top of page

Dr Kasem Dylgjeri…, e ku mbarojnë shënimet për të!


Dr Kasem Dylgjeri…, e ku mbarojnë shënimet për të!

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Menjëherë sa përmend disa emra në qytetin e Elbasanit, jo rastësisht në ambientet publike pushojnë zhurmërat e zakonshme, bisedat spontane zhyten në mendime, sytë përqëndrohen, dhe veshët e të pranishmëve duan të dinë më shumë. Kjo ndodh ende. Nuk është një risi e re. Mbaj mend në vitet tetëdhjetë, një yshtje e tillë u delegua nga Tirana, dhe brodhi anonime kafeneve të Elbasanit, nën etiketën e gazetarisë investigative, ku madje u botua dhe një shkrim anonim me titullin „Kafja e drejtorëve“. Bëhej fjalë për një kafe të quajtur „Agimi“ dhe që ndodhej përballë ish-Kinemasë „11 Nëntori“ në Elbasan. Artikulli kishte si qëllim diskreditimin e disa emrave të njohur, drejtorë, por dhe emra mjaft profesionistë të kohës. Pse ndodhte? Kjo në thelb nuk dihet, por dihet se të gjithë ata emra që u përmendën ishin nën një „shigjetë“ të parapërgatitur në destinacionin e saj. A u qëlluan? Jo vetëm që nuk ndodhi asgjë, jo vetëm që kjo situatë kaloi në përgënjeshtrim, por diktoi dhe dyfishoi respektin e atyre emrave. Njëri prej tyre ishte dhe mjeku gjinekolog Kasem Dylgjeri. Në përgënjeshtrimin që u bë, në një nga gazetat qendrore të asaj kohe, jo vetëm i kërkohej falje, por thuhej se në kohën që gazetari kishte qenë dhe përmendej koha në kafene, Dr Kasem Dylgjeri, po kryente një operacion të vështirë. I jepte jetë një fëmije, që më vonë u bë një emër i dëgjuar në Elbasanin e Demokracisë…

Por, jo vetëm aty dyfishohej e shumëfishohej respekti për doktorin Kasem Dylgjeri. Respekti për të kishte filluar qëkur materniteti ishte tek ish-Tregu i sotëm, në të majtëne rrugës që të shpie në Cërrik, poshtë shinave të trenit. Në atë kohë respekti dilte jashtë sallës së lindjes nga vetë goja e një emri legjendë të këtij profesioni në Elbasan, Mexhit Krujës. E kur të lavdërronte në atë kohë Mexhit Kruja, natyrshëm udha e fjalës shkonte cep më cep dhe meritorja kapërcente edhe Qafën e Krrabës. Aty nisi historia e asaj që njeriun me trup të shkurtër, mjekun e specializuar pas mbarimit të Mjeksisë së Përgjithshme në këtë profesion, do ta bënin legjendën. Ere, atë legjendë që ecte paralelisht me legjendën tjetër, Dr Mexhit Krujën, por që tashmë ndodhte dhe ndryshe…

Jo rastëisht mund të flas për këtë. Vëllai i nënës sime të ndjerë, Muharrem Shaban Sinani (Lashi) (i cili ndërroi jetë nga ataku në zemër në moshën 40 vjeçare) ishte për vite me radhë shoferi i Dr Kasem Dylgjerit. Ai ikte nga shtëpia në orën pesë dhe kthehej orar pa orar. Kjo ishte bërë debat, dhe gjyshi një ditë e kishte ndjekur. Kur e kishte parë të flinte në makinë pas orës së mesnatës në makinë para Maternitetit, i bie me shkop xhamit dhe e zgjon…, por nuk arrin të bëj pyetjen pasi pas tij menjëherë vjen Dr Kasemi i rrethuar nga dhjetëra familjarë duke e uruar për jetët që kishte shpëtuar pas një operacioni të vështirë. Që atëherë Gjyshi nuk bëri më zë, por gjithnjë thshte „i dhëntë Zoti fuqi atij doktori …“. Në anën tjetër dhe nëna ime e dashur punoi shumë vite në Maternitetin e Elbasanit, dhe gjithnjë fliste me shumëfishin e respektit për Dr Kasemin. Kështu duke qenë shok i mirë me burrin e tezes sime, Hasan Ademin, dhe me vitet që rodhën u bëmë miq, miq të vërtetë e të sinqertë, dhe më së shumti na forcoi koha e pas viteve  nëntëdhjetë, koha kur unë shërbeva në disa media në Shqipëri.

