top of page

Dr. Shpresa F. Gjergji: "Gjuha e nënës” poezia më e bukur në jetë



(Poezia "Gjuha e nënës" nga F. Terziu)

 

 

  Padyshim që "Gjuha e nënës njëhësohet me gjuhën e shpirtit! Poetika i ka kënduar nënës në forma e mënyra të ndryshme. Në letërsi, figura e nënës shpesh përshkruhet përmes një gjuhe të ndjerë, plot emocione dhe simbolizëm. Poetët dhe shkrimtarët e përdorin figurën e nënës për të shprehur ndjenja të thella si mallin, respektin, dhimbjen, sakrificat apo mirënjohjen, etj. Ajo mbetet një nga temat më të prekshme në letërsi, duke shërbyer si një burim frymëzimi dhe si një simbol universal i dashurisë dhe sakrificës.Në letërsinë shqipe, figura e saj ka një vend të rëndësishëm dhe trajtohet nga shumë autorë të njohur, përmendim këtu:- Naim Frashëri - Në poezinë e tij, nëna paraqitet si një figurë e shenjtë dhe e respektuar, shpesh e lidhur me konceptin e atdheut dhe gjuhës amtare. - Migjeni - Në disa poezi të tij, paraqitet dhimbja dhe sakrificat e saj në një realitet të vështirë. - Ndre Mjeda - Poeti i kushton vargje të ndjera dashurisë dhe dhimbjes së ndarjes prej saj.Mund të përmend edhe të tjerë, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë etj., por le t’i referohemi poezisë së prof. F. Terziut, e cila sjell hapsira befasuese, tejet të ndjera, si një proces komunikimi në formimin jetësor të poetit. Për këtë do t’i bëja poezisë një prerje imagjinare duke e parë atë në dy dimensione:1. Si pjesë e vargut dhe shprehjes së drejtpërdrejt.2. Si pjesë e simbolikës dhe e shprehjes së nëntekstit, shprehje e dashurisë dhe figurës së saj e brendashkruar vargut, jo e drejtpërdrejt.   Dëshiroj kështu, ta shohë më thellësisht shprehjen e mendimit dhe shpirtit poetik të autorit, në mënyrë që analizën gjuhësore e kuptimore, pra leksikun e semantikën e vargut, ta vështroj me syrin si kritik letrar e gjuhësor, për të nxjerr në pah vlerat gjuhësore e semantike të poezisë në fjalë.

Qysh në fillim të poezisë spikat:

"së pari me njëzetë e nëntë bashkëtingëllore, më pëlqeu “mm”..."

  Sa interesante e kuptimplote kur poeti me një shprehje të tillë tregon, se fëmijëria në foshnjëri ka ardhur natyrshëm dhe e lumtur. Janë momente të mrekullueshme të foshnjërisë, që në hapat e parë të jetës, që kur fillon të flasë veç me "mm" kur kërkon nënën e vet, momente që  çdo foshnje duhet t'i përjetojë bukur. "...si një poezi,bëlbëzim pas bëlbëzimi me të u rrita"    Aq e bukur jeta e hershme e foshnjërisë së poetit, sa që ai e përshkruan atë "si një poezi" Kjo shprehje vjen literalisht, pa i shtuar komente dhe bie në sy, që ka kaluar foshnjëri të bukur.Por po ti kthehesh vargut se çfarë i brendashkruhet, figuracioni i përdorur, krahasimi 'si poezi', jo flet, por sjell tablo të mrekullueshme. Poezia vetë ka një konotacion të thellë, frymëzues, ka ritëm, ka ëndrra brenda saj, ka shpirt... Ja pra, semantika e vargut vjen ndjeshëm, e rallë, e vlerësuar, frymëzuese, si këngë, si poezi. Kjo është periudha më e lumtur e poetit. Ai e ka shijuar atë me ëmbëlsinë e një fëmije të bekuar.    Ndërsa përmend shkronjat, bashkëtingëlloret, zanoret, kuptojmë se ka embiguitet. Bëhet fjalë për gjuhën e nënës së tij, apo edhe nënkupton gjuhën e vendit të tij?! Gjë që e bën gjithsecilin të mësojë të flasë e të dijë të shprehet më bukur e më mirë se në çdo gjuhë tjetër. Me shqipen  poeti di t’i thurë fjalët më bukur se në çdo mënyrë tjetër. Shprehja e shpirtit të poetit flet më bukur në gjuhën amtare.    Poezia e Prof. Fatmir Terziut, pavarësisht figurës universale të nënës, ka një veçanti që nuk e gjejmë gjëkundi në poetë të tjerë. Është një poezi në dukje lineare, vargu rrjedh natyrshëm, shprehësia duket se qetë qetë shpalos etapat e jetës njëra pas tjetrës… Dikur foshnje me "belbëzimet" dhe fillesat e të folurit me "mm"..., vijon me përkedheljet, rëniet e ngritjet" nga përkujdesja e duarve të nënës... e deri sa tanimë që tregon ku ka arritur falë nënës që e solli në jetë, e rriti dhe ushqeu me "sisë" Këtu gjejmë një ngjashmëri me vargun e Ali Asllanit nga ana kuptimore në përdorimin e mjeteve simbolike, për t'i dhënë poezisë një fakt real dhe domethënës - qumshti i nënës është çudibërësi, i pazëvendësueshëm.

