top of page

E thjeshta tek gjuha me vlera poetike


Drita Ademi

E thjeshta tek gjuha me vlera poetike

“Interdum vulgus rectum videt” (Horaci)

Dr Fatmir Terziu


Poetja Drita Ademi ka bërë hap tjetër. Mes rrugëtimit të saj poetik tashmë ajo shkon më thellë me “Çast shembjesh…” ku vetvetja kupton dhe meton duke shfletuar “arkivin e poezive t’mia të bardha,/të gjethta, të ngjethta,” ku mes atij “shfletimi” gjendet gjithnjë “n’mes, nji letër e bardhë”. E kjo letër e bardhë thotë poetja “asht vorri im”. Gegërishtja, gjuha me të cilën zbret për lexuesin “Sytha Hane”, duket që në fillim kërkesën e parashtruar që kërkon të depërtojë mes thjeshtësisë, mes gjuhës së përditshme, mes gjuhës që e rriti dhe e edukoi në një themel të shëndoshë të gjuhës shqipe, ku ardhjet dhe qasjet e zanafillës poetike shqiptare hodhën themelet e poezisë ndër vite. Në atë shtrat, në atë themel me “letër të bardhë” poetja shkruan për të deleguar qartë se “nuk e gjej asnji poezi për me u ngushëllue.” Ngushëllimi është larg. Është në vite kalendarike. Është në një udhë ku gjithandej mbetet në memorje “nji luftare e pazakontë.” E asaj natyrisht “Vargje trimnie i thur asaj, i baj dhe nji dekoratë të ajërt,/i shkruej nji adresë të panjoftun./Nji numër telefoni po ashtu të panjoftun, /pastaj e lëshoj në mendjen time t’panjoftun.” Kjo shkon pikërisht aty nis dhe “ushqimi” dhe “frymëzimi” i dijes ku “ndjek pak Kafkën sa për modë”, dhe ku “sytë i rrjedhin djersë”. Në një skenë të tillë thjeshtësia e urtia e dijes kaplojnë atë që na shpie në sipërfaqe: “qesh me vete dhe, papritun,/më rrethojnë disa njerëz, sypëllumba, sydre, syvesh./Kthej kryet e/prap jam vetëm./Ndiej nji dhimbje,/ngushëllohem,/ndodhem n’fletë të bardhë”. Kjo fletë e bardhë nuk është thjesht ngushëllimi, është udha që kërkon vetë poezia, udha që ushqehet dhe rrëfehet nga gjuha. Gjuha është burimi i vetëm që shemb të zezën dhe ushqen të bardhën. E bardha udhëton mes vetë poetes, mes poezisë së saj, lirikës së saj, dhe natyrisht më vete është “Ninullë e njomë”, një këngë që “N’mue ende flen ninullë e njomë./Era fryn e fryn./Po fëmijët, /ku mbetën fëmijët, /ku mbeti fëmijënia?” Kjo është pikërisht enigma. Kjo është ajo që rrëfehet hershëm nga nëna për të bijën, nga baba për të birin…, është vetë udhëtimi.

Kur udhëtojmë, ne kënaqemi me dëgjimin e këngëve dhe fabulave që vijnë nga babai tek djali. Kënaqemi dhe kur ndoshta nuk janë më të modës në mesin e njerëzve të zakonshëm të vendeve nëpër të cilët jemi duke kaluar. Kënaqemi me gjuhën e tyre të thjeshtë. Kënaqemi me gjuhën e popullit, gjuhën e “turmës”. Mes kësaj dëftojmë në vetvete gjuhën e bukur të origjinës. Gjuhën pa “modifikime” e modernizime, gjuhën pa “unifikime”. Sepse, është e pamundur që çdo gjë të jetë “e gjallë’ dhe në “modë”, edhe kur dëgjimet janë vetëm zëri i “strukur” i një kombi. Zëri i tillë, i folur dhe i shkruar, edhe kur s’është pa ndonjë prioritet të veçantë, vazhdon të mbetet për të kënaqur dhe për të tejkënaqur në raste të tilla mendjen e njeriut. Me këtë zë shihet ajo që Horoci dikur e pati thënë qartë: “interdum vulgus rectum videt” (Hor. Epist. Ii. Fq. 63). Kjo që në shqip tingëllon akoma më qartë “nganjëherë e sheh turmën e duhur”, natyrisht është dhe tek leximi i poezisë së poetes Drita Ademi, e cila me një liri të plotë ka shkruar për lexuesin e saj në gegërisht poezitë e radhës. Turma nuk është shikimi i thjeshtë. Ky shikim është kompleks. Është një shikim që shkon kah thjeshtësia e gjërave, që nisin nga njëjësi dhe përcillen ngadalë mes mesazhit për shumicën, lexuesin “turmën” që e duartroket dhe e mirëpret. Në rastet më të thjeshta, e larta, e përsosura ka ardhur pikërisht nga ulja e qashtër në thjeshtësi, ku mendimi dhe mesazhi, nisin të gjejnë pikërisht shtratin e duhur, si një paralexim “thjeshtësie”.

