Resmi Osmani Roman-vazhdimi
ME SYTË E FËMIJËS
Dymbëdhjetë.
Kur dolëm gjall nga ai dimër me uri, të ftohtë dhe sëmundje, në të dalë të marsit, më erdhi për vizitë Xha Avduli. E nderoja se ishte plak i mënçur dhe i ditur, që në të ri të tij kishte mësuar në medrese.E gostita me kafe. Me sytë e plakur, por plot mirësi e dhembsuri, më pa drejt dhe veç të tjerash, më tha: ”Dëgjo dhe ver veshin moj bijë Ervehe se të dua si çupën time: kush ka tokë, nuk duhet të vuajë për bukën e gojës. Toka është si nënë, bujare, që pjell e rrit atë që mbjellim. Na ushqen, na mban gjall, por edhe na merr në gji të saj , në strehën e fundit, kur ikim nga kjo jetë.Se të gjithë, kur të bëjë emër Zoti, e kemi një fund. Edhe kur e le djerr, ajo nuk është e shterpët, rrit barin që kullot bagëtia, por po e le edhe më gjat, zaptohet nga ferra e driza dhe drurët e pyllit,që gjene janë pasuri për njeriun. Ajo që të diturit e quajnë natyrë, por që është fryma krijuese e Zotit, i ka zët boshllëqet, atje ku s’vë dorë njeriu, kujdesohet tu japë jetë krijesave të saj. Po ta punosh, të mbjellësh e të korrësh, toka bëhet një mrekulli, burim, që të ushqen e të mban gjall. Këtë e di çdo bujk i mirë. Domosdo, duhet punë, edhe dituri se kocka nuk bien nga qielli e nga padituria s’del gjë e mirë.Allahu ka thënë:tundu të të tund!” Si më tha këto, ai rrëfeu me mallëngjim e zë të përmalluar, si t’i kishte para syve , për arat, ullishten dhe vreshtin që kishte në Galbaq të Çamërisë, që ishin fryt i punës së gjithë jetës së tij, si i punonte dhe seliste. E që tani mund të kishin mbetur shkret e pa zot.Për kullotat dhe stanin e deleve në mal.
Kur iku, e përcolla dhe u mendova për gjithë sa më tha. Ne kishim ato katër dynym tokë. Nasihatet e xhixho Avdulit i vura vath në vesh. Iu kthyem asaj pak toke që na kishin dhënë. Të gjithë në punë!
***
Tokën e lëroi kushëriri i parë i nënës, djali i teze Selimesë, Hyseni. Ju deshën dy dit. Sapo kthehesha nga shkolla, i shkoja pas. Shihja sesi plori hapte brazdat, toka ishte e zezë dhe e lyrshme, plisat paloseshin dhe thërrmoheshin, avullonin nën diell dhe ndjeja një aromë të veçantë, dehëse, frymëmarrje që e ka ugari kur lërohet.Prapa vinin dhe zogjtë që gjuanin krimbat e tokës. Pastaj Hyseni mbrehu lesën e hekurit me ca kunja dhe e branisi, dystoi dhe thërmoi plisat.Që lesa të rëndohej, ai më tha”Idriz, hajde ulu mbi lesë” u ula mbi të dhe grahja qetë!
Të dielën, që Damani dhe Sadiu e kishin pushim nga puna, tok me nënën, përgatitën postatet për mbjelljen e perimeve. Toka e lëruar kishte marrë faqe. Edhe unë ndihmoja sa mundesha, me një shat, thërmoja plisat dhe dystoja postatet.
