top of page

Fatmir Terziu: Edhe 100 Vilhelme Vranari Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“

Updated: Dec 8


Nesër shkrimtarja vlonjate, Vilhelme Vranari Haxhiraj „Mjeshtër i Madh“, feston bashkë me familjen e saj të dashur, me bashkëshortin, artistin e vlerave sublime, Fitim Haxhiraj, tetëdhjetë vjetorin e saj. Ajo feston dhe bashkë me të festojnë miqtë e saj të letrave anembanë Globit, ku ajo ka shpërndarë mendimin e saj, talentin e saj, vlerat e saj, librat e saj shumëplanëshe dhe shumëdimensionale. Kështu dhe ne familjarisht e urojmë atë me një dashuri të pakufishme për jetëgjatësi dhe shëndet të plotë e suksese në të gjitha drejtimet. Me këtë rast po i dhuroj një nga analizat e mia për novelën esaj të shkruar së fundi me titullin domethënës: „Ngërç hakmarrës„. Urojmë që me këtë rast edhe Presidenti i Republikës më në fund ta hapi siparin me „Nder i Kombit“ për këtë zonjë globale të letrave.

 

A kemi jetuar në një shoqëri Orwelliane?

Nga Fatmir Terziu

 

Analizë diskursive e novelës „Ngërç hakmarrës„ shkruar nga shkrimtarja, Vilhelme Vrana Haxhiraj  „Mjeshtër i Madh“.       

 

 

A kemi jetuar në një shoqëri Orëelliane? Për shumë nga brezat e pas nëntëdhjetës, kjo pyetje nuk shkon më shumë përtej leximit. Leximi i përket asaj çfarë është shkruar. E shkruara mbetet. Dhe e shkruara i mbetet kohës, vjen prej kohës, pra prej së djeshmes, dhe i shërben si të ardhmes, ashtu dhe të sotmes. Ndonjëherë e sotmja mund të jetë tronditëse. “E sotmja tronditëse s’më lë të harroj të djeshmen e hidhur dhe të pres të nesërmen dilemë!” Me këtë kontekst hap dhe mbyll novelën e saj më të re „Ngërç hakmarrës„ shkrimtarja, Vilhelme Vrana Haxhiraj  „Mjeshtër i Madh“.       

Terma të tillë, natyrisht që kanë të bëjnë me thelbin e frymës, frymëmarrjes, vetë jetës na jepen nga shkrimtarja me detaje të forta diskursive: „psherëtimë e gjatë, e thellë, madje e pavetëdijshme“; „ndiej një boshllëk që më shkakton në shpirt një zbrazëti tejet të pakuptimtë“; „ankthi që më shkatërroi shpirtin dhe po më merr frymën“; „qëndrimi në bregdet më mbushi me frymë ashtu siç thithja oksigjenin e pastër të vendlindjes sime, rrethuar  mes malesh“; „duke u përpjekur të largoja me frymë flokët e saj“; „ngërçi hakmarrës që e shoqëroi atë deri në frymën e fundit ishte një torturë e vërtetë“; „i ka kaluar kufijtë apo caqet e kalbura të një shoqërie astmatike mesjetare, që ende merr frymë me supa“; „një ngërç frymëmarrës që nuk shërohet kurrë“; „një frymor i mbinatyrshëm, ku ngërthehet jeta, shpirti dhe mendja e helmatisur nga krimet makabre të atyre “Të Tjerëve”.

Me këtë kontekst, diskursi që formon psherëtimën merr një thellësi mendimi, që në fakt është vetë thelbi i këtij ngërçi. Të psherëtish në këtë diskurs do të thotë të tregosh se ke vendosur të mos përfshihesh në një grindje të kotë, se je mbi vogëlsitë, por dhe të kundërtën e thellë të kuptimit diskursiv ndryshe, për atë që të bren nga brenda, por që për një mijë e kusur arsye nuk dëshiron ta shpërthesh në hapësirë. Dhe më tutje shkrimtarja shkon tek diskursi tjetër i zbrazëtisë, që Deluze e ka cilësuar mjaft saktë në filozofinë e tij. Pra, ndjenja e zbrazët, ajo ndjenjë e tillë, që në këtë kontekst shfaqet si një ndjenjë vetmie, konfuzion për jetën dhe qëllimet e vetë jetës, ose më saktë me një mungesë motivimi për të ndjekur diçka në jetë. Ndërsa shkojmë në analizën e frazës tjetër, për frymëmarrjen e pastër të vendlindjes në bregdet, natyrisht diskursi i krijuar na jep mundësinë të kuptojmë se kur merr frymë me oksigjen të pastër, kjo është e ngjashme me super-hiperventilimin, me të cilin një sistem i tërë i mjekësisë moderne mund të japë rezultatin e duhur. Por në këtë rast filozofia e trajtimit të kësaj forme diskursive na jep një çelës më të qartë të thelbit diksursiv të novelës në fjalë.