Molieri, siç na është thënë nga Monsieur Boileau, nisi t’ia lexojë të gjitha komeditë e tij, fillimisht një gruaje të vjetër, që ishte përkujdesësja e tij, aty ulur në këndin e punës së saj të pastrimit në një qoshe të oxhakut me blozë të zezë. Pastaj profetizoi suksesin e lojës së komedive të tij në teatër. Nga fakti që u takuan në oxhakun e prushtë, vonë u mësua se ai vetë tregoi, se publiku e kishte ndjekur gjithmonë atë grua të vjetër, dhe kurrë nuk arriti të dështonte së qeshuri në të njëjtin vend, në teatër, me të gjitha komeditë e Molierit. Kjo ishte një “magji” e thjeshtë, por që funksionoi në mënyrë efikase me Molierin, për të sprovuar thjeshtësinë e mendimit, për mbi të gjitha kjo që u quajt stili Gotik i të shkruarit. Ky stil nisi si një shaka e sofistikuar. Vonë sundoi gjatë dhe krijoi zhanrin e vet. Shkrimi Gotik mund të përkufizohet si shkrim që shtron pamje të errët dhe piktoreske, detaje befasuese dhe melodramatike narrative, dhe një atmosferë të përgjithshme të ekzoticismit, misterit dhe frikës. Shpesh, një shkrim Gotik sillet rreth një pjesë të madhe perceptuese dhe tërheqëse mes frikës dhe fshehtësisë enigmatike.

Homeri, Virgjili apo Miltoni, pasi gjuha e poezive të tyre është e kuptueshme e pështjellin lexuesin në një spirale ku një epigram, gjithnjë ka lidhje me të shkuarën, me transfertën gojore të gjërave të trashëguara babë e bir, ku zanafilla e fjalës dhe gojëmesazhit kërkon përtej “thjeshtësisë” realitetin dhe fatin e vetë faktit. Këngët në më të shumtën e rasteve, epikat dhe baladat përcjellin atë që në thelb lind nga thjeshtësia e pastërtia e gjuhës, ku qaset në tërësi një thjeshtësi që kërkon vërtet shtrat tek mirëkuptimi, tek gjuha e “turmës”, vetë “popullorja”. Kjo është në fakt vetë e thjeshta tek gjuha me vlera poetike. Një thjeshtësi e tillë vjen nga poezia “Ti ike” e Drita Ademit. Poetja është vetvetiu “kursimtare e fjalës”. Ndërsa poezia “unë po rri/jemi dy vjeshta/me shi” është “mashtruese” e thjeshtë me thjeshtësinë e kuptimit të thellë të fjalës poetike.

Titulli është i thjeshtë, fjalori është i thjeshtë dhe ka shumë thellësi mendimi, pasi nuk është thjesht shi, pasi nuk janë thjesht pika uji, por ajo që lidh në fakt dy vetë, ajo që bën gjallë dy lidhje. Për shembull, linjat 1 dhe 3 të dyja fillojnë me thjeshtësinë dhe rreshti i tretë i kompozon të dyja. Gjithashtu fjalët qëmtojnë aty ku metohet bindja. Përdoren fjalë të thjeshta të dialektit më shumë se emetimet e tyre më formale. Thjeshtësia e gjuhës ndoshta pasqyron thjeshtësinë e subjektit: gjuha e thjeshtë përdoret për të përçuar kënaqësi të thjeshta. Nuk ka asnjë pikësim formal. Për ta bërë këtë trirrokësh të lexueshëm, pavarësisht mungesës së pikësimit, shumica e frazave përfundojnë në fund të një rreshti. Kjo gjithashtu kontribuon në ndjenjën e thjeshtë të poezisë dhe sugjeron një liri dhe mungesë kufizimi. Ne gjithashtu kemi një ide të frymëmarrjes së pasionuar të poetes, është sikur ajo është kaq e qetë për të derdhur dashurinë e saj, në një vjeshtë të lehtë, qoftë kjo me shi.

Poezia tjetër “Me duer prej uji” apelon për shqisat tona. Ne e shohim pamjen që ajo skicon për ne, dëgjojmë gjërat deri në thellësi: “Unë nuk mund të kthehem si ju,/sepse ju nuk keni ikë./As unë nuk kam ikë, kush ju tha ?/Kam shkue./Vallen e pulëbardhave e kam ndjekë./Lotin e drenushës kam pasue./Duert e mia kanë qenë prej uji./Zoti çdo ditë i ka la me bekimin e dritës./Pash për pash shpresen kam ndjekë, /lojën ma të bukur/e kam ba me jetën./Ajo mashtro mue, unë mashtro atë,/Ajo verbo mue,/unë ndriço atë,/Ajo zhvesh mue,/unë vesh atë me stil “alla Dritë”,/Ajo vrapo, /unë fluturo mbi veten e shkueme./Për me u kthye si dhe i Zotit”. Gjërat që shtjellohen, fjalët që plotësojnë mesazhin, dëshirat që rreken në infinit, sjellin me stil “alla Dritë” atë dritë që në fakt i duhet pështjellës së pështjellave.

