DY KOHË
Sa bukur dasmorët presin ardhjen e krushqve...
Albert HABAZAJ
Në Youtube pashë një dasmë të sotme
M'u bë zemra mal nga atmosfera,
M'u kujtua dasma ime jo aq e moçme
Ç'mrekulli kujtimesh të ëmbla e të tjera...
Dasma e sotme me kënaqësi bashkëkohore
Pritja e krushqve, si s'ka më mirë,
Ceremoniali i këndshëm me protokolle
Ëmbëlsirë në fjalë, në sy ëmbëlsirë...
Edhe ne jemi martuar e dasmë të madhe
Kemi bërë me gjithë nderet e lezetet
Sipas traditës, me këngë e valle
Një festë, nga ato që në kujtesë mbeten.
Të bukur, gazmore, me të ngrënë, me të pirë
Gëzim vëllazëror, për burra gaz e kuvend,
7 net tundej vendi gjer në të gdhirë
Dhe fotografi kemi bërë... sa s'mbahet mend.
Në fakt, gjithë fshati një fotograf kishte
Që përdorte një aparat për emulacion,
Pas punës, kërkesa për dasma e hidhte
Nga një fshat tjetër në fshatin tonë...
Eh, ç'dasmë kemi bërë, ç'dasmë!
Nuk e them dot, por mend e mbaj,
Ç'bateri në shpirt e ç'energji që patëm
Jehona mori luginën skaj më skaj...
Të vetmit fotograf, që thirrëm në dasmë
Fotografitë iu dogjën a s'kish' bërë fotografim,
Ndoshta s'kishte faj, po ne ç'kusur patëm
Që nga Dasma princore s'kemi asnjë kujtim ...
Comments