Dy shokë të pashkëputur – Historia ime me Sherif Kullafin
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 22
- 2 min read

Shkruan Çaush Kullafi
Jeta më ka dhuruar shumë kujtime të bukura, por ndër më të çmuarat janë ato me shokun tim të pandarë, Sherif Kullafin. Jo vetëm shokë, por edhe kushërinj, jemi rritur dorë për dore, si dy filiza që u ushqyen nga i njëjti rrënjëz gjaku e dashurie.
Që nga klasa e parë kemi ndarë çdo ëndërr fëminore. Zëri ynë kumbonte në oborrin e shkollës dhe nëpër udhët e fëmijërisë. Dëfrimi ynë më i madh ishte zalli – aty ku laheshim, kapnim peshq me duar dhe ndjenim lirinë që vetëm fëmijëria di ta dhurojë. Si çdo fëmijë, ziheshim ndonjëherë, por pajtoheshim shpejt, zemra na rrihte me ritmin e një shoqërie të pastër.

Lagjja jonë, Uljafi, kishte terrenin e saj të vështirë, por ne e njihnim çdo qoshe. Kemi shkelur bashkë çdo vend: Rrazëllashi, Bungerja, përroi i Selenicës, Rrahi, Bojra… ishin territoret tona të aventurës. Në çdo hap, një kujtim, një ndjesi që sot e mbart si pasuri shpirtërore.
Më kujtohet dita kur ra tërmeti, unë dhe Sherifi po luanim te hendeku, mbi shtëpitë tona. Ajo ditë është si një fotografi e stampuar thellë në kujtesën time.
Sot, Sherifi ka ndërtuar një familje të bekuar. Bashkëshortja e tij, Emrija, është një grua model – e mençur, kreative dhe shumë familjare. Së fundmi botoi librin "Vajza Qarrishtare", një dëshmi e shpirtit të saj krijues.
Sherifi, megjithëse është nënshtetas portugez, e mban Shqipërinë në zemër. Ai dhe Emrija kanë rritur katër fëmijë model, fryt i dashurisë dhe edukatës së tyre të palëkundur.
Ermira, vajza e madhe, është punëtore dhe vizionare. Ajo spikat për qartësi në komunikim, për iniciativë dhe vendosmëri për të realizuar gjëra të bukura.
Behari, djali i madh, është fisnik në shpirt dhe i dashur në sjellje. Bashkë me bashkëshorten e tij, Artjolën, kanë krijuar një familje të mrekullueshme. Vajzat e tyre, Ohana dhe Inaya, janë dy lule çapkëne që i zbukurojnë ditët e gjyshërve.
Blerina, vajza tjetër, është e ëmbël dhe plot inteligjencë. Jeton e lumtur në familjen e saj të re, me një komunikim të shkëlqyer dhe marrëdhënie të dashura me të gjithë.
Besniku, më i vogli, është djalë çapkën dhe i zgjuar. Shquhet për humorin, shoqërinë dhe gatishmërinë për të ndihmuar në çdo moment. Edhe pse ende singëll, jemi të sigurt që zemra e tij do ta gjejë së shpejti binjaken shpirtërore.
Familja e Sherifit dhe Emrijes jeton me dashuri, harmoni dhe respekt për njëri-tjetrin. Ata gëzojnë nderim nga kushdo që i njeh, sepse janë njerëz të mirë e zemërgjerë.
Unë jam me të vërtetë krenar që kam një shok si Sherifi. Ai është një pjesë e pandashme e kujtimeve të mia, një vëlla i shpirtit, një udhëtar i përbashkët në rrugët e jetës.
Comments