top of page

E veçanta e këngës së vëllezërve Zena


E veçanta e këngës së vëllezërve Zena


Fatmir Terziu


Zona e Shqipërisë së Mesme, sidomos Elbasani, ka nxjerrë më shumë nga sekretet e muzikës antike, se çdo rajon tjetër në botë. Interpretimet folk-muzikore më të njohura kanë gërmuar në thesare trashëgimie, dashurie, sinqeriteti dhe kulture të mishëruar, ndërsa interpretimet dhe këngëtarët e dalë nga djepi popullor na japin ndjesitë nga më të hershmet mbi kulturën e trashëguar folk-muzikore. Shumë trashëgime kupturore që urdhëruan mjedisin shqiptar me harpë dhe mandolinë, flaut dhe oboe, daulle, cembale, depërtuan në thellësi të ndryshme gjeografike. Mjaft erdhën duke u përzier me muzikën që u soll nga Persia dhe India, dhe me traditat e të kënduarit të hebrenjve dhe arabëve. Elbasanasit e këngës, duke mbajtur shumë përcjellje nga Turqia dhe Persia, shtuan akordim shkencor dhe klasifikimi i shumë mënyrave nga shumë vende, dhe kultura muzikore mbetën nën hije, ndërsa Elbasani i Isuf Myzyrit, Aleks Vinit dhe Mustafa Bodinit më pas krijoi këndin e vetë. Kënga elbasanase u bë baza e një shumëllojshmërie stilesh popullore përmes përzierje me muzikën ekzistuese. E këtu natyrshëm emrat e mëdhenjë që e kënduan në vite janë jo tjjesht emrat e kësaj tradite. Ata janë vlerat e papërsëritshme që ende mbahen me krenari të ligjshme. Ndaj për ta krenaria është më vete dhe ata vijnë e rrëfehen si mitet e një ekzistence ndryshe. Ja si ndodh më saktë, nga një rrëfim i paqtë…

***

Gjithnjë ishte një zë tipik që vinte nga shpirti i brendshëm i dy djemve që i përkisnin të njëjtit oborr, por që kishin të vetmin ndryshim në moshë. Një zë dysh, që ndjehej si një. Një zë që zgjonte bashkë me kumuritë e Elbasanit gjithë mëhallën e vyshkajve, aty ku pikërisht hijet e pishave të Namazgjasë zgjasnin kryet e tyre të thukëta. E kështu mëngjeset elbasanase në këtë pikë ndjenin e përcillnin mallin e këngëve të Isuf Myzyrit, Aleks Vinit dhe Mustafa Bodinit. Aty kishte stil, intonacion, timbër, risi, ndjesi, madhështi, por dhe mirësi e thjeshtësi. Të gjitha bëheshin bashkë kur mëhallalinjtë dëgjonin dhe pikturonin bashkë zërat dhe portretet e ëmbla të Demir dhe Mehdi Zenës. Kjo ka qenë biseda dhe rrëfenja e kahershme e vjehrrit tim, Njazi Ademi, që vetë duke kënduar në Haxhias, kujtonte fëmijërinë e tij dhe shoqërinë e shkollës me të dy vëllezërit këngëtarë, por sidomos me shokun e tij moshatar, gati-gati të afërt, Mehdiun. E kështu e mbajtën shoqërinë e tyre të vjetër, ndaj dhe kur martoi vajzën e tij të parë, Njaziu, që tashmë kishte mundësi të tjera, pasi kishte qenë dhe në Kinë, nuk e la pas premtimin që kishte bërë që në dasëm të vinte e të këndonte një nga ikonat e kësaj vëllazërie me emër në mbarë hapësirën kombëtare.


Dhe, tashmë kur vitet kanë udhëtuar në memorje e moshë, dhe kur thinjat bien si petale të kristalta bardhësie, takimi me Mehdiun nuk është thjesht memorje. Nuk është aspak dhe rastësi. Është gjithmonë kënaqësi. Është respekt. Është vlerë. Thinjat fisnike dhe buzëqeshja e ëmbël e këtij personifikimi të mrekullisë së artit dhe njeriut që jeton me art e kulturë është dhe një model i papërsëritshëm. Duket sikur njesohesh me madhështinë që të jep prezenca dhe elokuenca njerëzore që pështillet legjendave dhe miteve në Kalanë e Elbasanit. Pikërisht aty ku Demir dhe Mehdi Zena, dy vëllezërit elbasanas, që njihen prej afro pesë dekadash nga shqiptarët anembanë si “bilbilat e këngës popullore të Elbasanit”, por edhe interpretues të papërsëritshëm të këngëve të Usta Isuf Myzyrit, Vinit dhe të madhit Mustafa Bodinit, kanë lënë mbresat dhe kanë fituar duartrokitjet me dhjetëra herë.