Nëna, ndoshta e shtyrë nga nevoja, qëlloi të ishte një bujkeshë e paparë. Kopshti ishte krijesë e duarve të saj, i mbrujtur nga puna dhe djersa, por edhe nga dashuria, se tokën dhe bimët duhet t’i duash, se siç thoshte mësues Koçi, asgjë nuk bëhet pa dashuri. Kopshti ynë, kur bimësia u rrit, ishte si një qëndismë: Domatet kuqëlonin, specat jeshilonin, patllixhanat ndrinin me reflekse blu, lakrat po hidhnin shtat, kungujt dhe trangujt kishin çelur lulet e mëdhaja të verdha, pjeprat kundërmonin dhe shalqinjtë rriteshin përditë, patatet tuflore kishin çelur lule të bardha, nëna the se ishte shenjë që kokrrat nën dhe ishin rritur. Në një postat ishin mbjellë erzat,borziloku, kopra, majdanozi, mendërza, rrepkat e kuqe, që u japin shijen gatesave, se shija e gjellëve është pjesë e kënaqësisë së të ushqyerit. Nuk mungonin as lulet. Gjylua dhe Sanua mbollën lulekadife, bufkat e verdha, karafil stambolli, lule shëmitri që lulëzojnë në vjeshtë. Lulet zbukurojnë jetën! Pjesën tjetër e mbollëm me misër e fasule. Në rreshtat e drejtë, bimët kishin zënë vend si ushtarë të gjelbër, hidhnin shtat përditë, nxorën në krye xhufkat që të lëkundura nga flladi, derdhnin në ajër një pluhur të verdhë dhe lidhën kallinjtë, nga kreu i të cilëve vareshin teposht ca si flokë të artë, që nuk e di pse u thoshin mustaqe!
Shkoja në kopsht përditë dhe nisa të kuptoj gjuhën e fshehtë të bimëve, ngaqë i kisha parë e kujdesur që kur kishin mbirë nga fara, si fidane të vegjël e të brishtë. Se si rriteshin nga dita në ditë, si lulëzonin dhe lidhnin fruta . Kur shtrëngoi vapa e toka po rreshkej nga thatësira, bimët shfaqën shënja vyshkjeje. S’kishim ujë për tua shuar etjen. ”Durim miket e mia,jemi në dorë të resë, të presim e shpresojmë se shiu do të vijë” Si t’i kishte dëgjuar lutjet e mia shiu erdhi. Shi i qetë që zgjati disa orë, toka u nginj dhe dihati atë aromën e saj që çlirojnë plisat e lagur. Bimët hovën dhe, të lara nga pluhuri, u qeshi fytyura e gjelbër.
Gjylua me Sanon, shkonin përditë dhe mbushnin shportën plot me perime. Ishin aq të bollshme sa i jepnim edhe gjitonit tonë familjes së Avdul Bacit. Pastaj u erdhi radha pjeprave që u thoshin “qarrës” të verdhë dhe aromatik, të ëmbël mjaltë dhe shalqinjve të kuq flakë. Nëna thau në diell domatet e kriposura dhe vari për tu tharë vargjet me speca për në dimër. Shijuam misrat e njomë dhe patatet të pjekura në prush. Kënaqeshim se ishin frut i duarve tona. Në vjeshtë, nëna mbolli spinaq e pazi, qepujka për qepë të njoma, hudhra dhe bizele e bathe. Pjesa tjetër me hasëll për delet.
Në fund të gushtit mblodhëm fasulet dhe në shtator korrëm misrin, kallinjtë e lidhur me lëpushkat e tyre i varëm në tra për t’i zier në dimër, pjesën tjetër e shkoqëm për ta bluar.
Nuk u mjaftuam me kaqë. Në qershor, kur kishin filluar pushimet e shkollës, dhe kishte përfunduar korrja e grurit, bashkë me Gjylon, pasi u morëm lejë të zotërve të arave, shkonim përditë dhe mblidhnim kallzat që kishin mbetur në hamull pas heqjes së duajve. Thonë se ara pas korrjes, e mban për vete farën.Duronim piskun e vapës,dielli na binte mbi kokë, djersa na shkonte çurk, thereckat më shponin dhe përgjaknin kërcinjtë. Kallzat e grurit i lidhnim në dorza. I krehëm gjith hamullat pas korrjes dhe dorzat e kallzave i shkoqëm duke i rrahur me shkop. Nëna i hodhi në erë, veçoi kokrrat nga byku, i kaloi në shosh dhe pastaj Sadiu shkoi dhe i bloi. Me miellin nëna bëri trahana.Brumi i mbrujtur mbante erë të mirë. Nëna e hapi në çarçafë dhe e thau në diell. Bëri edhe bollgur.
