top of page

Dy Hamzatë e Vlorës


Dy Hamzatë e Vlorës

Nga Laureta Petoshati

Dikur Skënderbeu u tradhëtua nga nipi i tij, Hamza Kastrioti, i cili u zemërua se nuk do t’ia zinte dot më vendin ungjit të tij në krye të Arbërisë dhe tradhëtoi atë duke kaluar në anën e sulltanit turk dhe duke luftuar kundër ungjit të vet, Skënderbeut më 1457. Duke iu dhënë të gjitha të dhënat armikut nga Hamzai, forcat skënderbejane pësuan humbje të mëdha, por Skënderbeu e mori veten nga zhgënjimi dhe tronditja dhe u hakmor kundër Hamzait në betejën e Albulenës, ku e zuri rob dhe e burgosi në Napoli, por e fali disa vite më vonë dhe e lejoi të shkojë të jetojë me gruan e tij dhe fëmijët në Stamboll.

Tradhëtitë dhe gënjeshtrat e nipërve ndaj ungjëve dhe dajove, janë të shpeshta, por këto të dy Hamzave të Vlorës janë të paskrupullta.

Nipi i madh, pasi mendoi ti merrte gjithçka Vlorës, në fund vendosi që ti merrte dhe Festën e Flamurit. Por, atje në ansamblin e përçudnuar të Sheshit të Flamurit, gjendet një varr, gjendet një shenjtërore. Të gjithë do të vijnë aty, do të përulen para atij që na la një shtet, një shtëpi të vogël për tu mbledhur në sofrën tonë, me dhimbjen e madhe të vëllezërve të mbetur jashtë saj. Harroi zotëria se krishtlindjet dhe pashkët festohen në të gjithë botën, por shenjtërinë e kanë në Bethlehem. E pra Vlora është Bethlehemi i krijimit të shtetit shqiptar.

Ka një shprehje në Vlorë: “Ka ardhur Hamzai në Vlorë, bobo, kushedi se kujt objekti ia ka vënë syrin.”



Sheshit të Flamurit ka 15 vjet që ia ka vënë syrin. Kryetari i Bashkisë së Vlorës së atëherëshme, Shpëtim Gjika, në vitin 2008 doli pothuajse me të njëjtin fjalim në Sheshin e Flamurit, me të cilin kishte dalë më 2007 pasi Naltshallvarja i kishte dhënë urdhër të mos mbante fjalim. Shpëtim Gjika, bëri ç’bëri, nuk duroi të poshtërohej dhe mbajti fjalim. Në vitin 2012 dhe Sali Berisha tentoi që ta zhvendoste festën në Tiranë, por pati reagim, kryesisht nga kryebashkiaku Gjika. Kryetari i ri, Ermal Dredha, duke mos dashur që të ketë përballje si kishte kryetari i kaluar Dritan Leli me kryeministrin, u gjend midis dy zjarreve: midis popullit dhe kryeministrit. Ky i fundit hiqej si i bukuri shejtan se gjoja nuk dinte gjë se çfarë bënte një kryetar i Bashkisë më të madhe në vend. Por vlonjatët e dinë mirë kush janë ata. Hamzai i madh i gënjeu vlonjatët me zë dhe figurë dhe sheshin donte ta përvetësonte si stacion autobuzësh. Tani vjen vërdallë me atë hotel si ajo poezia humoristike te revista “Hosteni”: “Prish e ndreq o dervish se pa punë nuk mund të rrish!”



Problemi i dy Hamzave, i vëllezërve të Aleks Sorosit mbetet Kosova. Duke zhvendosur festimet nga Vlora në Tiranë, hiqet lidhja historike, Kosova pjesë e Shqipërisë dhe e shtetit shqiptar, hiqet lidhja shpirtërore dhe festa kthehet në shfaqje komerciale. Ju kujtohet kur deklaroi në maj të vitit 2015 për varrosjen e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë dhe jo në Mitrovicë: “Data e përcaktuar për të kryer gjithë ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë është data 10 qershor. Rrugëtimi do të kryhet nëpërmjet gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë, deri kur gjithë ceremonia të përmbyllet në Sheshin Pavarësia dhe Isa Boletini të prehet pranë vëllait, mikut dhe bashkëluftëtarit të tij, Ismail Qemalit.”

Sepse pa varrin e Isa Boletinit nuk ishte dhe aq e shenjtë Mitrovica. Sepse ata duke i hequr shenjtërinë, e kanë të lehtë ti heqin pasurinë.

Por Kosova ka njerëz aq të mencur dhe aq patriotë sa tundimeve dhe deklaratave në dukje patriotike, por me qëllim të mëvonshëm djallëzor, u bëri ballë duke marrë vendimin historik për varrosjen e eshtrave të tij në Mitrovicë dhe duke e kthyer atë në vend pelegrinazhi.

