top of page

Dy psikologji, që shprehnin dy mentalitete të kundërta


Drita Siliqi: (lindur Shundi; Tiranë, 2 mars 1933 - 2013)

Dy psikologji, që shprehnin dy mentalitete të kundërta

Fatmir Terziu


Ne jemi ende. Jemi, sikurse e dimë dhe ndoshta nuk e dimë, ende në një poezi të viteve '50, të shkruar nga poeti Vangjush Ziko. Jemi në vargun e tij. Jemi në një fenomen të (f)ikur, që u quajt asokohe „fenomen i ri“. Një fenomen që kërkonte „të përgjithësonte një realitet të ri të fshatit shqiptar“ por që sillte në paralelen me njerëzit e rinj dhe me dashurinë për fshatin „dy psikologji, që shprehnin dy mentalitete të kundërta, pak vargje që pasqyronin atë transformim të madh që ndodhte në jetën e fshatit tonë“. Dhe fill pas kësaj do të ishte dhe komedia „Zonja nga qyteti“ që në skenën e teatrit „Andon Zako Çajupi“ të Korçës të dhjetorit të vitit 1975, ajo që do të shtonte më shumë në këtë dualitet psikologjik.

Ajo që do ta gjente dualitetin psikologjik të asaj kohe, natyrisht me këndvështrimin e kohës, ishte Drita Siliqi. Drita Siliqi (lindur Shundi; Tiranë, 2 mars 1933 - 2013) ka qenë monografiste dhe përkthyese shqiptare. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist.

Shumë pjesëtarë të familjes së saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa ishte student në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si pedagoge dhe arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”. Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat, Darinën dhe Laurën.

Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ua dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi, si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur” dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci. Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj. Vdiq në vitin 2013.


Drita Siliqi, mosha rinore

E nëse në vitin 1975, në nëntorin e atij viti, Drita Siliqi, kërkonte të shpjegonte „realitetin e ri“ me Ollgën e komedisë „Zonja nga qyteti“ të Ruzhdi Pulahës, ajo sillte në skenë atë që lexuesi i thjeshtë e kishte të vështirë të kuptonte thelbin e „një bote të mbyllur në mikrobotën e qëndismave dhe kortinkave“. Kjo botë ndoshta nuk kapej dhe nuk kuptohej edhe nga vetë stafi i mjaft-kujdesshëm i revistës së përmuajshme artistike, shoqërore dhe politike „Nëntori“, por në thelb na ka dhënë një mundësi për të kuptuar atë po ndodhte, kishte ndodhur dhe një arsye më shumë për të ndjerë thelbin e dy psikologjive, që shprehnin dy mentalitete të kundërta“.

Pos kësaj ne ndjejmë vërtet diskursin e këtyre dy psikologjive nga vetë rrjedha e jetës së saj, nga vetë aktualiteti i asaj kohe dhe nga momenti në të cilin shkruajmë. Ne jemi ende në një lexim të tillë të kahershëm, në një dhomë, në një ndërtesë subkoshiente të tranzicionit pafund, në qytetin e mbushur me njerëz në ikje e ardhje subkoshiente, në vendin me mijëra ndryshime të kapshme e të pakapshme, vendi ndan logjikën me një armik të kudogjëndshëm, që struket ende në këtë subkoshiencë. Dhe kjo subkoshiencë ka ende thelbin e dy psikologjive, që shprehnin dy mentalitete të kundërta“, si dy rivalitete që barten rrotull e rrotull nga rrotullimi i pafund i Tokës. Toka i bindet vijës magnetike të zotit, duke djegur të padukshmet që nga koha e panumërt e orës. Dielli është gjithashtu i verbër ndaj parëndësisë së tij, duke injoruar miliarda yje të tjerë, ai nuk mund të shohë. E pamatshmja duket, zmadhuese! Të gjitha ato pjesë të vogla të vogla në një nga krahët e e vargut të poetit të ndjeshëm e tejet të lexueshëm, Profesorit vangjush Ziko.

Disa vite dritë larg atje janë: dy mentalitete dhe dy fragmente. E pamatshmja duket e madhe! Të gjithë ata janë një pjesë kaq e vogël e kozmosit që po zbehet në kuptime gjithnjë me tone „të reja, të ndryshueshme, të… të rimbetura!“ dhe ne shkojmë më tutje të kuptojmë vetveten duke i thënë:

Ja ku qenke

lundrues nga një distancë

ndjeni tokën bosh

pi nga burimi i ekzistencës


Ende i verbër ndaj parëndësisë?

Jeni ende të bindur për drejtësinë e besimeve të imponuara?

Akoma duke i gjykuar defektet e të tjerëve sipas mendjes sonë pretenduese dhe të kotë?

Ende duke i hequr të ndryshmet, duke mbrojtur mykun?

Ende po përforconi antagonizmin dhe shenjat iluzore?

Ende shihni vetëm dy anë?

E mbani ende krenarinë?


Ende

në udhë


A jam unë? A jeni ju?

Le ta provojmë përsëri… nëse duhet ta rifillojmë filimin e një kuptimi që në thelb të jetë kuptim i lirë. I lirë! Jashtë dhe brenda terminologjisë: dy psikologji, që shprehnin dy mentalitete të kundërta. Ne jemi ende. Jemi, sikurse e dimë dhe ndoshta nuk e dimë...

52 views4 comments

4 Comments


emitre1
Dec 17, 2021

...dy psikologji, dy mentalitete, te jetosh midis dy boteve ne nje jete qe rridhte midis egzistences dhe mos-egzistences.... por ashtu si thote Carl G. Jung, "Une jam , ai qe zgjedh te behem"... Drita Siliqi, ndonese rridhte nga klasa e permbysur e asaj kohe, ku lufta e klasave ishte e ashper, arriti me mencuri, thjeshtesi, dinjitet,talent dhe pune te ndiqte thirrjen e saj te brendeshme per krijimtari artistike, te shfaqte lirine e shpirtit te saj, duke na dhuruar e lene trashegim vepra dinjitoze. Vetem shpirti nuk mund te prangoset; e rendesishme eshte ta zgjojme ate...p"pi nga burimi i egzistences... burimi i shpirtit....Faleminderit qe e sollet prane lexuesit permes kesaj esseje.

Like

Ildije Xhemali

Figura grash të tilla, si zonja Drita Siliqi , sado të mundoheshin t'i mbanin në hije janë erëra të forta që shoqërinë e çojnë përpara. Faleminderit "Fjala e lirë" e z. Fatmir Terziu !

Like

Vangjush Ziko

Përgëzime, kolegu Fatmir, për vëmendjen dhe vlerësimin tuaj për këtë figurë të shquar të intelektuales dhe studjueses, Drita Siliqi, si një zonjë e emancipuar dhe e kulturuar, që ka lënë një emër të nderuar dhe një kontribut të veçantë me krijmtarinë e saj të vyer si një nënë dhe bashkëshorte fisnike, si pedagoge, studjuese dhe përkthyese e përkushtuar.

Like

Darina Siliqi: I nderuar professor deshiroj tju shpreh admirimin tim per menyren e holle te trajtimit te fenomenit per Te cilin flisni ne artikullin ”Dy psikologji, dy mentalitete Te kunderta ”gjithashtu dhe tju falenderoj per shkrimin ndaj nenes time. Ju uroj me te mirat në kete fund viti Darina Siliqi

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page