Amaneti i Poetit
(Kushtuar poetit Arqile V. Gjata)
Gjata, si një poet i vargut të lirë, kryesisht në poezi, la një emër me individualitet të spikatur artistik, jo vetëm në poezi, e cila ishte "shpirti ku ai jetonte", por edhe në prozë, ese e mendime kritike, etj. Pena e tij e përfaqësuar në shumë libra të publikuar e vlerësuar, si edhe prezantime në antologji, revista letrare e gazeta të kohës, madje edhe në gjuhë të huaja greqisht, anglisht, rumanisht e rusisht, e ndriçoi imazhin e tij të shprehjes së fjalës në hapsira me dimension artistik të konsiderueshëm.
Ai shkruajti me një gamë të gjerë tematike dhe i dha dritë shpirtit të tij poetik. Bëri miq e dashamirës të shumtë që e vlerësuan atë si njeri e poet i vargut të lirë, i shpirtit dhe arsyes, i rilindur në periudhën e demokracisë, veçanërisht si një poet mërgimtar ku rrënjët e tij ishin të forta me vendlindjen, aty ku ai u kthye së fundmi për të pushuar përjetësisht.
Unë jam mbesa e tij, dhe më mirë se kushdo tjetër e njoha botën e tij të pastër njerëzore, të pasur shpirtërore me dashuri e respekt, por mbi të gjitha atë botë artisti, të cilës iu përkushtu me shumë seriozitet e pasion.
Ikja përgjithmonë e tij nga kjo botë, nga familjarët e miqtë e tij të zemrës, ishte e pranueshme, sepse jeta vjen e ulet ndër ne dhe një ditë vdekja na merr, është e pashmangshme. Jemi destinuar ti kthehemi tokës, asaj i përkasim. Por dhimbja është e madhe, sepse gjithkush e di që "vdekja e ka hijen e rëndë".
Sot pas disa muajve ndarje me dajon tim, po shfletoj dhe jetoj me kujtimet dhe poezitë e tij. Mu kujtua një ngushëllim që më bëri një miku im "jo moj jo, nuk vdes poeti, se nuk vdes amaneti", dhe duke lexuar me kujdes ndër vargjet e Gjatës, vë re dhe më bëri përshtypje, që mes poezive jashtëzakonisht të bukura e kuptimplote, ka lënë të shkruar një "amanet" të vyer për ne që e lexojmë. Shpirti i tij, tashmë i kthyer në "fjalë" flet me gjuhën e poetit, flet dhe jep mesazhe dashurie edhe kur ai nuk jeton më, nepermjet poezise se tij.
Poezia e tij "Kur..." tek vëllimi poetik 2009 "Gratë e poetëve" vjen si një amanet i shkruar, por jo vetëm. Ajo ka domethënie të mëdha...
Poeti Gjata, i ndjeri dajua im, ishte modest, ishte fjalëpak, fjalët i thurte ndër vargje me shpirt të pasur poetik, me passion e muze poetike, ku aty edhe prehej në paqen e tij...
"Kur të më vijë koha e vdekjes,
nuk dua të më mburrni,
as të më shani.
Një këngë himarjote më këndoni."
…ka mesazhe atdhedashurie, e donte tokën e atdheut të tij, e donte traditën dhe këngën, i këndonte zemra kur shkruante. Jo më kotë amaneti i tij është kënga himarjote. Ato janë këngë që të rrënqethin, kanë tekste shumë të ndjera dhe zë polifonik të veçantë. Janë këngë shpirti. Dhe poeti i do ti këndohen në ditën e vdekjes së tij.
Pse vallë?!
Sepse shpirti nuk vdes kurrë! Ai kthehet në energji të pashtershme.
"Kur të vdes,
Nuk dua të heshtni.
Një valle labërishte të rëndë,
mbi varrin tim ta hidhni."
Jo më kot "Poezia Amanet" e tij i referohet "valles labërishte" sepse ajo është valle burrash, madje e citon "të rëndë"... këtu ai sfidon vdekjen dhe tregon me vargun e tij, me kujdes artistik, se burrëria e shqiptarit nuk vdes kurrë, ajo është në gjak, në traditë, në këngët e vallet popullore, në çdo kohë e në çdo brez.
E urrente "heshtjen" se jeta është dinamike. Ai vetë la të shkruar një pasuri artistike me vlera, e shkruar kryesisht në 20 vitet e fundit, kur ai ishte në mërgim. Kurrë nuk heshti...deri sa mbylli sytë. Madje do të thosha që me ketë arsenal poezish dhe shkrimesh, sot flet më shumë se kurrë!
" Kur të më vijë ajo ditë,
nuk dua të më çoni në kishë.
Më çoni në një mbrëmje vallëzimi,
të kërcej valsin e lumturisë."
Poeti Gjata, e ka pas nisur karrierën artistike, qysh në kohën e rinisë, ku jeta më e madhe e tij, i përket "periudhës së realizmit socialist", gjë që ka ndikuar tek ai. Ai është fund e krye ateist, prandaj nuk i kishte per zemer kishat. Për të prehje ishte fjala, poezia, dashuria dhe respekti ndaj gjithkujt dhe vlerësimet që mori prej miqëve të tij.
Po lexoja në parathënien e librit, profesori i mirënjohur, Dr. Fatmir Terziu, të cilin e përshëndes miqësisht e i jam mirënjohës për miqësinë e vlerësimet për dajon tim, si edhe për gjithçka ka shkruar e ka kontribuar në letrat shqip, shprehet: Shpirtdhimbja e poetit që krijon bukurinë me fjalë"!
Madje në vëllimin poezi të zgjedhura "Kur thinjet deti" 2012, ai e përcakton qartë se poezia e Gjatës është "tredimensionale" në "Tredimensionaliteti i poezisë së A. Gjatës" (Me rastin e 70 vjetorit të lindjes - nga Dr. Fatmir Terziu).
Vlerësimet mbi penën e Gjatës janë të shumta, por unë sot doja të ndalesha vetëm tek "amaneti" poetik i lënë nga vetë autori tek poezia "Kur..." të cilën Gjata e ka shkruar në gjallje dhe e ka lënë si amanet të vyer, të dokumentuar poetikisht.
Dhe si për ta mbyllur, dua të kujtoj vargjet e fundit "...më çoni në një mbrëmje vallëzimi, të kërcejë valsin e lumturisë." Ai e priste vdekjen natyrshëm, shpirti i tij donte muzikën, ai kërcente dhe i qeshej jetës, por kurrë nuk iu tremb vdekjes.
Sot gjithçka shkruajta dhe kujtova, më emocionoi pa masë, më dha forcë dhe kurajo që jeta është e bukur, por akoma më e bukur siç thoshte poeti kur "vdes i dashuruar..."
I përjetshëm kujtimi i tij!
Nga mbesa e tij,
Dr. Shpresa Gjergji Fundo
Comments