Ramadan Sokoli: "16 shekuj", SHB “Eurorilindja” , Tiranë, 1995 dhe "Përtej XVI shekujve", ShB “Koha”, Tiranë, 2002
Nga Sinan GASHI
Prof. Ramadan Sokoli
Prof. Ramadan Sokoli u është përkushtuar studimeve me një mbështetje shkencore që shkon deri në finesa. A ka synim të përhershëm nxjerrjen në dritë të atyre fakteve që ende nuk janë njohur nga askush. Fundja, në çdo punim na "kallëzon" risi që nuk i kemi njohur dhe që na ndriçojnë diçka nga harresa e vlerave tona kombëtare nëpër shekuj.
Parafrazë
Veprat e shumta që shkruhen në gjuhën shqipe, nga studjues shqiptarë, nuk mund të mbahen mend dhe madje disa sosh as që dihet se kanë dalur në botën e tregut. Tashti, në këtë zallahi, veprat që janë të veçanta dhe që sjellin risi akceptohen dhe zgjojnë interesim, kurse numri i tjerave vetëm sa përfolet brenda pak ditësh a mujash.
Profesor Ramadan Sokoli sikur është cytur nga ky interesim dhe mu për këtë u nis me seriozitet si askush në ndriçimin e fytyrave të kulturës e artit tonë, në ato errësira kohërash, që nuk i dinte gati askush, të cilat i dha me një bindje të thellë pas një hulumtimi të gjatë dhe duke u bazuar në një literaturë shkencore burimore, që vulos të vërtetat e humbura. Jo rrallë, mu për këtë përkushtim, ai me të drejtë krahasohet me lapidarin e albanologjisë, prof. Eqrem Cabejn.
"16 shekuj" të filleve të frymimit tonë artistik
Vepra "16 shekuj" (1995), erdhi si një sihariq i rrallë në botimet e shkencës shqipe në tërë hapësirën shqiptare. Përse? Ngase na ishte hapur një hapësirë e re diturore për hershmëri shekujsh, ku takonim njerëz të mëdhenj, të rrallë edhe për tejkohët, që nuk i dinim se ishin nga tanët. Ata shpesh ishin përvetësuar nga tjerët, duke i bërë të përkatësisë së atij populli ku edhe kishin jetuar e vepruar, pa ua përmenduar përkatësinë ee tyre iliro apo shqiptare. Këto punime ishin shkruar pas një studimi të thelluar, duke hulumtuar me vite nëpër arkivat e huaja dhe duke mos lenë hapësirë për manipulim të fakteve dhe për dyshim a polemizim të konstatimeve dhe dëshmive të forta për këta personalitete.
Që në parathënie të kësaj vepre autori, në njëfarë forme, rrëfen skithi se çfarë e motivoi t'i futet një këso pune të mundimshme. Shprehet: "Siç dihet, çdo popull përbëhet nga individë të veçantë, por përfaqësohet denjësisht nëpërmjet bijve më të zgjedhur, të cilët janë, si të thuash, përfaqësuesit e prirjes, zgjuarësisë, ndjeshmërisë dhe aftësive krijuese të vetë kombit përkatës. Nëse popujt krenohen me të drejtë për bijt e tyre të lavdishëm, edhe shqiptarët me të drejtë kanë përse të krenohen."
