“Dritëhijet e medaljes enigmë…” një roman me vlera unikale
Vranari na sjell shansin e përzgjedhjes së vlerave mes mesazhit dhe fabulës duke konkuruar ndjeshëm në hapësirën krijuese botërore
Dr Fatmir Terziu
Patriarkaliteti gjithmonë përpiqet të gjejë forma dhe metoda të ndryshme për të pikturuar gratë me tre qëndrime diversive dhe të debatueshme. Tre qëndrimet që vetëm diktohen me ‘grua të devotshme’, ‘grua për burrë’dhe ‘grua model’ janë vetëm pjesë e një ajsbergu me të cilin ushqehet dhe është ushqyer politika. Këto në fakt, janë qëndrimet e fshehura që bazohen tek ‘shijet’ që diktohen nga epshe mashkullore, epshe që vijnë e diktohen pas dëshirash të sëmura që shpesh riskohen pas të qënit një “femër me aromë” apo ‘perëndeshë e perëndeshës’. Thjesht objekte frymore, vetëshpallëse për syrin e mashkullit. Kjo në disa raste edhe për syrin bashkëshortor. Pra, edhe kur ky është bashkëshortii saj (?!) Në këtë patriarkalitet shpesh gjejmë një "vetquajtje më pak njerëzore, pra një njeri që në fatin diversiv të tij, vjen si një modulitet i pakapshëm, më saktë si një ‘Perëndeshë’, duke harruar këtë femër se duhet të jetë ajo me atë që së pari lidhet me kuptimin e mirëfilltë ‘një nënë të përkushtuar’, dhe një femër tipike, pra një njeri, thjesht me sensin: njeri të pastër. Këto ide që shkrimtarja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) tenton t’i fusë në kalibrin e saj dialektik me romanin e ri “Dritëhijet e medaljes enigmë…”janë aspekte filozofike me të cilat ajo tenton të zbulojë botën e ndrydhur femërore në lidhje me mjaft situata të zhdërvjellta, por gjithmonë nga këndi i vëzhgimit mashkullor. Duke vënë personazhin e saj, Edlirën, në rolin e paramenduar bukur, Vranari sfumon atë varg që lidhet me aspektet që sipas mendimit tim, janë mjete të politikës seksuale që patriarkaliteti i sëmurë i një sistemi të kalbur është përpjekur t’i vendosë në siparin e tij politik e më pas me to të luajë si një modul intrigues apo si një mostër-politikë të shpallur për gratë e të gjitha moshave. Ky lloj patriarkaliteti gjithmonë tenton t’u bëjë kurth grave, me një ‘ideal’ të sëmurë, duke mohuar individualitetin e tyre. Në të gjitha këto tri qëndrime, grave thjesht u mohohet sublimiteti jetik, që është qëllimi origjinal i lirisë së tyre. Këto tre qëndrime e kanë kthyer gruan, pra atë grua që trajton shkrimtarja Vranari, thjesht në objekt. Në rastin e parë, objekti është vetë kjo grua, në rastin e dytë është ndjenja e saj për të dashur dhe në rastin e tretë, është ajo që lidhet nga shtypja e nevojave fizike dhe psikologjike të saj si qënie njerëzore. Jo më kot e gjithë kjo strukturë e plotë filozofike vjen tek pjesa e parë e romanit nën titullin kuptimplotë “Shkëlqim i rremë”. Në këtë shkëlqim të rremë, është stili i veçantë i Vranarit që paraqet melosin e gjuhës së bukur, simbolikën e qartë dhe të goditur, atë simbolikë që vjen mes një semantike të përsosur, ku çdo fjalë plotëson një kuptim shtesë, ku çdo grupfjalësh ka një mesazh më vete. Aroma është një kompleks përshkrues. Aroma është një dukuri që vjen dhe prek ndjenjat. Senset diktohen dhe drejtohen nga spektri i njohur për lexuesin, por aroma si një fjalë me shumë kuptime nuk vjen thjesht për të treguar togfjalëshat ‘aromë e shampos’, ‘aromë pranvere’, aromë manushaqeje’, apo ‘aromë mahnitëse’, ajo