top of page

Duke ju rikthyer mitit të gjuhës


Alfred Papuçiu


Alfred Papuçiu

Gjuha shqipe dhe raportet e saj me gjuhët e tjera në kohë dhe hapësirë

Miku im i mirë, erudit dhe njohës i historisë shqipe, Gjergji, më dërgonte para dy ditësh, nga Nju Xhersi i Amerikës, pasi kishte lexuar shkrimin tim botuar tek « Koha Jonë » mbi « Arbanasit » në brigjet e Dalmacisë, një mesazh në e-mailin tim : « Gaius PLinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s), natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.s. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar « Naturalis Historia ». Në vëllimin VII, ai shkruan : « Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët ».

Rrëmimet e reja

Të them të drejtën, kjo sentencë e një njeriu të madh si Plini Plaku dhe leximi në të njëjtën kohë në shtypin europian e një shkrimi për gjuhët indo-europiane, më shtyu të shkruaj edhe njëherë, sa m’a lejon vendi këtu, për gjuhën tonë shqipe. Natyrisht, në formimin tim, megjithëse kam rreth 40 vjet që merrem me gjuhën shqipe, nuk pretendoj se dij gjithçka për të. Cdo ditë mësoj diçka të re që pasurohet edhe nga botimi i fjalorëve të domosdoshëm dy gjuhësh . As nuk pretendoj të vihem njësh me ta si dhe me gjuhëtarët tanë, profesorët e shquar Eqerem Cabej, Mahir Domi (ish fqinji ynë i urtë dhe erudit), Shaban Demiraj e shumë të tjerë. As me albanologët që sa vjen e shtohen dhe dëshmojnë për lashtësinë e gjuhës shqipe. Nuk dua t’i kundërvihem as një studimi të diskutueshëm që i shkojnë për hosh metodat e bilogjëve të evolucionit, sipas të cilëve gjuha nënë e 144 gjuhëve indo-europiane flitej në Atatoli (tërësia e Turqisë aziatike), para 8 mijë vitesh. Kam respekt të veçantë për popullin dhe kombin turk që ka pritur në gjirin e tij dhjetra mijra shqiptarë, sidomos pas barbarisë serbe, ashtu siç kam respekt edhe për të gjithë kombet fqinjë të Shqipërisë që kanë pritur në tokën e tyre qysh në kohën e Skënderbeut e më vonë, shqiptarë, « arbërshë », « arvanitas », « arbanasë » që u larguan nga toka amtare e lashtë për një jetë më të mirë si rezultat i pushtimeve të huaja.

