top of page

Duhet gërmuar ngadalë e ngadalë...


Duhet gërmuar ngadalë e ngadalë... si një ledhatim femre në shtrat...

Eh, ku lë Timo Mërkuri..., ‘biseda’ në mes!


Nga Fatmir Terziu


E para hyri ajo. Pas saj hynë të tjerët… Një kasap, një kandarxhi, një muhalebibërës, një syrtyk, një kapgjel, një qylafbërës, një drynar, një teveqel dhe nuk di pas ilaçebërësit kush hyri më. Ishte natë. Dhe nata ka edhe të mirat e të këqijat e saj.

“...natë si ajo natë,”- aman more miq, shtoi ai burri i shestuar me dyshemenë, të cilit dukej se edhe gjuha i qe shkurtuar nga rakia.

“E pastaj...” – pyeti plaku që dridhte mustaqet e gjata qejfdil në krye të musabasë. Teklifi një çast me buzët mbi qelqin e trashë të gotës, pastaj iu drejtua asaj: “Gjullurdi të madhe keni bërë..., eh bre..., ku i kishin mendtë... “

“Jo, po dushmani vinte nga Shpati i Vogël dhe ... ne thamë ta mashtrojmë. Nxorrëm zë se Lumi dhe Gryka e tij ishte mbushur me lesh. Lesh të trashë e të butë nga qielli. Dhuratë nga Zoti.... Retë kishin bashkuar majat dhe grykëlumi s’dukej fare.”

“E pastaj...?!”

“Pastaj kaq u desh. Devolli u bë i kuq. Rridhte e skuqte deri poshtë në Sulovë... Në fillim u hodh ...”

“Kush u hodh...?”

“Gjytrymi! E kush tjerët më shpejt se ai mund të hidhej. Ai pra, ai u hodh... e pas tij krejt tufa...”

“Cila tufë ...?!”

“Tufa me askera...”

“Aha! Qenkan hedhur në lesh...Lesh u bëfshin... Tokni gotat o sulovarë. Tokni. Opingat iu bëfshin shtretër e ...”

Kjo mesele u ritregua në Qafë të Xingarrës në Marsin e vitit 1997-të. U tregua në një kasolle jo shumë larg strehës së shtëpisë që therri dhinë e vetme për Komandantin..., jo aq shumë larg Galigatit, jo aq shumë larg Gjolit ku një kohë të tjera të mjegullta ..., kohë me gjullurdi, thonë odave dhe konakëve në formë shtjelle fjalësh që pasojnë fjalët, se mbolli makarona. Mbolli i shkreti se as makaronat nuk i blinte në atë kohë dhe me këtë vendim kujtoi se do të shpëtonte edhe të tjerët nga fukarrallëku.

“Do të mbillet makarona. Ajo do të prodhojë lastarë të gjatë. Unë do ti krasisë. Dhe me to do të ushqejë... Madje do të ndihmojë edhe...“

Ishte kohë triskash. Kohë racioni, por kohëqëmtimi diçka pikëtakon. Kulturën e komunikimit. Kulturën e gjërave. Gjërave që na lënë edhe ‘bisedat’ në mes më Timo Mërkurin, disa vite më parë, atje mes çakërrimave pa zë e nën zë të Jonit. Por bisedat na u prenë disa herë nga të qeshurat që ndiheshin sa në njërën anë, sa andej matanë. Të qeshura! Për të mirë na u prefshin bisedat!

Por, makarona që mbolli sulovari, edhe pse nuk ishte “kripa që mbolli Thomai” as edhe vetë “Thomai që mbolli kripë”, edhe pse u tret në ujë e u bë brumë mes llucës së fundgjolit, nuk ndryshoi gjë, veçse hapi një kapitull tjetër që do të rilexohej ashtu mes prushit ende të lënë në mangadhin e Xingarës, sikurse do të sillej tek “Thomai që mbolli kripë”, atje mes valëve të Jonit, me një burim piluriot, të sprovuar mjeshtërisht, ose më mirë ashtu siç di vetë Timo Mërkuri, ta shtrojë paqëm në katruven e tij ku mbushet vetëm ujë i pastër burimi të patjetërsueshëm letrar.

Një burim të cilin ashtu siç pikas Odise Kote, Timo Mërkuri e zbulon ‘atje “lart”, në qiellin e kërkimit të përhershëm, atje ku rrinë zotat e stërthinjura të ilirishtes”, atje pra dhe vetëm atje ku “është historia, elokuenca, teatri, poetika, romani, dashuria, urrejtja, lindja, vdekja, filozofia, të gjitha fushat ku afirmohet aktiviteti intelektual i popujve”.

