Eduart Hoxholli: Fatmir Terziu, ky kopshtar merakli i fjalës urëbashkuese elbasanase
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 4 min read

Përjetime në kopshtin me poezi të poetit Fatmir Terziu
Bekuar qoftë zemra që më dhuroi vargje të një shpirti jetëkënduar! Inspiruese për jetë!
... me frymë e rrotulloj gurin – me djersë shuaj etjen... Hedh tutje zhgunin e vetmisë e me ngazëllim fëminor, çel sytë e përjetimeve.
I ndershmi Fatmir!
Zëri i shpirtit në vargjet tuaja, i dhuron gjithkujt limfën dhe amshtin përmallues që e bën natën e trishtimit vetmitar, t’i dorëzohet buzagaz mëngjesit ngazëllyes të një zemre kujtimtare.
Drit’, mirësi vargu yt më grish,
në freski, ma hedh tej mërzinë.
Si zog në fluturim kaltërsish’,
ulesh në Elbasan, bekon dashurinë.
***
Lirshëm, krejt natyrshëm, përtej filozofit, Fatmir Terziu, mirëfilli poet, poet me shpirtin e të cilit buzëqesh si fëmija, dashuria priatare e përjetshme e jetës, ndërkaq meditimi, ujësisht, stolisur me nur e hir, si një jalldyz kokëulur, breng’ e trishtim largon. I vërtetë e autentik, me ligjërimin e kulluar, që si kaltra qiellore, kumte jete përndrit e dhuron bujarisht.
E unë, unë, gu – gu-të nga Namazgjaja,
me mallëngjim e fllad veriu,
Mirënjohjen nga kreshta e maja,
po ta dhuroj, i urti miku im, Fatmir Terziu!
... Le të krihet realiteti si në pasqyrë lugin’le të bëj dush në profil, një kumuri flet kumurishten për jetë të lirë e dashuri...

Mbi buqetë trëndafilash, loti më tretet në varg, se zemra, zemrën dëgjon. Nuk ndalet shkon e vjen nga larg. Jaseminë, aromë dorëzoje prej Elbasani t’i dhuroj. S’është ëndërr që më lë sytë në xham, është dashuria poete bekuar, lindur e rritur në Elbasan që më përqafon me mall. Nuk është shtirje as trill, por poezia ndër fllade veriu. Është Krasta, Kaçipeku i prillit të pranverës që i urti fisnik Fatmir Terziu jua dhuron elbasanasve.
Qysh prej rinilliku e deri sot, në sqota vitesh, ruan të paprekura kujtimet, si bashkëudhëtarë besnikë, për t’i rijetësuar me kryendjenjën e ndjenjave, dashurinë.
Pa ç’ka se vitet na kuisin si susta krevati në kockat e trupit me heshtjen e përfjetur, mëngjesi i praruar zgjohet në të 163 poezitë, ku çel sytë gonxheja e dashurisë.
Fatmir Terziu, ky kopshtar merakli i fjalës urëbashkuese elbasanase, me zemrën përmalluar zbut edhe gurin duke mbjellë shpresë, dëshirë e mirësi.
...me kohën,unë dhe askush s’ka lidhur kontratë, - kujtimet përqafojë, i ledhatoj..., -tingëllim e grushta dëgjoj...
Sakaq, kandem me dëshirën ngadhënjyese të vetvetes për të arritur barazpeshën e të jetuarit në përkohjen e tik-takut të zemrës që mban gjallë jetën. Miku im! Me enrgjinë e padukshme të ngazëllimit, që buron nga besimi yt, se jeta ia vlen të harxhohet, vetëm nëse rrugës së saj ecet duke mbartur ndershmërisht të gjitha vetëtimat marramendëse të së vërtetës që përndritet or’ e çast në qiellin e kjelltë të dashurisë. Nuk sajon e nuk xhonglon me fjalën, përkundrazi përjeton dashurinë me dashuri, duke i dhënë ligjërimit të vet poetik pranverën që lë pas dimrin. E do vendlindjen, s lulja diellin, e ruan e mban të bukur të gjithë mozaikun elbasanas. Ashtu si gurët, bëmn shiqajet për të mos u kthyer kurrë n’at kasaphanë mizorësh gjakësor. E thjeshtë e kuptueshme, por edhe e thellë gjuha e përdorur, të bën ta ndjesh e ta përjetosh mesazhin që përcillet. E pasuruar me fjalorin autokton të natyrës elbasanase, pasqyron larminë e peizazheve.
Impresionet në poezinë e Terziut vijnë e burojnë natyrshëm

Në rrëfimet e lira, me ndjesi të fuqishme përjetuese, përdor mjeshtërisht metaforat, epitetet, krahasimet personifikimet. Timbri i butë, freskia e muzikaliteti i lirizmit shpirtëror, përcjellin domethënien e vërtetë elbasanas, ku fle vullkani i pashuar i dashurisë njerëzore. Poet i shpirtit bohem.
... jo thjesht për hir të kësaj rime / mjaft dritëhije nga ajo kohë patjetër / nëpër të cilat kaluan të gjitha dashuritë e rinisë sime ... Aty janë strehuar edhe të vdekur edhe të gjallë në lutje Perëndie.
Universi është dehur më keq,
E dikushi si dikush luan si dreq.
Cili 50 – 60 – 70 vjeçar nuk e ka ndrydhur dashurinë duke kyçur gojën?
Sa këndshëm pasqyrohen e djeshmja, e sotmja e ardhmja përmes shkrimit fluturues, duke na shpalosur me tërësi vërtetësinë, madhështinë e kryendjenjës së ndjenjave dashurinë e shpirtit të lirë.
... Aty e thonë në krye të herës
është ky qytet i Ditës së Verës!
Në këtë ditë aq të bekueme,
ky qytet të gostis me ballakume.
Dhe jo vetëm atë ditë e kemi pranë,
këtë qytet diamant që e quaj në Elbasan!
Kjo përmbledhje poetike, është foltore kujtimi duke përndritur kjelltësinë e pakrahasueshme të përmallimit.
Impresionet në poezinë e Terziut vijnë e burojnë natyrshëm, në lirën e spontanitetit duke na çuar në botën e pastër fluide, eterike, bukurinë e të cilës ai beson. Jeta, shpresa, trishtimi e zhgënjimi lartësohen në kurba metaforike ulen e zbresin në buroja dashurie. Kulti i vendlindjes kulti i mallit për shokë e miq, ngrihet në lartësi metaforike duke u kthyer si një kalorës i mirësisë.
Me urimin duke konkluduar
E në paçin kap fuqi fjalët e mia, i ndershmi Fatmir, - sa ç’kanë melodi vargjet e tu, besomë miku im se poezia që end zemra jote, e re, si gonxhe do të mbesë.
Siç gurgullon, uji i burimit aq përmallshëm e pa mbarim, çastet tuaja të frymëzimit, të qofshin dritë e ngazëllim.
Poezia e shpirtit tuaj, përjetohet mrekullisht në zemrat e atyre që çastet dinë t’i përkundinme melodinë e shenjtë të dashurisë.
E hënë 21 Prill, 2025: Nga Elbasanasi Eduart Hoxholli
Comments