Shkrimtari Faruk Myrtaj për romanin “Kojrillat” të Fatmir Terziut
Duket qartë, si autor, sjell sa më shumë informacion, për çdo gjë, kërkon ta bësh sa më të ditur e të kënduar lexuesin, gjithë sa di vetë dëshiron t'ja ofrosh atij... Në botën tënde të të shkruarit hyjnë gjithçka që është pjesë e jetës: edhe poeti Haki Balliu, Pëllumb Kulla, por edhe rruga e stadiumit ‘Ruzhdi Bizhuta’, edhe gazeta e televizone të vërteta. Shkolla ime ishte pranë kinemasë “11 Nëntori” të asaj kohe, lexoj në të...realiteti ka qenë dhe është aq mbresues, për unin poetik/rrëfyesin, dhe pak rëndësi ka se si shkon e godet tek kujdesja e lexuesit për ta ndarë nga realiteti fiktiv: është njëra nga vetitë e tua të pakëmbyeshme kjo kapërthurje... Jetët dhe emrat e personazheve dhe njerëzve që kanë pasur kontakt me ty, hyjnë në të shkruarat e tua pa teklif, në një dukje të paorganizuar, sic është jeta: fatet mpleksen me njëri tjetrin aksidentalisht, si karierat, si krimet, si dashuritë... Fëmija, ndjen fuqishëm, edhe kur Lenini ofron intimitet pas mosardhjes së babait për ditëlindjen, dhe sinqeriteti i rrëfimit është prekës, por në momentin tjetër linja kalon në viset e ftohta të Londrës së një shekulli më parë dhe rrëfimi jetësor shndërrohet në kronikë publike... Historia me Havzi Nelën vjen e gjend vendin e vet në linjën e romanit, Shqiptarët s'kanë shumë vite që e morën vesh atë, pa llogaritur këtu kuksianët që ishin të pranishëm, dëshmitarë të pagojë, si pjesë të tëra të historisë së shqiptarëve që kërkohen e gjenden në Londër/arkivave... ‘E Ujta’ është gdhendur me poetikë të këndshme, në ngrirje/shkrirjet/avullimet e saj, por mu në mes të një situate thellësisht mokrare, origjinale dhe vetëm jotja vjen e të përplaset me gjuhë kronike gazetareske një bisedë që nuk di sa do e respektonte prozën që ndonjë lexues pret për ta lexuar nën nënshkrimin vetëm të Fatmir Terziut: ndonjëherë duket se janë dy romane në një, në mos më shumë. Lënda jote romaneske është e bollshme, ndokush tjetër do mund të nxirrte tri libra prej këtyre subjekteve, dhe duhet pritur leximi deri në fund që të ndjehet pika lidhëse midis...por ti këtë e bën me sigurinë e një Eco-je që i ka ikur mëmëdheut të tij, por vetëm pasi është mbushur plotë e përplotë me çfarë ndodhi atje: e ka marrë e bartur me vete, në shpinë e në shpirt të tij, dhe çfarë ka ndodhur në brigjet e lumenjve këtu, vjen e derdhet në Tamiz; drita që ka munguar në viset mediterrane vjen e iluminohet në dritat e veriut ... “Jeta është një gjuhë e huaj; të gjithë meshkujt e shqiptojnë gabimisht.”, shprehje si këto, që nuk janë të pakta në roman, e trondisin lexuesin që është mësuar me llojin e romanit tipik të mjediseve para dhe posttranzicionale të atjeshme. Nuk di se si do pritet kjo mënyrë të menduari në ballkanët e 100 vjetëve më pas Krykatundarit të Vlorës, por kam frikë se sot është më katund! Titujt e kaptinave në roman, janë po aq të shumtë të pranishëm si pothuaj tërë pikat nevralgjike të planetit, që kanë vendosur qoftë dhe aksidentalisht, lidhje me atë shtet/vend/komb të ballkanit që i ka aq krenarë banorët e tij. Dhe duket qartë se mbyllja e ka varfëruar shumë mjedisin e dikurshëm qytetar të viseve shqiptare, edhe pse numri i qyteteve tashmë është rritur, katundarizmi është po ai: por një nëntitull si QETHNAJË, pas disa të tjerëve (drita, Lumi, letrat...) ofron thyerje edhe më të beftë se misteri i një vrasje që mbi-mbulohet prej shekujve, ngaqë historia kurrë nuk i hap arkivat për të gjallët... Emra si Sadush, Nurche, Lutfiu, Kupja, tërë emra mbiemrat e kohës me republikë, mbretëri, pastaj me shoqëri të mbyllur mendje/kufitare, krahas atyre të kohëve me dhe pa politikë moderne, përballur me listën emërore të personazheve ishullorë britanik, Canon, Smith, Edwin që lexohet edhe Eduin, plotësojnë një botë të tërë jo më pak interesante se kojrillat në natyrë apo ato që besohet se shihen të gdhendura në poçet diku në roman... Natyrisht, nuk ke se si e kalon pa dalë nga romani dhe rikthehesh sërish në të, ky fragment: ‘Justifikimi. Vërtet është diçka që të bën të mendohesh gjatë. Por në profesionin tonë ka një kuptim tjetër. Kjo dihet. Dështim. Pra, do të thotë thjesht ‘dështim’. Dhe ne do të quhemi dështues. Ja për shembull, autorët pasues të Makiavelit, që shkruan në këtë mënyrë intelektuale janë quajtur shpesh Makiavelistë, edhe pse ata në përgjithësi refuzuan këtë etiketë në preferencën e tyre, duke u strukur në shprehjen ‘për arsye të shtetit.’ Kjo nomenklaturë duket se ka qenë e kristalizuar që nga viti 1589, kur Giovanni Botero (1540-1617) botoi Della Ragione di stato. "Arsyeja e shtetit" është aplikuar kryesisht për marrëdhëniet ndërkombëtare, e cila me sa duket përbën një sferë të veçantë të sjelljes njerëzore,” - sqaroi me detaje Dr Smith, ndërsa u ndesh në një mëdyshje dëgjimi prej kolegëve të tij.’ (faqe: 181-182). Është njëri nga treguesit se proza jote as që e ka dëshirën të ngjajë me prozat e tjera të kohës shqiptare dje dhe sot. Ti kërkon të iluminosh, të tregosh sa më shumë erudicion, ti nuk e fsheh shijen tënde të jetës e artit të fjalës dhe kërkon ta "bezdisësh" lexuesin e pakultivuar leximesh... “Nuk është lojë kojrillash!”- mendova ... aq më shumë pas shënimit si gjithnjë serioz e kompetent të Fatmir #Mingulit.
Comments