DUKE LEXUAR POETËT E SHTETEVE BALTIKE
Nuhi Vinca
(Në nderim të ushtarakëve Zarife Hasanaj
dhe Klodian Tanushit, që humbën jetën në Letoni)
Estonët (estonezët), letonët dhe lituanët janë tre popuj të veçantë. Atdheu i estonëve është Estonia, i letonëve Letonia dhe i lituanëve- Lituania. Të parët flasin estonishten, një gjuhë e familjes ugrofine; të dytët flasin letonishten, të tretët lituanishten, tri gjuhë këto indoevropiane të familjes ugrofine.
Estonia, që gjendet në veri të Baltikut me 45.100 km2. Ka rreth 1.395.000 banorë sipas regjistrimit të vitit 1972 me 75% estonë e të tjerët janë rusë (20%), ukranasë e finlandezë. Kryeqyteti i Estonisë është Talin.
Deri në vitin 1918 mbi Estoninë kanë kaluar robërues të ndryshëm që nga parahistoria. Në këtë vit ajo fiton pavarësinë, ndërsa në vitin 1940 e kapërdin kuçedra bolshevike, duke e pagëzuar BRSS.
Po kështu ngjet edhe me Letoninë, e cila ka 63.770 km2, ndërsa 2.419.000 banorë, sipas regjistrimit të vitit 1972. Struktura e popullsisë është 62% letonë, ndërsa të tjerët rusë, bellorusë dhe polakë. Kryeqytet është Riga.
Lituania ndërkaq ka 65.200 km2 dhe 3.219.000 banorë (regjistrimi i 1972). Përbërja e popullsisë: 80% lituanezë, të tjerët rusë, bellorusë, polakë etj.
Të dhënat apo faktet, jo vetëm historike, por nga të gjitha fushat e dijes, dëshmojnë se këta tre popuj baltikë janë autoktonë në vazhdimësi shekujsh që para erës sonë, njësoj si shqiptarët që janë autoktonë në trojet e tyre etnike me mijëra vjet para sllavëve serbë, malazezë, maqedonë etj.
Të tre këta popuj përjetuan dhunën e politikës bolshevike, derisa fituan pavarësinë e plotë, që mjerisht u përgjak nga tanket e Gorbaçovit.
Lufta politike e tyre dhe fitorja e pavarësisë zgjoi interesimin e gjithë diplomacisë botërore, njësoj si Kosova e cila pos luftës politike, bëri edhe luftë të armatosur kundër okupatorit serb.
Po pse i shqipëruam për lexuesit shqiptarë pikërisht poetët e shteteve baltike – Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë?
Pikërisht pse në zemrat e shqiptarëve qenë dhe janë të pranishme idealet e këtyre popujve, sepse po ato kërkesa janë gjatë historisë edhe të tyre. Prandaj fitoren e referendumit (të vitit 1991) në Lituani s’ka se si të mos e përjetojë si të vetin edhe populli shqiptar, aq larg gjeografikisht dhe aq afër shpirtërisht.
Arsye e dytë është edhe e vërteta se pikërisht me anë të fjalës poetike më së miri afrohen njeriu me njeriun. Kështu poezitë e Vincas Kudirkës për atdheun lituanez, “Tokën e trimave”, që e fton të zgjohet e të bashkohet, s’ka se si të mos e përjetojë si poezi të shkruar dhe të drejtuar edhe popullit shqiptar, prandaj edhe përjetohet si poezi e shkruar edhe për ne.
Kështu ndodh edhe me temat e tjera që transponohen në këto poezi. Lexuesi ynë do t’i përjetojë si tema të vetat e si poezi të tij. Kështu poezitë për mërgimin, për burgosjet, për muret e ndarjes, për atdheun, për dashurinë, për jetën, për vdekjen etj., janë tema që zgjojnë asociacione sugjestive të kohës sonë dhe të realizuara për mrekulli. Ato flasin për kohën tonë, për kërkesat që janë edhe tonat. Të tilla duhet konsideruar poezitë “Muret” të A. Sang, në “Mërgim” të Marie Under, pastaj poezitë e Janis Rainis “Nëpër qenien tënd rrjedh jeta”, të Julius Janonius “Mos qaj mbi varr” etj., që me imazhet e mesazhet e tyre poetike të kujtojnë skenat e përgjakshme të jetës kosovare, sidomos të viteve të fundit. Duke i lexuar këto poezi në gjuhën tonë, le të solidarizohemi me luftën dhe idealet e këtyre tre popujve baltikë për pavarësinë e plotë, pavarësinë që i bën të sigurt këta popuj që të mos jenë të detyruar të hapin ombrellat në Villnus, Rigë e Talin sa herë që mvrenjtet qielli në Moskë, duke u ruajtur e mbrojtur nga shiu bolshevik, siç thuhet në një rast.
תגובות