Dora që ndërton një shtet kartoni
Nga Fatmir Terziu
Shqipëria është me kohë e deklaruar. Ajo i përket Perëndimit. Dhe kjo na gëzon të gjithëve, shumicës dërrmuese, madje dhe politikës, kur shkon e ulet në zyrat e takimet perëndimore dhe kur i serviloset Perëndimit Por, kur vjen puna për të ndjekur udhën demokratike, ligjet dhe detyrimet Perëndimore, gjithnjë ka një prerje në mes. Njëra palë që kërkon shfrytëzimin e mundësive demokratike, në këtë rast Opozita, për protesta të ligjshme, quhet se po „bën revolucion“ dhe tjetra, që mban karriget, në këtë rast, Pozita, angazhohet në njëmijë e farë mënyra për të mbajtur Opozitën nën trysninë e saj. Protestat, që janë perëndimore, nuk i pëlqejnë pushtetit.
Nuk i pëlqejnë Qeveritarëve, aq më shumë Qeverisë së sotme shqiptare, edhe pse e di se Perëndimi është në protestë. Si shembull, të enjten e kaluar, më shumë se një milion njerëz dolën në rrugët e Francës për të protestuar kundër projektligjit të reformës së pensioneve të presidentit Macron. Protestuesve iu bashkuan punëtorët e sektorit publik, shoferët e trenave, mësuesit, stafi i rafinerisë dhe punëtorë të tjerë që hynë në grevë. Në protestë është Britania e Madhe. Protesta ka kudo, edhe gjetkë ku ndjehet shtypja demokratike.
Po të lexosh lajmet, po të shohësh komentet, po të ndjekësh Facebook-un e Kryeministrit Rama, ti i kupton të gjitha se si funksionojnë. Në plan të parë ndjen menunë e komenteve dhe në anën tjetër ndjen një „komunitet“ midisës, që një Zot e di se kush e përbën. Opozitë, jo e jo. Pozitë e ku ta dish se është dhe ajo?! Ka një dorë që luan mijëra duar. Një komunitet kuçedër!
Ky komunitet i rrëmujshëm i aktivistëve të quajtur heshtazi në Facebook e në media të paqes, aktivistëve pro-demokracisë dhe të pastrehëve, gjatë kohëve të fundit, e kanë kthyer dorën që i paguan dhe i shtyn në një dorë defunksionale që i shërben një shteti prej kartoni. Themi kështu se aty ka vetëm kartonizime, figuracione dhe shtirje. Gjëra që duan të mbajnë Opozitën të përçarë, e deputetë të ndarë, të maskuar, të kamufluar e të shtirur. Në prag të zgjedhjeve lokale ende bëhet luftë për një vulë. Dhe thua se vula i bën të gjitha?! Flitet për një demonstratë që mendohet se duhet për t'u organizuar me nxitim në favor të "fjalës së lirë dhe protestës". Por ngjarja zbulon se sa jokoherente dhe e fshehtë ka qenë fushata që bën antifushatën, ajo që mban të strukur „ligjërisht“ vulën dhe të gjitha menutë poltike që i duhen një Opozite reale, një Opozite që vjen si shkas i mjaft gjërave që tashmë dihen. Një mini tjetër që mbahet në jetë nga dora instrumentale, tashmë është vetëm një shtesë në këtë shtet prej kartoni.
Ja si funskionon ky shtet kartoni. Ky shtet fiktiv i kësaj „proteste“. „Protestuesit“ ulen në një rreth vicioz duke diskutuar se çfarë të bëjnë pasi të hyjnë në garën lokale. Ata që priten për të folur presin urdhërin e dorës së padukshme, por që në fakt dihet se cila është. Dhe pritet të vijë fjala. Të imagjinohet tundja e fjalës. E aty flet ndonjë deputete që i kërkon Liderit të Opozitës të shpjegohet për tre pika, dhe në anën tjetër dora e kartoni qeshin me të madhe. Të kujton rrëfimet e fundit të kamerës që bëjnë shoqet e shtëpisë në reality shou Big Brother përpara se të përballen me dëbimin.
"Le të shkojmë në grevë", propozon një grua e moshës së mesme, duke shkaktuar vështrime konfuzioni nga kolegët e kampit. “Unë e di që askush nga ne nuk punon në të vërtetë dhe shumë prej nesh janë të pabindur me këtë realitet. Por ne ende jemi në dyert e problemit. Ne ende konsumojmë problemin. Mund të hynim në grevë nga e gjithë kjo? Mediat po kërkojnë për një goditje të re, kjo mund të jetë ajo që i duhet dorës që komandon edhe ekranin”, shpjegoi dikush në komentet e tij Facebokëshe, duke ngulur sytë në një aparat fotografik, që pozon një tjetër realitet në këtë shtet me karton. “Ne duhet ta kthejmë këtë në një lëvizje të re proteste të luftës së madhe”, entuziazmon një tjetër protestues-komentues, duke shpjeguar se gjithçka që duhej ishte që mijëra njerëz të marshonin në shesh dhe që “heronjtë e demokracisë të hidhnin medaljet e tyre në asfalt”.
Në këtë pikë, ndërhyn deputetja që nuk e di se ku janë shkallët e PD-së, e vetëquajtur "mbretëresha e njerëzve të thjeshtë", të cilës protestuesit e tjerë e quanin "madhështia e saj". E veshur me një fustan mbrëmjeje ngjyrë gështenjë me një gjerdan kryq plastik të ndritshëm portokalli, ajo tregoi në një ekran se donte të fliste, por më pas shkoi drejt një kamere në mënyrë që askush përveç kameramanit të mos dëgjonte se çfarë po thoshte. Në të njëjtin moment, dy militantë përleshen, duke e shtyrë një Pishtar të Demokracisë që është punësuar si Drejtor në Administratën e Ramës, dhe që bënte thirrje që gjithkush të ngrinte duart në ajër si të zhgënjyer dhe të bërtiste "kjo është ajo!" Asnjë nga ju nuk po më dëgjon! Unë po largohem!'
Kjo mungesë solidariteti mes protestuesve të shtetit më të ri prej kartoni në Facebook quhet Demokraci dhe nuk është befasuese se duke pasur parasysh mungesën e plotë të koherencës së mesazheve dhe agjendave të tyre, janë ende duke menduar se si duhet të bëjnë shoun e radhës. Njerëzit këtu po demonstronin për gjithçka dhe për asgjë në fakt. Kjo është protesta që ristrukturohet të shuhet, pasi një shteti të tillë prej kartoni vetëm kjo i duhet. Ndryshe s'ka pse të vazhdojë kjo mizeri, kjo ikje masive e shqiptarëve, kjo varfëri ekstreme, dhe kjo lubi që në kurrizin e tyre po luhet. Dhe kur del në sytë e realitetit fjala e vërtetë, fjala që i tremb të gjithë, se Fjala është në gojën e Demokratëve, fillojnë të përmenden „non-grada“ e të shkuara që kërkohen sot për një hesap të bërë mot. Kush është pra kjo dorë e shtrirë në të dy anët që prej dy dekadash po ndërton një shtet kartoni?
Comments