top of page

Dr. Jani Gjoni: ME KUAJT E DIKTATURËS


INTERPRETIME DHE NJË FABUL 

ME KUAJT E DIKTATURËS

 

Nga Dr. Jani Gjoni


Në një nga librat që kam lexuar së fundmi, ”The Devil’s Chessboard”, theksohet se shkrimtarët e mëdhenj në vëndet komuniste u përdoren gjërësisht në interes të propogandës shtetërore.                                                                Ne, lexuesit e thjeshtë, ishim konsumatorët e propogandës së ndërtuar me shumë kujdes e mjeshtëri nga këta shkrimtarë të mëdhenj. Metaforikisht unë do t’i krahasoj me kuajt që tërhoqën karrocën e komunizmit, me dëshirë na u dukën dhe përkushtim të lartë.

 

    *

 

Adhurimi për kuajt për mua lidhet dhe me fëmininë. Fëmijëria dhe rinia ime ishte para viteve 90-të, jeta jonë pikturohej nga propoganda e kohës is një përrallë që ne vetëm duhej ta ëndërronim dhe kjo mjaftonte për të jetuar me “hov revolucionar”, epokën e përshkruar kaq bukur nga poetët dhe shkrimtarët tanë të talentuar. Emocionet dhe shkëndijat që ato krijuan në vetëdijen tonë të përbashkët bënë të mundur brumosjen tonë me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver.

Nëpër vargjet e poemave epike si “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Baballarët”, “Pranvera e madhe”, etj, ne kërkonim rrënjët e Partisë sonë të lavdishme, himnizonim heroizmin e saj dhe lartësonim emrin dhe figurën e udhëheqësit të madh Enver Hoxha. Po flas me gjuhën e atëhershme.

Unë si dhe shumë shokët e mi ishim lexues maniak, të fokusuar në leximin e çdo libri që dilte në libraritë e qytetit e në bibliotekën e shkollës. Të etur për dije, art e shkencë, aq sa ishte e mundur e lejoheshin, besonim në emrat e autorëve tanë të mëdhenj si burimet të besueshme të informacionit dhe inteligjencës në krijimtarinë e tyre.

Ne i shikonim ato me krenari se na mësonin se si të mendonim e të besonim. Këto libra bëheshin drama e filma të propaganduar me të madhe e ne përplaseshim nëpër biletaritë e qytetit për të blerë një biletë. Ato na bënë të mundur të krijonim fantazitë tona njëlloj si në legjenda për fuqinë e vëndit tonë përballë stuhive armiqësore të Lindjes dhe Perëndimit.             

Filmat me luftë, që nga “Furtuna”, prodhuar bashkë me sovjetikët e më pas me realizimet e mëvonshme me forcat tona si “I teti në bronz” sipas romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit, “Radiostacioni” sipas romanit “Nëntori i një kryqyteti” të Ismail Kadaresë, etj, apo filmat e ndërtimit të socializmit, “Komisari i dritës” sipas poemës “Mësuesi” të Lazar Siliqit, lufta kundër revizionizmit sovjetik “Ballë për ballë”, i ndërtuar nga romani “Dimri i Madh”, që bashkë me librin, etj, na krijuan bindjen për forcën dhe pathyeshmërinë e Shqipërisë Socialiste nën udhëheqjen e Partisë me shokun Enver në krye, urrejtjen për gjithçka të huaj dhe luftën e klasave, që do të pushonte veç në komunizëm.                                                   

Si të vegjël që ishim, shpesh imitonim skena të ndryshme në lojrat tona të luftës, me zbulues, me heronjtë e socializmit: Kanan Tafili, Mato Gruda, Coli, Tomka, Deda fillronjtës, Besniku, Adem Reka që vritet, por shpëtoi bigën, Shkurta që bie në ndërtimin e hekurudhës, poezitë kushtuar atyre, që nga Kadare e që botoheshin dhe në gazetën e Partisë. Ne duhej të imitonim.

Duke marrë shkas nga shumë shkrime dhe artikuj që janë botuar kohët e fundit, shihet në to qartë përpjekja për të shpikur interpretime të pa imagjinueshme të librave të botuar në kohën e komunizmit. Në këta artikuj të shkruar jo keq ashtu si edhe librat në atë kohë, që shkruheshin dhe bukur, por nuk po trajtoj këtë çështje tani, por pretendimet që ata ia kanë hedhur çensurës me një finesë që vetëm pak njerëz e kanë kuptuar qëllimin e tij kundër Partisë dhe shokut Enver. Shëmbull merret Kadare, më saktë vetëm ai si më talentuari dhe që paskësh qenë me fat se ky grup i vogël me intelekt të veçantë ishte kundër kohës dhe nuk e spiunuan.  