Në këtë vazhdë, autori, "minator" i kulturës shqiptare, krenohet me personalitetet me të cilat mirret në mënyrë thellësisht studimore, si me Niketë Dardanin, Jan Kukezelin, më pastaj me Dragan Prizrenin, Kolë Durrësakun, Filip Pjetër Drishtin, Progon Burizanin, Xanet Augustin, Kristofor Ulqinin, Marin Balistarin, Stojan Shkodranin, të gjithë këta muziktarë, kompozitorë dhe instrumentistë të shquar të kohës. Vazhdohet më tutje me skulptorë dhe arkitektë arbër të Dalmacisë, si skulptori Radovani, arkitekti Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, Mjeshtër Donati, për të vazhduar me piktorë, skulptorë dhe dijetarë shqiptarë nëpër Italinë Verilindore, si: Marin Beçikemi, Leonik Tomeu, Maksim Artioti, Mikel Maruli, Françesk Albanezi, Gjon Albanezi, Zef Albani, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi. Nga arkitektet shqiptarë në Turqi e tehu, ai merr në shqyrtim studioz jetën e krijimtarinë e Sinan Atiq Agës, Mehmet Sedefqarit, Arkitekt Kasemit, Usta Mehmet Isasë dhe Vladimir Gjergj Kastriot -Skënderbeut. Në kapitullin e fundit, të nëntin, titulluar Edhe disa shqiponja larg folesë, ai radhitë personalitetet e Joan Çetirit. Karl Gegës, Harallamb Kristo Koçit, Ismail Toma G. Nashit, Krist Malokit, Murat Sheut, Aleksandër Moisut dhe Fan S. Nolit. Kjo është pra një shtrirje e gjerë dhe një "gërmim" i jashtëzakonshëm, për ta zbardhur madhështinë tonë gjeniale nëpër kaq shekuj. Ajo që e karakterizon këtë vepër të rrallë studimore, është dëshmimi me një mori veprash dhe dokumentesh arkivore, që mësohet nga bibliografia e pasur në fund të çdo kaptine, ku citon vepra e dokumente nga vende të ndryshme, si: Milano, Postdamm, Cambrige, Londër, Beograd, Agrigento, Paris, Firenze, Roma, Tiranë, Torino, Mynhen, Grottaferrata, Ljubljana, Prishtinë, Vjenë, Split, Istambul, Ankara, Berlin, e tjerë dhe po ashtu me vite të ndryshme të atyre publikimeve, si: 1905, 1913, 1918, 1923, 1938, 1920, 1929, 1961, 1976, 1982, 1951, 1964 e kështu me radhë.
Të gjitha këto njohuri të shumta dhe të sigurta, prof. Sokolin e kanë ndihmuar që kulturën e madhe të dëshmuar që heret të shkrimit studimor, sakt dhe rrjedhshëm ta hartojë këtë vepër që as s'e kishim dhe pasë, dhe sigurisht që nuk do të ishte pronë e studjuesve të ardhshëm shqiptarë. Diçka tjetër që e karakterizon veprën "16 shekuj" është edhe ilustrimi me dokumente të kohës, përkatësisht fotografi të portreteve, ku janë gjetur, apo gjithsesi të veprave të tyre madhore, piktura qofshin ato, apo vepra arkitekturale qofshin si mbetje.
Pra, fjala e tij, dokumenti burimor dhe ilustrimet me fotose të rralla, janë tri komponente për forcimin e bindjes sonë së ata ishin të mëdhenj, se ata kishin krijuar vepra të rralla dhe se ata ishin nga fara jonë kombëtare.
2. Hapërim "Përtej XVI shekujve"
Që me veprën e parë "16 shekuj" profesor Ramadan Sokoli kishte dëshmuar se është futur një rrugë të pashkelur të shkencës sonë, për të mos e harruar traditën tonë të pasur, të cilat dëshmojnë se ishim një vlerë e shumënatyrave artistike e historike, ndoshta ndër më të parat e botës së civilizuar, të cilat patjetër mbulohen me thënje të fakturës konkrete, si fotografi herake apo hieroglife figurante.
Si edhe më parë profesori i ndëruar sjell para syrit të sotëm shikimin e kthjellët për figurat e shquara shqiptare të letërsisë, arkitekturës, muzikës, folklorit e kulturës shqiptare në përgjithësi, shpërndarë gjithandej nëpër botë dhe shekuj.