Dhe gjersa është atje ‘lart’ në kohën kur meseleja e treguar ristrukturohej shpotitazi në Xingarrë të Gramshit, Gramshi quhej ‘Qyteti pa det”, (se donte të imitonte Vlorën e trazirave të marsit 1997) e ndërsa ai zinte hapësirën e tromaksur të shtëpisë nga krismat e armëve me maska lart në Qafën e saj, një plakë me të zeza thuhej se ishte e vetmja që vinte enkas në raste të tilla. Gjëma duhej transmetuar. Duhej kthyer ashtu si duhet..., në art komunikimi. Në gjuhë tjetër. Gjuhë të përcjedhjes me nder! Dhe në këtë përcjedhje, gjurmimi më shpurri gjetkë. Atje tek orrigjina e tij.

Aty ku mjeshtëria e Timos na gjen “Defteri-n e katërt” të na shpjegojë se “Vajtoret qenë reshtuar si ushtritë në shesh beteja.” Pra ishin ato, ishte ajo në atë rast që vinte dhe gjendej, si e specializuara ‘në shkollë profesionale’ të kryente dertin, adetin e duhur... ‘Shkolla’ që kishte atë lidhje ndoshta me po aq rëndësi zanatesh, sa edhe ato të kandarxhinjve, muhalebibërësve, syrtykëve, kapgjelave, qylafbërësve, .... e ndoshta edhe të farmakbërësve.

E ndërsa duheshin gjithë këta ‘ustallarë’, e gjersa duhej e gjithë kjo muhalebi jete, natyrshëm duhej edhe arti komunikimit, si me të gjallët, ashtu edhe me të vdekurit, si me lindjen ashtu edhe vdekjen. Dhe këtë mjeshtëri e gjejmë jo pak herë tek pena e Timos. Poezitë e tij e veçantë tek vëllimet poetike „Bulevardi i dhimbjes’’ (2001); „Loti i detit’’ (2003); „Klithma e pulëbardhës’’ (2004); „Anatomia e lotit“ (2008) apo edhe vetë vëllimi i tij në dy gjuhë ‘’Poezi’’ me poezi shqip-greqisht (2008) nuk kanë si ta lënë ‘bisedën në mes’... Ato e kanë nisur, edhe kur Timoja vetë ka menduar se është lënë diku, por e kanë plotësuar dhe e shtojnë përditë plotësimin vepra të tilla si „Madhëria e saj –kënga isopolifonike“- sprovë 2007; „Shenjtëria e isos“ sprovë 2008; „Gjerdani i këputur“ përmbledhje me këngë,vvaje e bejte pilurjote 2005; ‘’Te lisat në Shënkoll’’ përmbledhje me këngë, vaje e bejte pilurjote 2005 dhe ‘’Iso…more djema’’ përmbledhje me këngë, vaje e bejte pilurjote 2005”.

Thomai që mbolli kripë” nuk është thjesht një vepër. Në thelb ajo është një mungesë e gjatë në letrat shqipe. Them kështu pasi ajo sqaron në thelb atë mungesë të cilën e ndjejmë edhe kur hulumtojmë studimet e atyre anëve dhe për ato anë në vite. Nis me “Plutarku, Pani, Pelodi dhe Piluri” thjesht si një ‘sprovë’ por hyn aq thellë sa edhe ‘notarët’ më të talentuar nuk do të guxonin të hynin e të gjenin perlat e një kulture që meriton këndin e saj të artë. Lexojeni “Thomai që mbolli kripë” dhe do të më besoni. Ka gjuhën për të shkoqitur gjuhët, ka stilin për të rrëmuar stilesh, ka fjalinë për të vënë kryefjalën dhe kallëzuesin në sintaksën më të goditur, ka vetë artin e komuikimit, artin e ‘gërmimit’ aq të munguar, sa për të thënë qetë e mirë, ndoshta shtu siç vetë Timo shprehet: “duhet gërmuar ngadalë e ngadalë... si një ledhatim femre në shtrat...”. Pra ky gërmim i lehtë i Mërkurit në skutat e thella të kulturës së lashtë iliriane, na sjell fatin që bisedat e lëna në mes të jenë për mirë gjithmonë në ndërprerjen e tyre dhe të lançojnë vazhdimin larg si shenja trupore, por aq afër, sa vetë fatet e fjlëve në to kumbojnë njësoj si aty afër galçimeve me zë e pa zë të Jonit Poetik... E arta e komunikimit me prurjet e fundit të këtij studiuesi dhe hulumtuesi, poeti dhe shkrimtari mjeshtër, vërteton se autori i tyre, Timo Mërkuri, nuk lë ‘biseda’ në mes, as projekte në një udhë të oaudhë, por i bën të gjitha një isopolifoni që ndjehet kudo dhe për këdo sot dhe mot!


36 views0 comments

Комментарии


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page