"DRITA JESHILE"
- MEDITIM
Si gjithmonë më duhet të pres... E pabesueshme, por sa herë më duhet të kaloj rrugën nga një trotuar në tjetrin, ngec para dritës së kuqe të semaforit. Çuditërisht, ajo shfaqet gjithnjë në momentin kur duhet të kaloj unë. Nuk mjafton vonesa që më ndjek vazhdimisht, hap pas hapi, si shoqëruese e përhershme e rrugëtimit tim, por një fat i mbrapshtë m’i bllokon krejtësisht hapat, përmes asaj drite të kuqe. Janë ato pak momente ndalese, që në çastin e parë të ngjallin një ndjesi nervozizmi, por më pas, ankthi i vonesës zëvendësohet nga një mendim i ri, që gjithashtu pasohet nga një tjetër, derisa e “kuqja” fiket tej, duke u zëvendësuar nga “jeshilja” shpëtimtare. Atëherë mendimet fashiten dhe nxitimi rinis nga e para. Por sado bezdisëse duket ndalesa disasekondëshe para semaforeve, ajo ka meriten e veçantë që u jep krahë mendimeve të mia. Me vështrimin të fiksuar pas dritës së kuqe, me një lloj zemërimi, sepse shfaqet gjithmonë në momentin më të papërshtatshëm, ndërmendohem mes gjërave të bëra, atyre që më presin t’i bëj dhe të tjerave që kanë mbetur pezull. “Eh, sikur... Ajo dritë e kuqe, që ka fuqinë të ma ndalë hapin, të kishte një fuqi të jashtëzakonshme për të ndaluar edhe kohën!”. Mes nxitimit tim të përditshëm, në një trafik të rënduar mendimesh, punësh të njëpasnjëshme, takimeve profesionale dhe shoqërore, harrohem në rendjen e vazhdueshme sa nga njëra anë në tjetrën, aq sa koha rrëshqet pa u ndier... Dhe ja, kaloi një vit... Një tjetër po agon... Është pikërisht kjo koha kur, dashur-padashur, bën një bilanc përmbyllës vjetor, një lloj analize të vetvetes dhe ndryshimeve që ke pësuar gjatë kësaj kohe, më shumë për të kuptuar se ç’ka ndodhur me ty, sesa për të arritur në një përfundim konkret... Dhe, pasi e ke kthyer dhe rikthyer gjithë vitin që u mbyll, e ke copëzuar dhe ringjitur përmes kujtimeve të tua, kupton se jo çdo gjë ka rrjedhur sipas pritshmërisë tënde, sipas projekteve dhe ëndrrave të tua... Por fundja, ç’rëndësi ka kjo! Të rëndësishme janë kujtimet. E rëndësishme është të mos harrosh të ëndërrosh dhe siç do të thoshte Márquez: “T’i japësh rëndësi gjërave, jo për vlerën, por për domethënien e tyre”. E vendosa! Këtë vit nuk do të bëj asnjë projekt! Thjesht do të ëndërroj! Më duhet të shkoj. U ndez drita jeshile...
#Klejda #Plangarica - Dhjetor 2008
Comments