Hapësira e pafund e gjuhëve

Teoria sipas së cilës shumica e gjuhëve të Europës dhe të nën-kontinentit indian ridhnin nga një gjuhë mëmë, u hodh së pari nga Sër Uiliam Xhons, funksionar britanik, i cili konstatoi në 1786 ngjashmëri midis gjuhëve të tilla si greqishtja, sanskrishtja dhe gjuhët selte. Megjithatë, nëse dihet se ilirët kanë krijuar të parin alfabet, nuk dihet se ku u fol kjo « gjuhë mëmë », gjë që është akoma objekt i debateve të ashpra midis ekspertëve linguistë me zë në botë. Një sutim i ri pohon se rrënja e përbashkët e 144 gjuhëve të quajtura indoeuropiane, që përfshijnë anglishten dhe të gjitha gjuhët gjermanike, sllave dhe latine (përfshirë dhe shqipen), është efektivisht shumë e vjetër. Në revistën « Nejçër » (Nature), biologu i specializuar për evolucionin, Russell Gray dhe Quentin Atkinson, i Universitetit të Oklandit, në Zelandën e Re, bashkojnë metoda të llogaritjes të përdorura në biologjinë e evolucionit dhe një teknikë tashmë të njohur për caktimin e datave të daljes së gjuhëve : « glotokronologjinë ». Sipas rezultateve të tyre, « proto-indo-evropiania » (PIE), flitej para 8 mijë vitesh, tek popujt bujq të neolitikut në Anatoli. « Kjo është shumë e bukur për të qënë e vërtetë », pohon Margalit Finkelberg, specialist i gjuhëve të vjetra të Universitetit të Tel Avivit, që gjithmonë ka mbrojtur atë që quhet « hipoteza anatoliane ». Por gjuhëtarët të tjerë priren nga një teori tjetër që i mëshon kulturës « kurgane » ( nga emri i sukave të tyre në varre ; ky civilizim i quajtur i Serednij-Stog e ka zanafillën tek zbutja e kuajve, në jug të Rusisë, para 6 mijë vitesh. Specialisti i Universitetit të Karolinës në SHBA, Kreg Melsher thekson : « nuk mund t’i pranoj këto rezultate ». Dhe shton  se këto deduksione « pohojnë edhe njëherë mungesën e sigurisë të çdo modeli glotokronologjik, megjithë përmirësimet që duan t’i bëjnë atij ». Ky model bazohet në përqindjen e fjalëve të ngjashëm, që kanë rrënjë të përbashkëta për të përcaktuar se kur ka filluar diferencimi i gjuhëve…Gjuhëtari Don Rinzh i Universitetit të Pensilvanisë, nënvizon se studimi i biologëve të evolucionit bazohet mbit ë dhënat e Isidor Dienit që ripërshkruan ndryshimet gramatikore apo të konstruktit të fjalëve. Ai shton : « këto janë të dhënat më pak të sigurta për të ndërtuar një pemë gjuhësore ».

Debati vazhdon në këtë drejtim.

Por një gjë është e qartë dhe e padiskutueshme. Gjuha shqipe është një nga 9 gjuhët indoeuropiane më të vjetra dhe që nuk e ka prejardhjen nga ndonjë gjuhë tjetër, por ka mbetur e paprekur, megjithëse Shqipëria ka qënë e pushtuar nga shumë të huaj gjatë shekujsh. Nuk bëj ndonjë zbulim kur theksoj se emri « shqip » është gjetur në shënime qysh në kohën e Ptolemeut. Që shqipja është një gjuhë e veçantë dhe e lashtë indo-europiane kjo është dëshmuar nga gjuhëtari gjerman Frans Bopp në 1854. Më pas edhe gjuhëtari tjetër gjerman Gustav Majer në 1880 dhe 1890 e pohon një gjë të ngjashme, me bashkëatdhetarin e tij. Më tej në këtë rrugë ecën dhe gjuhëtarë të tjerë si danezi Holger Petersen dhe austriaku Noerbert Jokl. Dihet botërisht se gjuhët më të vjetra, si « dacian », ose Daco-Mysian, dhe Ilirishtja janë cilësuar si gjuhët më të vjetra. Arvanitasi Aristidh Kola në librin e tij për popullin Pellazg që është paraardhës i ilirëve thekson se « gjuha arvanitase është gjuha e perëndive », është pikërisht ajo gjuhë që përmend Homeri dhe si të tillë ai nënkuptonte gjuhën shumë të vjetër pellazgjike…

