top of page

E qashtra poetike dhe perceptuese e vargut


Bujar Plloshtani

E qashtra poetike dhe perceptuese e vargut

Rreth vëllimit poetik “Mbi arsyen e fjalës” të Bujar Plloshtanit


Dr Fatmir Terziu


1.

Bujar Plloshtani shfaqet në fushën e letrave shqipe me një kombinim të ideve të tij tashmë të mirënjohura në fushën e filozofisë si një pikëtakim me artin e fjalës poetike, duke na prurë pastër vlerat kumtuese, që stilohen “Mbi arsyen e fjalës”. Kështu ai nuk emërzon, apo shton thjesht shton një libër në sfondin bibliotekar, por dhuron një vëllim poetik “për artin e të lexuarit në poezi”. Libri poetik i këtij poeti ka për redaktor letrar poetin shqiptar, Dhimitër Pojanakudhe është realizuar për botim nga SH.A “Pushkin” me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisëme departamentin për bashkëpunimin kulturor dhe shkencor.

2.

Rreth njëqind poezitë e këtij vëllimi ngasin në kohë, moshë, hapësirë, diferencë dhe gjeografi të ndryshme. Poeti e nis vëllimin e tij me poezinë e bukur “Këngë hungareze” të cilën ia përkushton stërgjyshes, Jolanda dhe përfundon me poezinë “Qyteti i vjetër”. E vjetra që nënshkruan memorjen e kulturës dhe identitetin shfaqet mes këtyre ngarjeve si një dëshmi mes mesazhit poetik.

Tek “Këngë hungareze” Plloshtani sheh se “…rrënjët kanë të njëjtin emër,/e qielli me të vetmin shpirt ndryshon…” ndërsa tek “Qyteti i vjetër” ai dikton se si ky qytet i vjetër “… manastiret antike hesht,/i vendosur në gji të malit t’lartë./Pak njerëz ka që japin kokë,/në rrugët me kalldërma mund të shohësh,/fëmijë dhe pleq me kapela…”. E ndërsa në të parën është lumi pra “Danubi mbrëmjeve të vona po të ndan,/ku dritat si kupë qiellore poshtë qytetit lëshohen./Kjo qetësi gjithë Hungarinë do kaplojë,

qytetet emrin tënd do shqiptojnë./Një gjak të ngjizur kemi të dy,/edhe pse të ndarë./Ti s’më njohe kurrë,/as unë ty,/ose shumë pak.”; në poezinë e dytë shtë qyteti që e ka rritur dhe “Qyteti i vjetër,/mua më thërret./Shikimin të hedh drejt kësaj arkitekture të gurtë,/që kureshtjen t’ma shuajë./Qytetin e Tetovës së vjetër,/s’do harroj unë të mburrem nesër dhe kurdoherë…”

3.

Më pas këto ngasje të filozofisë poetike ndajnë emocionalen mes dedikimit për “A. S. Pushkin “, rishfaqin gjeografinë e detajuar artistikisht mes vargut tek “Në Ohër”, udhëtojnë në mënyrë imagjinare mes fjalës dhe artit të dallgëzuar tek “Anija”, ndjekin mesazhin e përhimtë muzikor mes muzikës tek “Pianoja e bardhë” deri sa autori rishfaqet me arsyen filozofike tek “Kontesha”; “Pallati mbretëror” për të na dhuruar “Buzëqeshja”; “Poetit”; “Violinë e zezë” dhe më tej si një stacion i ndikuar ndalet tek “Dashuria”.

Dashuria për poetin “…zbret.../Hëna feks magjishëm,/plotësisht e argjendtë./Qielli simpatik,/paksa i trishtë./Toka e mërzitur,/më e errët se nata e qelisë./Një qiri ndrit dhomën,/frymëzimin shpirtëror lajmëron./Skaji i dritares që ngrin nga copëzat e akullit,/harxhohet një pendë mbi letër/duke zbardhur gjurmët e saj./Dashuria zbret, edhe njohja,/në kohë të padrejtë, /tepër të hidhur./Udha gjer te unë e shtruar me lotë,/nuk mundem të mbërrij në kohë./Dashuria zbret, /ne jemi verbuar,/nuk shohim asgjë tek zbret.”

Dashuria duket kështu, edhe pse në pak vargje, si një nga frymëzimet e mëdha të poetit Bujara Plloshtani. Ajo është një dashuri e mbajtur mes vargut dhe ngasjeve filozofike të poezisë, për ta depërtuar edhe atë pjesë të strukur në lëvizje dhe në zhvillim. Ajo është dashuri që nduket nga termi ‘i hutuar’ dhe e kthyer nga vetë struktura e kompozuar e vargut në një lidhje të ngushtë me atë mesazh të gatuar për të reflektuar. Ajo është dashuri që e thyen gjeografinë dhe të vjetrën dhe i bën atë të vajtojnë mes vargut shpërthyes.

4.

Përvojën e Plloshtanit në vargun me dashuri e shohim të pasur edhe me përmbushjen, si edhe me frustruesen dhe shkatërruesen forcë metafizike të jetës. Në poezi të tilla si “Një natë dimri”; “Episodë jete”; “Natyrë boshe”; “Letra e Perlës Eduartit”; “Natë vjeshte në kryeqytet”; “Dashuria zbret...”; “Botë e ngathët”; “Qytezë e zbrazur”; “Nga shpirti femëror”; “Një fluskë e kristaltë prej vere”; “Vjeshta filloi...”; “Dëshpërim i hidhur”; “Dimri i këtij dhjetori”; Trishtim dhjetori”; “Oksigjen shkurti “; “Imazh shpirtëror”; “Imazh intim”; “Pak për sytë jeshile”apo“Aromë jodi”dhe“Trup gruaje” poeti duket sikur jep një pamje të ngushtë realiteti të peneluar në fraktura postmoderne pikturash që dedikojnë dashurinë dhe elementët e saj me ngjyra të fuqishme. Kështu me këto ngjyra perceptimet dhe konceptet e dashurisë mund të identifikohen më lehtë edhe në poezi të tilla si “Këngë dëshpërimi”; “Trishtim”; “Gjeth vjeshte”; “Dëshpërim”; “Mbi dashurinë”; Vjeshtë e plogësht”; Ne do të heshtim”; Mirupafshim”; “Lirisë”; Relikë” etj.

