top of page

EDUARD A. SKUFI: OPERETA  E  BUKURISE  QE  VRET  DHE  MENDIMI  NDRICUES                     


                                            

 

 ( Mes  kujtimesh  të  një  ditari)

 

  DR. EDUARD A. SKUFI

    ATHINE

 

Kush nuk i ka kënduar bukurisë në amfiteatrin e jetës, në vargje apo në melodi. Bukuria genuine dhe pa manipulime e procedura shtojcë, mbetet një atraksion. Diçka mund të  perceptohet si nje bukuri e vërtetë, kur lidhet me atraktivitetin, karizmën, estetikën fizike dhe buron  nga brenda. Ajo si dhurate genetike e natyrës ka trazuar shpirtrat e njerëzve  qysh  në  antikitet. Estetika  Aristoteliane karakterizon, si forma bazë të bukurisë rendin, simetrinë, përcaktushmërinë, në një përsosje matematikore  e shprehur  në shkallën  e vecantë  të "raportit të artë". Vec bukuria bashkërendëse me inteligjencën dhe moralin përbën perfeksion, duke marrë  një  tjetër dimension, ku sipas Platonit " bukuria shprehet me harmoninë e proporcionin në unitet dhe simetrinë "... Kanti e quan " urë  midis sensit dhe arsyes", kurse Da Vinci e përcakton si "unitet të precizionit matematikor  me estetikën". Ndërsa sot bukuria konceptohet vetëm si  kënaqësi  në sy, e alteruar nga shqisa  e shtatë  e digitalizmit  duke  humbur  kontaktin   me  etikën  dhe  kulturën   autentike.

...Dhe  rrjedha  e  kujtimeve  ngre kuintën e një ndodhie të dekadës së fundit. Zëri i shqetësuar telefonik i Amalisë, e cila kërkonte një vizitë oftalmologjike imediate  për vajzën e saj, me nxorri  nga  axhenda e ditës. Amalia ishte një zonjë, të  cilës emigracioni i fshiu profesionin si ekonomiste  dhe e vendosi në një pozicion, ku duhet  të punonte dhe dy punë në ditë për  të rritur dhe edukuar vajzën e saj të vetme Matildën, pasi i shoqi e la të ve nga një aksident. Matilda  një vajzë simpatike dhe e zgjuar qysh në fëmijëri, u bë pacientja ime për shkak të  shikimit të dobët në një sy, që shoqërohej dhe me një devijim  të  lehtë  të  syrit , por që  e bënte më  të  hijshme. Shkova shpejt në Institut dhe e vizitova. Pak kohë më parë  Matilda pasi përfundoi liceun shkëlqyeshëm dhe tashmë ishte studente  në  Universitetin  e  Mjekësisë   të  Athinës.

Për të lehtësuar mundimet e nënës, në kohën e lirë ajo bënte dhe ndonjë punë për të fituar dicka. Një ditë dikush i pëshpëriti në vesh, se i ofronte pjesëmarrjen në një sallon mode. Kështu kurioziteti ju kthye në pasion dhe u angazhua me modelingun. Por si  rezultat i stresit, dietave për të ruajtur linjat e trupit dhe ngarkesës anormale, bashkë  me efektin fototraumatik të intensitetit të prozhektorëve gjatë provave të pasarelës, ju shkaktua njëfarë djegie e kornesë  dhe dëmtim makular i shoqëruar  me ulje  dhe  mjegullim  të  shikimit  në   syrin  delikat. Shqetësimi  dhe   preokupimi ishte  i  madh. Mbas mjekimit intensiv  dhe ndjekjes në dinamikë gjendja u stabilizua, Por  vazhduan sugjerimet dhe një  impakt psikoterapeutik. Një ditë gjatë vizitës i citova Matildës, Platonin se "bukuria e vërtetë është më shumë se aparenca fizike, ajo shtrihet përtej sipërfaqes dhe përfshin dimensionet etike dhe shpirtërore". Ti i thashë, paralelisht mund të jesh dhe mjeke dhe   artiste, por  vetë  pasioni artistik  nuk të bënë mjeke. Do të kujtoja këtu një bukuri të lindur dhe një mendje të ndritur, arabja Fatima Al-Fihriya, e cila shekuj më parë, me vizionin e saj dhe pasurinë e vet, investoi në themelimin  në Marok, të  universitetit të  parë në  botë dhe jo në bukurinë.

Matilda kishte ngulur shikimin  e  saj  tek mua, mandej  uli  kokën  dhe  shprehu  me zë  të   ulët,.. Modelimi më ndihmoi  të  gjej vetëbesimin tim dhe të dal nga guaska, gjithashtu  ta kërkoj  bukurinë  time të  vërtetë në  mendimet e  të  tjerëve...Por gjithashtu jetova shëmtimin e "trendy bizar", ku  pjesa dominuese e shoqeve të mia endeshin në një peligrinazh plastik të estetikës mjekësore, me ndërhyrje kozmetike të panumërta dhe në cdo pjesë të trupit, mes injeksineve të botoxit, acidit hialuronik apo hydrogelit, në një tjetërsim transformues dhe ky ishte investim në emër të bukurisë.  Sa shpejt e  tashmja mund të  bëhet e kaluar!... Kështu Matilda u hodh plotësisht në krahët e mjekësisë  dhe sot  është  mjeke e shquar  estetike  në  metropolin  e  modës, duke  gjetur  bukurinë  e  vërtetë .