Në atë kohë mësoja shumë prej takimeve që bënim, pyesja dhe ai fliste shumë pak për veten të tjerët më tregonin më shumë rreth tij. Një herë qëllova në Mollas dhe Dr Samiu, që shërbente në Mollas më pati thënë se ai është një doktor që ka lexuar Hipokratin kur ne e mjaft të tjerë, nuk e kishim idenë. Dhe kështu kjo më bënte të gjirmoja akoma më shumë. Dhe e ndjeva pse kishte lexuar Hipokratin…Ai donte dhe dëshironte të njohje historinë dhe udhën e zanatit të tij dhe donte që të kuptonte dhe labirinthet në të cilat kishte hyrë mjeksia e kësaj fushe.

Historikisht, gjinekologjia ishte një shkencë e lidhur me obstetrikën dhe kirurgjinë. Në librat e lashtë janë ruajtur fakte për mamitë, sëmundjet e grave, trajtimet, menstruacionet. Metoda kryesore e diagnostikimit për Hipokratin ishte palpimi (analiza e gishtit) dhe ekzaminimi manual. Kështu, u bë e mundur të përcaktohej pozicioni i mitrës, prolapsi, zhvendosja e mitrës, prania e tumoreve, gjendja e qafës së mitrës. Por kjo nuk është metoda kryesore e inspektimit, gërmimet arkeologjike dëshmojnë për zbulimin e një pasqyre me tre fletë që hapet me ndihmën e një vidhe. Për sa i përket lindjes, në atë kohë gratë lindnin të pavarura dhe preferohej të liheshin të qetë, lejohej prania e një ndihmësi. Në ato ditë u vu re vdekshmëria e lartë foshnjore.

Gjithashtu kur u gjetën veprat e Hipokratit „Për natyrën e grave“, „Për sëmundjet e grave“ dhe të tjera gjërat erdhën më në dritë. Në to, Hipokrati, përshkroi metodat e diagnostikimit, si dhe trajtimet me ndihmën e një thike, hekuri të ndezur dhe pincë. Në mesjetë, mjekësia ra nën ndikimin e misticizmit, një grua konsiderohej „e ndyrë“ gjatë menstruacioneve dhe procesi i lindjes barazohej me një rit magjie. Francezi Jean-Louis Baudeloc (1745-1810) konsiderohet si themeluesi i ngritjes së gjinekologjisë në mesjetë.

Ndalimi fetar për shikimin e organeve gjenitale femërore u bë përcaktues për gjinekologjinë. Koha e re u bë një kohë zbulimi në fushën e gjinekologjisë. Viti 1847 u kujtua nga të gjithë për zbulimin e Samsonit. Kloroformi u prezantua për herë të parë. Spencer Uells hapi një tub të mitrës. Mjekësia gjermane u lavdërua nga Kiëisch, i cili zhvilloi lloje të reja të zbulimit të fazave të hershme të sëmundjeve femërore, dhe Scanzioni, i cili shkroi shumë vepra shkencore. Por zbulimi më i rëndësishëm u bë në mjekësi pas prezantimit të mjekësisë së provës së konceptit (deri atëherë gjithçka bazohej në hamendje dhe metodën e provës dhe gabimit). Kjo na lejoi të përdorim fakte më të besueshme. Anglia, Gjermania dhe Rusia konsideroheshin pionierët e gjinekologjisë në këtë kohë. Zhvillimi i gjinekologjisë është në lëvizje të plotë edhe sot e kësaj dite.

Në këtë fushë tashmë kanë dalë emra të rrinj, kanë bërë udhëtim të sinqertë e të pastër, të specializuar, të kualifikuar, të aftë për të mësuar gjuhë të huaja etj. Por imagjinoni një mjek që vinte në vitin 1967 drejt nga auditori i Universitetit në një situatë që gjithkush që ka jetuar atë kohë e mirëkupton. Dr Kasemi ishte i lindur si një profesionist. Ai nuk heshti. Ai këmbënguli. Dhe kurë nuk e la pas të shkuarën, as nuk e braktisi të sotmen e tij, të ardhmen e tij. Ai mësoi gjuhët e huaja italisht dhe frëngjisht dhe hyri heshturazi dhe fshurazi edhe në botën. Endaluar, por gjithnjë falë dëshirës dhe ambicjes në profesion. Kështu më pas u specilizua, zotëroi dhe ka mundur të studiojë shumë literaturë  bashkëkohore botërore për ta vënë në zbatim në kushtet e gjinekologjisë dhe obstetrikës shqiptare. Në vitin  1992 fiton një bursë kualifikuese, nga PNUDI, por dhe pse mund të kishte mbetuar jashtë ku i afruan mjaft para dhe mjaft privilegje, ai rikthehet sërish në Shqipëri, madje nuk pranoi as Tiranën, dhe mbeti në qytetin e tij të zemrës, Elbasanin e dashur, ku vazhdon ende me të njëjtin përkushtim, përgjegjësi dhe pasion për profesionin e tij.

