top of page

E njihja një familje me njëmbëdhjetë fëmijë


Fantazma! Diskursi i saj me fotografi në krah të Udhëheqësit


E njihja një familje me njëmbëdhjetë fëmijë. E dymbëdhjeta lindi në kohën e kafesë së elbit, por kurrë ajo kafe nuk u pi në atë familje, sikurse ndodhte me të tjerat. Atje pihej kafja nëntëqindëshe, dhe jo e jo ajo gjashtëqindëshja. Ama, të gjithë flisnin për një familje të urtë, të dëgjueshme, të respektueshme, edhe pse gjetkë, a diku vesh më vesh shpotazi fjalët kapnin rrëkerëza të tjera. Punë thashëthemesh! – thoshin, e kanë inat se është nëna Heroinë që ka takuar dhe bërë fotografi me Udhëheqësin. Ndërsa ndodhte kështu, ama, të gjithë habiteshin me disa gjëra që ndodhnin ndryshe në atë familje: fikeshin dritat shpejt edhe pse kishin televizor me ngjyra, visheshin mjaft mirë dhe pse askush prej tyre nuk punonte, por… ama kishin një fotografi të madhe, të vendosur në korridorin e shtëpisë, ku kishin pozuar në të Nëna Heroinë me Udhëheqësin e asaj periudhe. Shtylla e shtëpisë, i Zoti i asaj shtëpie. e kishte merak litërshen e rakisë përditë dhe kështu bashkë me oreksin e saj ditë pas ditësh ai shtoi dhe oreksin e ditëve, orëve dhe minutave të ikjes nga ajo shtëpi e madhe, nga jeta e vet. Kur e varrosën, të tjerët u mblodhën dhe diskutuan, pastaj me urdhërin e të deleguarve nga Lart mblodhën ndihma për përcjelljen e tij, por ndodhi që u habitën. … dhe ishin të gabuar, kur të Deleguarit u thanë që të mos bënin asnjë fjalë: “Një sy qorr e një vesh shurdhë”. “Nuk mund ta bëjmë hajdute një familje të tillë me Nënën Heroinë në krah të Udhëheqësit” – u mësua vonë të ishte thënë. Në atë familje nuk mungonte asgjë. Nuk mungonin as patatet, as fasulja, as… dhe të gjitha të vjedhura natën kur atje fikeshin dritat. Ndaj dhe gjatë varrimit, sikurse ndodhte në mjaft raste, folën Kryetari i Këshillit të Bashkuar, Sekretari i Byrosë së Partisë, e mjaft të tjerë dhe në ballë të varimit e deri në përcjelljen në banesën e fundit e shoqëronte kortezhin fotografia e Nënës Heroinë me Udhëheqësin. Në atë kohë ndoshta kjo fotografi e kishte një arsye. Vonë, sapo kishte ardhur Pluralizmi, atë fotografi, sikurse u tha, vetë fëmijët e Nënës Heroinë, ia kishin lidhur një maceje dhe e shëtisnin nëpër udhë, duke tërbuar macen e gjorë. Pas disa vitesh të tjera në një nga Televizionet Publike, tre a katër fëmijë tashmë të rritur nga ajo familje, e quanin publikisht nënën e tyre “K….” dhe kërkonin që t’u bëhej ADN-ja se nuk e kishin pasur baba, atë që njihej në dokumentat zyrtare. Dikush që e kishte parë këtë emision dje më tregoi një mesele tjetër… Pastaj diku në rrjetet sociale më bëri paralele me disa foto të tjera. U mundova t’i them se nuk kishin lidhje. Këto foto nuk janë … Por ende pa e mbaruar unë fotografinë ai me plot nervozizëm më tha: “Janë e njëjta familje. Nëna e tyre ishte Heroinë… Kanë privilegjin e saj dhe këto fotot me Udhëheqësa janë të ngjashme… Nëse nuk do ta kuptosh…., puna jote”. Eh, mirë i thashë. Puna ime. Pakuptimtë? E Pakuptimtë? Edhe nëse këto foto e bëjnë tani të pakuptimtën ende, vetëm sarkazmën dhe ironinë që nis në Tiranë e mbaron në Prishtinë nuk mund ta lënë në mëdyshje, ajo që mbetet për tu gëzuar është se këto foto përditë e më shumë po vjedhin nga ditët tona të jetës, dhe jo më fasulet dhe patatet e kooperativës. Sot kjo fotografi ka lindur me gaz! Si ditën kur u takuan për herë të parë. Por çfarë dobie ka një fotografi nëse vazhdon të dhemb? Frymë larg në rrjedhën e saj, larg në rrjedhën e ngjarjeve. Përgjigjja është e paqartë. Gjithmonë e paqartë. Por një gjë është e qartë, gjuha e këtyre fotografive: “Edhe nëse fundosem edhe më thellë në përqafimin e dhimbjes, do të kujtoj dritën e ditëve më të mira”. “Ore zotëri nuk dashke ta kuptosh? Kjo nuk është asgjë! Vjedhja është tashmë ilaç me fotografi… ndaj duhen këto fotografi në Facebook edhe me Presidentin Trump…” Pastaj ka zëra se… se edhe Trumpi njeri është mbi të gjitha. Ka zëra... Se çfarë? Zëra, more zëra..., që askush nuk përgjigjet. Ato zëra… Po zërat nga jashtë janë pozitive. Po, kush do të përgjigjet për zërat nga brenda? Fantazma! – i them. Të paktën fantazma e natës po na çon në gjumë. Të paktën ajo nuk ka pse të vdesë në një ëndërr. Ëndrra që u copëtua shumë kohë më parë…

@copyright #fatmirterziu

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page