Vizatimet parahistorike në Shqipëri, është punimi i parë, ku pas një studim - hulumtimi të kujdesshëm, shprehet këtu në forma të ndryshme, si katror, rrethe e shenja të ndryshme figurash, që kanë po ashtu domethënje e kuptime të tjera. Autori me një rast sqaroi: "Një nga arritjet e shënuara të arkeologjisë sonë gjatë këtyre 10 vjeçareve të fundit, është zbulimi i vizatimeve parahistorike në sipërfaqen e shkëmbit të Spilesë, pranë fashtit Tren, pastaj vizatimi shkëmbor në strehën e një zgavre malore që ndodhet në Lepenicë, rrethi i Vlorës, dhe së fundi, vizatimi i shkëmbit te Gjuri i Recit të Lurës, rrethi i Dibrës. " (14)
Autori më pastaj, ngeshem, analizon dhe përshkruan pamjen dhe nxjerr domethënien e atyre figurave, duke dhënë edhe gjenezën, moshën e tyre. Punimi përmbyllet me një listë literature shkencore burimore konsultative. Punim tjetër është ai për qytetin e lashtë të Beratit, me titullin Berati, perla etnokulturore e Shqipërisë, pastaj shkëlqimi dhe shkatërrimi i kulturës shqiptare në Voskopoje, si dhe pastaj përqendrohet rreth jetës e krijimtarisë së muziktarit Gjergj Papazimo. Punimi vijues Vlerat e çmueshmee të visarit kulturor - kombëtar të arbëreshëve të Italisë, që shpjegon shumëçka të kësaj natyre, për ta shtrirë interesimin te tema tjetër Tragjikja si tipar thelbësor i thesarit kulturor çam, me të thëna e fakte, pastaj ilustrime tekstesh nga këngët e vjetra çame, të cilat ruajnë një histori më vete. Te Alhamaidet shqiptare autoriu R. Sokoli mirret me fatin e rëndë të personaliteteve shqiptare, që u degëdisën nëpër vise të ndryshme, të cilat edhe lanë nam me pasurinë e diturisë dhe me mençurinë e lindur, si ta në Itali (Barleti, Beçikemi, Maruli, Buzuku, Gazulli, Tomeu, etj), dhe po ashtu të tjerët që jetuan në Perandorinë Osmane, si poeti Mesih Prishtina, poeti tjetër Muidi nga Tetova, poeti Jahja Bej Dukagjini, juristi korçar Koçi Beji, e një mori të tjerësh që lanë emër me krijimtarinë e quajtur e bejtexhinjëve. Një punim tepër sqarues është për Pjetër Budin nga Durrësi, që quhet "Pirati i shënjtëruar". Vazhdohet më pastaj me fytyrat markante të vëllëzërve Frashëri, Naimit e Samiut dhe veprat e tyre të shumta. Për arbëreshin Anselmo Lorekio në raport me revistën në zë "La Nazione Albaneze", shkruhet me një gjërësi faktografike. Po ashtu sqaron e shpjegon mjaft gjëra të paditura për humanistin e madh Arbërot Leonik Tomeu (1456 - 1531), i cili veç sa njihen zbetë nga ne. Shpesh e mernin si të huaj, nga mosnjohja. Po ashtu interesimi i studjuesit Sokoli është edhe për muzikologun e shquar të nivelit evropjan Lorenco Tardon si dhe përkushtimin për Shqipërinë të arbëreshit tjetër prof. Marko Ferrari Versaqe. Te ky i fundit, përmendet një fjalorth i tij, që në parathënie ai kishte botuar një vjershë të tijan, ndër të cilat thuhet:
O shqiptar mos harro
Gjuhën e mësuar nga buzët e nënës
Duaje gjithmonë, më fort se çdo gjuhë tjetër në botë
Se të kujton dashurinë e nënës…
Nga kjo strofë edhe mund tëe shihet përkushtimi dhe atdhedashuria e autorit. Pra, profesori i nderuar veç fjalorthit kishte shkruar edhe disa poszi të tjera kushtuar Shqipërisë, Gjergj Kastriotit, e disa ishin edhe intime, për vajtimet, ëndërrimet e tj.