Në vitet e Demokracisë, në kohën kur unë punoja gazetar në „RD“ e gjeta emrin e Dr Kasem Dylgjerit në një zarf me një porosi të veçantë. U habita, por atë pashë për herë të parë të ulej në një karrige, që natyrisht sikurse ka deklaruar më pas e bëri thjesht se ishte një ftesë e shokut të tij të shkollës, Prof Dr Sali Berishës. Pra në vitin 1996 mandatohet deputet në një zonë elektorale të përzierë të qytetit të Elbasanit, me  atë rurale dhe periferike dhe fiton bindshëm . “E pranova  ftesën më tepër se e kisha mik  Dr.  Berishën, kemi mbaruar shkollën bashkë, po kjo nuk do të thotë se profesioni im është  kapërthyer keq me politikën, më vjen mirë ta pohoj, që edhe gjatë kohës, që kryeja funksionin e deputetit, nuk u shkëputa nga profesioni im, që nuk mund ta ndërroj me asgjë tjetër” – thotë  doktor Dylgjeri. Megjithëse në pension, ai sot mbetet ende më i  kërkuari në Spitalin Obstetër-Gjenekologjik në Elbasan, shkruajnë mdiat shqiptare, dhe natyrisht këtë e evidentuam dhe ne, ndërsa e takuam në rrugën midis spitaleve të Elbasanit, ashtu si dikur në këmbë, me vrap për në destinacionin. Eduhur, aty ku shpëtohen jetë....

Doktor Kasem Dylgjeri, njihet për cilësitë e tij të rralla si mjek e si njeri, si një ndër mjekët më të mirë e më me përvojë në fushën e Obstetër-Gjenekologjisë, një mjek që u ka dhënë jetë mbi pesëdhjetë mijë foshnjave, dhe ka shpëtuar jetë nënash të reja, të sëmura, me probleme shëndetësore të ndryshme, por edhe me komplikacione. E fjalët përcjellin fjalët, ndoshta nuk mund të përfshihen të gjitha në një shkrim. Por ajo që më bën të ndjehem mirë, është fakti, se edhe ps dy dekadash duart e tij shtrëngojnë respektin po aq mirë, sa vitet kur ishte më shumë në punë se sa në rrugë.

E ndërsa bisedoj me të ashtu kalimthi, kalimtarët nuk mund të mënjanojnë përshëndetjet.  Fytyra e tij mbetet e çelur. I thjeshtë, i qetë, i respektueshëm. Dukej si një copëz pergamenë e ndritur në përmasën sublime të hyrjes spitalore, me një forcë të ndjeshme, pa humbur kohë për të shpëtuar dihatjet e vuajtjeve njerëzore, që nisin pas qindra përdorimeve të detyruara të dezinfektuesit e mbarojnë me bulat e djersës në ballë, atje në sallë... Kjo djersë, si një prani transparente me goditje të pavëmendshme duket se përshkruan fuqinë e një zemre që sapo ka ardhur në jetë në praninë neoni të dhomës. Jashtë, rruga përcjell një gri të ndjeshme në rrënjën e ngjeshur të një peme që pret të çel. Ajo fryhej si një venë e shpuar nga injeksioni i dhimbshëm e i lagësht i jetës. Degët e pemës vareshin drejt dheut, të përcaktuara në një shesh të ngushtë nga pllakat dekorative të trotuarit. E ai, i thjeshti, fjalëpaku, mjeshtri, Dr Kasem Dylgjeri, është thjesht në një sekondë tjetër, në një minutë tjetër, në një orë tjetër… në një ditë tjetër. Është thjesht, ai që ishte, është dhe mbetet Dr Kasem Dylgjeri!

62 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page