top of page

Doni të kuptoni rezultatin e 14 majit?!


Doni të kuptoni rezultatin e 14 majit?!

Prof Dr Fatmir Terziu


Kalaja e Dodës nuk mjafton të shkulet e tëra dhe të rrezatojë në mes të Londrës. Mjafton një shtrëngim duarsh me një Njeri, një burrë fisnik, një maturi me thellësinë e njohurisë dhe dijes, me thjeshtësinë e madhe dhe me respektin e pafundshëm njerëzor. Mjafton një miqësi me zotërinë Ferit Lita, të kuptosh se sa vlerë ka pesha e thellë dibrane kudo që ajo piqet, takohet, dhe dëgjohet. Kështu jo më kot në Dibër, kjo zonë dhe tërë ajo që lidhet me Kalanë e Dodës rrjedh mes dokumentit të parë të shkruar për Kalanë e Dodës, që është i vitit 1571, por që larg këtij regjistrimi osman, mençuria dhe urtia dibrane e kësaj zone ka thellësi të mëdha kohore, të lidhura me mite e legjenda, me fakte dhe realitete të tjera.

Të rejat janë ndoshta më kursimtare, e ndeshen pikëtakimthi, të vjetrat e të moçmet nisin në regjistrimet e vitit 1468 ku edhe pse Kalaja nuk është përfshirë në defterin osman, ka në thellësi të shpirtit të banorëve të saj atë që është trashëguar mot pas moti e që mbahet si kurë ndonjëherë me vete kudo që banori i kësaj zone vendoset qoftë dhe përkohësisht. Për atë kohë, pra për vitin 1468, mendimi i studiuesve të historisë është se Kalaja më 1468 nuk ka qenë e pushtuar akoma nga osmanët. Në vitin 1571 banorët e Cerenit kanë pasur katër mbiemra të gjithë shqip, asnjë sllav. Në vitin 1591 Cereni ka pasur akoma edhe 23 shtëpi të krishtera. ”Renta feudale në akça është për Bloshtanin 1500, Ceren 1000, Shullan 1500, Shin Andrea 1000, Radomir3000, Taksa e dhenve në mallet e Sharrit ku përfshihet edhe Kalaja 120.000. Feudet hass i padishahut. (Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë, Studime historike 4, Tiranë 1973).

Por këto janë fakte, thjesht dokumenta me vlera të mëdha në atë që na duhet të mburremi, por në atë që 'mburrja' na bën më krenarë është pikërisht kur takojmë, bisedojmë, rrëkëllisim një kafe në Londër me një burrë fisnik si Ferit Lita. Me të ishte një dëshirë e kahershme e djalit të tij që ushtron biznesin e vetë në Croydon, me të cilin miqëisht jemi përshëndetur si shqiptari-shqiptarin. Një ditë ai i transmeton të Atit, pikërisht zotit Lita takimin e disahershëm mes nesh dhe ai, pra Ferit Lita, me peshën e 82 viteve mbi shpinë, kërkon të ulemi bashkë për një bisedë dhe një kafe. E kështu ndodhi. Kafja, shtrëngimi i duarve si shkak i kafesë, bisedë si shkak i respektit, na solli dhe na beoi urtinë e një sofre dibrane, urtinë e Kalasë së Dodës. E në këtë urti folëm për fatet dibrane, shqiptare, fatet e kohës, folëm dhe për politikë, folëm dhe për 14 majin. E aty folëm më saktë për Njeriun. Dhe për Njeriun që sot ka vendosur të bëhet mjeshtri i Botës…Thelbi është një paralele në kohë, por një pikëtakim në këtë botë…, që sytë e shqiptarëve më kot i lodh me këtë 14 majin… Fundja, ja na mirëkuptoni me këtë bisedë „dibrane“ për këtë datë, që të kuptoni rezultatin e 14 majit…

Kur Zoti krijoi njeriun, i dha atij mendje dhe arsye dhe i kërkoi t'i përdorte ato me mençuri dhe të jetonte në paqe me të gjitha krijesat e tjera të gjalla. Por njeriu u bë krenar dhe vendosi që ai të sundonte mbi të gjithë botën. Ai shkoi te zogjtë dhe u tha atyre:

– Unë jam më i zgjuari në këtë tokë dhe do të jem zotëria juaj.

- Meqenëse jeni më shumë se ne, pse nuk mund të fluturoni? - iu përgjigj flokëkuqi.

Burri u zemërua me zogun mendjemadh dhe, duke shpikur harkun dhe shigjetën, vrau robinin. Dhe zogjtë u larguan prej tij.

Pastaj burri shkoi te kafshët e egra dhe u tha atyre:

– Unë jam shumë më i zgjuar dhe më i shkathët se ju, kështu që tani e tutje do të më bindeni, krijesa pylli!

- Vetëm krenaria jote është më shumë - tha ujku. “As nuk mund të vraponi më shpejt se ne, as nuk keni dëgjim dhe nuhatje më të mirë”.

Por njeriu shpiku një kurth, e kapi ujkun dhe e vrau. Kështu edhe kafshët u neveritën me të.

Më në fund, ai u ul në breg të lumit dhe iu drejtua peshkut:

"Unë jam sundimtari i botës dhe të gjitha ju krijesat e ujit do të bëni siç them unë."

- Por ju nuk mund të duroni as pesë minuta nën ujë! Si keni ndërmend të sundoni domenet tona? tha trofta.

Burri u zemërua dhe shpiku rrjetën, e kapi troftën dhe e shkatërroi. Peshku notoi në thellësi të lumit dhe u largua prej tij.

Më në fund, burri shkoi te Zoti dhe i vetëkënaqur tha:

– Unë jam qenia më e zgjuar, më dinake dhe më e fortë në tokë. Unë i kam nënshtruar të gjitha krijesat dhe tani jam zotëruesi i vetëm i botës. Më bëj të barabartë me ty.

- Mësoni së pari të doni, atëherë mund të jeni një sundimtar i denjë i botës - u përgjigj Zoti.

Pastaj njeriu shpiku ateizmin dhe u përpoq të vriste edhe Zotin.

Kështu më duket se u mirëkuptuam për të gjitha, psherëtiu thellë 82 vjeçari nga Kalaja e Dodës, që kishte ardhur të thithte "ajrin e ndotur të Londrës".

222 views1 comment

1 commentaire


kujthajdari
07 mai 2023

Respekte i nderuar per shkrimin

J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page