Kjo “dritë” shkon dhe tej dialogut me Azem Shkrelin, “kur lirika vonohet me u kthye n`atdhe/a e din kujt i ngjaj?/Zogut i ngjaj./Zogut që e pat vra/gjuetari në fëmijëninë time./Zogu pat ra në tokë pa frymë./e fshihte kryet nën shi,/I lëshonte krahët përdhe/dhe e përzinte shpirtin...” Në mesazhin e kësaj drite, poetes nuk i tjinjen as flokët, pasi “Nuk po mund vdes trupit tand./Flokët nuk po më thinjen.” E gjitha kjo është një metaforë e dalë nga e thjeshta tek gjuha me vlera poetike,ku Zotat kanë ba çudi”. Pikërisht aty ku poetja thotë “Po më ndalet fryma/e me vdekë s’po di./Nuk po mund vdes qiellit tand./Mall hane jam ba./E gjatë asht nata./Ma e gjatë asht dita trupit tand.” Nëpërmjet ndriçimit është mohuesja që përcjell faktin e mosdashjes sikurse ndodh Kurr nuk i kam dashtë retë,/ato lidhen e lidhen/si një kërthizë e pafat, /mandej vrasin pabesisht/dlirësinë e nji dite me diell…” derisa shfaqen Hanëza dhimbjesh” që “lindin në prendim,/të kuqe, të ngrime,/të përjetshme”.

Dhe kështu mes të thjeshtës tek gjuha me vlera poetike autorja e gjen të shikoj mes ëndërrës “ulun në bankën e nji vjeshte tjetër/e malet me thinja/e drita mbushte sytë e tu me ar”. Aty retorika tejforcon arsyen dhe A e njihni ju nanën time?” bëhet një hit më vete, pasi nëna “e pavdekshme asht,/asht vetëm nji”. Në një hapësirë të tillë fuqishëm vijnë vlerat poetike të poezive “Hije zogu”; “Morinë”; “Ulqin” etj., jo vetëm si vlera por edhe si gjeografi në dimensionin e tyre. Poezitë e tjera kanë kumte dhe kulme të tjera vlerash, plot figuracione, plot metafora të zhdërvjellta. Më tej pozia “Dashnia” hyn “Në lotët e luleve,/në damarët e nxehtë të gjakut,/ nën lëkurë aty, /ndër bebëza t’synit…” Pra, është “dashnia” ku poetja mjaft bukur thekson: “Numroj gurët, njiqind vjet mes nesh...”.

Për të përmbyllur, formatimi dhe paraqitja e tërë vëllimit poetik “Sytha Hane” është shumë tipologjik, sepse është gjithnjë një mesazh mes një pyetjeje të pashpallur, për të cilën lexuesi dëshiron të gjejë përgjigjen e drejtë. Kjo do të inkurajojë lexuesin të vazhdojë të lexojë poezinë dhe të shohë se për çfarë po flet poetja, që ndan kulturën e Prishtinës me kulturën e Zvicrës në të dy format e saj, po aq sa dhe dy dialektet e Gjuhës Shqipe. Drita Ademi përdor fjalë shumë ngacmuese, të tilla si “dashnia” dhe “nuk e njihni nënën time?”, duke e bërë lexuesin të “ndjejë” atë për të cilën po flet dhe mundëson lexuesin që në të vërtetë të kuptojë emocionet dhe ndjenjat e saj. Ky është një efekt shumë i fuqishëm që shkaktohet për lexuesin që ai të përfshihet tërësisht në poezi dhe të mendojë se çfarë është dashuria për një njeri në udhëjetën e tij. Kjo është poezia më e preferuar nga të gjitha poezitë që kërkoj të përmend në këtë ese për arsyen e thjeshtë se ajo arrin të përcjellë emocionet dhe ndjenjat e poetes tek lexuesi dhe kjo e bën poezinë më emocionuese dhe më të sinqertë. Dashuria mund të jetë, ndonjëherë, një gjë e mrekullueshme dhe e gëzueshme, megjithatë humbja e dikujt pas dashurisë së tyre është një tragjedi dhe mund të rezultojë në depresion dhe pikëllim të rëndë. Poetja nuk e njehe “tragjedinë” por me të thjeshtën e saj rrit vlerat poetike, dhe në një dialekt aq guqibërrës poetik, sikurse është Gegërishtja e shqipes së bukur.

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page