vjen si një ritëm në tërë aspektin metafizik, për të ndikuar në sensibilitetin tonë të ndjenjave, për të shtuar kurreshtjen për botën që konvergon dhe dirigjon ndjesinë tonë. Është aroma, kjo fjalë që të bën të ndjehesh e nuhasësh tërë atë përshkrim model, por është kjo fjalë që vjen me tërë forcën e saj për të diktuar një aspekt që ndriçon më shumë se duhet në atë hapje për të ndjekur me kërshëri ngjarjen: “Hyra në banjë. Afshi i ngrohtë i ujit m’u përplas në fytyrë. Gjithë ëndje nuhatja aromën e shampos, kremit të flokëve, apo të trupit që përdorte ime shoqe. Një aromë mahnitëse, të cilën ajo e ka për zemër, aromë manushaqeje, që edhe gjatë dimrit, të sjell ndërmend hapat e para të pranverës.“Sa kënaqësi! Aromë pranvere! Aromë dehëse! Aromë gruaje…Aromë dashurie. Gjithçka që më dhuron çasti, i bën shqisat e mia të ndjeshme. Madje, kënaqësia e beftë e atij mëngjesi, sikur më ftonte drejt mëkatit. Kjo aromë ndjell tek unë ndjenja sensualiteti. Çudi e madhe me ne meshkujt! Mjafton një aromë dehëse dhe kërkojmë ta shijojmë çastin me të gjitha shqisat,”- mendoja ndërsa prekja mjekrrën. Dola nga banja. Aroma e kafesë më gudulisi hundën. Isha ende me rrobdeshambër, kur nxitova drejt kuzhinës. Zhurma e kafetjerës që vinte deri aty, më tërhoqi si magnet. Kur hyra, ime shoqe ishte duke hedhur kafenë nëpër filxhanë. Bashkë me aromën e kafesë që avullonte në tavolinë, u përzie dhe aroma e mirë e pas rrojes ose më mirë me freskinë që dhurohet pas një tualeti të kujdesshëm. E dija që Edlirës i pëlqenin shumë këto, ndaj iu ...”
Në tërë këtë shkëlqim të remë filozofia e qëlluar e Vranarit lidhet me atë aspekt tejet jetik që prek përditshmërinë. Vetë në këtë aspekt ajo thekson “Nganjëherë njeriut i duhet të harrojë gjithçka; lodhjen, ngjashmërinë mes ditëve, edhe që jemi të rritur apo me përgjegjësi të shumta, sepse rutina është e lodhshme. Herë pas here çiftet duhet të dalin nga vetja, të harrojnë vitet, hallet dhe të shndërrohen në moshën e pakthyeshme të fëmijërisë. Është e domosdoshme të bëhet diçka e tillë, pasi shpesh herë jeta kthehet në monotoni. Madje nganjëherë sikur kemi nevojë të harrojmë edhe veten, për të qënë tjetërkush në çaste të caktuara.” Me gjithë këtë mesazh shkrimtarja plotëson atë anë të psikanalizës që lidhet me dukurinë e jetës. Jeta në tërë aspektin e saj merr një frymë të lehtë, kur depërtohet mes një origjinaliteti të pafryrë, mes një larmie gjërash të prekshme deri në detajin më të vogël.
Duke udhëtuar mes këtyre detajeve sublime e të prekshme, “Dritëhijet e medaljes enigmë…”bëhet një bashkëudhëtar i qetë nga fjala në fjalë, nga grupfjalëshi në togfjalësh, nga fjalia në fjali dhe nga faqja në faqe. Kapitujt bëhen më të kapërcyeshëm dhe leximi të jep kënaqësi. Mes fletëve të romanit, dashuria, lakuriqësia, butësia e lëkurës, freskia dhe aroma e trupave, po aq edhe koha, aspektet që lidhet me çiftin burrë e grua, ajo që lidhet me ndjesinë, kohën, profesionin, suksesin, biznesin, fëmijën e çiftit me emrin Igli, pastaj gjeografia që lidhet me masterin e studimeve të Edlirës, e që fillon me tërë ato emra Itali, Çeki, Greqi, Rumani e përfundon në Angli, është një arsye më shumë që të lehtëson udhëtimin filozofik për të kuptuar të plotë lidhjen jetike dhe arsyen me profesionin e bukur të gazetares, të gazetares së lidhur edhe me ATSH-në.
