top of page

Dy a tri shprehje-kyç Tabletë)


Kopi Kyçyku Dy a tri shprehje-kyç Tabletë)


Dua ta them që në krye se nuk kam ndërmend të kërkoj autorësinë e dy a tri sintagmave se, fundja, “lënda e parë”, pra fjalët, me të cilat i kam ngjizur të lartpërmendurat, janë pronë e të gjithëve, dhe, si të tilla, mund të përdoren lirisht nga kushdo. Por po iu referohem vetëm ngaqë kanë pasur rrjedhoja pozitive. Po bëhem më konkret. Vite më parë, në bisedë me një lider partiako-qeverisës, me të cilin ndaja të njëjtën ideologji, i thashë: “Jam i majtë, se edhe zemra në të majtë ndodhet”. Filloi ta përdorë këtë stilemë me gojë e me shkrim dhe, - më pëlqen të besoj, - i solli mbarësi, i shërbeu për të korrur fitore në zgjedhjet vendore dhe parlamentare. Vetëm pak kohë para se të fillonte fushata që parapriu zgjedhjet e 21 qershorit 2013, në dy artikuj që botova në “Tirana Observer”, duke vlerësuar pozitivisht stilin me të cilin komunikon kryeministri, përmenda sintagmat “stili i duhur”, “drejtim i duhur”, të cilat u rimorën dhe zunë vend në mijëra postera, fjalime dhe emisione radiotelevizive, në gazeta e revista. Hallall! Gëzimi im nuk lidhet aq me jehonën e epitetit “i duhur-i” se sa me faktin që, - rastësisht ose jo, - doli tamam i duhur, ndolli suksesin. Që të mos e teproj me “ndihmesën” e sintagmave të mia, do të kaloj në shpjegimin, - siç e kuptoj unë, - e shkaqeve të vërteta që e bënë fitues koalicionin e majtë. Kandidatët e aleancës së majtë, të prirë nga krerët e tyre, në takime të gjera e të ngushta, në fshat e në qytet, me njerëz të të gjitha kategorive sociale e niveleve, përdorën pikërisht stilin “e duhur” në komunikimin me zgjedhësit, një regjistër ligjërimor elegant, “njomur” në “lëngun” e shijshëm të arritjeve - “gojtare” të besueshme. Nuk u vu në punë arsenali i britmave mbi pentagram dhe as kundërvënia me gjuhë të ashpër e të drunjtë ndaj konkurruesve të palës tjetër. Në vazhdën e këtij qëndrimi dinjitoz, ndonjë kandidat i majtë që i humbi zgjedhjet, në vend të hidhej në sulm, e përgëzoi kundërshtarin për fitoren dhe shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim, për mbarëvajtjen e punëve në trevën përkatëse. Nga sapo u tha, del përfundimi se, edhe ne, shqiptarët, kur kemi vullnet të priremi nga e mira, jo vetëm mund t’i zgjidhim problemet duke u çapitur në “drejtimin e duhur”, por edhe të bëhemi shembull për t’u ndjekur nga bota, e cila, me ose pa shkaqe dhe argumente të mjaftueshme, e ka bërë zakon, - ndonjëherë edhe mezi pret!, - të na “marrë erzin”. Për këtë, mjerisht, shpesh herë, e kemi fajin vetë. Populli thotë: “Plaçkat e palara lahen në shtëpi”. Ne, për habinë e gjithkujt, e presim gishtin dhe dalim duke bërtitur në fshat! Shajmë vetveten. Për hir të interesave të ngushta të kolltukut, harrojmë se, po të mos duam veten, si mund të shpresojmë të na dojë i huaji?! Mënyra dhe format si shprehen ca politikanë të shtyjnë të mendosh se nuk bëhet fjalë për ballafaqim idesh në demokraci, por për luftë kundër armikut! Më e hidhura është se prapa pemëve të veçuara nuk (duam të) shohim pyllin. Ky është mbartësi i pikësynimeve të larta mbarëkombëtare, që duhet të lerë në hije vogëlsirat vetjako-partiake dhe që duhet të na bashkojë “si një trup i vetëm”. Shembujt e një qëndrimi të tillë nuk i kanë munguar popullit tonë gjatë historisë. Le të përmendim më të freskëtin. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, parrulla emocionuese që i grishte shqiptarët për t’u hedhur në luftë “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, kundër pushtuesve të huaj, duke lënë për t’i zgjidhur paskëtaj mosmarrëveshjet e brendshme, dëshmoi largpamje, dinjitet, vendosmëri, tolerancë, atdhedashuri. Dhe suksesi i shumëpritur u arrit. Mirëkuptimi mbarëpopullor i atëhershëm mund të përsëritet edhe sot, aq më tepër kur kushtet janë shumë më të mira dhe niveli ynë kulturor, arsimor dhe ideopolitik është më i lartë.

4 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page