E dija se do ishe bjonde
Nga Fatmir Terziu
1. Mallkimi i të Ngujuarve
Koha kalon
nuk mund të duket se e kuptojmë atë që është më keq me ne,
frëngjitë kanë verbuar sytë,
aftësitë degradohen për çdo minutë,
duke u venitur në pluhur
përgjatë rrugës së gjatë të këtij shtrembërimi
të thellë brenda mureve shurdhmemece.
Gjatë gjithë kësaj kohe,
kemi dështuar,
përsëri,
pastaj përsëri,
dhe përsëri, me veten,
me heshtjen,
duke u endur nëpër një botë pa përgjigje,
nuk i përkasim askund,
të paktën lirisë së kësaj jete.
2. Në një ëndërr … me lesh
Nuk mund ta urrej berberin tim,
nuk kam më forcë
më, s’duroj flokun të zbardhet
e megjithatë,
brenda këtij dëshpërimi,
në këtë industri që lyen e zbardh lesh,
ka një dëshirë të zbehtë,
për të ecur përpara,
për të mos hequr dorë kurrë,
nga lajmi që lexohet në sytë e tij
për politikën e ditës në një thes.
Sa do të jem në gjendje t’a duroj leshin,
para se të zbardhem para syve të mi?
Të paktën, nuk do të më duhet të vdes
në një ëndërr … me lesh.
3. Bjonde
Ti mbete një muaj larg ditës që të njoha,
ndoshta,
një muaj më larg isha unë,
ndoshta,
e kohërave ishte ajo harresë që e prumë,
ndoshta,
për të harruar më shumë,
ndoshta,
koha duhej të na ikte si një ndotje,
ndoshta,
ngaqë e dija se do të shihja më bjonde.
4. Poezia në karantinë
U arratisa nga memorja
në koliben e vogël të një poeti,
dhe gjithë humbëtirën e zgjova
me sytë e dala nga vendi,
fatkeqësisht vetëm më pas e kuptova,
në kolibe ishte vetëm i ftohti,
shkruante në akull poezi,
për meshën e fundit mbi vetminë,
me gjasa në karantinë.
5. Zvarritje e ngadaltë
Një emocion i fortë që tingëllon brenda të gjithëve,
duke u dridhur,
duke u ngujuar me frikë brenda ditëve,
duke qarë si përgjigje ndaj asaj që dëshirojmë të mos hasim,
një shqetësim i tillë ha shpirtin,
zvarritje e ngadaltë,
e hidhëruar në mendje, deri sa ta shfaqë
atë plotësisht,
ndonjëherë pa ndonjë arsye apo shkas,
si një bulë-lëvizje,
në pulpën e djersës së ftohtë
duke na verbuar në agoninë e saj,
derisa të mos mbetet asgjë.
댓글