Vranari kështu luan jo thjesht me atributet e artit dramatik në prozën e saj, por në mënyrën më të përsosur të arsyes gatuan fabulën mes dramaciteteve të jetës bashkëshortore për të plotësuar mesazhin sublim. Janë këto mesazhe sublime që merren me tema të tilla dhe me interes të pranishëm për publikun, për të cilat ato janë të shkruara, ashtu si edhe të luajtura në heshtje me dramatizim të madh. Për një audiencë shqiptare të kohës sonë, marrëdhëniet bashkëshortore shfaqen me interes vital, por janë edhe marrëdhënie që diktohen me problematikën e tyre. Për një audiencë të ditëve të sotme, në rrafshin më të gjerë, lidhja e cituar nga Vranari me tërë problematikat e saj është e një rëndësie të lartë edhe për kultura të tjera. Marrëdhëniet shoqërore, të cilat janë duke u bërë gjithnjë e më të theksuara në mendjet e njerëzve, dhe të cilat mund të jenë të destinuara të jenë subjekt tjetër i madh për artin, i nënshtrohen jo rastësisht penës së mjaft penave sot në botë. Shumica prej nesh janë ende në mes të luftës së përzgjedhjes për tema të tilla në të lexuar. Aspektet morale të pyetjes, kërkesat etike dhe altruistike, po aq edhe ato kërkesa praktike janë shumë këmbëngulëse për ne që të shohim këtë përzgjedhje si një të tërë, ose për ta parë atë në mënyrë të qartë, si material për artin, për ta parë atë si të bukur në tërë kompleksin që lidhet me kulturën, identitetin, globalizmin në art, por edhe me stilin, strukturializmin, postmodernizmin dhe mjaft kritere të tjera që duhen apriori vënë në dritaren e duhur të vlerësimit. Duhen vënë në atë dritare me xham të pastruar mirë, me qëllim që koha të mos ‘qërrohet’ duke vëzhguar kohën për brezat. Në këtë pikë fjala e Vranarit në këtë roman është jo thjesht pikasje, as përzgjedhje e gabuar, por një art më vete. Dhe arti i përket artistit. Artisti, që ecën larg, shumë larg, ndoshta edhe pak përpara moshës së tij, duke treguar bukurinë dhe kuptimin, këto dy aspekte metafizike të jetikes, natyrshëm janë vetë flamuri i përzgjedhjes, që ndodhet në një majë të pakapshme. Ky artist kurrë nuk kalon pa rënë në sytë e gjeneratës së re, dhe me veprën e tij dikton vendin ku flamuri është vendosur, jo me dëshira e stile tashmë të perënduara ‘politiko-miqësore’ të rrëfimit kritik-mik. Brezat gjejnë kështu mesazhin e këtij artisti duke pritur atje ku është ngulur flamuri, për ta shijuar atë arritje si të gjitha gjërat e bukura që presin gjetjen dhe zbulimin, përzgjedhjen e tyre. Vranari është artistja, e cila jo vetëm i ka vënë pikërrëfimin rrugës së bukur prozaike shqiptare, por është edhe arsyeja që rrëfen vendin ku është ngulur flamuri në një mjedis më të gjerë krijues, e pse jo me nivel tashmë botëror për forcën e mesazhit dhe fabulës së saj. Ajo, më shumë se çdo tjetër në këtë pikërrëfim, përdor për bazë të artit të saj ndjesi të interesit jetik, jashtë moshës së saj, por në një pikëtakim me kohën, vendin dhe situatat që gatuhen nga fabula dhe mesazhi. Në këtë pikë ajo është një model!
Në unitetin, kohë dhe vend, gjithashtu, ajo përmbush idealet sublime të lidhjeve në çift, por edhe hapësirat që groposin fate të ndjeshme, duke simbolizuar aspekte patriarkale në kushte moderne, në kushte ku liria e individit dhe epshi janë aspekte të ndikueshme. Në tërë këtë fabulë veprimi gjithnjë është i mbyllur në një moral, dhe në asnjë aspekt të ndikuar nga kjo hapësirë, lidhjet apo dyzimet mes elementit burrë dhe femër, edhe kur në mes është e panjohura, ‘kamerrierja’, janë lidhje që ndikojnë dhe reflektojnë art. Çdo akt i një shfaqjeje të tillë na jep para syve skena përditësie, ku çdo skenë është dhënë pa shumë ndryshime të sfumuara dhe na vihet përpara memorjes si në një skenë. Në roman veprimi është i hapur dhe aspak i kufizuar në aritmetikë kohore, ai nuk funksionon spontanisht, por as nuk ndjehet si në shtëpinë e një kukulle për të prezantuar trupa të ngurtë, apo edhe të zjarrtë që thjesht ndjejnë, shijojnë dhe bëjnë dashuri, dhe në asnjë rast apo çast nuk është shfaqja e jashtëzakonshme, apo e papritura, por ndjenja vjen si kahera, aq e zakonshme dhe e natyrshme, me më shumë se dy apo tre kuptime të fuqishme.