Ali Asllani shprehet:

"A e more vesh kush më ka qëndisur? Është dritë e djellit që më ka stolisur, Është dritë e djellit, është dritë e hënës,Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!"  

Këtu, poeti thekson se, përveç elementeve natyrore si dielli dhe hëna, është qumështi i nënës ai që ka luajtur rolin më të rëndësishëm në rritjen dhe formimin si vlerësimin e tij për rolin jetik të nënës në jetën dhe edukimin e fëmijëve. Del në pah trashëgimia.Të njëjtën gjë fokuson edhe autori i poezisë "Gjuha e nënës".

 

“…aty është edhe dashuria e pagjumtë

 kur kam pirë sisë në orët e vona…”


...por, po të futesh e të lundrosh brendisë së "tekstit" të prof. Terziut, (nënteksti është një shpërthim ndjenjash), ka një mori faktesh dhe ndodhish, si  një shpërthim i brendshëm, ku gjuha e nënës, është një hapësirë që e shoqëron poetin dhe mbart gjithë emocionet dhe përvojat e jetës në çdo etapë të saj.

  Frazat që përshkruajnë lëvizjet e fëmijës, dashurinë e papërshkrueshme të nënës, dhe përjetimet e jetës përmes fjalëve janë tejet të fuqishme. Nënteksti është një reflektim mbi rolin e gjuhës në ndërtimin e identitetit dhe lidhjen e thellë mes gjuhës, dashurisë dhe jetës. Ai na kujton se gjuha e nënës është shumë më shumë se një mjet komunikimi; ajo është një pasqyrë e shpirtit të njeriut, një pasuri që mbart kujtime, ndjenja dhe historia të pashlyeshme. Shpirti i poetit në këtë poezi është shprehje e thellë e lidhjes së brendshme mes individit dhe botës që e rrethon, nëpërmjet gjuhës së nënës.  Poeti shpreh me një ngrohtësi dhe ndjeshmëri të thellë mënyrën si fjalët që ai ka mësuar në fëmijëri e kanë formuar atë si individ, përmes një procesi të brendshëm të reflektimit dhe kuptimit. Gjuha e nënës është si një pasqyrë që reflekton gjithë dashurinë, dhimbjen, frikën, gëzimin, dhe gjithçka tjetër që njeriu përjeton në jetë. Poeti e konsideron atë një forcë që nuk është thjesht për tu shprehur, por për të ndjerë dhe jetuar, sepse është thelbi i qenies së tij.   