Dhe ndërsa Vranari, natyrisht nuk kapet me thelbin dhe fuqinë e frymës së një personi, por me kontekstin e pamundësisë tjetër, apo dhe të heshtjes së detyruar, që në këtë rast na e përqëndron largimin e flokëve me frymë, pra me një frymëmarrje, dhe një frymëdalje. Në kuptimin më të thellë ka shumë formë dhe forcë diskursive ky fragment. Të heshtësh, është sikur të vdesësh vetveten duke u mjaftuar vetëm me frymën (marrje dhe dalje të saj). Pas kësaj mendimi rreket të nënkuptoj edhe thelbin, që ndoshta jo më kot do të thuhej, se shpëtoi sa një fije floku, do të thotë se për pak nuk shpëtoi. Është një përdorim figurativ i gjerësisë së një floku për të treguar se sa shumë, shumë afër iu afrua rezikut me këtë kontekst, por që në atë parësorin e largimit me frymë shkon më gjerë në mëndimin diskursiv të autores së kësaj novele.

Ngërçi hakmarrës“ që e shoqëroi deri në frymën e fundit, natyrisht është një akt torture, por në kontekstin e shkrimit dhe trajtimit të autores në këtë novelë, nuk është rrallë një akt përfundimtar si në kulturat e armiqësisë, ku familja e njeriut të torturuar, pavarësisht nëse ai mbijeton apo jo rrallë do të lejojë që një vepër e tillë të qëndrojë pa hak. Vranari zgjedh një formë më të thellë e të mirëfilltë diskursive. Ajo e di se për këtë arsye, duhet trajtuar një mënyrë tjetër, një mënyrë që i bashkëngjitet asaj që duhet, pasi është e rrallë të gjesh shembuj të torturës në letërsinë e sagës (duke përjashtuar ndoshta sagat e diktaturave më të frikshme, që janë paksa më intensive). Kjo do të thotë se, aty ku autorët e sagës tregojnë raste gjymtimi të qëllimshëm, ata shquhen brenda literaturës dhe fitojnë njëfarë turpi.

Pra, ky model i Vranarit, është një lloj thirrësi dhe tingulli alarmues mbi organin ligjor, duke barazuar atë me logjistikën e disa prej akteve më të famshme të brutalitetit nga letërsia saga (si nga këndvështrimi fizik ashtu edhe letrar): „Kjo dhunë e egër është një krim i pafalshëm që nuk të le të qetë as ditë dhe as natë. Atëherë, ti lëshon krahët i pafuqishëm si një qenie e mjerë dhe e pashpresë. Ky njeri shpresëhumbur, pret më kot që t’i trokasë fati me mendimin se një ditë do të thyhet këmba tersndjellëse e shejtanit. Çuditërisht në kushte të tilla me pasoja politike, ekonomike e mbi të gjitha psikologjike, ti e humb torruan i çoroditur, pa e ditur se nuk ke nga t’ia mbash. Ndërkohë vë re se padrejtësia ka një forcë imponuese tejet negative ndaj vetëdijes tënde, aq sa pasoja e zhgënjimit të njëpasnjëshëm, përsëri të krijon një gjendje shpirtërore të vrarë“. Ajo që nënkuptojmë në këto raste torture është se, edhe kur akti është fizikisht i mundur, pamundësia e plotë e veprës dhe mënyra se si përdoren këto interluda të dhunshme, i rekomandon ato më shumë si trope letrare, sesa rendje për të zbërthyer dhimbjet nga krime më të thella e më të vërteta. Kjo nuk do të thotë se brutaliteti nuk ndodhi në kulturat e tjera gjatë kësaj periudhe, apo edhe që këto rrëfime kanë origjinën në kujtimet kulturore që evoluan me kalimin e kohës, por, në këtë novelë, autorja tenton të flasë dhe të zgjoj vëmendje vetëm mbi aktet siç janë përjetuar. Autorja thotë se „në kushte të tilla krimi moral, mendor, shpirtëror, fizik apo jetik, ngre krye ndaj padrejtësisë “Mbiuni”, “Mbinjeriu” dhe “Mbindërgjegjja”.“