Ajo që ishte e çuditëshme sivjet në Vlorë, se kaloi pa u ndier, sikur nuk kishte ekzistuar fare ishte dita e fitores së Luftës së Vlorës 1920, që ishte më 3 shtator. Natyrisht Hamzai i madh nuk donte të prishte muajin e mjaltit me Melonin, të cilës i kishte premtuar marrëveshjen e fshehtë si ato të para Luftës së Parë Botërore kundër kombit shqiptar. Por tymi i doli që nuk ishte harresë, por e qëllimshme. Na del dhe bamirës i madh e na akuzon dhe për racistë, pale! E di ai atë shprehjen: “Kur s’ka në shtëpi, harram në xhami!”apo atë se çfarë thotë Shën Pali në letrat e tij : “Nëse dikush nuk kujdeset për të vetët dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.” Hamzai i madh luan me inteligjencën e vlonjatëve, por ata jo se janë budallenj, por mendojnë se nipi i tyre nuk do tu bëjë keq. Faji para vlonjatëve i ngeli kryetarit të ri të Bashkisë së Vlorës, zotit Dredha. Edhe për zhvendosjen e festimeve atë fajësojnë, por e vërteta është krejt ndryshe. Mëngjesin e datës 28 nëntor me urdhër partie gjeneral gramafoni, apo më mirë gjeneral defi i kishte shpënë të punësuarit sahalëpirës në Tiranë se atje do të bëheshin festimet. Frika nga vlonjatët e mbante sheshin gjysmë bosh, dhe të rrethuar me policë nën kafazin e madh që ka ndërtuar në Shesh të Flamurit. Atje ishin të gjithë klerikët që prisnin se do të mbahej ndonjë fjalim. Po nuk kishte podium. Festëprishësi, apo më mirë gjeneral defi, ua kishte prishur festën vlonjatëve, por pikërisht në atë vigjilje feste Mother Jones, ia kishte prishur festën atij duke i kujtuar kafazin që e pret. Por edhe ardhja e Albin Kurtit, që është jo vetëm drejtues, por dhe GPS i la të shushatur.

Por buzëqeshja iu ngri dhe Hamzait të vogël, kur ambasada amerikane e bëri urimin, jo nga Vlora, as nga Tirana, por nga Korça, ku u hap shkolla e vashave, nga dy gra të jashtëzakonshme, që vepruan pa frikë as nga dhuna e Sulltanit dhe e mentalitetit të kohës. Mesazhi ishte i qartë.

Por ato që heshtën dhe nuk e kundërshtuan këtë karshillëk që iu bë Vlorës dhe Ismail bej Vlorës ishin mediat e shitura të Tiranës, të cilat janë dhjamosur aq shumë sa nuk e kuptojnë dot ndryshimin midis shpirtërores dhe materiales. Festa në Tiranë ishte një kiç i shëmtuar i ditës së shqiptarëve në New York, të cilët janë larg atdheut të tyre, një shpërfytyrim në ecje i festivalit të Gjirokastrës dhe një kiç i Festës së Falënderimeve në Amerikë. Festën nuk ia merrni dot Vlorës dhe madhështinë nuk ia ulni dot atij burri largpamës, humanist dhe gjithëpërfshirës. Doni festë të madhe se keni lekë? Festën bëjeni, por nuk e bëni dot se nuk keni shpirt, dashuri, këmbëngulje. Kombit tonë i duhet edhe një festë tjetër dhe atë mund ta çojmë edhe në parlament, pa përplasur as Vlorën dhe as Tiranën, as jugun dhe as veriun dhe në përputhje me infrastrukturën e shesheve tona. Një festë kombëtare mund të jetë data gjashtë maj, dita kur ka lindur Gjergj Kastriot Skënderbeu, mund të quhet Dita e Skënderbeut, por për këtë nuk mendoj se dëshiron bashkia e Tiranës. Për dy arsye:

1. Ai shesh tani është kthyer në vendin ku falen myslimanët duke ia lidhur sytë me shami Skënderbeut, nga të cilët mbushet thesi me vota.

2. Në maj apo qershor ajo bashki organizon Paradën e Krenarisë së Dylberëve, pra është e zënë.

Ne vlonjatët do të ngelemi të kënaqur se Skënderbeun e kemi dhëndrin tonë. Hamza i vogël, po të japim një këshillë nga Vlora: nuk shkojnë bashkë shitësi i fiqve, me aristokratin e lindur, nacionalizmi i shtirur me dylberizmin, paraja me shpirtin. E di ti Hamza i vogël dhe ti Hamza i madh se djemtë e Vlorës në Amerikë, sidomos ata që janë ushtarakë, vitin tjetër në Vlorë do të sjellin bandat e ushtrisë Amerikane, sepse të parët e tyre u kanë shërbyer këtyre aletëve dhe vetë janë sakrifikuar nga një regjim i urryer, të cilin ju ende e mbani në shpirt? Po për vajzat e Vlorës keni dëgjuar: Laura Mersinin dhe Mira Muratin? Dukeni analfabetë para tyre. Por sivjet u lanë zbuluar dhe dolët haptazi siç jeni. Turpi u mbuloftë. Para jush Juda më duket më patriot dhe më i ndershëm pavarësisht se ju i keni marrë puthjen, sidomos ndaj pensionistëve dhe ndaj vlonjatëve që ju mbajnë për nipër, por ju të dy jeni dy Hamza tradhëtarë dhe asgjë më tepër.

121 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page