Si një kurorë e kësaj vepre dhe asaj të parës, e cila vjen si vazhdimësi e një tërësie, është punimi përmbyllës që gjason me një pasthënje "Për një zhvillim të mëtejshëm gjuhësor në rrafshin e kulturës në Shqipëri". Fjalia e fundit është përmbyllëse e punimit, e të cilit është si konstatim bindës: "Si gjuhë e lëvruar, shqipja i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm për t'iu përgjigjur kërkesave të jetës së popullit tonë në përparim të parreshtur".(183)
Në përmbyllje: Cili është prof. Ramadan Isuf Sokoli?
Është një bir shkodrani, i lindur në mesin e qershorit të 1920 - tës. Talenti për muzikën i hepoi shumë heret, pra që në klasën e dytë të fillores. Për përfeksionim të muzikës, përkatësisht të flautit dhe kompozicionit, kreu Universitetin e Firencës (Itali). Nga ajo kohë iu përkushtua muzikës, studimeve dhe ligjerimit të muzikës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, duke mos u kënaqur vetëm me kaq. Asnjë pengesë nuk mundi ta ndalojë atë në përkushtimin për ndirçimin e mendjeve njerëzore, me ligjërime dhe me vepra të shkruara.
Profesorin nuk e theu as pesëvjetëshi i burgut në Shkodër e Kavajë, nga viti 1946 e tehu, por atë e ndoqen deri në ditët e vona hijet e natës. Ai të gjitha i sfidonte vetëm me punën prej titani, e cila, jo vetëm ia forconte shpirtin por edhe ia rriste famën, duke i tejkaluar edhe kufinjtë e shtetit të vet. Dijet e veta i shpreh para audoteriumeve shkencore - arsimore edhe në Itali, Zvicër, Gjermani, Sllovaki, Turqi, Greqi e Kosovë. E ajo vlershmëri e mendimit të tij e radhiti si personalitet të shquar në enciklopeditë e shumta të vendeve të ndryshme, kulmi i të cilave mund të citohet ajo e personaliteteve të shek. XX në enciklopedinë e hartuar në Cambrige të Anglisë. Ai më 1995 u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila gjë iu mohua më 1999. Veprat që e krijuan portretin serioz të studjuesit Ramadan Isuf Sokoli, janë: "16 shekuj", "Figura e Skënderbeut në muzikë", "Les Danses Popularies et les Instrument Muzicaux dy Peuple Albanias", "Folklori muzikor shqiptar - Morfologjia", "Folklori muzikor shqiptar - Organografia", "Figura të ndritura (Jan Kukuzeli dhe Andrea Aleksi)", "Vegla muzikore të popullit shqiptar", "Vallet dhe muzika e të parëve tanë", "Gojëdhëna e përralla të botë shqiptare", "Antifonari i durrësakut Gjergj Danush Lapacaja", "Gjurmime folklorike", "Metodë për fyell" etj. Janë edhe shtatë vepra të tjera dorëshkrim që oresin ditën e komunikimit me lexuesin e tyre.
Nga ditae parë e publikimit, më 16 prill 1944 në të përkohshmen "Bashkimi i Kombit" e deri tashti më se 400 punime të natyrë shkencore i ka të publikuara. Ende e mban shëndeti sa për të dhënë vlera shkrimore dhe këshilla shkencore të studjuesve të shumtë që e vizitojnë në shtëpinë e tij përdhes në Tiranë. Ky është shembulli ndoshta unikat në kulturën shqiptare se si mund të përballohen të gjitha të këqijat që sjell një pushtet antivlerë ndaj një studjuesi të madh. Vlerat e njëmendëta tejkalojnë terrin e mendjeve njerëzore e ideologjike për të komunikuar me shekujt, me të ardhmen.
Në farfëri por me fame të përjetshme e mbylli jetën në Tiranë, më 2008
Comments