Mihal GJERGJI
Im Atë më mbante afër. Dhembshurinë s’e shprehte me fjalë, por me sjelljen e tij prindërore. Kishte hije të rëndë. I pëlqenin vallet dhe këndonte bukur. Shpesh herë e shikoja të menduar. Ditët e vështira duken të gjata, shumë të gjata. Fliste rrallë. Fjalët e tij qendrojnë ende në gojën time. E shikoja me admirim dhe dashuri. Ishte heroi im. Askënd s’kam lejuar të ndërhyjë te heronjtë e mi. Ata lartësohen brenda meje dhe më shoqërojnë në çdo hap të jetës.
-Kam mbetur vetëm, më thoshte, m’i preu krahët lufta. Ndalonte te fotografia e dy vëllezërve të tij, varur në murin e dhomës. Të dy dëshmorë të atdheut, Tafili dhe Samiu. Ndjehej i pikëlluar. Ideali kombëtar i martirëve që derdhën gjakun u tradhtua. Ata që rrëmbyen fitoren i dogjën gëzimet tona tok me ëndrrat për një jetë më të mirë. Ndaj i shikonte vëllezërit dhe përlotej. Dashuria nuk flet me fjalë. Ato humbje të rënda kishin lënë gjurmë të thella, jo vetëm në shpirt, por dhe në dukje, kryesisht te balli. Ishin rritur bashkë, vëllezër e motra, në kohë varfërie, po me shumë dashuri për njëri-tjetrin.
Punonte shumë. Ata që kanë provuar urinë dinë t’a sjellin bollëkun. Vjeshtën e florinjtë e shikoja tek duart e tij të argasura. Babai i tyre, Skëndo Gjergji, kishte emigruar në Amerikë në vitet 1916-1918. Kur u kthye ndërtoi përsëri shtëpinë dy katshe. Kurveleshin e kishte djegur greku në vitin 1914.
Në atë kohë të vështirë, nuk di sa shtrenjtë e paguante fëmija një vend në sofrën e bukës. Nuk di sa shtrenjtë e ka paguar Im Atë lindjen time. Rojtarët e mi ishin meraku i nënës dhe përkujdesja e babait. Mbase priste shumë nga unë. Shpresonte të bëhesha diell gëzimi, mirëpo shtigjet ku shkelja bëheshin humnera, çuditërisht. Me këtë brengë në zemër e përcolla në udhën pa kthim në shkurtin e vitit 1995.
Në çdo 5 Maj ndjej detyrimin shpirtëror për të vajtur në varrezat e dëshmorëve. Kujtoj me nderim xhaxhallarët e mi, edhe në emër të babait.
تعليقات