Në trokamën e hapave të Mehdiut, ndërsa kapërcen bulevardin kryesor të Elbasanit ndihet ende zanafilla e këngës që buroi nga goja e tij. Ajo këngë që nisi qysh në fëmijëri, duke mbajtur gjallë atë talent të dhuruar nga Zoti, duke u brumosur dhe formuar me këngën elbasanase, por dhe kënduar me familjarët e tyre në gëzime dhe festa këngët e Myzyrit, duke ushtruar dhe rritur në vite talentin dhe zërin, duke marrë duartrokitjet e para dhe më pas angazhimet në aktivitete dhe koncerte fillimisht në Shtëpinë e Kulturës, Ansamblin “Isuf Myzyri”, në Festivalet e Këngës Qytetare dhe ato të Gjirokastrës, në koncertet e RTSH-së, në takimet e shumta, në qasjen para publikut në SHBA e në vende të tjera, në dasma, gëzime, aktivitete kulturore, ditëlindje, takime miqsh etj.

E ndërsa takohesh me Mehdiun, të duket se ke pranë dhe Demirin, të cilin asnjëherë nuk mund ta shikosh jashtë prezencës së këngës. Ndaj nuk mund ta perceptosh ndryshe, se ata aspak nuk i njohin të ndarë, dhe me emrat e tyre, por gjithnjë i njohin si Vëllezërit Zena në Shqipëri dhe në mbarë arenën ndërkombëtare. Fillimisht e kanë nisuar karrierën muzikore si vëllezërit Zena, në vitin 1971, kur prezantuesit e asaj kohe i quajtën të tillë. Por edhe më përpara përpara vitit 1971 duke qenë të angazhuar mjaft dhe gjithmonë me estradat e ndërmarrjeve, pasi Demiri ishte në ndërmarrjen e veshmbathjes, kurse Mehdiu ka qenë në NRSH dhe kur merrnin pjesë me grupet amatore të estradave, pakkush i quante thjesht me emrin e tyre, edhe atëherë, edhe pse në ndërrmarje të ndryshme, i quanin vëllezërit Zena, ose ja këndon njëri nga vëllezërit Zena.

Zërat e tyre jepnin seriozitet. Dhe ky seriozitet i bënte dhe ato këto grupe amatore të ishin mjaft tërheqëse, të ndjeheshin shumë të fuqishme dhe të ishin madje në gjendje edhe konkuronin me estradat profesioniste të asaj kohe, që i komandonte shteti. Ata të dy bënë emër që nga festivali i parë i këngës popullore në Elbasan, derisa „Mjeshtri i Madh“, muzikanti dhe kitaristi i papërsëritshëm, Alfons Balliçi i tërhoqi te Estrada profesioniste e Elbasanit, pikërisht aty ku nisën vrullin e tyre të talentuar me këngën e parë dhe më pas vazhduan aktivitetet e shumta, ku populli i ka pritur në mënyrë të shkëlqyer si duet. Në një intervistë të Demirit, mësojmë se ai kur shkoi në Amerikë më 10 nëntor 1997, ku më pas organizohej festa e 28 nëntorit në Neë York, ka kënduar bashkë në një eveniment me Merita Halilin me bashkëshortin e saj Raif Hysenin, ku më pas me ftesën që ia kishte bërë Raifi u shfaq në disa koncerte, krah dhe me të ndjerën Anita Bitrin, edhe me Eli Farën, Aurela Gaçen dhe Gëzim Nikën. Mehdiu vetëm në atë periudhë ndjeu largësinë e zërit të tij nga i vëllai, dhe madje edhe mallin dhe lotët që nuk i pushuan gjatë. Vetë Demiri është shprehur në një intervistë të tij „Mungesa ishte si e Mehdiut nga ana ime që ika, po ashtu edhe e imja që shkova në Amerikë.“ Por ajo që i bashkonte ishte, është dhe mbeti sikurse do të jetë kënga.

Asnjë nga gjërat e tjera në mesin e tyre nuk është realizuar, aq bukur dhe ndjeshëm në mënyrën e saj origjinale, sikurse është kënga elbasanase. Muzika është jeta dhe ajo u shfaq mes tyre si vetë jeta e përkushtuar dhe jo si një zinxhir i ndërprerë. Stili „tradicional“ kantorial i këngës së tyre ruan gjuhën tipologjike, madje edhe shkallën muzikore përkatëse. Ai përdor të njëjtat shkallë si ato në muzikën më tërheqëse, nëpërmjet nomenklaturës së gatuar me art e kulturë, po aq dhe me pasion e përkushtim. Muzika dhe kënga e kultivuar dhe e interpretuar elbasanase përdor mënyra të mëdha, minore dhe të tjera elokuente në mënyra krejtësisht të reja, që vinë nga ajo që na kanë dhënë në vite mjeshtrit Zena. Ndaj Elbasani i bukur, qyteti qyteti ku kanë lindur dhe janë rritur, ku kanë punuar dhe kënduar qëndron i pandarë me jetën e tyre, me përkushtimin e tyre, sikurse janë dhe ata vetë. Aty pikërisht tek kjo lidhje buron e veçanta e këngës së tyre në vite. Ajo gjithnjë e gjithnjë vetëm rritet…



25 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page