Vërtet punuam dhe u lodhëm, por dimërit dhe urisë tashmë s’ja kishim më frikën. Delet na jepnin qumësht, pulat vezë dhe zogj, që rrall e për mall të hanim edhe ndonjë thelë mish! Damani dhe Sadiu sillnin në shtëpi rrogat, dhe blinim gjërat e domosdoshme. Na ishte ngjallur shprea se gjërat do të bëheshin më mirë.
Boll me varfëri e vuajtje!
***
Dreka e Bajramit. Diku nga larg vinte jehona e një daulleje.Në ajër ndjehej fryma e festës. Nëna dhe Gjylua kishin agjëruar, se muaji i ramazanit,është detyrym për çdo besimtar, thoshte nëna, ngaqë është muaji i shënjtë, kur allahu i kishte zbritur kuranin, librin e shënjtë të myslymanëve, hazretit Muhamet, që paqja e zotit qoftë mbi të! Dëgjoja dhe përfytyrimi im, humbiste në hapsirë, nga ku ishte shfaqur misteri, tek zbriste nga qielli fluturim kryeëngjëlli Xhibril në shpellën Hira, të ndriçuar nga hiri hyjnor dhe, i kumtonte profetit fjalët e Allahut. Kryeëngjëlli, kushedi sa i bukur duhet të ishte, më i bukuri i të gjithë ëngjëjve, sykaltër e flokëverdhë, i zgjedhuri i Zotit, i pajisur me krahë të bardhë pëllumbi që ngjitej dhe zbriste fluturim, sa hap e mbyll sytë, nga froni qiellor i zotit, në tokë. Më çudiste kjo mrekulli, por më bënte të ndjeja edhë një farë frike mistike, për ëngjëjt dhe xhindet, që thoshin se jetonin mes nesh, e që ishin aq të shumtë sa ne i çanim me krahë kur ecnim! Që na shihnin por për ne ishin të padukshëm, që mund të na bënin mirë por edhe keq ( kisha dëgjuar të thoshin për ndonjë vajzë të re apo djalë se e kishin kapur xhindet dhe ishte marrosur) për zërat-zanat e bukura që siç na përralliste Kakaja, jetonin pyjeve e krojeve dhe e çonin jetën me këngë e me valle.
Sa herë isha me nënën dhe takonim dikë tjetër, që ishte besimtar, këtë muaj të ramazanit, dëgjoja të shkëmbenin në vend të përshëndetjeve të zakonshme fjalët: Agjërim të lehtë dhe Zoti ta pranoftë. Nënën e ftuan për iftar te Avdul Baci dhe zonja kosovare Kimete. Më mirrte edhe mua me vete dhe pas lutjeve, me një “Bismilah” shijonim gatesa të zgjedhura.
Përditë, nëna shtronte një shilte, kthehej nga lindja dhe falte duke u lutur, atë që e quanin namaz. Vështrimi i përmallohej, fytyra i paqëtohej,dukej që shkëputej nga qënia dhe përhumbej në një botë tjetër, ashtu si e dëshironte të ishte, me paqe mirësi dhe dashuri. Dukej sikur një gëzim i madh, një gëzim qiellor, që s’kishte të bënte me hidhërimet dhe gëzimet e kësaj bote të mjerë e të vuajtur, erdhi dhe mbuloi pikëllimin e thellë që s’i ndahej as ditë as natë. Shihja buzët që lëviznin dhe dëgjoja mërmërimën e fjalëve që s’i kuptoja. Përulej, binte në gjunjë, prekte ballin përdhe, ngrihej dhe në fund të dy duart i kalonte në fytyrë si të hiqte nga vetja të keqen dhe thoshte: amin! E dija që lutej për ne , shpirtin e babait dhe të tjerëve të familjes, ikur nga jeta, që të preheshin në xhenet. Pyesja veten: ku shkonin vallë ato fjalë, ngjiteshin në qiell dhe i dëgjonte Zoti? Dhe nëse i dëgjonte, pse na linte të hiqnim dhe vuanim? E pyeta nënën.E vura re që u ndje ligsht. Më tha të mos hyja në gjynah, se Zoti është i kudogjendur, i sheh dhe i dëgjon të gjitha dhe ne duhet të besonim në mëshirën dhe dshurinë e Tij që, ishte e pafund, dhe t’i frikësohesha sa herë më shkonte mëndja në paudhësi. Vuajtjet dhe mundimet na i jep që të na vërë në provë për besimin tonë. Për atë që beson dhe lutet, gjërat do të bëheshin përditë e më mirë!
