E shijoni si unë,pranverën ?
(poezi)
Nga Përparim Hysi
E shijoni si unë, pranverën,
Lulëzimin e bimëve në fusha?
Nuk e kini si unë "lincencën"
Nuk e kini:ju mungon "vula".
Ju mungon ajo "vula e thatë"
Që e kam veç unë,"noteri",
SE unë kam lindur e jetuar në fshat
E di këtë gjë,i tërë FIERI!
Unë e ndjej afshin e tokës
Unë shoh mjegullën e vesën kur bie mbi bar
Pyetni mes miqësh e shokësh
Do t'ju thonë për mua:është fshatar!
E gjeta frashërin plot gjethe
Dhe frrap hipa mbi të si dikur
Me biçakun që kam me vete
Nxora nga frashëri ca lëkurë.
Lëkurën zura dhe e "ormisa"
Me të seç bëra një culë
Si fëmijërisë culën ujdisa
Se tani nuk jam më"burrër".
Culës zë dhe i bie
Një avazi të vjetër baritor.
"Dhëntë për kullotë i shpie" *
Në këtë mëngjes pranveror.
Më ikën gjithë hallet e dertet
Shpirti m'u mbush me blegërima
Pranverë,për ty më zënë"ethet"
Në fshat pranverës ia bëj prima.
Ndaj them se nuk e shijoni si unë pranverën,
SE pranvera në fshat ka domenin.
Ndaj unë e kam hak"lincencën"
Se në fshat unë gjej EDENIN.
* është një melodi që luhet me fyell.
Tiranë, 26 mars 2024
Comments