Nëpërmjet këtij reflektimi, shpirti i poetit është i mbushur me një lloj përulësie dhe nderimi ndaj gjuhës dhe kujtimeve të fëmijërisë, të cilat formojnë dhe përcaktojnë atë që është ai. Kjo poezi është një udhëtim i thellë emocional dhe intelektual, ku poeti shpreh një dashuri të pafund ndaj nënës dhe gjithçkaje që e ka ushqyer shpirtin dhe identitetin e tij që në fillimet më të thjeshta të jetës.

   Kuptimi i jetës është i ndërtuar mbi këto përvoja - dashuria dhe frika, gëzimi dhe dhimbja, përkrahja e nënës, përpjekjet për të kuptuar më shumë për botën dhe veten. Jeta, për poetin, është një poezi që nuk mund të shkruhet përfundimisht, sepse çdo moment është një kapitull i ri që pasuron kuptimin e jetës së tij. Vlerësimi i jetës është gjithashtu i lidhur ngushtë me pranimin dhe përballimin e sfidave, me mbijetesën përmes tyre. Poezia sugjeron se çdo moment i jetës ka një vlerë të padiskutueshme, sepse është një hap drejt një kuptimi më të madh, që lidhet ngushtë me identitetin dhe shpirtin e njeriut, në këtë rast me atë të poetit.    Ekzistenca dhe nëna, për poetin Terziu,  janë dy tema që ndërlidhen ngushtë në poezi, pasi nëna është figura që formon themelin e identitetit dhe jetës së individit. Në kuadër të këtij teksti, ekzistenca e poetit, e përshkruar përmes lidhjes me gjuhën e nënës, është e ndërthurur me kujtimet e fëmijërisë dhe dashurinë e pafund të nënës.

 

 Simbolika 

 

   Nëna është  simbol i vazhdimësisë, i fillimit të jetës, i pasurimit shpirtëror dhe emocional, dhe është e lidhur thellë me ekzistencën e individit. Në një nivel filozofik, ekzistenca e individit është më shumë se thjesht një fakt biologjik; ajo është një histori e jetuar, e ndërtuar nëpërmjet përvojave, ndjenjave dhe lidhjeve që ai ka me botën. Nëna, në këtë kontekst, është burimi i parë dhe më i rëndësishëm i eksistencës së individit, jo vetëm për shkak të lindjes fizike, por edhe për shkak të dashurisë, kujdesit dhe udhëzimeve që ofron për të formuar botën e tij të brendshme.     

Nëna është, gjithashtu, simbol i dashurisë së papërshkrueshme dhe e lidhjes që kalon përtej fjalëve, duke i dhënë individit jo vetëm mundësinë për të komunikuar, por edhe për të ekzistuar si qenie që ka një identitet të formuar nga dashuria dhe përkujdesja. Në këtë mënyrë, ekzistenca e poetit është e ngulitur në kujtimet dhe mësimet që i vijnë nga nëna, dhe është ajo që e bën të ndjehet i gjallë, të kuptojë veten dhe të ketë një vend në botën ku jeton. Ekzistenca dhe nëna janë dy aspekte të pandashme të jetës, ku nëna është ajo që i jep kuptim dhe që e ushqen ekzistencën e individit me dashuri, mbështetje dhe mundësi për t'u shprehur dhe zhvilluar.    

Simbolika e nënës lidhet ngusht me mallin e poetit kur kujton nënën është një ndjenjë e thellë dhe prekëse që shprehet përmes çdo fjalë dhe imazhi në poezi. Malli i poetit është më shumë se një thjesht nostalgji për një periudhë të kaluar; ai është një ndjenjë e fortë e lidhjes me një burim të paepur të dashurisë, kujdesit dhe mbështetjes, një krenari e ligjshme, e forte, e brendëshme, e pakrahasueshme. Kur poeti kujton “pa të s’do të isha pikërisht këtu”, duket qartë që gjithçka ia deikon asaj. Ky mall është një shenjë e mirënjohjes dhe respektit të thellë për gjithçka që ajo i ka dhënë.  