Ai lexues, kritik, studiues apo analist, i cili është mësuar të mendojë për komplot dhe mes veprimit të tij si sinonim i fjalës, i duhet të veçojë dy terma në marrjen e plotë të kuptimit të fabulës së Vranarit në këtë roman. Fjalët e përzgjedhura dhe fjalitë e këtij romani kanë komplot në bollëk, por asgjë nuk ndodh në to, më shumë se çdo gjë në faqet e tij është dialektika e pjekur e fabulës dhe mesazhit kuptimplotë. Veprimi bëhet në shpirtin e një karakteri ose në lidhje të plotë në mes të karaktereve. Ka disa incidente të ndjeshme që fuqizojnë fabulën dhe natyrshëm përveç tyre që shijohen si të tilla, nëse një lidhje të tillë do ta deshifronim me aventurat e shpirtit njerëzor, [nëse do ta quanim si të tillë] ku koincidenca lidhet me momentin psikologjik. Kjo koincidencë e momentit psikologjik dhe simbolik është aq e vazhdueshme, sa që i jep romanit një hapësirë të gjerë metaforike me plot detaje në lidhjet aq të vjetra e të reja të sfondit patriark.
Këto lidhje të vjetra e të reja e transformojnë më tej idenë e autos në një shtrat tjetër ku derivatet fshihen pas një ‘shkëlqimi të remë’ e dominohen nga e dukshmja dhe e padukshmja, që mbetet një gangrenë mes jetës dhe profumit të saj. Në pjesën e dytë autorja zgjedh si një tematikë të ndërlidhur korrupsionin. Këtë plagë të ndyrë, të keqe e të përbotshme Vranari e sheh në aspektin global. Në këtë aspekt globalizmi nuk është vetëm një parashtrim, por edhe një shtysë retorikë në planin parësor. Kjo e keqe e përbotshme që del në faqet e romanit është një shkatërruese e ashpërr e tërë strukturës pas së cilës qëndron ajo që autorja e ka vizatuar pas shkëlqimit të rremë të jetës. Në faqet e romanit krimineli bën ligjin, pronari dhe i pafajshmi burgosen. Dhe kur mendohet të vendoset drejtësi (ku djali i formuar jurist me magjistraturë të kryer në Britaninë e Madhe, arrin dhe dënon nënën e tij, një ishprokurore kriminele). Por vetë ky djalë me edukatën dhe kulturën e mësuar në Angli mëson se ajo, nëna e tij dhe të tjerët e ndëshkuar nga drejtësia dhe ligji marrin pafajësinë. Në tërë këtë amplitudë të trajtuar në mënyrë të tendosur dhe mjaft interesante, fabula dhe mesazhi janë dy derivate filozofike, që mposhtin çdo ndjenjë, që ftillojnë deri në maksimum interes. Djali i specializuar në Angli pas kësaj skene joligjore jep dorëheqjen, sepse mëson se ligjin e bën paraja dhe korrupsioni i gjallë.
Autorja me këtë stil të kombinuar dhe nonlinear ka prurë një veçori tipike të prozës që lëvrohet sot, duke argumentuar mes dy ideve dhe duke kombinuar mes tyre me anë të paralelizmës së dy ngjarjeve, ku njëra zhvillohet në Angli dhe tjetra në Shqipëri. Gjeografia që sjell autorja është një dëshmi vlerash dhe mes dy kulturave prezanton dy identitete në dy hapësira të ndryshme. Ajo kështu kërkon të godasë mjeshtërisht dhe fuqishëm fenomeni e korrupsionit, këtë temë që po e shkatërron vendin, shoqërinë, individin dhe pengon integrimin. Duken si dy tema të ndara, por janë në varësi të nëjra-tjetrës. Me këtë “Dritëhijet e medaljes enigmë…” mbetet natyrshëm një roman me vlera unikale, ku Vranari na sjell shansin e përzgjedhjes së vlerave mes mesazhit dhe fabulës duke konkuruar ndjeshëm në hapësirën krijuese botërore.
Comentários