Ndaj më tej në këtë novelë „komunizmi“ është një zbërthim i një labirinthi që mbështillet mes këtyre fragmenteve: „Komunizmi me idetë e tij marksiste -leniniste hodhi farën e çmendurisë që e shpërndau në shtet e dobët ekonomikisht dhe politikisht.“; „“More bir, këta komunistët qenkan të bijtë e djallit. Duan të na marrin pronat, tokën dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit. Agron, mëso bir dhe mos u kthe më këtu që të bësh argatin.“; „komunizmi është një gjellë e paprovuar më parë, të cilën na e kanë servirur pa na pyetur“; „pedagog në Shkollën Tregtare të qytetit bregdetar, ku reaksioni mes nacionalistëve dhe komunistëve kishte arritur kulmin“; „ka folur diçka që Partisë Komuniste Shqiptare nuk i pëlqeu“; „Ajo i përket një shtrese tjetër, kurse babai im nuk është komunist, por është propozuar për t’u dekoruar nga Kuvendi Popullor.“; „studentët shqiptarë që studionin në vendet e lindjes komuniste“; „komuniste e bindur verbërisht dhe e përbetuar, ishte shndërruar në mashë zjarri në duart e Partisë së Punës“; „nuk e pranova propozimin e saj, pasi urrejtjen për komunizmin ma kishte futur në gjak Babai im, i cili, megjithëse ishte veteran lufte, i dekoruar,  si dhe familje dëshmori si nga vlëllai dhe nga dajua im që kishte rënë brenda kufirit jugosllav“; „More bir, këta komunistët qenkan të bijtë e djallit.“; „“ithtarët e komunizmit” na dolën përpara me idetë e tyre të huajtura nga sllavët“; „regjimi komunist ishte tepër i egër dhe vrastar“; „Komunizmi me idetë e tij marksiste -leniniste hodhi farën e çmendurisë që e shpërndau në shtetet e dobët ekonomikisht dhe politikisht“;  „u vendos familjarisht në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste“.   

Duke e përmbledhur tërësinë e diskursit të këtyre fragmenteve, natyrisht me vetë thelbin që sqaron novela „ta dëmtosh tjetrin psikologjikisht pa asnjë arsye objektive, veç të realizosh egoizmin tënd pasionant për një parti të pathemeltë, e lindur nga ide utopiste që ngrenë kala në ajër, nga çmenduria e idealistëve të sëmurë psikik, është krim. Çdo njeri nga ne e di mirë se krim nuk quhet vetëm ai që kryhet nga plumbi që del nga gryka e pushkës, nga shpata, jatagani apo gijotina.  Po kaq kriminale dhe vrastare sa këto vrasje makabër, është edhe gjuha, organi i fjalës së mirë dhe fjalës së keqe, fjalës së bukur, të mençur e të matur dhe fjalës së hidhur që vjellë veç vrere. Nuk thonë kot, se gjuha tule është, por kocka thyen.“

Në këtë analizë shihet, se të dy qasjet e shkëputura mes fragmenteve diskursive të novelës kanë arsye për t'i dërguar një mesazh të qartë arsyeve në gjithë format dhe metodat e mundshme. Së pari, sipari diksursiv i trajtesës duhej të vendoste kontrollin e duhur ligjor përballë agresionit nga struktura që dikujt i duket se tashmë është e kotë të nënshkruhet mes „ngërçit hakmarrës“, së dyti gjërat e krimit duhet të largohen në mënyrë të pavarur për të drejtuar lirinë dhe prosperitetin, mbi hegjemoninë diktatoriale, dhe së treti, aspektet e krimit janë vetëm një dritë më shumë në këtë novelë, që krimi i tillë të mos përsëritet, por dhe të mos harrohet nga brezat që lindën në gjirin e familjes së diskriminuar vite më vonë në demokraci. Në trajtimin nëntekstor askush nuk e fsheh hakmarrjen e vetë dhe pëshpërima, dihatja, apo forma tjetër impulsive qëndrojnë të shtyra, dhe të pavarura nga forca tjetër determinuese.