Në këtë pjesë të poezisë, "Kështu që më pëlqeu përkëdhelja, dashuria, liria dhe frika...", poeti shpreh një marrëdhënie të ndërlikuar me emocionet dhe përvojat që e kanë shoqëruar gjatë jetës. Ai i konsideron këto emocione dhe ndjenja si pjesë të rëndësishme të rritjes dhe formimit të tij si individ.

Përkëdhelja: Mund të shihet si një simbol i kujdesit, dashurisë dhe mbështetjes që ai ka marrë nga figura e nënës, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e tij. Përkëdhelja është gjithashtu një shenjë e intimitetit dhe lidhjes emocionale që formohet gjatë fëmijërisë. Dashuria: Ky është një tjetër element që është themelor në jetën e poetit. Dashuria është ajo që e udhëhoqi dhe e mbajti atë të lidhur me jetën dhe me ato që ishin më të shtrenjtat për të, si familja dhe ata që kujdeseshin për të.

Liria: Liria është një tjetër temë e rëndësishme që poetët shpesh e lidhin me rritjen dhe zhvillimin personal. Në këtë kontekst, liria mund të jetë shprehja e individit që mëson të ndjekë rrugën e tij dhe të bëhet i pavarur në mendimet dhe veprimet e tij.

Frika: Frika është një ndjenjë që ndodh shpesh gjatë periudhës së rritjes dhe përballjes me të panjohurën, si symbol i pasigurisë. Poeti pranon frikën si një pjesë të natyrshme të jetës dhe të rritjes, por gjithashtu ajo mund të jetë një forcë që nxit zhvillimin dhe vetëdijen e individit.

 

Pjesa "Çfarëdo që kam humbur... kam gjetur tek tridhjetë e gjashtë shkronja" në poezinë "Gjuha e Nënës" është shumë e rëndësishme dhe ka një domethënie të thellë, në mënyrë simbolike lidh humbjet e poetit me një proces të ri dhe të vazhdueshëm të gjetjes dhe të zhvillimit. Autori e koncepton këtë si një pasqyrë të jetës, ku gjithçka që është humbur është zëvendësuar me një burim të ri të mundësive dhe njohurive.

"Tridhjetë e gjashtë shkronjat" janë një referencë simbolike me alfabetin dhe, për poetin, ato simbolizojnë mjetin për të ndërtuar dhe shprehur gjithçka që ka rëndësi në jetën e tij—përvojat, ndjenjat, mendimet dhe historitë që e formojnë atë si individ. Me këtë shprehje, ai tregon se çdo humbje (qoftë një pjesë e jetës, një periudhë e kaluara, një mundësi e humbur) ka një ekuivalent që mund të gjendet në atë që është më themelor dhe më i përhershëm: gjuha dhe mundësia e shprehjes. Për poetin, humbja nuk është diçka që çon në boshllëk, por simbolikisht është një hap drejt gjetjes së një kuptimi të ri dhe një mundësie për të rindërtuar dhe transformuar jetën përmes gjuhës. Ai ka mundësinë të shprehë dhe të ndiejë çdo përvojë, gjithçka që ka përjetuar, nëpërmjet shkronjave dhe fjalëve, që janë pjesë e identitetit të tij dhe një rrugë për të përballuar dhe kuptuar gjithçka që ka kaluar. Në këtë kontekst, humbja dhe gjetja janë të lidhura ngushtë, dhe poeti e koncepton këtë si një cikël të natyrshëm të jetës, ku asgjë nuk humbet përfundimisht, por gjithçka ri-shfaqet dhe transformohet në një formë tjetër, nëpërmjet fuqisë krijuese të gjuhës dhe shprehjes. Shkronjat bëhen një mënyrë për të shpëtuar nga humbja dhe për të rifituar, përmes fjalëve, gjuhës, gjithçka që mund të jetë humbur. "kur kam pirë sisë në orët e vona" është një imazh poetik që lidhet me kujtimet e fëmijërisë, ku sisa është simbol i ushqimit dhe ngushëllimit, si dhe kujdesit të nënës për fëmijën e saj.