Kështu tha nëna.
U ngroh uji në një kazan dhe ne me radhë bëm banjë dhe u ndrruam me të pastra. Në bajram, secili duhet të jetë i pastër trup e shpirt! Pati edhe dhurata të vogla. Për mua një palë pantallona të shkurtëra, stof, i përhinjtë me ca vija blu që formonin katrorë të mëdhenj . Fluturova nga gëzimi. I vesha, më vinin pak të mëdhaja në bel, duhet të mbaheshin me rrip që unë se kisha, po s’prishte ndonjë punë. S’po më durohej sa të mi shihnin edhe të tjerët. Rrëmbeva shtambën dhe pa ma kërkuar kush, shkova te pusi për të mbushur ujë. Me një dorë, mbaja pantallonat se mos më binin, me tjetrën shtambën. Te pusi , si për inat, nuk kishte njeri. Prita një copë herë se mos vinte dikush, por më kot. Lëshova kovën që zbriti me potere duke u përplasur nëpër gurët, pastaj e ngjita me çikrik, uji që derdhej nga kova, zhurmonte kur binte mbi ujin tjetër. mbusha enën dhe freskova këmbët.(Mu kujtua ajo gjë e gjëza: zbret duke qeshur e ngjitet duke qarë. Ç’është? Kova) U ktheva qejfprishur e buzëvarur! Askush s’mi pa pantallonat e mija të reja!Jo që të shisja mend, por ta dinin që, sado të varfër, më ishte bërë një dhuratë.
U ulëm në sofër. Ishte e gjithë familja. Damani, vëllai i madh, kishte ardhur nga kantieri i bonifikimit të Hoxharës, ku e kishte punësuar kushëri Aliu si ndihmës të kuzhinierit. Kishte hyrë në të shtatëmbëdhjetat, i pashëm fytyrë rrumbullakët,të shëndetshme, bardhosh që, sapo i kishte dirsur pushi i mjekrës në faqe, flokët gështenjë të valëzuar me onde të krehura lart, me trup të ngjeshur por mesatar; Gjylua, motra e madhe, kishte nisur të zbukurohej, po hynte në moshën e vajzërisë.Kishte sy të bukur, vetulla të holla e të harkuara, fytyra e hequr, goja e vogël dhe buzët mishtore e të kuqe.Nën jelek i ishte hedhur gjoksi. I kishte dalë krah nënës, në punët e shtyëpisë, por, ç’e do, kishte mbetur analfabete! Nëna nuk e di pse , s’e dërgoi në shkollë. Kishte flokë të zez të pleksur në dy gërsheta të plota e të rënda, edhe ajo kaçurrele. Të gjithë ne i kishim flokët me onde, i ngjanim nënës. Sadiu, vinte i zeshkët, fytyra me lëkurë si të qelibartë, po kishte hedhur shtat dhe dukej se do të bëhej truplartë. Në atë kohë, kishte pak muaj që e kishin marrë në punë si ndihmës të elektriçistit në fabrikën e tullave, për të mësuar zanat. Dhe ulur bri nënës Sanua, e vogla,e bukura, gazmore dhe e qeshur, e përkëdhelura dhe kanakarja , e rrethuar me dashurinë e gjithë ne të tjerëve. Sapo i kishte mbushur gjashtë vjeçe. Nga të pesë, në shkollë shkuam ne dy të vegjëlit. Të mëdhenjtë hem punonin që të na rrisnin ne e të mos na lipsej buka e gojës, hem mësuan shkrim e këndim si mundën.
Kjo ishte familja ime. Shtylla e saj ishte nëna. E donim dhe drithëroheshim për njeri-tjetrin.