Sidoqoftë shkrimtarja, ka pasur shumë arsye dhe mundësi të mendoj gjatë, thellë dhe në formën më diskursive se shumë gjëra kanë qenë të domosdoshme për tu mënjanuar, se ajo ka dashur të prodhoj letërsi, me vetë forcvn narrative, për ta bërë novelën të këndshme dhe ndriçuese dhe për të mos e lënë lexuesin të traumatizuar. Jam i vetëdijshëm se ka disa qëndrime dhe besime të forta rreth diskursit të novelës, do të ritheksoj se ky është një këndvështrim, pasi një novelë e tillë, edhe pse me një format disi të hapur e në rrjedhë të ngjarjeve, ka shumë kënde të tjera brilante për ta trajtuar, pasi vetë kjo temë është e tillë. Për një bazë të fortë teorike në përfaqësimet e saj letrare, unë rekomandoj të gjurmoni shkrimet dhe analizat e shumta që janë shkruar e dedikuar për tërë krijimtarinë e saj, që nga momenti i parë ka parë një shtresim të gjerë e mjaft tërheqës.

Pra, a kemi jetuar në një shoqëri Orwelliane? Lexojeni novelën, dhe jo vetëm, të shkrimtares me emër Vilhelme Vranari Haxhiraj, dhe natyrisht do të mirëkuptoni thelbin e një pyetje të tillë, që në vetvete është diksursive dhe shumë domethënëse. Dhe ndërsa narrativi dhe pyetjet e sotme rreth tij në letërsinë shqiptare rreken të shtrojnë pyetjen “A është vërtet e nevojshme të shkruhet një histori tjetër e Shqipërisë komuniste?”, thelbi i leximit të kësaj novele hap një dritare tjetër. Me siguri kaq shumë është shkruar tashmë sa ka pak më shumë për të shtuar? Sigurisht që nuk na mjafton? Me sa duket nuk kemi: në Shqipëri, librat që mbulojnë ndonjë gjë mbi diktaturën, komunizmin, pothuajse gjithmonë bëhen një kënd më vete. Një bisedë e lirë me një koleg në vendin ku jetoj dhe punoj prej vitesh më ngacmoi se ndërsa diku në Europën Lindore, botuesit i referoheshin këtij suubjekti, duke e quajtur një treg fitimprurës si „Ari Komunist“. Dhe ndërsa dihet se Herta Müller u persekutua nga policia sekrete e epokës komuniste të Rumanisë, sepse ajo guxoi të shkruante atë që autoritetet nuk donin të shkruante, në një kohë tjetër si e jona, ajo fitoi Çmimin Nobel në Letërsi, pra në vitin 2009. E lindur më 17 gusht 1953, Nitzkydorf, Banat, Rumani, në kohën që mori çmimin kishte vendbanimin në Gjermani, ndryshe nga Vilhelme Vrana Haxhiraj, e cilësuar nga shkrimtari, poeti, studiuesi, Dr Mujo Buçpapaj, si „Herta Müller  shqiptare“ që jeton ende në bregdetin e saj të bukur, që ia bënë Vlorën më të prekshme e më të ndjeshme në frymëzimet e saj. Ndoshta diskursive si në bukurinë e kësaj novele, që të zgjon për të parë dritë dhe liri.     

49 views1 comment

1 Comment


Guest
Dec 08

Urime dr. Fatmir! Një shkrim urimi dhe analize letrare, artistike e politike, që e vlen të lexohet e studiohet me kujdes. hapësira e mendimit është e pakufishme. Herta Muler shqiptare, si penë e paarritshme, meriton më shume nderime dhe mirënjohje.

Miqësisht! Kadriu

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page