top of page

DËNES NË MUA


VAJZA ME KËPUCË TË BARDHA DËNES NË MUA

REXHEP SHAHU


Gjithkush shkruan e duhet të shkruajë librin e vet, këngën e vet, himnin e jetës së vet dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë gjyqin e askujt. Kënga ime është kënga ime, e jotja e jotja dhe qielli na do e pranon të gjithëve, ka qiell për të gjithë, tela zogjsh, degë pemësh e direkë anijesh për të gjithë zogjtë. Kur mikja ime dhe shumë shkrimtarëve që u çeli dritare në ekran e u dha zë, Eva Idrizllari, moderatorja më natyrale dhe e pasforcuar në moderim, më tha ta lexoja, e nëse mundesha, të shkruaja pak fjalë për poezinë e Nezi Plaku Velaj, nuk hezitova, edhe pse autoren nuk e njihja, përkundrazi, e mora me deshirë dhe entusiazëm për të bërë një punë të mirë sa të mundja. Kur e dëgjova një ditë në kafe poeten Nezi Plaku Velaj tek rrëfente jetën e saj aq thjeshtë e aq natyrshëm, i dhashë vetes shumëfish të drejtë që kisha marrë përsipër të shkruaja pak radhë për këtë autore. Jeta e saj është poemë e jashtëzakonshme trishtimi, qëndrese, besimi e mbijetese që ajo po e shkruan ditë pas dite, varg pas vargu, tullë pas tulle, gur pas guri...

“Gjëndet gjithmonë një laps për të shkruar... por kurrë nuk do të gjëndet një gomë për të shuar të kaluarën tënde sido që ajo të ketë qënë...”

Nezi Plaku Velaj nuk është poetja e sofistikuar, nuk është kryepoetja, nuk konkuron me askënd, ajo është thjeshtë vetja e saj që ka të drejtë të këndojë këngën e saj me zërin e saj, për vetën e saj e miqtë e saj të vuajtjes, luftës, mbijetesës në diktaturën e përbuzjes e urrejtjes, të zërë vendin e saj në hisen e saj të tokës e të qiellit, të ketë timbrin e saj dhe të fluturojë në lisat e pemët e saj. Vargjet e saj rrjedhin butë, pa zhurmë e potere, janë një Bunë më vete, por janë Bunë që shpesh fryhet brigjeve sipas stinëve të dhimbjeve që poetja ngadalë i shplon për ne e për vete. Gjërat që s’i tha një jetë, gjërat që nuk mundi t’i thotë, që nuk e lejuan t’i thotë, ajo po i thotë tani. Po i thotë me fuqinë e pasionin e rinisë, me maturinë e pjekurisë dhe rend e sigurtë të kapë kohën, të mbërrijë veten e saj. Nëpër vargjet e Nezi Plaku Velaj rend vajza çame, konispolatja, rend e nuk ndalet, nuk mund të ndalet, nuk di të ndalet se vajza çame ndalet veç në finish, nuk mund të mos mbërrijë në finish vajza çame, nuk mund ta lërë kurrë luftën, jetën e këngën në mes vajza çame. Një mijë e një pengesa i vunë në udhë, njëmijë mure të lartë të pakalueshëm ia ngritën para syve për të mos e lënë të ecë në jetë, por ajo eci nuk u ndal se ndalja nuk është natyrë e saj, përkundrazi rendja, rendja drejt qëllimit. Ishte bebe e njomë kur ia pushkatuan babanë, babanë që ish regjur internimit nazist në Selanik të Greqisë. Ia pushkatuan tanët jo nazistët, ia pushkatoi regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1961 që të godiste familjen e madhe patriote Plaku - rrënjë e degëshumë... Me akuzën më të shëmtuar, “armik i popullit”. Dhe finalja e familjes Plaku, veç plumbit për babanë e Nezit, edhe 120 vite burg për pjesëtarët e tjerë të kësaj familje të madhe që nuk e deshi regjimi komunist. Që nga viti 1961 Nezi Plaku Velaj rend përmes vargjeve të saj të dridhshme që trokojnë me ritmin e zemrës së lenduar në kërkim të varrit të babait. Honi i thellë, i zi, i frikshëm i varrit që nuk dihet ku është i shfaqet para syve në çdo hap të jetës autores, bijës dhe ajo qep germat, rrokjet, vargjet e poezisë së dhimbjes me shpresë, me shpresë të cilën nuk e lëshoi kurrë, iu ngjit kindit të saj, e kapi me thonj dhe nuk e la asnjëherë shpresën t’i ikte për fare. Por babai i saj patrioti Beqo Plaku nuk ka varr. Babai i saj ish partizan i Luftës së Dytë Botërore, i internuar në Selanik, i kthyer në Konispol në 1945, i pushkatuar më 1961 kur autorja ishte 9 vjeçe, varr nuk ka. Por e bija poete Nezi Plaku Velaj përfytyron e flet me babën e saj të pavarr...