Qëllimi i madh ose gjuha jonë e ruajtur

Mund të vazhdonim me dëshmi të tjera të historisë së gjuhësisë që dëshmojnë për lashtësinë e gjuhës sonë amtare. Vetëm se unë desha të theksoj atë që kanë dashur dhe duan gjuhëtarët dhe bashkëatdhetarët tanë kudo që ndodhen, në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Amerikë e gjetiu. Ta mbajmë të pastër dhe ta kultivojmë gjuhën tonë të lashtë tek brezat tanë të ardhshëm. Atë gjuhë që flitet prej shekujsh nga arbëreshët, nga arbanasit, nga arvanitët, dhe nga gjithë shqiptarët. Ta ruajmë atë nga fjalët e huaja siç janë përpjekur të bëjnë Rilindasit tanë. Nuk mund të harroj letrën e fundit të përkthyesit të përkryer të gjuhës sonë dhe asaj frënge, Vedat Kokonës, i cili duke më dhënë me autograf librin e tij « Thërrime me mjaltë » më shprehte keqardhjen se një pjesë e shqiptarëve nuk i japin rëndësi gjuhës shqipe dhe përdorin huazime të huaja. Nuk duhet të harrojmë se arvanitasit, arbëreshët, arbanasit, etj., megjithëse janë larguar prej sheujsh e vitesh nga toka mëmë e ruajnë si të shenjtë gjuhën shqipe. Problemi i gjuhës sonë amtare, si edhe ai i përkatësisë si shqiptar, sidomos për diasporën është një problem aktual. Falë dashamirësisë së autoriteteve të vendeve ku janë vendosur bashkëkombasit tanë, mësohet edhe gjuha shqipe, krahas asaj franceze, angleze, gjermane, spanjolle etj. Në Zvicër, ku unë jetoj, falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane, fëmijët shqiptarë mund të ndjekin disa herë në javë përveç shkollës në gjuhën frënge, gjermane, apo italiane edhe gjuhën shqipe. Ata gjejnë libra shqip në Bibliotekën e pasur Ndërkulturore të Kryqit të Kuq të Gjenevës, krahas librave të gjuhëve të qytetarëve të tjerë të rreth 180 vendeve që banojnë e punojnë aty dhe në organizatat ndërkombëtare. Në bibliotekat e ciklit të ulët dhe të mesëm të Departamentit të Arsimit, si dhe të Universitetit të Gjenevës, shqiptarët gjejnë botime të shumllojshme në shqip. Organizimi i përvitshëm i Panairit të Librit në Palekspo të Gjenevës, në prill-maj, shërben për pasurimin e këtyre bibliotekave. Krahas pjesëmarrjes në të të shtëpive botuese si « Toena », « Dituria », « Cabej » etj., ato dërgojnë rregullisht libra sipas kërkesave që bëjnë bashkëatdhetarët tanë. Të jesh shqiptar dhe të flasësh gjuhën tënde apo ta lexosh atë kudo që të jesh në Amerikë, Zvicër, Argjentinë, Kanada, Angli, Greqi, Australi, Itali, Francë, Gjermani, Kosovë, Maqedoni e gjetiu, është një respekt për atë popull e gjuhë të lashtë, duke menduar se një ditë, brezat e ardhëshëm do të kthehen në tokën amtare. Kjo do të arrihet kur edhe vende të tjerë, si Zvicra, me një demokraci shembullore dhe një mjedis të përshtatshëm si Zvicra, të respektojnë gjuhën, prejardhjen dhe kulturën e banorëve të huaj, përfshirë dhe ata shqiptarë. Prandaj edhe shqiptarët kanë respekt për popullin e kulturuar zviceran dhe vendin e tyre që paraardhësit tanë e kanë zbukuar para shumë shekujsh. . Zvicra është bërë për mijra shqiptarë nga Kosova e viset, nga Maqedonia, Shqipëria, si atdhé i dytë, i nderuar, i dashur dhe shumë i respektuar. Një numër i madh studentësh dhe pasuniversitarësh vazhdojnë studimet në Zvicër. Gjithashtu, nxënës dhe familjet e tyre jetojnë e mësojnë në tokën helvete. Ata gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, duke përfshirë edhe dyshtetësinë, falë mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane, por krahas kultivimit të gjuhës së tyre amtare, duhet që të bëhen ndesh me ata që nuk respektojnë ligjet dhe mikpritjen zvicerane, që bëhen pré e rrugës së lehtë të fitimit të të hollave dhe që futen në rrugën e mbrapshtë të drogës dhe kriminalitetit. Ata përbëjnë pakicën, por në asnjë çast nuk duhen lejuar të njollosin emrin e mirë dhe respektin që gëzojnë shumica e shqiptarëve që japin një kontribut modest në zhvillimin e Zvicrës.

Gjenevë, më 19 janar 2004

Marrë nga libri « Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara », dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht ,« Toena »


17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page