 

Njësitë frazeologjike si shprehje leksikore të mendimit poetik

 

Ditët e përkëdhelura - është etapa më e lumtur e jetës së poetit.

Prej duarve të ndritshme mbi një fëmijë - duart e nënës janë duart më të mrekulleshmet në botë për një fëmijë.

 Dashuria e pagjumtë – dashuri pa kufij, e pamatë (dashuria nënë e bir), një forcë që mbush çdo etapë të jetës së tij.

 Jeta që i paraprin rimës së “çlirtë” - konotacion i fort, në këtë dashuri s’ka kushte, s’ka regulla, s’ka limite. Ajo është e çlirët dhe pa mbarim…

 Brenda gjuhës së nënës është gjithë bota - njësi frazeologjike shpërthyese, pika kulminante e poezisë, personifikim i jetës brenda figurës së nënës, metafora që i jep gjithë imazhin e duhur, kutimin semantikor, leksikun e përkryer shprehjes, bukurinë poetike të gjetur, poezisë.

 

    Këtu do të dëshiroja të ndalesha më gjatë:


 Në poezinë "Gjuha e nënës" të Dr. Fatmir Terziut, vargu "Brenda gjuhës së nënës është e gjithë bota" vjen si momenti më kulminant i poezisë ku pasqyrohet rëndësia e lidhjes që individi ka me gjuhën amtare dhe me identitetin e tij kulturor. Gjuha e nënës është jo vetëm mjeti i komunikimit, por edhe pasqyra e shpirtit dhe e trashëgimisë kulturore të një kombi. Këtu poezia vesh velin e një dimensioni më të gjerë.

Kuptimi i këtij vargu mund të shpjegohet në disa nivele: Identiteti dhe kultura: Gjuha e nënës është themeli i identitetit kombëtar dhe kulturor. Ajo bart traditat, historinë dhe vlerat e një populli. Kur poeti thotë se "brenda gjuhës së nënës është e gjithë bota", ai nënkupton se përmes gjuhës së nënës, individi lidhet me të kaluarën, me trashëgiminë dhe me kulturën e tij. Shprehja e ndjenjave dhe mendimeve: Gjuha e nënës është mjeti më i natyrshëm dhe i fuqishëm për të shprehur ndjenjat, mendimet dhe emocionet. Ajo mundëson një komunikim të thellë dhe të sinqertë, që është thelbësor për ndërtimin e marrëdhënieve dhe për kuptimin e botës që na rrethon.

Ruajtja e trashëgimisë: Përmes gjuhës së nënës, ruhet dhe transmetohet trashëgimia kulturore dhe historike e një kombi. Ajo është mjeti për të mësuar dhe për të kuptuar historinë, traditat dhe vlerat që formojnë një shoqëri. Në këtë kontekst, poeti thekson se gjuha e nënës është më shumë se një mjet komunikimi; ajo është një pasqyrë e shpirtit të kombit dhe një lidhje e thellë me të kaluarën dhe kulturën. Përmes saj, individi mund të kuptojë dhe të përjetojë "të gjithë botën" në kuptimin e saj më të thellë dhe më të pasur. "Pa të s’do të isha pikërisht këtu"   Pa e ditur pra, gjuhën e nënës, nuk do të ishte aty ku është sot. Arritjet e tij janë gjithçka ka mësuar nga nëna që e rriti, janë mësimet që i ka marrë në gjuhën amtare (i ka dy anët e medaljes. - vargu ka ambiguitet, gjuha e nënës së tij, pra kultura, tradita familjare, problemet që dinë t’i zgjidhin me urtësi etj., dhe gjuha mëmë, aty ku u lind,  ku jetoi e mësoi shkrim e këndim. Aty ku kupton gjithçka dhe mëson t’i bëj ballë, sfidave).