“Mbi varrin tënd baba, ah, sa shumë do të doja Një qeparis me dorën time, të kisha mundësi të mbillja Aty të këndonte bilbili çdo mëngjes në kor me zogjtë e tjerë Të të bënte hije në dimër, vjeshtë, pranverë dhe verë.”

Shpresa jeton vetëm në njerëz guximtarë, që rrëzohen e çohen, në njerëz që nuk e pranojnë mundjen, humbjen, që luftojnë sërish e sërish e sërish. Dhjetra herë Nezi Plaku Velaj delte fituese në konkurse punësimi në vitet e demokracisë së brishtë e të trishtë shqiptare pasi ajo u shkollua me vonesë, por dhjetra herë e thyenin, nuk e përzgjidhnin ata që kishin në dorë të përzgjidhnin ndër tre fituesit, por ajo nuk u dorëzua kurrë, konkuronte e konkuronte me besimin se një ditë do të gjendjej ndonjë përzgjedhës që nuk kishte parapërzgjedhë atë që do të punësonte. Dhe u gjet sepse ajo nuk u dorëzua, besoi e luftoi për të drejtën më elementare të punësohej në administratën e shtetit të ri demokratik, pasi kishte vuajtë linçimet e diktaturës. Nezi Plaku Velaj është vajza çame që rend përmes vargjeve të saj të qeta, të buta e të kadifta. Ajo nuk përcjell mllef në vargje dhe e fsheh sa mundet dhimbjen, pasi ajo është mësuar që t’i buzëqeshë jetës, është mësuar t’i falenderohet diellit, ditës së re. Është mësuar të mos dorëzohet, të ketë gjithmonë shpresë... Ndonëse jeta e saj nën diktaturë ka qenë dëbim, përndjekje, skëterrë, përbuzje, ajo duket nuk u ligështua. U internua me familje në Kavajë nga Konispoli duke lënë pasuri e katandi të një familje me emër të madh e të kamur si ata dhe kurrë askush asnjëherë nuk u tregoi për babanë e pushkatuar. “Ishin ëndrat më të bukura, që doja të realizoja në jetë, / Endra, që dot s`i bëja të miat dhe dot s`i bëja realitet, / Se jeta nuk me vrau të vdisja, por më la shumë plage dhe pengje...”./ E dëbuan, e linçuan si familje armike nga Kavaja në breg të Shkumbinit me nënën e saj, në pashpresë, në braktisje, por mbijetuan nënë e bijë ndërsa para syve të mendjes së saj i shfaqej pa ndërprerë fytyra e babës pa varr dhe ajo duket i premtonte atij se do të bënte qëndresë, do të mbijetonte, do të mbijetonte edhe për atë, babanë e saj të pavarr. Dhe i shkruan nënës së saj tani: O nëna ime! O mbretëresha ime! / Ndjej afër dorën tënde të ngrohtë si atëhere dhe sot / Kur rrëzohem, kërkon ngadalë në këmbë të më ngresh.../ Në vargjet e Nezi Plaku Velaj unë shoh një vajzë – nuse me këpucë të bardha që ecën nëpër shi të pamëshirë, buzë një kanali - udhë ku nuk ecet dyshe dhe në majat e këpucëve të saj të bardha i pikojnë lotët e nxehtë që përzihen me shi, lotë që nuk duhet kurrësesi t’i shohë burri, shoku, miku i jetës që prin para në atë udhë buzë kanali në Shënkoll të Lezhës... “Këpucët e bardha sfidë i bënin baltës / Balta poshtë këpucëve të bardha rrëshqiste / Kodër e një kanali ishte... / Ku do të shkonte nuk e dinte… / Ecte vetëm ecte / Lotët e nxehtë i rridhnin çurk në faqe / Dhe një dhimbje në shpirt e kishte. Shiu kishte nisur lehtë lehtë atë natë / Si për inat...” Luftë, vetëm luftë për mbijetesë, kaq i serviri fati fillim e mbarim, fund e krye poetes Nezi Plaku Velaj. Fati e dënoi të mbijetonte në internim, të bënte punë nga më të ndryshmet, punë të rënda fizike nga lindja deri në perëndim të diellit, pa hequr kurrë çizmet nga këmba. Fati e dënoi që pela Fadile e ushtrisë që ajo e kashagiste ta godiste me shqelm dhe ta hidhte 20 metër tutje por Nezi Plaku Velaj shpëtoi e u ngrit sërish.

“Nga një thellësi e pafundme Dëgjoj zërin tim Dikush si kalama dënes në mua...

Unë e besoj se Nezi Plaku Velaj që sapo ka nisë ta shkruajë veten e saj, në dukje ndoshta pak pa u organizuar, por ka nisur me guxim e besim, do të na tregojë shumë për veten, për kohën pasi është ndër njerëzit që ka shumë për të treguar, është ndër njerzit që duhet domosdo të rrëfejë të shkuarën për hir të së ardhmes tonë.

REXHEP SHAHU Botues

44 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page