “i panjohur” më parë, i huaj, kalimtar, pra një “jabanxhi dhe i vetëm”: “Jam jabanxhi jam vetëm-e/i mjeri si ta çoj jetën-e/jam jabanxhi, jam pa njeri/s’u çoka jeta pa dashuri.” Ndaj vajza e trajtuar në melosin e këngës shqiptare si “thëllëzë”, “sorkadhe”; “nëpërkë e shullerit”; “trëndafil që lëshon gonxhe shumë”; “milonjë”; “si dielli kur bie”; “dallëndyshe”; “leshverdhë”, “vetullhollë” etj., këtu është vajza me flokët kurorë-kurorë, pasi kjo vajzë, pra Behija është një vajzë që “rri.. n’dritare tuj qënis” e syri i atij që përfundon e gjobitet artistikisht në këtë “mëkat” dashurie është i pamundshëm të bëj të mëtutjeshmën, është e vetmja arsye që e bën të lutet e të lypë, pra të lypë dashurinë e të deklarojë në formën më të mirë e të mundshme: porsi lysar do të bahem. E bën këtë se është i sinqertë, i pastër, i përhumbur në pastërtinë e syrit, ku arsyeja është dhe mbetet: “Behije zemrën se ç’ma more, zemrën-o se çma more”. Ligji konservator i vajzës së mbyllur e bën të dashuruarin pas saj të jetë një vëmendje më shumë, të pyes si e kalon dimrin, kur dihet se dimri për të është më i dhimbshëm dhe më delikat se dimri i saj, por lirizmi forcon një fakt tjetër atë gjuhës tipike, pastërtisë dhe thjeshtësisë së saj që buron nga themeli ku ajo del, nga origjinaliteti i saj tipologjik e pak “turkoshak” i trashëguar në mentalitet, kulturë e qasje.

Sidoqoftë ajo ka një rrefren dashurie që mbetet i veçantë, hyn tek më të pasurit e kësaj gjinie. Refreni e ushqen këtë këngë me shkathtësi të ayillë që i përgjigjet plotësisht idesë së gëzueshme të dashurisë, edhe pse kalon mes dhimbjes dhe emetimit të një ndasie të ndjeshme, ku diktohet floku i paprekur: “Floku i Behijes kunor, kunor/i mjeri që s’ja preka me dorë/Floku i Behijes kunor, kunor/i mjeri që s’ja preka me dorë”. Ky refren me intonacionet melodike të Rrik Bunecit, Mehdi Zenës, Rremës etj., dhe ritmet plastike të valleve që e shoqërojnë anembanë, jo vetëm aty ku lindi në Elbasan, i japin kësaj kënge, disi të ndaluar për disa vjet me rallë, një bukuri të veçantë, akoma më të madhe. Kjo këngë vjen nga një refren me një forcë tipike, me një formë të ndjeshme, me një figuracion tërheqës, me anën e të cilave përgjithësohet ideja në funksion të sinqeritetit dhe pastërtisë së ndjenjave: “Kur kaloj ke porta e saj/shof Behijen tuj qëndis/harkove sytë e më shikove/Behije zemrën ti ma more”. Ky refren “Floku i Behijes kunor, kunor” shpreh qartë dashurinë e përzemërt e shumë njerëzore.

Nga ajo kohë, kur për figurën e vajzës u vunë në themel dhe u përdorën elemente poetike të pastra e tejet popullore, triumfi i dashurisë mbeti jo vetëm në rrethe të larta, në figurat e xhybeve të mëndafshta e të ngarkuara me ar, mantove e këpucëve lustrafinë, apo në karakllat ku ulej vajza këmbë mbi këmbë, me elpezen në dorë, me fustanin mbi gju e “allajkat’ në shërbim, por ky triumf preku edhe zemra të tjera, të thjeshta, kalimtare, “jabanxhinj” nga lagje e mëhalla të tjera, dhe mbeti vërtet një triumf që i mëshoi gjuhës, traditës, asaj që ishte në thelb shqiptare, të bukurës së një djali dhe një vajze. “Floku i Behijes” është sidoqoftë ende origjinale, ende me këmbë në traditën e bukur elbasanase.

@copyright

44 views3 comments

3 kommentarer


Minush Hoxha
Minush Hoxha
21. sep. 2022

Kënga e bukur ,,Floku i Behijes" ia doli që me një leksik poetik të thjeshtë, me një melodiozitet të rrallë të krijuar nga ndjenjë dashurie nëpër shumë vite, nëpër shumë ndeja e ahengje, dhe pasi t,i ketë kaluar gjithë cenzurat e rrepta muzikore, dhe, pasi të ketë marrë ovacione nga dëgjuesit e panumërt, të futet në epiken muzikore shqiptare si perllë që kënaqë e rrezaton përherëshëm. ,,Floket e Behijes" përflasin sëpaku dy tipare: traditen e lashtë muzikore shqiptare dhe sensin e tij e të kuptuarit të të bukures e të dashurisë. E kam dëgjuar pa numër herë nga Rrik Buneci sikur edhe e kam pa dalldinë e ahenggjinjëve kur këndon Rriku. Ajo del e madhe me thjeshtësinë poetike dhe …

Synes godt om

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
20. sep. 2022

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju aq sa i befasoni, po aq edhe i mrekulloni lexuesit me bukurinë e fjalës suaj artistike. Aq më tepër kur futeni në hapësirat e pamata të dashurisë te “Floku i Behijes”. Atyre që sapo kanë filluar ta ndiejnë stuhinë e saj përvëluese, u duket vetja sikur janë duke notuar diku lart në ajri. “Floku i Behijes” suaj të magjishme më solli ndër mend mrekullinë e fjalës së aristokratit të letrave franceze Viktor Hugo, i cili ka thënë:

“Dashurisë gjithçka i duket pak. Ajo është zonjë e lumturisë, por ka qejf parajsën, është zonjë e parajsës, por ka qejf qiellin. O ju të dashuruar! Të gjitha këto i keni në dashurinë tuaj. Duhet aftësia jua…

Synes godt om
Svarer til

I nderuar dhe i respektur Prof Dr Eshref Ymeri, jo vetëm komenti juaj por dhe koha me të cilën ju ndani mirësinë në këtë koment meritojnë më shumë e më shumë për Ju. Ju jam dyfish mirrënjohës, për këtë që citova dhe për vlerën që i shtoni librit tim me të cilin dua të plotësosj një mangësi estetiko-folk-kulturore të munguar për këngët dhe angazhimin e tillë në një trevë si Elbasani, që natyrshëm ishte, mbeti dhe do të mbetet si një kryeqytet kulturor i shekujve. Përcjellja e këngëve me melos popullor të ëmbël për të gjitha trevat shqiptare e saktëson këtë. Ju jam mirrënjohës shumë, i nderuar Prof Dr Eshref Ymeri.

Synes godt om

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page