Sfida e saj më ringjalli emocionet e një kujtimi tjetër, aq të vecantë në prag  të  mileniumit. Ekaterina ishte elitë e  supermodeleve  në Athinë, me karrierë europiane. Një mbrëmje u thirra urgjent në spitalin ku shërbeja pasi ajo  kërkoi ndihmën time. Erdhi e shqetsuar me lot dhe dhimbje, nuk mund të hapte sytë, në shok psikologjik, e shoqëruar nga  një shoku i saj  dhe manageri i maketingut. Gjatë fotografimit të zgjatur për një periodik të modës ajo u godit nga intensiteti i ndricimit dhe temperaturës  pasuese. Mbas përpjekjesh munda ta vizitoj. Portreti i saj venerik  ishte ngjyrosur në një të kuqe të shprehur si djegja  solare, me djegie të kapakëve të syrit dhe kombustion korneal. Mu desh të aplikoja therapinë prej disa orësh në klinikë pasi ajo nuk dëshironte ta publikonte, duke u shtruar në spital. Por me vuri si kusht me politesë, shërimin brenda tre ditëve për arsye se ajo do të fotografohej në pasarelë me një artist të shquar amerikan, për llogari të L.Vuitton, Versace apo Chanel, reklamuar prej ditësh. Kuptova  që isha  përballë  një  industrie  modelingu. Në mbrëmje kur po dilnim nga spitali, në hyrje të tij media dhe televizionet kishin ngritur  postbllok, paparacitë ishin prezent. I refuzova dhe u largova shpejtë me makinë. Më veshtirë  e  pati modelja dhe suita, por dhe  ajo  rrëshqiti  dhe  rrëmbimëthi u largua. Por gazetarëve ishte vështirë tu shpëtoje. Sapo mbrita në shtëpi me shurdhuan  zilet e telefonit,  informuar me shpejtësi kibernetike.

Së fundi dhashë një intervistë lakonike në gazetën greke "Espresso", duke ruajtur deuntologjinë  mjekësore (pjesë e së cilës në mos gabohem u publikua dhe në Art of Life) . Të nesërmen simptomat regreduan  dhe  gjendja  e  syve  u  përmirësua. Mbas vizitës vendosa në laptop  një video për dëmtimet e ndricimit në strukurat okulare dhe fillova tja spjegojë. Në vazhdim duke admiruar atë bukuri që fliste  pa makiazh dhe me  një buzeqeshje të ciltër  i thashë :" Demostrimi i bukurise me celebritetin dhe glamurin të ngjajnë si një përrallë magjike , por  dhe  përrallat nuk  kanë  gjithmonë  happy end".

Për ti dhënë një mësim asaj fillova ti referojë Plutarkun "Mendja nuk është enë për tu mbushur...dhe ajo citoi vazhdimin... por një zjarr për tu ndezur". Aty kuptova se opereta e bukurisë që  vret  nuk e  kishte  lënë  atë jashtë formimit  dinjitoz. Ekaterina më falenderoi dhe më ftoi të merrja pjesë në mbrëmjen e pasarelës të shumëpritur. Une e refuzova por ajo me delikatesë insistonte. Në atë moment manaxheri i saj më tha : " Doktor të falenderoj. Por edhe ti me prezencën tënde mund të jesh një pretendent dinjitoz për pasarelën". Faleminderit i thashë atij "beauty hunter", duke qeshur. Kur u ktheva mbas vizitave dhe operacionit në shtëpi gjeta një dhuratë luksoze, një kosh lëkure me disa  shishe vere , dy greke , dy italiane spumante dhe dy franceze, thuajse te mbuluara nga cokollatat. Vec kartvizita e saj e mirënjohjes  ishte tepër e bukur  dhe emocionante... Por mbas pak kohe supermodeli mbasi mbaroi një kurs psikologjie për tu kompletuar, abandonoi të kaluarën dhe u bë drejtuese e një shoqërie bamirëse për fëmijët me patologji  neoplazike, duke investuar në humanizmin e vërtetë . Por ajo mbeti një "beauté prête", jo "passé beauté", pasi bukurinë somatike e lidhi me ndricimin e mendimit. Ndryshimin e  perceptimit  dhe  këndvështrimit  e gjeta në shprehjen  e  saj, "Modelimi të ofron një kulm ndriçimi, por ndriçimin real ta jep mendimi".  Nuk ishte e vështirë të konstatoje disavantazhet e spektaklit të industrisë së modelingut (apo performance), që fshehin një mjedis stresues  pune, me orë të gjata, të paparashikueshme, në virtualitet  të cuditshëm,që kërkon ruajtjen e imazhit të trupit, me dieta privuese, strikte për të ruajtur formën dhe linjat e trupit, duke i frenuar mendimin dhe formimin e modeleve, me një perspektiv të limituar dhe simulimit me kosto të lartë. Por mbi te gjitha me dinamikën e ndikimit në marrëdhëniet midis emocioneve, psikologjisë, me komplekset induktive në personalitetin e tyre  dhe  që  përditëson   situatat  emocionale  me ndërveprime  të  pakëndshme  deri  në  disonancë. Dhe mua mu kujtua sentenca  e filozofit  modern, nobelistit  englez Bertrand  Russel :" Bota është  plot me gjëra magjike, të cilat  presin me durim  që  mendjet  tona  të  bëhen  më  të  mprehta "...

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page