   Poezia "Gjuha e Nënës" e Dr. Fatmir Terziut është e pasur me metafora dhe figura letrare që shtojnë thellësinë dhe emocionin e tekstit. Disa nga figurat letrare dhe metaforat që mund të identifikohen janë:


Shprehja metaforike "gjuha e nënës":


Gjuha e nënës është përdorur si një metaforë për gjithë thelbin e identitetit të poetit. Ajo nuk është thjesht një mjet për të komunikuar, por simbolizon dashurinë, kujdesin, dhe lidhjen shpirtërore me botën. Gjithashtu, ajo përfaqëson thelbin e ekzistencës së poetit dhe është një burim i pafund i të gjitha përvojave të jetës. "Bëlbëzim pas bëlbëzimi": Ky është një imazh i fuqishëm që përshkruan zhvillimin e fjalës dhe komunikimit, duke shprehur rritjen dhe mësimin e fjalëve që janë të lidhura ngushtë me përjetimet dhe kujtimet e fëmijërisë. Bëlbëzimi si figurë përshkruan një proces të ngadalshëm dhe të natyrshëm të të mësuarit, që është i ngarkuar me dashuri dhe kujdes. "Fjalë për fjalë, si një poezi": Kjo është një metaforë që shpreh se marrëdhënia e poetit me gjuhën e nënës është si një poezi e thjeshtë, por e pasur me kuptime. Kjo frazë thekson se çdo fjalë që ai ka mësuar dhe ka përdorur gjatë jetës është një pjesë e një strukture më të madhe dhe më të bukur, një poezi e cila ka formuar realitetin e tij.

"Përkëdhelja, dashuria, liria dhe frika...": Ky është një varg i mbushur me figura letrare që përfaqësojnë emocionet themelore të jetës së poetit. "Përkëdhelja" mund të shikohet si një metaforë për kujdesin e nënës, "dashuria" për ngrohtësinë e marrëdhënies dhe "frika" për të gjitha pasiguritë dhe vështirësitë e jetës.

 "Një fëmijë e di": Kjo është një metaforë që sugjeron pasurinë e njohurive dhe ndjenjave që janë të lidhura me fëmijërinë. Ajo nënkupton se shumë prej ndjenjave dhe kuptimeve që një fëmijë përjeton janë të natyrshme dhe të paqartë, por e thellojnë lidhjen e tij me botën përmes dashurisë dhe kujdesit të nënës.  "Dita e përkëdhelur prej duarve të ndritshme mbi një fëmijë": Ky është një imazh poetik që përdor metaforën e "duarve të ndritshme" për të përshkruar dashurinë dhe mbështetjen që vijnë nga nëna, të cilat ndriçojnë jetën e fëmijës dhe e mbrojnë atë nga errësira dhe pasiguria.


"Të gjitha, lëvizjet e mia optimiste" : Kjo frazë pasqyron çdo përvojë të suksesshme në jetën e poetit, e shprehur përmes vargut poetik, për të sjellë një vlerësim të thellë mbi gjithçka të mirë që ka arritur. Kur Fatmir Terziu përdor shprehjen "lëvizjet e mia optimiste", ai ka parasysh një perceptim të jetës dhe zhvillimit të tij në një mënyrë pozitive dhe me shpresë, edhe përballë vështirësive që mund të ketë hasur. "Lëvizjet" në këtë kontekst mund të nënkuptojnë veprimet, hapat dhe përpjekjet e poetit gjatë rritjes së tij, që përshkruhen si optimiste, pra, me një qasje të shëndetshme dhe të orientuar drejt përparimit, shpresës dhe mundësive.  "Të gjitha, të gjitha në poezi": Kjo frazë pasqyron se çdo përvojë e jetës së poetit është e shprehur përmes një forme poetike dhe se çdo moment ka një vlerë të thellë që mund të bëhet pjesë e një poezie të jetuar. "Ka edhe mërgim, ikje nga koha e pakoha": Këtu përdoret metafora e "ikjes nga koha" për të përshkruar ndjenjat e humbjes dhe largimit që shoqërojnë jetën, të cilat janë të lidhura me mërgimin e poetit dhe largimit nga ajo pjesë, e cila ka qenë e njohur dhe e dashur për të.