Për më tepër, ne mund të identifikojmë një zhvillim edhe në përshkrimin e dashurisë në poezinë e tij. Gjithashtu në këto poezi ne diktojmë edhe lëvizjen dialektike mes palëve të ndryshme të fiksuara si simbolika të dashurisë në poezi. Në disa poezi, Plloshtani e përshkruan atë si një fuqi pothuajse hyjnore. Në poezi të tjera, ai fillon të jetë dyshues, pra nëse dashuria është e vërtetë dhe se ajo është apo jo një element në përmbushjen apo jo të misionit të saj. E ndërsa në këtë rast ai mbetet tejet perceptues dhe filozofik, në poezitë e tij më tej, fokusohet edhe në anët e errëta dhe destruktive të dashurisë. Këto koncepte të ndryshme të dashurisë do të jenë në fakt pikasja model që vjen nga e përshkruara në këtë vëllim poetik nëpërmjet analizës së poezive të zgjedhura që ne morrëm në konsideratë.

5.

E qashtra poetike dhe perceptuese e vargut të Plloshtanit nuk vjen si një eksperiment mes ngasjeve filozofike të vargut dhe fjalës së tij. Ajo është një prezencë logjike që karakterizohet nga shumëkuptueshmëria, dimensioni dhe dialektika e mesazhit që prodhohet në poezi. Në vetvete është e lidhur edhe me vetë kronologjinë në rritje të aktivitetit poetik të poetit të ri, Bujar Plloshtani. Kjo kronologji nis në vitin 2002 kur ainisi studimet për Drejtësi në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, ndërkohë që ishte tërësisht i tërhequr pas poezisë dhe filozofisë dhe vazhdoi më tej me periudhën Nëntor-Dhjetor 2005 kur Plloshtani, publikon librin e parë me poezi: "Heshtja e poetit". Në Dhjetor 2005, si anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve Shqiptarë të Maqedonisë, viziton Goethe Haus & Goethe Museum & Ekspozitën Friedrich Schiller në Frankfurt/Main. Më 23 Shtator 2006 merr pjesë në manifestimin letrar "Portiku poetik" të Dibrës. Më 27 Nëntor 2006 reciton në një Orë letrare poezinë "Perëndimi i shpirtit" kushtuar ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Më 22 e 23 Qershor 2007, në bashkëpunim me Bashkinë e Rrethit të Sarandës, organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar mbarëkombëtar "Saranda- muza e poezisë" në Sarandë. Në Tetor 2007 themelon Shoqatën e artistëve "Pushkin" dhe zgjedhet kryetar i saj. Më 10 Nëntor 2007 merr pjesë në Netët poetike "Takime nën Rrap", të organizuar në Shkup. I jepet çmimi "Për vepër erotike" botuar brenda dy takimeve. Në Nëntor të po atij viti i publikohet libri poetik "Nga regjia e shpirtit". Po në Nëntor 2007, Shoqata e artistëve "Pushkin" organizon dhe drejton edicionin e parë të manifestimit letrar "Poezia, art i fjalës". Në vitin 2008 ai boton librin me poezi të zgjedhura nga autorë të botës: "Perla e poezisë botërore". Në Gusht 2009, boton librin me letra filozofike me titull “Mbi arsyen e mendimit”. Dhe tashmë kronologjia e tij listohet me vëllimin e ri poetik të cilin e analizuam.

6.

Në këtë mënyrë shihet qartë, se Plloshtani e sheh vargun e tij si një rritje, si një lidhje të cilën vet ai e shikon tek “Arkitektura e shpirtit – mbinjeri”. Është ashtu siç shkruan “Shqip”: “Poeti Bujar Ganija Plloshtani, nëpërmjet poezive të tij që i paraqet në tre librat "Natë me dashuri", "Heshtja e poetit" dhe "Nga regjia e shpirtit", ka për synim që njeriut t‘i qartësojë se dija duhet t‘i bëhet prijës dhe udhërrëfyes, që të ndriçohen udhët që shkojnë në përsosjen e tij. Ai, nëpërmjet poezive të tij, të cilat në brendi kanë brumë, kanë shkencë e filozofi, sqaron se dituria dhe shkenca janë begati e thesar i pasosur dobisjellëse për të gjithë ato që e duan, dinë, kuptojnë dhe e respektojnë drejtësinë...

PoetiBujar Ganija Plloshtanika një shpirt të pashtershëm, tek ai vlon fuqia e imagjinatës edhe përtej universit, por gjithmonë duke respektuar denjësisht udhëzimet e fuqisë së mençurisë absolute.” (Valbona Zunçe, “Shqip” Nr. 213, 6 gusht, 2007, f. 26.). Kështu sipas asaj që Valbona Zunçe i ka rrëmbyer vetë poetit kohë më parë mësojmë se poezia e tij është ‘filozofi e mendimit më të thellë’, pra poeti shqiptar nga Maqedonia, Bujar Ganija Plloshtani, pas botimit të librit të tij më të fundit me poezi "Nga regjia e shpirtit" na diktoi herët ardhjen moderne të poezisë së vëllimit të tij më ri.


19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page