Sot është e lehtë të fantazosh çdo gjë se je i lirë dhe interpretimet nuk të rrezikojnë nga asnjë dënim, aq më tepër që shumë nga këta kanë ikur dhe jetojnë në demokracitë Per:endimore, por kjo nuk i bën nder të v:ertetës, as Kadaresë, është e kuptueshme përpjekja dhe konformizmi për mbijetesën si shkrimtar profesionist me të gjitha privilegjet e mundshme, famë, daljet jashtë shtetit, deputet, anëtar partie, nënkryetar i Fronit Demokratik, me kryetare gruan e diktatorit, etj, dhe sot disident i tyre, por kjo i shërben diktaturës së dikurshme duke e nxjerrë atë kështu të butë, të arsyeshme dhe liberale, siç e thotë dhe vetë Kadareja diku, kur ajo, diktatura, nuk lejonte asgjë të këtij lloji, kur ndonjë disident apo kundërshtar shfaqej sado pak, burgosej menjëherë apo edhe pushkatohej.                                                                    

Të arrihet deri aty sa të pretendohet se kuajt e Lidhjes së shkrimtarëve ishin pararendësit e demokracisë dhe drita për shpëtimin e inteligjencës së Shqipërise në komunizëm është një kurajo e madhe për të mos thënë marrëzi e madhe.     Një rresht i vetëm në një libër të tyre, jashtë kontekstit, e përkthejnë si dissidence?1 Po ajo mund t’i jetë lejuar ndonjërit nga shkrimtarëve në krye për të dhënë këtë ide të rreme, mashtrim si gjithçka në diktaturë. Shteti i diktaturës nuk lejonte të dilte asgjë kundër saj, shtëpia bouese ishte e saj, media, televizoni, librat, po ashtu, edhe artistët ishin të Partisë-shtet.                                      

Duhet ta pranojmë, edhe si vlerësim për të sotmen, që dëmi që këta kuaj të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Realizmit Socialist bënë me veprat e tyre, nuk i justifikon përpara histories dhe së ardhmes. Ata punuan për të krijuar Njeriun e Ri, të denatyruar, si rrjedhojë ndihmuan hapur në depersonalizimin e individit, i bënë njerëzit me hije, me dy fytyra duke u dhënë një ushqim të helmuar me ideologji për shpirtrat e tyre të pafajshem. Të gjithë janë përgjegjës, aq sa janë, për këtë tragjedi të ndërgjegjes kombëtare, së pari sundimtarët dhe doktrina e tyre dhe patjet:e dhe ata, kuajt e mëdhej të Lidhjes, që morën më shumë privilegje.

“Nuk na hedhin më hi syve sot, le t’i mbajnë në zemrat tyre, nuk na gënjejnë dot, përveç vetes së tyre”, - po më thoshte me të drejtë një shok imi, lexues në dy kohë.  

Si reagim i një artikulli të tillë vetëmashtrues nga ata që duan të vetëmashtrohen dhe tani,  rrëmbimthi hodha në letër si me postë një parabol:

Kuajt në fëmini, jo vetëm timen…

Kur isha i vogël rreth 10 vjeç në qytetin tim të pastër dhe të vogël në verilindje të vëndit, karrocat me kuaj të tregëtisë dhe komunales shiheshin kudo nëpër rrugë e sheshe.

Karrocierët i mbanin me kujdes dhe zbukurime të veçanta, ata bënin garë se  kush kishte karrocën më të bukur. Por kuajt ishin të dobët, të pa ngrënë, dukeshin si të ngordhur, dhe sado e bukur të ishte karroca, ajo ecte ngadalë, tundej nëpër gropa  dhe na vinte keq për kuajt e vuajtur.  Shpesh u hidhnim bukën qe kishim marrë me vete në shkollë.   

Kur u godit grupi armiqësor në ushtri, pamë se karrocat e zbukuruara po tërhiqeshin nga disa kuaj të rinj, të veçantë, të lartë e të fuqishëm. Nga erdhën? Karrocierët iu kthyen përsëri garave të shpejtësisë e më me entuziazëm nëpër qytet. S’kishim shumë argëtime të tjera. Nga patkonjtë e tyre kur përplaseshin me shumë zhurmë, shikonim shkëndija. Midis tërë atyre kuajve të bukur arabë, dy ishin më të veçantë për mua. “Korabi” ishte i bardhë me një gri të lehtë, më i larti ndër të gjithë dhe me një ecje elegante e fisnike që nuk kishte të krahasuar. Dukej sikur na thoshte: “Mos më ngatërroni mua me të tjerët, unë jam i përzgjedhur” Ishte. Përflitej se kishte qenë kali i ministrit të pushkatuar, Beqir Ballukut. Por mua zemrën ma mori “Çajupi”, një kalë i kuq me një larë të bardhë në mes të fytyrës dhe me nga një vijë të bardhë në çdo këmbë. “Çajupi” ishte i fuqishëm, shtatlartë, nuk e mora vesh i kujt të pushkatuari kishte qenë, por ai tërhiqte karrocën bashkë me “Korabin”. Kur ecnin me shpejtësi, edhe kuajt garonin mes tyre. Dukej sikur “Çajupi” donte të më tregonte se nuk isha gabim që e kisha zgjedhur si të preferuarin tim.                                           

Në qytetin tim sollën dhe kuaj të tjerë, të gjithë të kuq, vetëm një ishte i bardhë. Më kujtohet shumë mirë, asnjë i zi.                                                                   

Pas një viti, edhe këta kuaj të ardhur u dobësuan, u bënë si të tjerët. Karrocat nuk bënin më gara, ndonëse ato vazhdonin të zbukuroheshin sipas kohës dhe mundësive të karrocierëve, që s’ishin pronarë të tyre. Prona ishte e ndaluar. 

58 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page