Vargu i kombinuar  poetik

 

   Poeti përdor vargun e lirë të kombinuar edhe me rimë poetike, ku poezia bëhet akoma më tërheqëse dhe merr hov ritmik për të shprehur një liri të brendshme emocionale dhe artistike, e cila pasqyron natyrën e tij, individualitetin e të shkruarit poezi. Poeti gjithmon na befason me gjetje të tilla. Vargu i lirë është një mjet që i jep poetit mundësinë të shpërfaqë ndjenjat e tij pa kufizime të rrepta strukturore, duke i dhënë kështu më shumë hapësirë për të shprehur thellësinë dhe kompleksitetin e emocioneve. 

   Vargu këtu vjen paksa i gjatë, sikur të donte të përmbushte më mirë mendimin e poetit. Përdorimi i një vargut të tillë ka qëllim ta sjellë poezinë sa më me ndjenjë, me liri emocionale, ku poeti ka mundësinë të shprehë mallin, dashurinë dhe dhimbjen pa u ndikuar nga kufizimet e metrikës dhe rimes konstruktive. Ky çlirim i shprehjes, bën që ndjenjat e thella të krijojnë një lidhje më të drejtpërdrejtë me lexuesin.

 

Si përfundim:


   E pra, në një poezi ka aq shumë domethënie, nënkuptime, figuracion të larmishëm, aq sa na e përcjell tablonë poetike të gjallë dhe mjaft të veçantë. Jo vetëm për nga përjetimet reale, por në mënyrën e vet individuale, si askush tjetër ku nënteksi, stili dhe veçantia që e karakterizon vargun poetik, më së shumti flet me një potencial gjuhësor të jashtëzakonshëm, leksiku flet thellë dhe semantika sjell imazhe të gjalla, tablo poetike, pra pasqyron me shprehjen e gjetur e të sofistikuar, ku çdo detaj në poezi e skalit atë. Kështu, lexuesi nuk vihet para dilemave, nuk mbetet gojëhapur se ndihet i pazoti të kuptojë nëntekstin. Ai mbetet gojëhapur përpara bukurisë poetike, sa i thellë e domethënës, sa shprehës e me stil unik është vargu poetik i dr. Fatmir Terziut. Të tilla prurje nuk na çudisin, sepse duke e lexuar shpesh këtë mjeshtër të fjalës, e kupton, di të deshifrosh vargun, ja njeh tashmë penën, individualitetin e vet të pakrahasueshëm, konceptin e vet poetik, kulturën e të shkruarit, filozofinë e tij poetike dhe gjithçka që dëshiron ta përcjellë me mjeshtri tek lexuesi i tij.  

 ---------------------------------------------------

GJUHA E NËNËS

Nga Fatmir Terziu

 

E kështu më ndodhi së pari me njëzetë e nëntë bashkëtingëllore,

më pëlqeu “mm”, së pari në kuptimin që vetëm një foshnjë e di,

e të gjithë e kuptonin me kërshëri pa shtatë zanore,

Mama-në time fjalë për fjalë, si një poezi.

 

Bëlbëzim pas bëlbëzimi me të u rrita,

kështu që më pëlqeu përkëdhelja, dashuria, liria dhe frika...,

ditët e përkëdhelura prej duarve të ndritshme mbi një fëmijë,

ngritjet, rrëniet, ecjet dhe të gjithë lëvizjet e mia optimiste,

të gjitha, të gjitha në poezi.

 

Çfarëdo që kam humbur... kam gjetur tek tridhjetë e gjashtë shkronja

gjithçka që kam zemër, mendje e sy, me të gjitha në shpirt,

aty është edhe dashuria e pagjumtë kur kam pirë sisë në orët e vona,

e gjithë jeta që i paraprin rimës së shlirtë.

 

Ka edhe mërgim, ikje nga koha e pakoha

dhe plagë, dhe dhimbje, dhe mall, dhe lotë gjithashtu,

brenda gjuhës së nënës është e gjithë bota,

pa të s’do të isha pikërisht këtu.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page