Sofra ishte mbushur plot, si për drekë bajrami: bukë e grynjtë, pulë me pilaf, qahi me djathë e gjalpë dhe sapunhallva(asude). Nëna bëri lutjen: Bismilahi (në emër të zotit), na tha për shumë mot gëzuar, e mot të na gjejë më mirë, na përqafoi e na puthi secilin dhe nisëm të shijonim drekën e bajramit. Kur përfunduam, nëna përsëri u lut: hamdulilah (Zoti të na japë gjithmonë të mira!)
Amin!
***
Pasditen e bajramit, nëna më mori përdore dhe më tha se do të shkonim për urim te zonja Kimete. Ata ishin kosovarë, ne nga Çamëria, të dy familje jabanxhinjsh. Shtëpia ishte pëdhese, por e madhe dhe me shumë dhoma.Na priti dhe na gostiti me nga një filxhan “tomël”(qumësht), se për kafe në ato vakte nuk bëhej fjalë. Për mua u gjend edhe një ngastër fli, që e hëngra gjithë shije. Të dyja biseduan gjatë. Qanin hallet. Nëna i drejtohej zonja Kimete, kurse ajo nënës: motër Ervehe. Zonja kimete ishte shtatlartë, e veshur me dimite, kokën mbuluar me lahuri të bardhë. Fytyrë e gjerë, hundë shqiponjë, pa rrudha, por të ngurtë e të ngrysur, me ca sy të mëdhenj, të rreptë e të pikëlluar. Më dukej e frikshme. Grua kapedane, më ngjante më shumë si burrë: e ashpër në sjellje dhe autoritare! Kishte hequr halle. Në fshat i quanin shbtëpi ballistësh dhe u rrinin larg. Burri dhe djali I madh ishin nacionalistë, që ahere u thoshin ballista. Burri arriti të arratisej në Itali, djalin e madh ja pushkatuan pa gjyq. Kishte katër djem të rritur dhe një vajzë me dy fëmijë edhe ajo me burrë të pushkatuar që jetonte me të. Zonja Kimete ishte vejushe me burrin gjall, Ahere unë s’kuptoja nga këto gjëra.
U ngritëm për të ikur.Ajo na përcolli deri te lesa që shërbente si portë. Kur ishim duke u ndarë u faneps mu si ta kishte pjellë dheu i plotfuqishmi, Nadiri, që unë e njihja. I veshur si gjysmë ushtarak dhe me një çantë të varur në sup që i zbriste gjer posht në bel e me kobure në brez. Në xhepin e jashtëm të çantës kishte një tufë me lapsa. Qëndroi pranë nesh i kapardisur, duke na shikuar mua dhe nënën sikur donte të thoshte: ”po ju çne, ç’kërkoni në këtë shtëpi?” pastaj:
- E moj zonja Kimete, ku i ke djemtë, se kam për tu thënë ca fjalë- tha me hakërrim e qëndrim prej mujshari- atyre klyshëve të tu.
-Djeltë e nanës i kam çue në shkollë- qe përgjigja.
-Dashke t’i bësh dhaskenj(unë se dija se ç’ishin dhaskenjtë)-harroje, kur të shohin veshin pa pasqyrë!
-Të bahen të ditun-tha ajo- se kur të kthehet me kambë përpjet komunizmi, të paditunit s’kanë me ju dasht kërkujt.
I plotfuqishmi, u tërbua:
-Mbylle gojën moj bushtër plakë, si guxon e thua të tilla fjalë!?
-Bushtër mbase asht jot amë, që ka pjellë ksi klysh qeni, unë jam luaneshë dhe kam lindur luanë!
Ah, kështu qenka puna, ke për të ma paguar dhe ke për t’a parë se ç’do t’u punoj.
-Pushka top bre - i tha zonja Kimete- ani, luanesha nuk tutet kah zagarët! Pjellë e keqe, hiqmu sysh!
I plotfuqishëm Nadiri, u largua si qen i rrahur, por në kupën e gëzimit të asaj dite kishte hedhur një pikë helm.
Që të kuptoja më mirë përsa ngjau, pyeta nënën. Ajo më ledhatoi flokët: rritu, pastaj do ti kuptosh të gjitha.
Nga ajo ditë, vet me vete, për mua zonja Kimete, ishte luanesha, nëna e luanëve!
Vazhdon,
Maj 2022.
Opmerkingen